E premte, 19.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Dibër e Madhe

E shtune, 14.09.2019, 09:12 AM


QAZIM SHEHU

DIBËR E MADHE

Sa herë udhëtova drejt teje me ëndrra,

Me një libër të Stërmillit, moj Dibër,

Po ti je më e Madhe se ç`ka libri brenda,

Historinë tënde s`e nxë asnjë libër.

Ti s`ishe kaq e bukur sa atëhere,

Në breg të Drinit i shtrin këmbët

Mbi fytyrë mban një vijë të prerë.

Nga i ftohti  kërcëllon dhëmbët.

Ja Maqellara, Fushë e Gjoricës

Mali i Korabit ëndrrat m`i cyt,

Po vija ndarëse –laku bëtitës

Ende  të shtrëngon në fyt.

Fytyrën në fushë s`ke si fsheh,

Ajo duket  ashiqare shqiptare.

Se ti je ëndërr që prapë më deh,

Moj Di(b)(m)ër-bërr… e Madhe…

Dibër e Madhe, tetor 2015

FSHAT I BRAKTISUR

Të heshtura shtëpitë

Karta e pazhubravitur e arave

Shkruhet

Vetëm në krahë zogjsh...

Që kërkojnë kokrra misri,farën

në ikjen e hapit tek  u dogj...

Heshtja varet në qiell

Në një rreze që ende shtrihet

Duke kërkuar një zemër të mardhur...

Këtij trishtimi  nuk i dilet

Më mirë të ikim

Nga kemi çardhur...

Hijet venë kupë hekuri

Mbi gjëmbaçët  e bardhë...

EDHE MIGJENI…

Migjeni kur projektoi një grusht

Përballë”malit që s`bëzanë”

Të pasurit ia përgojuan me duf

Dhe asnjë nuk iu gjet pranë…

Kush guxoi të ngrinte prej tij dy gishta

E ngriti një bigë për të shënuar

Objektivat e tij të pista

Grushtin duke thërmuar…

VIZION

Në libra ndesh foto të bukura,

Si në to të jetë futur dielli,

Aty, me sa duket, rri strukur

E ndriçon në heshtje.

Pamjet e a tyre që s`janë më

Emrat shkruar thjesht,

Më ngjan libri do marrë zjarr

Si gjethet në vjeshtë…

ZHYTUR NË SHEKUJ THELLË

Zhytur në shekuj thellë

Më vjen hije e të parëve,

Dhe zëri i tyre humbellë

Më fundos

në madhështinë e mosvarme..

ata s`ia merrnin rroben një tjetri

e ne ia marrim,

lidheshin me fjalën për të vdekur

ne fjalën tallim.

Ata e lanë tokën me gjak

Ne e shesim,

Në ligj të jetës jemi më pak

Ndaj, ndonjëherë duhet t`i pyesim…

METEROLOGËT

Prognozin e motit  e di

Dashurisë jo prognozën,

Nesër me siguri ka shi,

Mund të presim dhe borën..

Metrologët stisin

Skica hartash dhe ciklonesh,

Në ekrane na përgatisin

Për harresa çadrash

e bllokime stacionesh,

po si nuk e dhanë një sinoptikë

për motin e dashurisë asnjëherë,

mendoj ,në mbrëmje, para ekranit

dhe dridhem nga mungesa e saj,

e shuaj atë,vetëm djallit

ia besoj dashurinë si faj…

DASHURIA

Lulet në duart e çdonjërit nuk rrinë,

Aq më tepër në duart e të dashuruarve,

Veçmas , kur këputen për Shën Valentin,

Sa për t`u dhënë për një ditë,

Të nesërmen kjo festë psherëtin

Vallë ,një datë ka për dashurinë?!...

TRËNDAFIL I HEDHUR

Një dorë kish hedhur një trëndafil

Në rrugë…

A ish një përbetim kurorëshkelësi

Në avull dështimi shuar

A një përbetim sahanlëpirësi

Që lule mban në duar?...

Çfarë mund të ishte ende ai trëndafil

Këputur me nxitim,

Për të shkuar atje ku zënë fill

Përbetimet  me trishtim?

Mos një pendim,

Se dikush lulen nuk e meriton as në varrim…

+++

Gjeta një trëndafil dhe thellova

Pandehmat e kota,

Me to lulet urova:

Të lulëzojnë për plagët tona…

BUJKU

Nga duart e bujkut që nuk e njoh,

Buka vjen si bekim,

Gjer tek kalliri shkoj si filozof,

Me djersën e tij ndritur rubin…

Në salla me bankete të shtrenjta

Milionerët bëjnë të kulturuar ujkun,

Dhe s`kujtohen ç`është djersa,

Jo më për bujkun…

Ai rri diku në cep të botës,

Pranë një are a një plugu,

E hedh farën pranë së shoqes,

Por bukën ia ha ujku…

STACION

Një herë në ditë si për rastësi

Kalon këtu një vajzë e bukur,

Dikush aty e mban me magji.

Ajo mund të mos ndalojë,por

Të ikë  si flutur.

Stacionet për të lodhurit janë krijuar,

E bukura s`ka stacion,

Atë vetë ajri e mban në duar,

Dhe në zemër të tij pluskon…

QYTETËRIMET

Homeri ende ia mbledh hirin Trojës

Dhe në rrafshet e vargjeve pa fund

Pluhuron dhe mbjell klithma heronjsh,

Që nuk e dinë ende ku janë.

Janë në Trojën që deshën ta bënin greke

Dhe greke e bënë me pahir,

Homeri  s`e di , sot qyteti ka një emër:Izmir…

RROBJA E SHPIRTIT

Kur ishim të varfër, rroben e shpirtit të lirë

E ndernim në ajër,nën rreze dielli,

Kur menduam se mund të pasuroheshim

E nderim në tela të korenta egoizmi…

FEMRAT

Femrat  lakimin  ia  duan,

Njomështinë e gjetheve të strukura.

Por për përdredhjen e tyre vuan

Kulpra…

PREJ GRYKËS SË PUSHKËS

Prej grykës së një mali, përmes pushkës

Sa herë e pe horizontin , o fisi im,

Të ngushta ishin të dy grykat,

Çuditërisht ,shpirti  i gjerë pambarim.

Sot nipërit i  braktisën malet

Në fushat e gjera shpërndarë si kokrra misri në zjarr,

Të gjëra fushat,

Shpirti i ngushtë…, as sa gryka në mal…

PERIFERI

Qyteti nga gurmazi nxjerr tymrat

Që i bloi  nga gomat e makinave,

Në periferi të tij   na pështyn,

Po periferia me egërsinë e errësirës

Qytetin drejt hutimit shtyn..

Qyteti nuk na do ne të vonët

Dhe ne s`e duam, po s`guxojmë

Të ikim prej tij,

Kaq vite ëndrrën na e lodhi

Imazhi i pakapshëm i qelqit në kaltërsi,

Kur lamë pas të boshatisura fshatrat,

Atje në malësi.

Për ta mbajtur këtë ëndërr të gjallë

Ndoshta ai na pështyn,

Dhe për t`u kthyer në vatrat me mall

Na shtyn…

+++

Njerëzit në qytete s`dinë të thonë mirëmëngjes,

Nuk hutohen pranë një trëndafili me vesë,

Njerëzit nëpër qytete i thith tymi,

Fjalët  sikur i mbulon lymi.

Vështrimpërhumbur thithen si në askund,

Thelbin e tyre e vënë përfund

Dhe e shtrydhin e shtrydhin,

Njerëzit në qytete veten mbysin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora