Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Në fund të kësaj vere

| E premte, 13.09.2019, 07:51 PM |


Në fund të kësaj vere

Nga Blerim Rrecaj

Në fund të kësaj vere, sikur kemi bërë valixhet gati për t'u nisur drejt vjeshtës. Sidoqoftë ende ecim nëpër verë. Të paktën edhe pak ditë zyrtarisht. Po shtegtojmë drejt pragut mallëngjyes. Nga stina në stinë. Duke dëgjuar, e duke u bërë pjesë e ndejave të paracaktuara a të paplanifikuara. Ja, një i moshuar duke biseduar me një të ri, që ka hyrë në moshën e pjekurisë, flasin e flasin, e para se të përshëndeten, lë një fjalë i moshuari flokëthinjur që vazhdon të vërtitet në kokën e të riut jo krejt kokëpathinjur. Ne folëm e folëm, thotë baci, duke shprehur drojë e valë shqetësimesh, pasi që dhembjen e kemi në një vend. E për këtë vend. Që ka nevojë t'i hiqen barishtet e këqija, erërat kutërbuese e të pastrohet ambienti i jashtëm prej pluhurave siç pastrohet shtëpia. Plaku vazhdon të qëndrojë, të meditoj, ëndërroj e kundroj nga ulësja, nën hije, me një gazetë, e i riu vazhdon rrugën e tij, me telefonin e tij mençurak në xhep. Vazhdon kjo ditë e seç humbemi e përhumbemi rrugëve e qoshqeve të kafe-bareve. Shtëpive, kasollave e pallateve strehuese. Si më së miri ndonjëherë ulemi e zgjasim duart mbi tavolinën ku ndodhet një kalavesh rrushi i Therrandës a Rahovecit dhe një grusht kumbullash amerikane rritur e vjelur nga ndonjëri prej kopshteve vendore. Fillimisht merr një kokërr të ëmbël rrushi, pastaj një kokërr kumbulle, të mirëpjekur e lëngëmbël si rrushi, vazhdojmë një kokërr rrush, një kokërr kumbull, ngjyrë njejtë, emëruespërbashkët: e kaltër e mbyllët, paksa të errët shkëlqyese. Vazhdo një këso e një aso, sa për t'u kujtuar bukur vonë shprehjen e mirënjohur: rrush-e-kumbulla. Duke lënë pas një ëmbëlsi paksa shqetësuese e dehëse, por nëse kësaj i japim kuptim figurativ të keqpërdorimeve e zhvatjeve, atëherë patjetër na tund e na shkund fjala: falimentim shteti... Vazhdon vera duke na nxitur të mendojmë për të mbjella, të korrura e të vjela. Për të na ardh mendjeve dhe fjalët shijehidhura: të vjedhurat dhe të vjellurat. A të mjelurat, dy e më shumë kuptimëshe e drejtimëshe. Një bletë mbi platonë e kanaçes thith qosheve të saj ndonjë pikëz shwepsi të mbetur. E një bletë tjetër në hapësirë bleroshe, sikur s'ngopet duke kullotur mbi livadhin e kësaj luleje portokalltëndezur petaleputhitur që i ngjan një dielli të zjarrtë. E tash këtu në këtë ambient rrethuar me shumëkatëshe fëmijët më të shkathët hipin pa shkallë në murin, e që matanë është një shtëpi me oborr e me pemë, e që fëmijët ia mësyejnë asaj molle, për të marrë molla për vete e për bashkëmocanikët që me gëzim kokrrat e mëdha të mollave të gjelbërta, pak të skuqura në ndonjë pjesë, si farë kuqëlimi i lehtë në ndonjë pjesë të qiellit përgjatë në të përënduar të diellit. E në verandën e restaurantit vijnë e zënë karriket ca aktivistë, militantë a të matur, liberalë a radikalë, të cilët harrojnë të hedhin vështrimet nga fëmijët të dhënë pas mollave e pas ndonjë cope hapësire për të luajtur, pasi tremben nga ndonjë rojë, pasi që thyerja e ndonjë xhami ka koston e vet. Në fund të kësaj vere, sikur mundohemi të përmbledhim e perzgjedhim atë që do na duhet, për të vazhduar nëpër jetë, aq sa do të kemi jetë, rrethepërqark stinëve...