Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ejup Ceraja: Dy tregime për fëmijë

| E shtune, 04.10.2008, 03:56 PM |


POROSIA…

"Përmbi majën e Kreshtëbardhit dielli e qiti sythin plot shkëlqim dhe dukej si një bukë pogaçe. Rrezet e atij dielli mëngjesor përvidheshin e përthyheshin nëpër fletët e bungut qindra vjeçar dhe merrnin ngjyrën e ylberit. Në maje të Kreshtëbardhit kishte dalë një re qumësht e bardhë, si shtëllungë leshi tërë shkëlqim dhe herë tkurrej e herë bymehej me një lehtësi, si të merrte jetë e frymë nga ajri i atij mëngjesi pranveror dhe ia shtonte edhe më bukurinë Kreshtëbardhit babaxhan. Zogjtë nga të katër anët, të prirë nga bilbilat zëëmbël formonin një kor gazmor, që ta kishte ënda ta dëgjoje. Kudo natyra kishte veshur petkun festiv. Toka dukej sikur të ishte mbuluar me një qilim të madh Persie mijëra e mijëra ngjyrash nga lulet e llojllojshme, që kishin hapur petalet dhe lëshonin një aromë mrekullie. Dukej sikur lulet ishin në garë njëra me tjetrën se cila do të çelte e para dhe cila do të dukej më e bukur se tjetra. Nga lulet në lule dëgjohej zukama e bletëve, që vraponin të thithnin nektarin e parë… Zukama e tyre tok me zukamën e mijëra insekteve të tjera, formonin korin e dytë gazmor, që i mbante iso korit të parë. Mushkëritë më bënin si  harmonikë dhe ngopeshin me oksigjen të pastër nga ajri lozonjar, që lëshohej shlirshëm nga maja e Kreshtëbardhit.

Pa një, pa dy një shkëlqim i paparë e mbuloi tokën anë e kënd. Një mrekulli mahnitëse po ndodhte përreth. Sytë më shkuan kah qielli plot shkëlqim. Një njeri madhështor po zbriste me një kali pullali, krahët e të cilit lëshonin një puhi freskuese. Flokët, mjekrën dhe mustaqet i kishte dredha-dredha dhe i pahiteshin lehtë-lehtë si valët e grurit që sapo ka lidhur kallinjtë. Përkrenaren në kokë e kishte të praruar në ari tërë rrezatim. Shpata i shkëlqente e flakëruar… Kishte një pamje kreshniku, që as në përralla s'e kisha dëgjuar, as në filma s'e kisha parë. Sytë i lëshonin shkëndija drite e rrezatimi dhe ngjiteshin kah qielli kandila-kandila tërë flakërim. Çdo gjë për rreth sikur u step. Asgjë s’pipëtinte…

"- Mos u shqetëso, biri im - më tha - duke zbritur nga kali dhe duke më marrë në kraharor. Më puthi në ballë, duke më thënë: - Jam Gjergj Kastrioti - Skënderbeu… Me lejen e Hyjit zbrita për t'ua përkujtuar të gjithëve atë besën e dashurisë dhe të mirëkuptimit. Besën e ruajtjes dhe të nderimit të njëri-tjetrit. Unë, pra, - biri im, - zbrita që t'ua sjellë porosinë e dashurisë dhe të mirëkuptimit vëllazëror mes vete…Se sa më shumë që ju ta doni dhe ta nderoni njëri-tjetrin, aq më shumë do t'ju çmojnë dhe do t'ju nderojnë edhe të tjerët… Dashuria mes vete - biri im - është  çelësi i të gjitha të mirave të tjera në jetë. Pa një dashuri të tillë vëllazërore nuk ka…"

- Miri, mu përzije zëri i nënës me zërin…, që më kishte lënë gojëhapur… Çohu biri i nënës se ora po shkon shtatë pa një çerek e mos po vonohesh për orë të parë…

U mundova këtë, që e kisha parë në ëndërr, t'ia tregoj nënës duke u veshur. Po, ngase ende më hapej goja për gjumë, s'më rridhnin fjalët sa e si duhet.

- Ti vishu, biri i nënës, e ngrënë bukën me vezë të fërguara, që t'i kam përgatitur e t'i kam lënë mbi tavolinë. E, kur të kthehesh nga shkolla do të ma rrëfesh këtë. - më tha nëna duke dalë jashtë.

(2001)


LOTËT  QË RANË NË DET

Anija traget çante detin mes për mes, duke lënë vija shkume qumësht të bardha pas. Dielli përvëlues i gjysmës së dytë të muajit maj ngjitej ngadalë e si me naze drejt kupës së qiellit, drejt zenitit. Ai i lëshonte pamëshirshëm rrezet përvëluese mbi tarracën e anijes traget, ku kishte dalë Bardh Kreshtëbardhi me grua e me fëmijë. Bardhi ishte mbështetur për rrethoj të tarracës së anijes dhe ishte tretur në mendime të thella… "Bardh, bir - i kishte thënë e ëma atij mëngjesi të hershëm ditën e nisjes, që kishte qëlluar ditë e enjte - ki mendjen e kujdesu për fëmijë se mos ruana Zot!… Deti është ai, biro!… Ujit s'i besohet!… Dashtë Zoti, bir, e shkofshi shëndoshë e mirë se s'po shkoni nga qejfi. Ju u rehatofshi atje ku shkofshi!… E edhe ne… Mos ma zini për të madhe!… Se nëna është plakë… E ne plakat si plakat…"

Ajo deshi të fliste ende e t'i porosiste për shumëçka Bardhin me të shoqen, po një si lëmsh iu ngatërrua në fyt sa gati ia zuri frymën. Dy pika loti nga ata sytë e shterur të vënë si në dy gropa, iu lëshuan me nxitim nëpër zigzagët e rrudhave faqeve tatëpjetë, si piklat në xhamat e një automjeti kur është në shpejtësi. Dhe, përnjëherë arritën në mjekër, duke formuar një sumbull të madhe si kur pikë vende-vende tavani, pas krisjes a thyerjes së ndonjë tjegulle mbi pullaz.

Bardhi i pa ato pika loti të nënës së vet përmes një halucinacioni imagjinar. Dhe, në momentin që i "pa" lotët e nënës duke i pikur në prehër, po në atë moment edhe atij i rrodhën lotët faqeve tatëpjetë si të nënës. I vetmi ndryshim ishte se ato rridhnin drejt fiskajë faqeve melekuqe të tij, pa ato zigzaget e rrudhave të të ëmës. Dhe, i ranë bllumb në deti, duke u bërë njësh me shkumën…

E shoqja e hetoi përmes fytyrës së lagur. Iu afrua… Dhe, duke ia përkëdhelur flokët, i tha si në vaj:

- Mos, Bardh!… Mos të ndjellim kob!… E di porosinë e nënës në nisje!… E di që e ke të vështirë, por as unë s'e kam hiq më lehtë. Unë, madje as s'e pata mundësinë ta takoj dikë nga të mitë. Sikur ta kisha takuar vetëm nënën e ta kisha marrë së paku bekimin e saj… A të kujtohet zotimi që e bëmë përpara nisjes?…

 - Më falë, Njomëza!… Më doli para sysh ndarja me nënën, andaj u ngashërova… Ndërsa më vete mendoi: "Kam frikë se nuk do ta presin prindërit kthimin tonë…"

(1998)

Ejup Ceraja