E enjte, 28.03.2024, 12:51 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Rrëzimi i Kullave Binjake

E merkure, 11.09.2019, 07:44 PM


Rrëzimi i Kullave Binjake

11 shtator 2001

Nga Gani Mehmetaj

Rrëzimi i Kullave Binjake më dukej si në filmat e tmerrit. Një ngjarje e papritur, e thekshme që të lë pa frymë e s’di si ta shpjegosh. Kur më dolën pamjet fillestare të goditjes së aeroplanit në rrokaqiellin e parë, m’u duk si në montazhet e kurdisura të filmave. Nuk doja ta besoja as kur aeroplani e goditi kullën e dytë binjake.

Kisha parë shumë filma për fundin botës, kisha parë filma edhe për katastrofat e ndryshme të Kullave binjake, mirëpo asnjë ngjarje tjetër nuk ma dha fundin e botës sikur pamjet e para vizuale të goditjes së rrokaqiellit të parë, fillimi i djegieve, klithmat e njerëzve pas disa minutash, fillimi i rrënimit. Nuk dija si t’i shpjegoja këto pamje makabre, nuk më vinte në mendje asnjë sqarim- kush e bëri dhe pse e bëri. Këto pamje përmes ekranit të televizorit vinin gati surreale, ndërsa ishin aq reale, kishin një pse edhe një kush.

Shikoja i habitur në ekran, pa asnjë njëri afër, i vetëm në zyrë. Rrija si statuja e shtangur. Vazhdoja të shikoja pamjet, i heshtur e i tronditur. Sa do të doja t’i komentoja me dikë, por kur të duhen miqtë nuk i ke afër. Përpiqesha ta vija në lëvizje trurin, por asgjë nuk më vinte nëpër mend.

Amerika ishte simboli i forcës së pathyeshme, vendi ku nuk mund të ndodhnin ngjarje të tilla të paparashikuara. Pamjet në shikim të parë ishin më të forta sesa transmetimet e fillimit të luftës. Fillimin e bombardimeve në Kosovë e ndoqa natën nga ekrani. Hidhej një raketë me kamerë në majë të kokës së predhës, pastaj afrohej në pikiato caku dhe shpërthente depoja e goditur. E dija kush, kundër kujt po luftonte, i dija pasojat, por shpresoja që së shpejti kësaj drame do t’i vinte fundi i lumtur si në filmat e Hollivudit.

I ndoqa ngjarjet dramatike në Shqipëri, atëherë kur u shkërmoq tragjikisht shteti shqiptar. Mbaja në mend kur njerëzit dilnin në rrugë, bërtisnin, shkrehnin breshëri plumbash, këndonin këngë morbide dhe vazhdonin rrugës, të çmendur, pa u ndalur askund, derisa e dogjën shtetin.

Kësaj radhe sikletin më të madh e vuaja, sepse nuk ia gjeja dot burimin së keqes, nuk e dija kush qëndronte prapa. Ashtu i shtangur shihja bardh para ekranit, në një pozicion gjysmë kruspull. Dikur rrëmbimthi u ngrita në këmbë, e lashë ekranin e hapur e dola në rrugë. Më kapi një frikë e pashpjegueshme se po vinte fundi ynë, aq shumë e kishim lidhur fatin tonë me këtë shtet të fuqishëm, saqë m’u krijua bindja se kur mund t’ia bëjnë një gjë të tillë Amerikës, po neve çfarë mund të na bënin? Më mbërtheu makthi se do të ndërhynin në Kosovë për të gjitha fyerjet që ia kishte bërë Amerika e Perëndimi Serbisë e Rusisë. Nuk e shpjegoja dot kush mund të qëndronte pas këtij krimi: terroristët serbë të sponsorizuar nga rusët? Apo të dytë së bashku?

U futa në kafenenë e parë, ku po ashtu televizori jepte të njëjtat pamje. Njerëzit ia kishin gapërruar sytë televizorit, asnjëri nuk e ktheu kokën të më shihte, gjë që në këto kafene të vogla ishte diçka e pazakonshme. Kamerieri nuk erdhi fare të më pyeste çfarë doja, megjithëse isha klient i rregullt i kësaj kafeneje. Ndenja pak, u mata t’i pyesja: O, burra, a e dini kush e bëri këtë hata, porse si më vinte turp, ata prisnin që unë t’i informoja, ndërsa unë kërkoja ndihmë nga ata. Nisa ta qartësoja zërin e komentatorit në ekran, kolegut tim të “Rilindjes”, Avni Spahiu. Më erdhi pak fryma në vend, të paktën e kapja një pjesë të informacionit. Nga nervat e acaruar s’pata durim të dëgjoja fjalët e tij sqaruese, me informacionet e nevojshme, sepse edhe ai më bëhej tepër i shqetësuar, sa unë.

Dola rrëmbimthi nga kafeneja, për të vazhduar tutje. S’di pse i thirra të gjithë njerëzit e mi me telefon, sikur doja t’i pyesja: A jeni mirë? Ata nuk më ndihmonin asgjë, ishin të shqetësuar e të hutuar sikurse unë, më pyesnin në vend të më tregonin ndonjë gjë. Ndërkaq, pyetja banale: A jeni mirë në këtë situatë? qe tejet e pavend. Të ne nuk bëhej luftë, nuk kishte shpërthime, por më mbeti nga lufta, kur thërrisja të afërmit, ndërsa pyetjen e parë që ua shtroja ishte: A jeni mirë?

Me asnjërin nuk arrita të komunikoja si duhet, sepse secili prej tyre më pyeste: E shikon televizorin? Çfarë po ndodh? Çfarë t’u thosha? Për herë të parë nuk dija asnjërit t’i jepja informacionin e duhur. E ndieja frikën e tyre.

Po ta gjunjëzonin Amerikën, si do të bëhej halli ynë? Me shkrepi pa dashje kjo pyetje, e cila duket gjatë gjithë kohës më sillej nëpër mend, por vetëm tash i dhashë kahe konkrete, asaj që s’doja ta pranoja. Më dolën para sysh imazhet se si do të futeshin trupat serbe në Kosovë, sesi do të nisnin inkursioni e hakmarrja, sesi do të masakronin popullatën, ndërsa ne s’do të dinim nga t’ia mbathnim.

Një ftohtësi e akullt ma mbërtheu zemrën. Nuk i jepja rrugëdalje vetes, ndërsa kisha qenë më i hapur ndaj vetes edhe në situatat më kritike, gjithnjë e gjeja një ngushëllim se do të bëhet mirë, do të kalojë kjo krizë.

Nuk e di kush ma tha në telefon, ato që mua më silleshin gjithë kohën në mendje: Serbia e bëri këtë hata. “Mos fol marrëzira!” - ia ktheva i mllefosur. “Ata janë të çmendur, kanë urrejtje të pafre kundër Amerikës, por nuk i kanë mundësitë as nuk janë aq budallenj. Ata nuk futen në situata pa qenë të sigurt që do të shpëtojnë, përpiqesha ta bindja se e kishte gabim.

“Atëherë i kanë futur në lojë arabët budallenj”, përpiqej të më bindte zëri nga celulari. Ti e di sesa mirë i ka punët Serbia me arabët. Kanë bërë aleancë dhe ia kanë krisur Amerikës”, vazhdonte të mos hiqte dorë nga teoria e tij e konspiracionit ndërkombëtar. E shkëputa lidhjen, kinse nuk po e dëgjoja mirë.

Ndërrova dy-tri kafene, u stabilizova në kinemanë ABC, ku porosita një kafe dhe nisa ta çmbështillja fillin e kësaj tragjedie, e cila e goditi Nju-Jorkun, e preku Uashingtonin, madje Pentagonin, duke e alarmuar botën si uragan i papërballueshëm.

Gati gjithë ditën nuk ia shqita sytë televizorit. Dhe nuk më jepej të bisedoja me askënd. Pamjet përsëriteshin, shtoheshin informacionet, shpalohej tragjedia e tregoheshin viktimat. Në vend të mllefosesha edhe më me numrin e të vrarëve pas goditjes së dy aeroplanëve vetëvrasës, sesi nisa të shkarkohesha nga tensioni nervor. Tashmë e dija kush ishin armiqtë, cili qe qëllimi. Dhe ajo që më shkarkoi edhe më shumë, e dija se nuk po i vjen fundi botës, por para syve tanë u zhvillua një episod tragjik në historinë e re amerikane, episod të cilin ata ditën ta menaxhonin si duhet. U qetësova edhe më, kur e binda veten se Amerika nuk humbi asgjë nga forca e saj mbrojtëse.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora