E merkure, 17.04.2024, 12:14 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kadri Hazbiu merr nen hetim "Poetin armik" Vilson Blloshmi

E shtune, 04.10.2008, 06:43 PM


Vilsoni mes kolegëve në Pedagogjike ne Elbasan
Nga dosja origjinale gjyqësore e ajo hetimore e arrestimit dhe pushkatimit të poetëve të talentuar, Vilson Blloshmi e Genc Leka

Nga Kujtim Borici

Nga dosja origjinale gjyqësore e ajo hetimore e arrestimit dhe pushkatimit të poetëve të talentuar, Vilson Blloshmi e Genc Leka, sot po japim fakte e dëshmi rreth torturave që iu bënë poetëve gjatë hetimit, formulimi i akuzave zyrtare për "Tradhti" dhe pjesë të dëshmisë së Bedri Blloshmit, dënuar me 25 vjet burg, si vëllai i poetit Vilson Blloshmi dhe pjesëtar i "Grupit armiqësor të Bërzeshtës".

Në dosjen gjyqësore (Nr.48) të poetëve të pushkatuar, Genc Leka e Vilson Blloshmi, del qartë fakti se ndaj tyre është ushtruar dhunë sistematike për afro një vit, për shkak se refuzohet pranimi i një faji të pabërë. Shkrimtari Sadik Bejko, në librin kushtuar poetëve martirë, jep detaje e dëshmi rreth këtyre torturave, por arkivat zyrtare kanë mbajtur e ende mbajnë të papublikuara dëshmi të tjera rrëqethëse. Del gjithashtu që poeti Blloshmi, i cilësuar si një nga krerët e "grupit armiqësor" së bashku me Genc Lekën, është thirrur në Hetuesi, në Tiranë, nga Kadri Hazbiu. Dokumentet që ruhen në arkivat zyrtare (AQSH dhe arkivin e Ministrisë së Brendshme, dosja hetimore e gjyqësore) konfirmojnë pak gjëra, përveç faktit të kësaj hetuesie speciale. Por mësohet se hetimi nga Kadri Hazbiu lidhet me ofertën që i bëhet Vilsonit për të pranuar të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, në këmbim të lirisë. Gjë e cila nuk është pranuar nga poeti. Më shumë ky fakt shtjellohet nga vëllai i Vilsonit, Bedriu, që ka komunikuar me të në momentin e kthimit të Vilsonit nga Tirana, me një kod që ata e kishin perfeksionuar mjaft mirë, nëpërmjet të goditurave me tokëzën e rripit në dyshemetë e qelive ngjitur.

Hetimi

Vilsonin e kthyer nga Tirana, e mbajnë nën trajtim të veçantë. Biruca e tij, mbyllet me çelës nga Kryetari i Degës. Vetëm ai ka të drejtë ta mbyllë dhe ta hapë tri herë në ditë. Për dy muaj rresht, biruca çelej e mbyllej me kyç, pastaj vulosej me dyllë. As policët e tjerë nuk kishin të drejtë ta shikonin. Kryetari i çonte dhe bukën. Mbase ishte presion. Mbase e kishin masakruar aq keq, sa nuk donin të dilte fjala.

Disa nga këto fletë-arrestime si ato për Vilsonin dhe Gencin, mendohet se janë firmosur nga Rrapi Mino, Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit. Në vitin 1976, ka një vendim të Byrosë Politike që lejon të bëhen dënime kapitale për interesa të partisë dhe të shtetit. Terrori po shtohej. Vendimet për këto lloj dënimesh, do të dilnin drejtpërsëdrejti nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ndërkohë vetë Dega e Brendshme e Librazhdit pëson ndryshime. Kryetari i mëparshëm i saj, zëvendësohet me një nga Tepelena, M.Hasa. S.Lera vjen nga Korça si Zëvendëskryetar Dege. Janë zgjedhur nga më të ashprit... Edhe ndër policët ka ndryshime. Largohen ata që janë vendas, për t'u zëvendësuar me të ardhur nga rrethe të tjera. Qëllimi është që "armiqtë" të mos kenë asnjë mundësi komunikimi me mjediset jashtë qelive.

