E merkure, 20.11.2019, 08:28 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Kangjela e mallit të parë

E hene, 09.09.2019, 08:10 PM


KANGJELA E  MALLIT TË PARË

Tregim meditativ

Kujtimit të poetit Zef Serembe

Nga Resmi Osmani

Strigari,Kalabri, maj 1874.

Dielli ishte ngritur mbi det në lindje. Nga dritarja vërshonin vrundujt e dritës së artë të ditës së re,  me magjinë këndellëse e të hareshme  të majit, që të grishte për të jetuar gëzueshëm së toku me dalldinë e hovshme të natyrës së ringjallur.

Në vetminë e dhomës së heshtur, Zefi qëndroi para pasqyrës. Po kundronte veten: i gjatë, i hollë si lumak[1], por shpatullgjerë, leshra të gështenjta, ndarë me nje vijë në mes  të krehura anash e të hedhura prapa, balli i lartë prej mentari, vetullat e trasha u bënin hije syve të menduar ëndërrimtarë, hunda e drejtë, goja e vogël me buzë të rrepta,mustaqe të plota, të spërdredhura. I hijshëm e burrëror. Psherëtiu. Kjo ishte dukja, ajo që shihnin edhe të tjerët. Ai shihte atë që s’dukej, por ndjehej, që të tjerët s’mund ta shihnin. Zemrën e tij, të vuajtur, të vrarë e të helmuar, shpirtin e paprehje,dokëndisur nga fati i prapët, që e godiste me hobe e shigjeta hidhërimi, mendime herë të vrullshme e herë të paqta, hem të gëzuara e hem të dëshpëruara, hem të ëmbla si mjalti e hem te idhëta si farmaku, që i çartnin mendjen, trupin e shpirtin e sido që ato të ishin, çuditërisht, prej tyre buronte rrëkeja e vrullshme e vjershave, që tingëllonin si kambana, herë me hare, e herë përzishëm, me ato fjalë, që ishin klithma e jetës së tij, e shpirtit të vuajtur e të sfilitur nga sëmundja e varfëria. Klithma, rënkime e lot për dashurinë e pafat, për atë që ishte më e bukura e vashave. Dëshperimi për mizoritë e jetës, varfërinë, dhe brenga që s’i shqitej asnjëherë: për mëmëdheun, Arbërinë e robëruar përtej detit.

Këto ishte duke menduar, kur  ndjeu hapa të lehta, pastaj një dorë në sup. Ishte mëmëzonjë Maria. Ai u kthye ballas. I buzëqeshi, ashtu si mund t’i buzëqeshet mëmës, por buzëqeshja ishte e trishtuar, e dhimbshme, si të vinte nga një botë e largët. Shikimi i mëms,  me pamjen e saj të dashur , nuk e fshihte dot vuajtjen dhe brengën për djalin e saj të parë. I dukej i lodhur,i përhumbur, i mërzitur, i ligur  e i fitiqur[2].

-Zdrigu[3] të hamë sillën. Sapo e kam pjekur kafen.

-S’më hahet mëmëzonjë,por një filxhan kafe do t’a rruf.

-Duhet të hash, të marrish veten, je hequr si të kesh shkuar një lëngatë. Eja. Françesku me Maria – Antonian po na presin.

Polenta[4] e përvëluar me gjalpë, avullonte dhe ermironte kuzhinën. Zefi thërrmoi mbi të edhe pak djathë dhe  mori disa lugë, por fyti i ishte lidhur, e la lugën mbi tryezë dhe mbushi nje filxhan kafe që e pinte pa sheqer. Heshtje. Dëgjohej vetëm tringëllima e lugëve. Françesku i hidhte të vëllait ca vështrime që s’ishin miqësore. Nga koha kur Zefi nisi të vjershëronte dhe kur nuk i zinte vendi-vend. Edhe tani kishte një muaj mërguar nga katundi. Me një shkop në dorë, një torbë me libra e letra n sup dhe kapelen e zezë mbi krye, si pelegrin i vetmuar, ngarendëte në katundet arbëreshe të Kalabrisë, Molizes dhe deri ne Siçili, në Horën e Arbëreshëve, si i thonë, ku rafsha mos u vrafsha. Françesku nuk mund ta dinte se në ato rrugëtime, i vëllai s’ishte vetëm. I rrinte në krah Muza,mendimet që buisnin vetiu si një lumë i rrëmbyer e që në zemër, vrundullonin gjakun dhe ngjallnin përfytyrimin, për tu ngjizur  në vargje të kangjelave[5]: për më të bukurën e vashave, për dashurinë dhe mirësinë, për arbërinë e roberuar, për dhimbjet dhe brengat e jetës. Ngado shkonte, këndonte si bilbil, rrefente si përralltar, njerëzit e donin, e gostitnin me nga një kupë verë dhe e ftonin nëpër shtëpira për të bujtur. Françeskut, që s’dinte nga ato, dinte që shtëpia s’mbahet me kangjela. Atij i kishte mbetur mbi vete barra e familjes. Edhe Maria-Antonia dukej e trishtuar. I kishte shkuar të njëzetat, askush në katund e jashtë katundi se kërkonte për nuse , jo se s’ish e pashme, por ngaqë ata ishin të vobekët dhe ajo e papajë. Edhe pse s’e thoshte, në heshtje, bënte fajtor të vëllanë. I dukej vetja si lëneshë fatpadalë. Zefit heshtja iu bë e rëndë. Muret e shtypnin,i merrnin frymën. Deshi të mbetej vetëm. Vetmia dhe udhëtimet ishin natyra e tij. Hapsira, ajri, drita dhe dielli, muzgu gushëpëllumbi, netët me kupen e yjëzuar të qiellit ishin bota e tij. E në këtë botë, nga shpirti që ngazëllehej, vetiu buisnin kangjelat, sipas herës: Herë të gëzuara, herë të trishtuara, që i këndonin hem bukurisë së vashës, hem vuajtjeve te shpirtit. Shpirti i tij ishte si korda e tendosur e harpës, si bilbili këngëtar.

U ngrit  dhe zbriti në kopsht. Kopshti ishte nën shtëpi, një rrip tokë buzë përroit, me ullinj kurorëmëdhenj, portokalla, ca rrënjë limon, fiq gjetheshumtë dhe vreshti i vogël nga i cili siguronin verën e vitit. Kjo ishte pasuria që u kishte lënë babai, Mikelanxhelo Serembe, i dënuari me vdekje, rebeli kryengritës që e çoi jetën luftrave dhe në arrati. Ca të pakta ara që kishin, të mbetur në varfëri, i shitën kur babai ishte i arratisur. Zefi krenohej me të atin. Nderi dhe emri që u kishte lënë ishte trashëgim më i vyer se pasuria. Për të ishte burrë i vërtetë. Ndjente dhe besonte se hovet e shpirtit,rebelizmin, vrullet, pakënaqësinë për padrejtësitë, dashurinë për Arbërinë, lirinë dhe gjithçka të vyer në veten e tij, e kish të trashëguar nga ati. Po nga mëma e fisme, bijë e derës së dëgjuar të Toçve? Me siguri butësinë dhe ndjeshmërinë e shpirtit, dashurinë për të bukurën , natyrën e saj ëndërrimtare, besimin në tënzot dhe dashurinë drithëruese që kishte për ta, fëmijët e saj.

Maji frymëngrohtë e dritëshumë kishte ngjallur e dalldisur natyrën, vrulli jetësor ndihej gjithandej: te toka e vlagët që i jepte jetë bimësisë, në harlisjen e çeljen e luleve të limonave dhe portokallit, ullirit dhe hardhive, që i jepnin ajrit aromën ëmbëlcake të mjaltit. Gjithçka: zogjtë e fluturat, bletët dhe kandrrat përjetonin dalldinë e kurthit që u kishte ngritur pranvera: çiftëzimin, kurthin e dashurisë. Zgjodhi të ulej nën trungun e një ulliri të moçëm, në një lëndinëz, qilimin blerosh të së cilës e qëndisnin kaptinëzat e luledeleve dhe të tjera lule të kaltra e të trëndafilta. Hodhi shpatullat pas trungut të ullirit dhe e treti shikimin nga lindja. Përrenj, hone, kodra, udhëza dhe monopate që të çonin në katundet arbereshe. Më tej mali i Polinit, ku hapej një grykë e gjirit te detit që kaltëronte dhe sillte në breg suvalat shkumëbardha që vinin nga brigjet e Arbërisë. Atij i erdhën ndërmend vargjet e kangjelës “Rrutullupë[6]”,shkruar vite më parë :Arbëria që pas detit na kujton/ se na të huaj jemi te ky dhe,/ sa vjet shkuan! E zemra nuk harron/se për turkun qëndruam pa mëmëdhe. Në të mëngjër e të djathtë të Strigarit ishin Maqi, i mësuesit dhe vjersjëtorit Jeronim De Rada dhe Mbusati, i poetit Jul Variboba. Ç’farë magjie kishin këto vënde që lindnin poetë dhe buronin këngë? Apo ishin njerëzit, arbërorët që ua jepnin këtë vlerë? Më tej në vargun e kodrave katundet e tjerë arbëreshë. Zefi psherëtiu. E dhimbshme historia e arberorëve të tij. Kur u shpërngulën nga Mëmëdheu, këtu i seliti Mbretëria e Napolit, në toka të shkreta, dhe ata u ngulën në këto kodra, përballë lindjes dhe detit, përball Arbërisë, si shqiponjat në malet e vendit të tyre. Ja rrëmbyen me mundim tokën shkëmbit dhe ngritën shtëpitë, mbollën ullinjtë e vreshtat, sollën dhe ruajtën gjuhën e ëmbël, zakonet, besimin, emrat e shënjtorëve. Ai kishte pyetur.Katundi i tyre vinte nga Struga e Arbërisë, buzë liqenit Ohrid, ku buronte lumi Drin që i binte mespërmes Arbërisë. Me këtë emër e pagëzuan ata në vitin e largët 1540 vendngulimin e ri: Strigari, e jo San Kozmo, si i thoshin vendasit.

Poeti u përmend nga këto ëndërritje nga kënga e kukëzës[7], që vinte nga lisat matanë përroit, sipër kroit. U bë sy e veshë: kuku, kuku, kuku,këndoj qyqja. Dhe ai vargëzoj ”Kukëz moj kukëz, /duke bërë kuku, kuku,/ thuaj sa vjet do të rronj? Numëroi, arriti deri në njëzet, pastaj kukëza e preu këngën.Thoshin se po ta dëgjoje kukëzën esëll dhe ti numëroje troparet, aq vite do të rronje. Ai kishte shkelur në të tridhjetat. Edhe njëzet, bënin pesëdhjetë. Epo s’ishin pak, por jo dhe shumë! Përroi rridhte ngjitur me kopshtin e tyre. Që aty nuk dukej, shtrati ishte i thellë dhe mbulohej nga degët e bimësisë së harlisur.Më posht në pllakat e bardha të gurëve, gratë dhe vashat e fshatit lanin teshat. Lanin dhe këndonin. Prej andej vinte jehu i këngës së tyre. Ato nuk lanin vetëm teshat te uji llagar, por dëlirnin edhe zemrat e tyre në  këngë e gëzim. Dhe ai i uroj vashat: “Ditë të bardhaë“ o vasha, ja urimet,/ se unë shkoj atje ku më shpie tufani,/ dhe kthehen te katundi psherëtimat. Matanë përroit, nën rrugën që shkonte për në Vakarico, ishte kroi i Don Engjullit. Kroi ishte përballë shtëpisë së Serembeve. I ndërtuar me mur guri, uji rridhte nga tre sylynjarë. Vinin e mbushnin ujin e llagartë[8] vashat e katundit, që sillnin gaz e hare. Po aty vinin edhe trimat që të shikonin vashat.

Ah ai krua! Bashkë me ujin e tij rridhte edhe jeta e fshatit, po të kishte  gojë e të rrëfente, kushedi se sa zemra do të lëndonte, por ai dinte vetëm një këngë, atë të murmurimës, këngën e ujit, që është si kënga e jetës. Zefit i kujtohej si të kishte ngjarë atë çast ajo ditë maji e magjishme, e dhjetë viteve të shkuar, që tronditi jetën e tij. Ditë e trëndafiltë, me dritë lbyrëse, me atë fllad të njelmët e të freskët që dërgonte deti, me aromën e luleve dhe cicërimën e zogjve. Si sot, ishte shtrirë mbi bar e lule në kopsht.Sindozot, ndihej çuditshëm. Një molisje e mall që drithëronte zemrën e që vrundullonte gjakun, që nuk e pikaste nga i vinte. Kishte në të ngrohtësinë e diellit,dritëzimin e hënws dhe yjeve, këngën e zogjve, amzën e tokës së vlagët, misteret e muzgjeve dhe agimeve. Ishte një thirrje e brendshme për diçka të pa përfytyrueshme, e një malli të mjegullt për vashën e ëndrrave. I kredhur në të, shpirti diç kërkonte. Por çfarë? E dinte, por s’guxonte t’ia thoshte vetes. Mendoi se ishte faji i majit. Tok me këtë këndellje, më pas vinte njëfar mpirje e topitje, mërzia dhe vetmia. Në një të tillë ditë, në mëngjes, tejet i pushtuar nga ndjenja të trazuara, dëgjoi kambanat e kishës që thërrisnin besimtarët në meshën e së dielës. U nis për atje se mos kushedi, i fanepsej vasha hirplotë e ëndrrave të tij, që ai e kërkonte por dot s’e gjente. Vashat po vinin, zënë dorë për dore, plot gaz e hare, por asnjë s’iu duk e mirë, ashtu si ai kishte dëshirë. Por papritur, pakëz e mbodhisur e çap ngutur, u shfaq një vashë, që kur u afrua, ndriçoi gjithë sheshi, i shkëlqenin ata sy që nuk shihnin asnjeri. ”Sa e bukur”- tha ai. Si një fluturëz e lehtë, hyri në kishë. Ai priti në oborr sa mbaroi mesha, por ajo kaloi dhe s’ia hodhi sytë. Bukuria e saj e goditi në shpirt.

Që ahere kishin kaluar dit. Me atë vashë në sy, e la kopshtin dhe mendueshëm ngau për te kroi. Ç’të ishte ,mos i bënin sytë, mos ishte pjellë e mendjes dhe përfytyrimit ajo që po shihte? Jo, ishte e njëmendët, ajo që kishte hasur te oborri i kishës.  Ishte vasha që po mbushte buljerën. Jo! Ajo nuk ishte vashë, por një krijesë prej uji e drite, shtojzavalle, zanë e ujrave të burimeve. I mbetën sytë mbi të: e bukur si asnjë, e hollë, shtat selvi, flokët ndarë në mes dhe rrethas gërshetin e zi, që i fekste ballin që i ndrinte si gryka e detit në agimin e ri. Pale sytë! Të zez e tërë mend e mall të thellë, në mes faqes i qesh hunda e hollë, faqemollë, buza si merxhan, dora dhe qafa  me dritë qelibari. I shtangur ai s’ia hiqte sytë. Edhe ajo e pa drejt , por një grime. Atij iu duk se dy shigjeta dolën prej tyre dhe e goditën në zemër, pastaj si e turpëruar , uli qerpikët e gjatë mbi bulierën që po mbushej. Poeti u ngazëllye:

-O më e bukura e vashave të Strigarit, buzëqesh një herë që mua të mjerin të më ngresh në qiell- dhe ajo i buzëqeshi turpshëm. Atëhërë ai guxoi dhe e kapi përdore. Ndjeu se dora e saj e butë dhe e ngrohtë, dridhej si zemra e zogut kur bie nga foleja. Ajo e hutuar nuk e kundërshtoi, ai e tërhoqi nga vetja. Fryma e saj aromë vjollce i fshiku faqen, por në çast ajo vetembledhur u shkëput.

-Lëshoma djalë dorën, se na shohin bota e do flasin. S’jam nga derë dosido, jam e fisme e nga pari, të shquar për trimëri!

Këto thoshte goja, por jo zemra.E pikasi nga zëri i ngashëryer dhe sytë e lbyruar e si të avullt. Ngriti bulierën e shkoi. Ai e kuptoi se kishte gjetur atë që kërkonte, vashën e zemrës. Me një të parë, që ishte si një flakë që e rrëmbeu, që kurm e shpirt i dogji e preu. A se kishte takuar edhe Milosao Rinën te kroi? Kështu dhe vasha e tij që iu shfaq si një ditmadhe pranvere, me buzën si lule mali, me syrin që i ndrinte si yll, me ballin si qielli në verë. Ai bërtiti si i dalë menç: “Të falem bukuri!”

U kthye në kopsht. Edhe pse s’kishin kaluar pak orë,  ndjeu mall. Një mall përvëlues e tronditës. Ajo i mbeti në zemër, shpirt e në kujtesë e veshur me dritë. Vetiu gjithçka u kthye ne vargjet e kangjelës. U nis me nguat në shtëpi, u ul në tryezë dhe zbrazi në letër , me vrull e pa u ndalur “Kangjelën e mallit të parë[9]” ku i këndoi bukurisë e dashurisë , mallit që e zuri për vashën, se e donte me gjith zemër dhe i bënte premtimin:

Ti me mua vashëz eja

Se të dua si veteja

Tok të rrojmë te ky dhe,

Si në zi e në hare

Tok të rrimë në rini,

Tok edhe në pleqëri.

Poeti ishte i dashuruar dhe zemra e shpirti i këndonin si bilbil….

Psherëtiu thellë. Që ahere kishin kaluar dhjetë vjet të palumtura , me zhgënjime, kishin ndodhur shumë mjerime e derte, nga prapësitë e jetës, por malli i pashuar për atë vashë, prushëronte thellë në shpirtin e tij.

Tiranë, shtator 2019.

Shënim.Per të shkruar këtë tregim, u morën për bazë  vjershat e Zef Serembes dhe libri i Prof.Nasho Jorgaqit”Udhëve të mergimit”



[1] Lumak-lastar.

[2] I pafuqi.

[3] Zdrigu-zbrit.

[4] Polenta-naçamak me miell misri.

[5] Kangjela- vjersha

[6] Rrutullupë-vrull, vjershë e njohur e Serembes.

[7] Kukëza-qyqja.

[8] Llagar- I kulluar.

[9] Një nga poezite lirike të Serembes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT