Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fluiditeti i alencave fluide dhe kameleonët e politikës

| E merkure, 16.05.2007, 09:26 PM |


Nga Albert VATAJ

Albert Vataj
Askurrë nuk kam besuar tek funksionimi i aleancave para dhe paselektorale. Gjithnjë këto pazare politike nuk kam patur as më të voglen dëshirë për ti parë apo për ti trajtuar vetëm si marrëdhënie ndërmjet biznesmenësh, ndërmjet tregtarësh. A nuk është kështu? Përgjigjen e kësaj pyetje, të cilën janë në gjendje t’i përkojnë një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në atë kontekst që e mendoj edhe unë, nuk kam ndërmend ta artikuloj. Zgjedhjet dhe dëftuesit e këtij testi elektoral, duke qenë shtysa për të nxjerrë mësime, nëse janë pësime, nuk kanë patur komoditetin të trajtohen qartazi kështu, pasi asnjëra palë nuk ka pranuar humbjen. Politika ka vijuar në logjikën rutinore, konform parimit të moralit pa moral. Dhe ja ku behemi para një pamje aspak të panjohur. Atë që nuk bëri dot Partia Demokratike fill pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, largimin e Berishës si shkaktar kryesor i humbjes në qytetet e mëdha të Shqipërisë, e kanë në dorë sot ta bëjnë aleatët e koalicionit të djathtë. Më në fund, ata të parët, po e shohin Kryeministrin për çfarë është në të vërtetë, si arsye të vetme pse koalicioni i djathtë e ka të garantuar shpejt humbjen e pushtetit. Në momentet që flasim, mazhoranca parlamentare, jo vetëm ka marrë krisje të mëdha, por mund të quhet aktualisht e zhbërë. Votimi i ligjit të gjobave nuk duhet parë si fillimi i kësaj zhbërje, në fakt, ai është shpërthimi publikisht, i asaj vale pakënaqësie, revolte dhe nevoje për ndryshim, që ka filluar me kohë të gëlojë brenda të djathtës.
E gjitha kjo i dedikohet vetë natyrës autoritare që ka kreu i qeverisë, i cili pas 18 muajsh në pushtet, përpos gafave të shumta në qeverisje, ka gabuar në trajtimin e koalicionit të tij, duke i konsideruar aleatët, njësoj si ushtarët e tij në Partinë Demokratike. Sot nuk kemi thjesht dy parti të fuqishme aleate si PDK dhe PPDNJ, që deklarohen kundra për një ligj të caktuar, por kemi një ndërgjegjësim politik të atyre, që jo vetëm nuk janë dakord të heqin deri në fund vallen pa krye të Berishës, por dhe kanë nuhatjen e duhur politike të kuptojnë se ky është momenti kur Kryeministrit, jo vetëm duhet t‘i thuhet ndal, por dhe lamtumirë. Dhe nuk se jemi në prag të bërjes së ndonjë qeverie të re, që Berisha të mund të joshë kryengritësit me ndonjë post ministror. Aleatët që i kanë dalë kundra, e kanë nga një ministër në qeveri. Shkurt jo gjithmonë pazaret të nxjerrin matanë dhe kjo tregon se një erë e re po fryn në politikën shqiptare. Berisha ka mbetur po ai dhe kjo është arsyeja që nuk kupton shumë se çfarë po ndodh rrotull tij. Edhe pse i rrezikuar dhe kritikuar paq në Kuvend nga brenda koalicionit dhe partisë, edhe pse aleatë kryesorë deri dhe vetë Mediu, kanë dalë kundra politikave dhe ligjeve të tij në Parlament, ai vazhdon t‘i injorojë këto qëndrime dhe t‘i quajë personale. Madje, po mos ishte për ngrohjen globale mund dhe t‘i ngrinte, duke harruar se votat e këtyre aleatëve e bënë Berishën Kryeministër dhe grupin politik që ai përfaqëson, të quhet mazhorancë në Parlament. Pikërisht këta aleatë sot, kanë kuptuar gropën e madhe ku Berisha po i tërheq të gjithë. Kryeministri, vetëm pas 18 muajsh në pushtet ka hapur luftë me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe sot, askush nga aleatët, por dhe nga Partia Demokratike, nuk do dëshironte të ishte në këpucët e tij. PPDNJ dhe PDK kanë vendosur të dalin hapur kundra politikave të Berishës dhe ky është një ogur i mirë në Parlament e më tutje tij. Së pari ata, por dhe të tjerë aleatë në qeveri e pushtet, nuk kanë pse mbajnë mbi supe gafat dhe paaftësinë e Kryeministrit për të qeverisur, sepse siç u shpreh vetë Dule, të gjithë në qeveri janë thjesht nëpunës që i binden kreut. Dhe në fakt, të gjitha vendimet, të gjitha shpjegimet, të gjitha iniciativat, nga politika e ndërtimet, deri te sporti e kultura, Berisha i merr tërësisht në kokë të tij, pa u konsultuar me aleatët, për të mos thënë më tej me grupe interesi. Aleatët, paçka se në qeverisje me Berishën, nuk dëshirojnë dhe s‘kanë pse marrin mbi supe koston e politikave të deformuara të një Kryeministri autoritar. Nga ana tjetër, është koha që politika shqiptare mos sundohet veç nga dy parti të mëdha dhe fati i më të vegjëlve të jetë thjesht çështje "Dushku" ose pazari momental. Duket se dhe "Dushku" dhe pazaret, s‘po mbajnë gjatë dhe po shihen gjithnjë e me sy më të keq nga opinioni shoqëror. Po kështu, një sistem i ri zgjedhor i pritshëm, kërkon që partitë e vogla të kenë një profil të tyre, të cilin si majtas dhe djathtas kanë filluar ta krijojnë, kryesisht duke kundërshtuar të mëdhenjtë, por dhe duke u bërë palë në vendime dhe zgjidhje situatash të rëndësishme. Majtas mund të përmendet LSI dhe PSD, ndërsa nga e djathta sot po mundohen të faktorizohen dhe kanë gjithë shanset të jenë faktorë të fuqishëm, PDK dhe PPDNJ. Dhe duke qëndruar tek e djathta dhe votat e aleatëve, shihet lehtësisht se votat e këtyre dy partive, që kanë kundërshtuar ligjin e biznesit dhe të mediave, janë sot mjaftueshëm t‘i shkaktojnë krizë mazhorancës, pa qenë nevoja për të shkuar deri te Presidenti. Me ta bashkohet Topi nga brenda PD-së dhe një grup që ai me siguri e ka me vete, që mund të konsiderohen si fryma ndryshe e Partisë Demokratike. Topi iu përgjigj qetësisht kritikave të hapura të Lesit në Parlament, madje duke e mbështetur atë. Në mos kjo është një lojë, duhet shfrytëzuar nga vetë Topit si një shans i mirë, për të treguar jo vetëm sa ndryshe është nga Berisha, por dhe se ai ka synime të qarta në politikë, që nuk mbarojnë te përmendja e emrit të tij për President. Madje, tani vetë Topi duhet të ketë kuptuar që emri i tij u përdor nga Berisha dhe ishte thjesht një lojë sa për të kaluar dështimin e 18 shkurtit. Nuk dihet nëse i pëlqeu fillimisht Topit kjo ide dhe a e besoi ai Sali Berishën tërësisht, kur i bënte elozhe emrit të tij si President. Por një gjë duket qartë, Topi ka kuptuar që thjesht u përdor dhe që do përdoret paq në të ardhmen, nëse nuk qëndron për veten e tij dhe atë që ai mendon se përfaqëson. Tani i ka të gjitha shanset të bashkohet me aleatët e PD-së që janë kundra politikave të Berishës dhe së bashku të bëjnë atë që PD-ja nuk arriti ta bënte pas 18 shkurtit, largimin e Kryeministrit dështak dhe konfliktual, njëkohësisht dhe kryetar i vjetruar në krye të PD-së. Është pikërisht koha t‘i jepet lamtumira njeriut, që përveç konfliktit, frikës, dhunimit të lirive të individit, biznesit dhe pronës private, ashtu sikur çdo institucioni të pavarur, nuk ka ç‘të japë më në politikë. Dhe për këtë s‘ka nevojë të presim Presidentin, as të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Sot aleatët e mazhorancës, së bashku me PD-istë me në krye Topin, janë në gjendje të kërkojnë dhe realizojnë largimin e kreut të qeverisë dhe ngritjen menjëherë të një qeverie teknike, e cila duhet të marrë përsipër bërjen e reformave në vend. Madje, një qeveri e tillë do krijonte klimën e përshtatshme konsensuale dhe për zgjedhjen e Presidentit. Kjo do ishte një zgjidhje pa kosto tragjike për vendin, i cili nuk është gati të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ashtu sikur as opozita nuk do dëshironte të hynte në një "Shijak" me përmasa kombëtare. Por as pjesës së shëndoshë të mazhorancës nuk do t‘i interesonte një situatë e tillë. Shkurt, për aq kohë sa lokalizohet e keqja brenda një grupimi politik, kjo e keqe duhet larguar. Nuk ka pse përsëritet historia dhe për shkak të karriges së një personi të vetëm, Sali Berishës, vendi të ketë pasoja të padëshiruara. Pasoja që Kryeministri duke ndier fundin e tij, po i kthen me shpejtësi në ligje, duke vazhduar gafat e radhës e duke mos u tërhequr as nga presioni brenda aleancës, as nga ai shoqëror. Ai mbështetet akoma nga Topalli, e cila me pak më shumë mençuri duhej të kishte bërë distancimin me elegancë nga Berisha. Por jo më larg se të enjten, të dy bashkë bënë çorap Komisionin e Medias, vetëm me qëllim miratimin e ligjit për transmetimet dixhitale, që na shpie askund, përveçse në luftën personale të Berishës me median. Lufta që i ka hapur biznesit, shoqërisë civile, medias dhe çdo institucioni tjetër në Shqipëri, duket se është prologu i dyte i përsëritur i një fundi të ri, për një politikan që në fakt i ka mbaruar koha qysh në 1997-ën. Fund që kësaj here duket se po i vjen nga brenda. E që nuk do ishte gjë tjetër veçse një "reality check", një shprehje e të jetuarit në 2007-ën, ku më në fund erërat e reja të civilizimit po përkëdhelin të djathtën, e bashkë me të gjithë politikën shqiptare.