Hetuesit janë, po ashtu, pa fijen e njerzillëkut. L.Kondili merret me Vilsonin, S.Caka, kryehetuesi, me Gencin. Hetuesia ballafaqon Gencin me Vilsonin. Pse nuk tregoni ç'keni biseduar bashkë? Pse dëgjonit radiot në gjuhë të huaja natën? A ka ardhur daja nga Belgjika për t'ju takuar dhe cilat qenë detyrat që u ka lënë? Pse lexoni poetë e shkrimtarë të ndaluar nga shteti? Cili është kuptimi i fshehtë i vjershave tuaja? Etj., etj. Dosjet përgatitore ishin të mbushura me shumë fashikuj kallëzimesh. Ndjekja ka qenë e gjatë dhe ata që i kanë kallëzuar, kanë qenë nga miqtë e të njohurit e tyre më të afërt. Midis hetuesve që vijnë nga Tirana, është dhe D.Beshiri, punonjës i Hetuesisë së Përgjithshme. Ai i merr në pyetje duke ngrënë copa mishi e duke rrëkëllyer raki drejt nga gryka e shishes. Pse keni shtyrë njerëzit që të mos punojnë, të vjedhin, të dëmtojnë drithërat? Që kur keni pasur ndër mend ta rrëzoni pushtetin popullor?

Në Librazhd, ato ditë duken Kleanthi Koçi dhe Eleni Selenica, që të dy Zëvendëskryetarë të Gjykatës së Lartë Tiranë.

Akuza zyrtare

Aktakuzën e parë ua japin më 17 shkurt 1977. Flitej për sabotim ideologjik. Genci dhe Vilsoni nuk e pranojnë. Ia thonë me trokitje në mur dhe Bedriut që mos ta pranojë. Një ditë Gencit i kishin ardhur ushqime nga familja. I thotë me alfabetin e murit Bedriut që do të lë diçka nga Gjiska, nëna e Gencit, në banjë. Ai ishte te qelia e parë. Pas tij, dilte për në banjë vetëm Bedriu. E gjeti. Një copë byrek. E gëlltiti menjëherë.

Aktakuza kish dy javë që rrinte e hedhur në dyshemenë e birucës. Bedriu as që e kishte lexuar. Polici i vë prangat dhe ia futi aktakuzën në gjoks. Hetuesi hyn, e merr dhe e gris copë-copë. Me këtë akuzë do hanit 10-12 vjet. Ç'do të bëhet tani me ju? Këtë as unë, as njeri tjetër nga ne këtu, nuk e di.

Vendimi ishte marrë diku lart. Prej andej, erdhi në Librazhd. Duhej bërë një gjyq model, duheshin dhënë dënime me vdekje në Librazhd.

Pas disa javësh, Kryetari i Degës, prokurori, Shefi i Krimeve dhe kryehetuesi S.C., hyjnë të gëzuar në korridoret e paraburgimit. Selim Caka shpërndan aktakuzën e re nëpër qelitë tek të burgosurit. Merreni, u thotë, u kemi prerë nga një kostum tjetër shumë më të mirë sesa ai i pari. Atë kostum, dashtë Zoti, ta veshësh për vete! Grushte dhe shkelma dhe mbyllje e dyerve me zhurmë. Bedriu, siç rrëfen, i ka ende të freskëta pasojat e asaj torture psikologjike e fizike të asaj kohe.

Banorë të burgut

Arrestimi dhe hetimi i këtij lloji, nuk ishin dëgjuar asnjëherë në qytetin e vogël të Librazhdit. Qyteti buzë lumit Shkumbin ishte më tepër një qendër administrative dhe ushtarake sesa një mjedis me tradita të ngulitura të jetës qytetare. Para vitit 1944, më të rëndësishme dhe më të dëgjuara kishin qenë krahinat si Bërzeshta sesa ky qytet i sajuar si qendër nënprefekture. Gryka dhe male, ngriheshin kërcënueshëm mbi këtë qytezë. Dhe asgjë tjetër.

Hapja e minierave të hekur-nikelit mbas viteve 1960 do të ndërrojë diçka në jetën e qytetit. Minierat do të jenë krenaria e shndërrimeve që solli socializmi, "jeta e re".

…Arrestimi i dy poetëve dhe i atyre që u quajtën grupi i "armiqve", vajtje-ardhjet e njerëzve nga Gjykata e Lartë dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, ishin shenja se po ndodhte diçka e gjëmshme dhe veçanërisht e e frikshme. Kudo bisedohej nën zë, për tmerrin që u kishte rënë mbi kokë atyre ditëzinjve pas hekurave të burgut. U frikësuan dhe u mblodhën grusht, të gjithë ata që në një mënyrë apo në tjetrën kishin patur ndonjë lidhje me ta. Ndërrimet që u bënë në Degën e Punëve të Brendshme, u ndien si kërcënim dhe për të tjerët në qytet. Ata që thirreshin nga rrethi dhe nga ana e anës, si dëshmitarë të akuzës, flinin në hotelin e vogël të qytetit. Me çehre të ndërruar e të prishur, të nesërmen iknin qëmenatë nga hoteli, sikur të fshiheshin edhe nga vetvetja, për t'u ndërruar më pas me të tjerë. Qyteti të gjitha i shihte, të gjitha i ndiente. Ngjarje të tilla jo gjithmonë i bien në pjesë një qyteti të vogël.

Dëshmia e Bedri Blloshmit

Genci dhe Vilsoni, 1 vit tortura çnjerëzore në birucë

Komunikova me vëllanë nëpërmjet goditjeve të gishtit në mur. Ai më shpjegoi si e kishin arrestuar dhe më tha se kishte qenë 3 muaj në Hetuesi në Tiranë, tek "Mine Peza", dhe e kishte marrë në pyetje vetë Kadri Hazbiu. Më tha se në Hetuesinë e Tiranës, kur më çonin për të kryer nevojat dhe për të ngrënë bukë, më lidhnin kokën me një batanije dhe më mbanin dy civilë për dore. Dhe në banjë, kur kryente nevojat personale, policët civilë rrinin me të në banjë. Më tha se e kishin torturuar shumë dhe krahun e majtë e kishte të paralizuar nga hekurat. Ata e mbanin gjithë natën pa gjumë dhe në çdo dy orë civilët ndërroheshin. E mbanin në këmbë mbështetur pas murit, me duar të lidhura dhe qëndronte më një këmbë. Kur lodhej, binte në çimento dhe ata e çonin prapë në këmbë dhe i thoshin: "Fol, a do ta pranosh propozimin e ministrit për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit që të shkosh jashtë shtetit?".

Zoti Blloshmi, a mund të na thoni si nisi kalvari i vuajtjeve ndaj jush?

Ka qenë 31 marsi i vitit 1976, kur më thirrën për në zborin ushtarak, por ky ishte një pretekst. Pasi u paraqita në Degën Ushtarake, u thashë se zborin e kisha kryer dhe u tregova fletën e zborit. Ata më thanë se fleta e zborit nuk ishte e rregullt dhe do më çonin në Degën e Brendshme për ta sqaruar. Pasi më çuan atje, më mori në pyetje nënkryetari i Degës së Brendshme, Beqir Quku. Ndërmjet të tjerash, ai më tha se ju jeni 21 vetë në familje dhe ne, 21 pushkë kundër Enver Hoxhës nuk i lëmë. Më bënë presion për t'u bërë bashkëpunëtor i Sigurimit, por unë nuk pranova. Nënkryetari i Degës së Brendshme, Beqir Quku, më tha se sonte do të flesh në hotel në Turizëm dhe do të mendohesh. Më çuan atje dhe në mesnatë erdhi dhe më mori policia, më çuan në zyrë tek nënkryetari. Ai më tha: "A u mendove dhe çfarë vendose?". Unë i thashë se ajo nuk ishte punë për mua dhe nuk e bëja dot. Atëherë, ai hapi sirtarin, nxori hekurat dhe pasi më lidhi, më tha se nuk kisha për ta parë më diellin kurrë me sy. Që nga nata që më thirrën për në zbor, mua më vunë prangat dhe më futën në birucë, dhe nuk kisha asnjë lidhje me botën përjashta qelisë. Gjatë gjithë kohës së hetuesisë në Librazhd vinte një i dërguar special nga Tirana, i cili quhej Dhimitër Beshiri. Ai nuk ndahej për asnjë çast nga shefi i Hetuesisë së Librazhdit, Selim Caka.

Po Vilsonin, vëllanë tuaj, si e arrestuan?

Pas 3-4 muajsh vura re se një nga qelitë mbahej e kyçur me dy çelësa dhe e vulosur me dyllë. Kjo birucë nuk hapej nga polici, siç hapeshin birucat e tjera, por largohej polici dhe hapej nga vetë Kryetari i Degës së Brendshme për të kryer veprimet. Pas ca kohësh, në një moment që polici i birucave ishte në banjë, dëgjova një zë nga një birucë tjetër: "O dyshi, o dyshi, mbaj qëndrimin që ke mbajtur, mos prano asgjë nga ato që të thonë". Unë isha në birucën nr.2 dhe e pyeta atë që më foli: "Kush jeni ju?". "Jam Vili, Vili,- më tha. "Përse të kanë arrestuar",- i them unë? Ai më tha: "Për librat, për poezitë, se m'i kanë marrë të gjitha, punë agjitacioni". Në këtë kohë, polici e kapi duke folur dhe e pyeti se me kë foli dhe pse. Menjëherë u alarmua e gjithë Dega e Brendshme, erdhi kryetari i Degës dhe Shefi i Hetuesisë, e morën vëllanë lart dhe i thanë pse foli. Ai u kishte thënë se nuk kishte folur me asnjë njeri. Pastaj më morën mua, më pyetën se me kë kisha folur në birucë. Unë u thashë se nuk kisha folur me asnjë njeri. Mbas ca kohësh, vëllai i binte murit të birucës, duke trokitur 36 herë me gisht. Kur unë i përgjigjesha po me goditje për t'i thënë se e kisha kuptuar sinjalin e tij, ai ma priste duke më thënë se nuk kisha kuptuar gjë. Një pasdite, Vilsoni po fliste me policin, duke i thënë se ti je me shkollë dhe i zgjuar, por po më numërove alfabetin që janë 36 germa, atëherë je me të vërtetë i zgjuar. Polici ia ktheu: "Ore, ç'më duhet mua alfabeti, unë kam çelësat në dorë!".

Atëherë, unë e kuptova që sinjali që më jepte vëllai, ishin 36 germat e alfabetit dhe kur iku polici, shkrova të gjitha germat në mur dhe vura numrat për t'i korresponduar. Pastaj komunikova me vëllanë nëpërmjet goditjeve të gishtit në mur. Ai më shpjegoi si e kishin arrestuar dhe më tha se kishte qenë 3 muaj në hetuesi në Tiranë, tek "Mine Peza", dhe e kishte marrë në pyetje vetë Kadri Hazbiu. Më tha se në Hetuesinë e Tiranës, kur më çonin për të kryer nevojat dhe për të ngrënë bukë, më lidhnin kokën me një batanije dhe më mbanin dy civilë për dore. Dhe në banjë, kur kryente nevojat personale, policët civilë rrinin me të në banjë. Më tha se e kishin torturuar shumë dhe krahun e majtë e kishte të paralizuar nga hekurat. Ata e mbanin gjithë natën pa gjumë dhe në çdo dy orë, civilët ndërroheshin. E mbanin në këmbë mbështetur pas murit, me duar të lidhura dhe qëndronte me një këmbë. Kur lodhej, binte në çimento dhe ata e çonin prapë në këmbë dhe i thoshin: "Fol, a do ta pranosh propozimin e ministrit për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit që të shkosh jashtë shtetit? Ne e dimë se ti këtë punë e bën, se je shumë i zgjuar, pasi di disa gjuhë të huaja, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht dhe turqisht". Ai nuk pranoi dhe ata fillonin nga e para torturat. Në birucë brenda, me kokë të lidhur me batanije, i sillnin njerëz të ndryshëm dhe i flisnin frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht dhe turqisht dhe i thoshin: "Ku i ke mësuar këto gjuhë, sa mirë i ke mësuar!". Në birucat e Librazhdit u bë edhe një dhomë speciale e veshur me sfungjer, me karrige dhe tavolina të fiksuara, për të na hetuar vetëm neve...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora