E enjte, 25.04.2024, 04:59 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Vargje per dashurine

E merkure, 18.09.2019, 07:00 PM


Vargje për dashurinë

Nga Reshat Kripa

                    

EMRI   YT

Emrin tënd më s’e kujtoj, emrin tënd të pagëzimit,

E kam flakur tej ndër yje, larg në botën e harrimit,

Larg në botën e harrimit, jashtë zemrës lozonjare,

Zemra ime  ziliqare, dita-ditës digjet fare.

Dita-ditës digjet fare, dashurinë e munguar,

Po kërkon që ta kujtojë, shpirtërisht i dëshpëruar,

Kujtoj kohën e kaluar, kur o engjëll ty të desha,

Kur të desha ty aq shumë, por me prangat unë ndesha

Ato pranga aq të rënda, zemrën time robëruan,

Më rropatën, më degdisën, shpirtin seç ma copëtuan,.

Atëherë unë kuptova, dashurinë ëndërrimtare,

Duhej ta mbaja përbrenda, duhej ta harroja fare.

Duhej ta harroja fare, së bashku me lumturinë,

Bashkë me ëndrrat e mia, të harroja dhe rininë,

Po mendoja e mendoja, mendja  nuk më zinte vend,

Një shkëndijë vetëtiu, të ndërrojë dhe emrin tënd.

Por si të të thërras vallë, kur t’më  shfaqesh në vegime,

Kur gjithë natën të rri zgjuar, kur të jem në ëndërrime,

Kur bukuria e rrallë,  zemrën time do ta theri?

Atëherë do të thërras: Të dua, të dua “Neri “!

Të dua, të dua “ Neri “!  Zemra ime po buçet,

Por ti nuk po e dëgjon, në errësirë humbet,

Mizoria ne na ndau, në humnerë na përplasi,

E braktisëm dashurinë, të dy zemrat na i plasi.

Tiranë, maj 2009

Ç’KE  MOJ  VASHË    MENDOHE

Ç’ke moj vashë që mendohe, rri e heshtur dëshpëruar

Mos për mua po trishtohe, zemra t’është copëtuar?

Jo, mor djalë nuk je ti, që zemrën ma ke rrëmbyer,

Është jeta ime zezë, mendjen ma ka turbulluar.

Dashurova me dëshirë, me dëshirë dhe pasion,

Djalin që më donte zemra, që kjo  zemër adhuron,

Porse djali më braktisi, e braktisi zemrën time,

Fluturoi larg në botë, larg në botën me premtime.

Dhjetë vjet ka i larguar, dhjetë vjet kam pa e parë,

Nuk e di në është në botë, nuk e di a është i gjallë,

Nuk e di a është bërë lypës, apo është bërë zotni,

Askërkush s’më thotë një fjalë, askërkush gjë nuk di.

Hidhi poshtë vajzë e mirë, hidhi poshtë këto mendime,

Fshihi nga kujtesa jote, mos jeto me ëndërrime,

Bota para është e madhe, është e madhe plot me besë,

Pra shijoje  jetën tënde, jeto plot me gaz dhe shpresë.

Tiranë,  shtator  2005

NERIT

Sytë  e tu si rreze drite,

Vezullojnë plot trishtim,

Para meje ti u ngrite,

Yll i artë në qiellin tim.

Çfarë ka zemra që më dridhet,

Dhe të qetë nuk më lë,

Kur ty të shikoj moj Neri,

Kur ta ndjej të ëmblin zë.

S’e kuptoj pse më ka mbetur,

Dhe nga mendja dot s’më shqitet

Përmbi syt e holla vetull,

Porsi hënë e re më shndritet.

Pse kjo vetull, hark hënor,

Ma roniti zemrën time,

Ah, moj Neri, moj e gjorë,

Brengë e parë e këngës time!

Vlorë,  janar  1991

DASHURI  E  PERËNDUAR

Kur ty të takova, pranë një burimi,

Mbushje ujë në krua, si muzë frymëzimi,

Syt e tu të kaltër, rreze xixëllimi,

Flokët e tu të arta, shndrijnë nga shkëlqimi.

Shumë u hutova, shumë u befasova,

Dhe nga buzët e  tua, shumë u turbullova,

Ndenja dhe vështrova , edhe për pak shkova,

Por këmbët nuk ecnin, pranë teje qëndrova.

Dorën seç ta kapa, në zemër e vura,

Ti je imja thashë, në zemër të thura,

Vargje të pamasë, në parajsë të shpura,

Ëndërr apo zhgjëndërr, para seç t’i prura.

Por ti fluturove, lart në qiell shkove,

Më helmove zemrën, shumë më lëndove,

Jetën ma shkurtove, shpirtin copëtove,

Mendjen turbullove, kohën ma ndalove.

Tiranë,  dhjetor  2008

PORTRETI   YT

Mbi qerpikun tënd të bukur,

Peneli i hollë kalon,

Ky profili  yt i bukur,

Zemrën time robëron.

Pikturoj fëmininë tënde,

Mbetur thellë në kujtesë,

Tënden vetull plot me ëndje,

Po të lutem, falmë ndjesë.

Falmë nëse kam harruar,

Diçka nga fytyra jote,,

Shumë vjet që kanë kaluar,

I kanë fshirë prej  kësaj bote..

Por nuk mundem  të harroj,

Sy e vetull dhe qepallë,

Përgjithmonë i adhuroj,

Ato më kanë mbajtur gjallë.

Mbajtën gjallë zemrën time,

Mbushur plot me dashuri,

Ndaj tani këto kujtime,

Zjarrin ndezin mu në gji.

Zjarri i rinisë së largët,

Zemrat tona i pushtoi,

Dashurinë tonë të pastër,

Errësira e  mbuloi.

Tiranë, nëntor  2008

UNË   JAM

Unë jam në mendjen tënde

Dhe aty do jem gjithmonë,

Mendja jote plot me endje,

mendjen time po kërkon.

Mendjen time po kërkon,

Ëndërron për dashuri,

Ndaj po qan edhe loton,

Dashuria s’ka kufi.

Unë jam në zemrën tënde,

Dhe aty do jem gjithmonë,

Zemra jote plot me dhimbje,

Zemrën time po kërkon.

Zemrën time po kërkon,

Të mësoj se sa të dua,

Psherëtin edhe rënkon,

Psherëtin e qan për mua.

Unë jam në shpirtin tënd,

Dhe aty do jem gjithmonë,

Shpirti yt oh, në çdo kënd,

Shpirtin tim po e kërkon.

Shpirtin tim po e kërkon,

Të jetojmë të bashkuar,

Ëndërron dhe ëndërron,

Lumturinë e premtuar.

Tiranë, nëntor 2007

KUJTOJ

Kujtoj kohën e kaluar,

Kur ne duheshim të dy,

Kur çdo gjë ishte ndaluar,

Zemra jote ish aty.

Zemra jote ish aty,

Kurse mendja  fluturuar,

Lotët rridhnin nëpër sy,

Ëndrrat na ishin tradhtuar.

Ata syt e tu të zjarrtë,

Xixëllonin plot shkëlqim,

O moj kohë, kohë e artë,

Mbetur thellë në harrim.

Po kjo zemra ime ngratë,

Ç‘ka që qan edhe loton?

Dita pse është kaq e gjatë,

Edhe nata pse vajton?

Vajton për rininë e gjorë,

Veshur petkun pleqërisë,

Ngado rrethuar me lot,

Moshë e artë e dashurisë.

Ndaj këto rri e kujtoj,

Tani në moshë të thyer,

Jetën time e mendoj,

Plot me brenga të mbërthyer.

Tiranë,  tetor  2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora