E marte, 15.10.2019, 03:12 PM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Zhurma kulturore tradicionale partiake me: pizi, “tallava” dhe “të ka lali xhan”!

E premte, 20.09.2019, 09:28 PM


ZHURMA KULTURORE TRADICIONALE PARTIAKE ME PIZI – “TALLAVA” DHE “TË KA LALI XHAN”

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti kohë, herët nga dalja për herë të parë në skenë e manifestimit kulturor “Tingujt e Çarshisë” (Shkup), nuk e prita me duartrokitje, por me rezervë me një shkrim publicistik: Zhurma kulturore rrugëve të “Bit - Pazarit, në Shkup.

E pagëzova si një zhurmë kulturore, shkaku se: pas këtyre udhëheqsve “artistik” partiak, në prapaskenë fshiheshin dy parti politike të “vëllazëruara” në pushtet: me lodra (tupana), cingana (zurla) e “lani xhana” nëpër “Bit-Pazar”, duke e dalldisur edhe sotekësajdite popullin shqiptar me këngë e valle, dhe gjoja se e “trembin” palën maqedonase të merren ende me politikën e trashëguar antishqiptare nga sistemi ish komunist jugosllav i “vëllazërim-bashkimit, se: Heshtni, mos bëni zhurmë politike! Shqiptarët, na e morën “Bit - Pazarin”. Nesër, edhe Shkupin.

Thashë, asaj kohe: Fatkeqësia e këtyre manifestimeve “kulturore” e shoqatave “artistike” plot zhurmë, pordhë e piskamë si “arritje kulturore”, nuk janë asgjë tjetër, përveçse dalldisje e popullit shqiptar, i cili sot vdes edhe për bukën e gojës. Kohë, kur: me lodra, cingana e “lani xhana”, është i detyruar për shpëtim të marrë rrugët e botës. Ose, mbyllë sytë dhe veshët me tupanat e grisur dhe zurlat e shurdhëta të partive politike. Kujt, t’i teket partizani partiak, sa herë që Nëna Parti e tij vjen në pushtet, themelon një manifestim kulturor, disa shoqata të shkrimtarëve në katund edhe pa asnjë shkrimtar, duke grabitur mjete marramendëse materiale në emër të popullit dhe kulturës shqiptare, heshti ato tradicionale me një bagazh kulturor mbi shpinë nëpër vite duke i fshirë me dhunë edhe nga Regjistri Qëndror i Shtetit “përbashkët”.

Vetëm hidhni një sy përreth, Secila Parti Politike Shqiptare posa ka ardhë si argat në  pushtet, i ka themeluar nga disa institucione “kulturore” e Dasma partiake nëpër katunde e qytete. Fatkeqësisht, të gjitha në letër. E, asnjëra në vepër. Dhe, sipas tyre e fiton bindjen, se: Populli shqiptar, nuk ka politikanë, por vetëm artistë. E, realiteti Sot po na e thotë të kundërtën: Populli Shqiptar ka politikanë trusakatë. “Artistë” partiak, që vazhdojnë ta përbaltin, nëpërkëmbin dhe përdhosin arsimin dhe kulturën shqiptare, edhe më zi se ish sistemi egër komunist jugosllav.

Përçapen shuma marramendëse materiale nga kriminrlët dhe partizanët e korruptuar partiak në emër të popullit shqiptar, gjoja në shërbim të kulturës shqiptare të “vëllazërim-bashkimit” nën struken e partive politike. Partizanë partiak, që nuk kanë haber nga kultura dhe arti, por dinë nateditë t’i përdredhin bukur palaretë e zhveshura lakuriq përmejdani rrugëve në prehërin e partive politike.

Herë pas here e kam ngritur zërin nëpër shkrimet e mia publicistike dhe libra, duke fshikulluar këtë dukuri të rrezikshme kulturore antishqiptare, se: Popullit Shqiptar, nuk i duhen me dhjetëra institucione kulturore, shoqata artistike partiake në çdo katund e qytet. E, asnjëra e “hajrët” për të endur në Vek Qilimin me këmbë Arushe, kulturë të arrirë artistike. Partitë Politike vijnë e shkojnë nga jeta e përditshme “artistike”. Nesër, mbeten përgjithmonë si shtylla të një shoqërie dhe shteti, vetëm arsimi dhe kultura e një populli. Por, ja: Që, u duheshkan partive politike t’i kenë këto shoqata “artistike” në gjirin e tyre si të “arritura” kulturore” për Ditën e Nesërme?!

Përinat t’imin, turr partitë politike shqiptare në pushtet me familjarët e tyre, miq shtëpie dhe partizanë partiak, sa më shumë të themelojnë institucione kulturore e shoqata “artistike” të veshura fundekrye me petka partiake duke rrëmbyer shuma marramendëse materiale me duar e këmbë nga goja e popullit. Ku ta di unë, përmes shkrimeve publicistike sa e sa herë ua kam bërë me dije: Në Ministrinë e Kulturës, institucionet kulturore shtetërore përmes shkrimeve publicistike, mos dërgoni ta vlerësojnë kulturën dhe Letërsinë Shqipe persona gjysëmanalfabetë, po profesionistë!

Ato, përsëri për inat timin në Ministrinë e Kulturës përcillnin për ta vlerësuar Letërsinë Shqipe tollumbaxhi dhe bozaxhi. Argatë partiak. E, unë në një shkrim publicistik (përcjellur edhe institucioneve shtetërore), haptas u kërkova të dërgonin një bari për ta vlerësuar Letërsinë Shqipe! Edhe, atë: Mundësisht, Bariun e Sharrit Plak me gunën e ogiçit hedhur krahëve, i cili pas Lufte i zente para kamerave televizive delet e tia ende të gjalla me kërrabë. Që, 300 delet i humbi në bombardimet e Luftës të 2001 -shit.

Vitin tjetër, në Ministrinë e Kulturës e dërgojnë edhe një hoxhë. Partizanë, kokekëmbë partiak me “Din e Iman”, që në jetën e tyre, jo që nuk kishin shkruar një libër, por as edhe një varg përsëgjalli në shtetin e “përbashkët”.

Përgjigje, merrja gati për çdo vjet duke më dënuar si shkrimtar me mjete materiale. I vetmi dënim i fundit që u kishte mbetur mbi tavolinën partiake. I kishin harxhuar të gjitha metodat partiake të Policisë Letrare: Pasi, ma kishin djegur shtëpinë dy herë me radhë, xhipin para banesës në “Çair”. Librin tim me rreth 500 faqe në prozë e shpërblenin me 60.00 den. Para, që nuk i mbulonin as shpenzimet e shtypshkronjës, e ku më honorarin e autorit. Në anën tjetër, e ndihmonin librin e partizanit tyre me pizi me 60 faqe me 300.000 den. Dasmat e tyre kulturore partiake me miljona denarë. E, Manifestimin Tradicional Ndërkombëtar TAKIME NËN RRAP, të Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, herë me 70.000 den, e herë me 100.000 den. Shuma qesharake materiale me të cilat poetëve nuk mund t’u jepja as edhe një kafe. E, ku më tri ditë rresht t’i strehoj në hotel, restorante me shpërblime e honorare. Haptas shihej se për kulturën dhe Letërsinë Shqiptare vendosnin partizanët e “vëllazëruar” partiak, që nuk dinin çka është poezia dhe çka është proza. Aqmëpak letërsia. Por, e dinin çka është, pizia, “tallava” dhe “të ka lali xhan”. Mos i marr shumë kohë lexuesit në këtë shkrim publicistik t’i përmend edhe mosnjohjen e gjinive tjera letrare.

Edhe, atë: E dënonin me “shpërblime” partiake Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar, e cila në vitin 1997 për herë të parë nën Rrap, në “Bit-Pazar” e futi vargun shqip me emrat më të njohur të Letërsisë Shqipe nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare. E ringjalli Çarshinë e vdekur të Shkupit, e zgjoi nga gjumi shekullor. Dhe, jo “Tingujt e Çarshisë’, me këmbët dhe trutë ende në legen.

Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar, që në vitin 2001 (gjendje lufte) në Saraj të Shkupit priti në MKTN “TAKIMET NËN RRAP”, një autobus me targa TR përplot me poetë nga Shqipëria. Edhe, dhjetra të tjerë nga Kosova, Maqedonia dhe Diaspora.

Poetë, që gjatë atyre dy-tri ditënetëve, përkrah poezisë Asdrenit për Kosovën, lexuan poezi para tytave të tankeve, rrethuar nga të katër anët. Rastin Histrorik e përshkruan shumë bukur në një reportazh letrar poeti mirënjohur pjesmarrës Visar Zhiti: Të lexosh poezi pranë tankeve (Tiranë, DITA 3 nëntor 2001). Vit, kur edhe në dalje të Shkupit nëpër Shqipëri për në Shqipëri, ushtarë të armatosur deri më dhëmbë e ndalën autobusin dhe duke bërtitur si ujqër të tërbuar, i sulën poetit Pano Taçi duke ia rrëmbyer plot sharje e ofendime kamerën me të cilën e kishte regjistruar këtë ngjarje historike.

Vite më vonë edhe do të rebelohem përtej kufiri. Në Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar të radhës “TAKIME NËN RRAP”, ministrin e kulturës shqiptar do ta shpërblej me një Çmim Letrar: Një presh kopështi. Dhe, një shkrim publicistik në mjetet e informacionit. Edhe, dihet përgjigja neokomuniste hakmarrëse: E fitova çmimin e shtetit “përbashkët”: Ministria e Kulturës atë vit, nuk e ndihmoi asnjë projekt të SHGB “ASDRENI”. E, as edhe të Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar. Përmëtepër, as edhe revistën letrare “STILI ‘97”, e cila deri më tani veç më i kishte botuar rreth pesëdhjetë numra. Indirekt, duke m’u përgjigjur me themelimin e disa revistave “kulturore” nëpër katunde e qytete nga udhëheqës partiak anonim. Që, nuk i njihte nëna e tyre, e ku më katundi. Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, i cili deri më tani ishte organizuar mbi njëzetë vite me radhë në Shkup, e ndihmuan me zero denarë?!

Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar “TAKIME NËN RRAP” me mjete personale dhe ndihmën e poetëve, që erdhën nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare dhe Diaspora, përsëri e shkrepi vargun nën Rrap (“Bit-Pazar”, në Shkupin Historik Shqiptar.

Vite më vonë (2015), papritmas dhunshëm do të fshihet nga Regjistri Qëndror SHGB “ASDRENI” (1992 – 2015) duke e plaçkitur me mjete materiale në bankë dhe disa projekte të fituara me konkurs nga Ministria e Kluturës. Shtëpi botuese, e cila me mjete materiale e mbante me vite gjallë edhe Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar.

Ditën e sotshme (16 -18. 09. 2019), organizatorët partiak pa fije turpi ende vazhdojnë ta mbajnë veten gjallë me “Tingujt e Çarshisë”, manifestimin e tyre mishmash të “vëllazërim-bashkimit” ish jugosllav me një buxhet 3.65 milion den. Qyteti Shkupit ka ndarë 3 milion den. Ministria e Kulturës 500.000 mijë den. dhe bizneset private 150.000 mijë den. Sipas informatave zyrtare që i siguroi dhe publikoi ALSAT. Çmimi i katër këngëtarëve më të paguar pa TVSH janë:

Elvana Gjata – 11 mijë euro

Dafina Zeqiri – 4 Mijë euro

Lum Berisha -2.500 euro

Ylli Limani – 2.500 euro.

Imzot, para syve të popullit shqiptar një “mishmash”: me pizi, “tallava” dhe “të ka lali xhan” në Shkupin Historik Shqiptar, me shuma marramendëse materiale të shpenzyara kotnasikoti rrugëve të Çarshisë Shkupit duke reklamuar “vëllazërim-bashkimin” e rrejshëm ish jugosllav?! Pse, këto “burra” e gra mejdani, Sot nuk kanë pak guxim të dalin me pizi, “tallava” dhe “të ka lali xhan”, edhe matanë Vardarit (Urës Gurit) ta përdredhin palarenë dhe gjoksin me pashterka të kuqe?!

Publikisht, i pyes organizatorët e këtij manifestimi “kulturor” të “vëllazërim-bashkimit”, kur 11 mijë euro merr një këngëtare për dy-tri këngë “tallava” partiake “kuqezi” të kënduara gjatë një nate në “Bit-Pazar” të Shkupit Historik, sa euro merr shpërblim (shitet) një poet me rreth 70 libra me Çmime kombëtare dhe ndërkombëtare i publikuar dhe përkthyer në disa gjuhë botërore?!

Edhe, tashti volla. Përpak, t’i nxjerrë edhe zorrët nga barku: Vallë, nuk është pak si vonë të ngritet zëri kundër këtyre dukurive kriminele e korruptive kancerioze, që e kanë pushtuar shoqërinë dhe Shtetin e “përbashkët”?! Kulturën shqiptare  me vite kokekëmbë, falë meritave të politikës “madhore” nga Partitë Politike Shqiptare. Shkaku, se krimi dhe korrupsioni Sot u ka ngelur në fyt. Kanceri vdekjeprurës ua ka pushtuar të gjitha organet e trupit, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Populli, Sot nuk e thotë kot: politikanë, e gëzofshi me shëndet sëmundjen kancerioze vdekjeprurëse me “politikë madhore”! Zhurma kulturore “vëllazërore” partiake të “vëllazërim-bashkimit”, me: pizi, “tallava” dhe “të ka lali xhaan”!...



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT