E marte, 19.03.2024, 09:26 AM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Viron Kona, shkrimtari shqiptar që sjell realitete të botës moderne në Shqipëri

E diele, 08.09.2019, 01:34 PM


Viron Kona, shkrimtari shqiptar që sjell realitete të botës moderne në Shqipëri

Nga Fran Gjoka

1.

Kam shkruar shpesh herë për letërsinë e Viron Konës. Edhe të tjerë kanë shkruar dhe, besoj edhe në të ardhmen do të shkruajnë. Dhe arsyeja mendoj se është  origjinaliteti dhe forca tërheqëse e krijimeve të tij letrare, subjektet realiste dhe mësimdhënëse që ai di të thur aq mjeshtërisht, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Por ka dhe diçka tjetër që të tërheq te ky shkrimtar, një vlerë që e gjejmë rrallë në krijimtari, por që të tërheq aq shumë ku e lexon: SINQERITETI. Kjo cilësi njerëzore shfaqet dukshëm tek afro 45 librat e tij, vëllime me tregime, novela, romane, poezi, epigrame, fabula për të fëmijë dhe të rinj, por edhe për të rritur. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në krijimet e  z. Kona është se ato janë pjesë të rëndësishme të jetës, personazhet janë tipa dhe karaktere që i ndeshim në jetë dhe në shoqëri, ata me dikë na ngjasojnë, diku i kemi parë dhe kemi bashkëbiseduar, me ata udhëtojmë dhe ëndërrojmë, ata janë njerëz të kësaj shoqërie, dje dhe sot. Por ka dhe diçka tjetër, fabulat dhe personazhet e këtij shkrimtari lëvizin lirshëm dhe shfaqen të vërtetë. Ata nuk janë artificialë, apo thjesht imagjinarë e të montuar, nuk janë robotë e makina, por njerëz me emocione dhe ndjenja, me gjak dhe nerva, që mendojnë, zemërohen, qetësohen, meditojnë, ëndërrojnë, gëzohen dhe qeshin, ata janë dembelë dhe punëtorë, ata janë njerëzit të zakonshëm dhe dijetarë, mësues, dhe akademikë, krijues dhe atdhetarë. Aq më tepër sot, kur bota është kaq e hapur ngjarjet dhe personazhet e krijimtarisë  së Viron Konës, veprojnë në hapësira të gjera tokësore dhe detare, ata lëvizin nëpër botë, gjallërojnë dhe jetojnë në marrëdhënie mes tyre dhe   me popujt e tjerë të botës, përpiqen të integrohen por edhe të tregojnë personalitetin  tyre, sikurse ata nuk janë të rënë nga qielli, por janë si të gjithë popujt në çdo vend të botës, ata jetojnë në vorbullat e përpjekjeve, kundërshtime dhe betejave, veçanërisht në frontin midis të mirës që triumfon dhe të keqes që vepron e maskuar dhe tinëzisht. Ata shfaqen si luftëtarë të përparimit, duke manifestuar hap pas hapi vlerat më të mira të shqiptarisë.

Viron Kona ka dhe një cilësi që rrallë e gjejmë te të tjerët. Ai kudo që ka lëvizur nëpër botë, kryesisht nga halli, ka sjellë në atdhe vlera që shërbejnë, që nxisin apo edukojnë, ato janë sa artistike dhe me bukuri emocionale, aq edhe tronditëse dhe demaskuese. Viron Kona shkoi refugjatë në Greqi, siç shkojnë të gjithë refugjatët, nga halli për të rregulluar paksa ekzistencën e  familjes së tij.

Nuk solli dot para, por shkroi “Drithërimat e yjeve” një roman me fuqi të atillë mbresëlënëse, që do të mbetet edhe në dekada dhe do të dëshmojë për jetën shqiptare të fund mijëvjeçarit të dytë dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë. Për atë roman është shkruar kaq shumë saqë artikujt mbresëlënës dhe emocionues i kalojnë disa herë faqet e vet romanit. Por për atë roman do flasim një herë tjetër. Dëshiroj të them se Viron Kona shkoi në Budapest ku kreu një operacion të rëndë të pankreasit dhe solli prej andej novelën e shkruar me shumë emocion dhe art “Dëgjoma zemrën, Budapest!”  të cilin shoqëria e avionëve të asaj kohe “Malev” e shpërndau në avionët e linjave të saj, gjë që ishte një vlerësim emocionues e mbresëlënës për librin dhe autorin  saj. Tashmë, me sa kemi dijeni, ai libër i përkthyer nga Thoma Dardeli, pritet të shikoj dritën e botimit në Hungari.

Viron Kona shkoi në Turqi, në krye të një Ansambli të Këngëve dhe Valleve dhe solli nga Turqia romanin “Yje mbi Bosfor”. Ka shkuar disa herë në Suedi dhe ka sjellë prej andej 6 libra... Një shkrimtar i palodhur, që shkruan në të gjithë gjinitë, me një korpus veprash të rralla, që s`ka sesi të mos tërheqin vëmendjen e  studiuesve dhe kritikës. Publicisti Ibrahim Hjdarmataj ka shkruar një libër voluminoz që i kushtohet Viron Konës “Blerim i një fushe me krijime të bukura”. Bashkim Saliasi ka në shtyp librin “Parnasi sheh me bisht të syrit”, kurse, unë, autori i këtyre rreshtave, kam në duar librin “Si thoni vogëlush, nisemi!” ku kam shkruar marrëdhëniet interesante të këtij shkrimtari me lexuesit e tij më të dashur, fëmijët. Mendoj se është me vend të citoj këtu karakterizimin që i bën Viron Konës, poet, përkthyes dhe publicist shqiptar – suedez Sokol Demaku, cili në një nga artikujt e tij e përcakton kështu Vironin:Rrallë herë kam pasur fatin të njoh një temperament të këtillë të pasionuar pas ngjarjeve interesante dhe me vlerë për letërsinë, duke shkruar tregimet e tija aq mjeshtërisht dhe me një kreativitet që lexuesit i japin kënaqësi në lexim. Ai, sa unë shoh këtu, frymon duke jetuar përmes shkrimeve, përmes përshkrimit të ngjarjeve, përmes njerëzores duke kërkuar të deshifrojë përmbajtjen e brendisë së vlerave, motiveve dhe ideve, por sidomos ato rrugë që shpien nga konkluzionet e ekzistencës së disa rrënjëve të përbashkëta njerëzore pa marrë parasysh se në cilën hemisferë të tokës njeriu jeton dhe frymon. Dua ta them edhe këtë se në ditët e sotme nuk është e lehtë të gjesh një të tillë, që të ketë shëtitur kaq shumë, gjithmonë i qetë, i ngadalshëm, me shumë krenari në punën e tij dhe të sjellë në truallin e tij aq shumë mendime dhe ide njerëzore qëllim mira, të cilat do gjejnë vend dhe shprehje besoj tek gjeneratat e reja, të cilat kanë nevojë për këtë kreativitet, sepse duhet të ndjejmë respektin dhe të rikthejmë edhe ne traditën e të parëve tanë që ishte në nivel me traditat e kombeve të zhvilluara”.

2.

Viron Kona shkon vazhdimisht në Suedi. E ftojnë shpesh edhe atje por edhe këtu në Shqipëri të flas për Suedinë dhe veçanërisht për dy kulturat dhe dy letërsitë shqiptare dhe suedeze. E shohim edhe në filma dokumentarë, ku ai është ndër personalitetet, të cilit i kërkohet të shfaq mendimet dhe konsideratat për njerëz të rrallë, dijetarë dhe albanologë të shquar, siç është dhe rasti i albanologut të njohur suedez Ullmar Qvick(Kvik). Në filmin dokumentar “Ullmar Qvick – ambasador i kulturës shqiptare në Suedi” - Portret kulturor – Regjisore: Fitore Rubovci, mund të themi se Viron kona ishte shtylla e këtij dokumentari. Aq shumë njohuri ka ky shkrimtar për Suedinë dhe suedezët e, veçanërisht për shqiptarët atje, saqë shumë njerëz  e kujtojnë se ai banon jeton në Suedi. Por, jo, është tjetër arsye që Viron Kona është bërë një mik i përhershëm i Suedisë dhe i kulturës së saj: LIBRI. Më saktë libri Bubulino, fitues i çmimit të Parë të UNICEF, kur kjo Organizatë Botërore e Fëmijëve festoi 60 vjetorin e  themelimit të saj. Por Bubulino është edhe libri më i mirë fitues i Panairit të librit “Tirana 2006”.

Në vitin 2010, Vironin erdhën e takuan rektori i shkollës “Fjardingskolan” të Borasit Per Kettisen, së bashku me mësueset Annette Ekelund dhe Sonja Persson. Ata shoqëroheshin nga poeti, përkthyesi dhe publicisti i njohur shqiptar-suedez Sokol Demaku. Qëllimi i bisedës ishte njohja  e letërsisë së Viron Konës dhe përzgjedhja për botim në gjuhën suedez të librit të tij “Eh, more Bubulino!” Që nga koha  përkthimit të atij libri dhe përurimi madhështor të tij në Suedi, Viron Kona shkon shpesh herë i ftuar në takime dhe bashkëbiseda me fëmijë, të rinj dhe të rritur, shqiptarë dhe suedezë, por dhe nga kombet e tjerë. Ai shkon dhe vjen gjithnjë i ngarkuar me mbresa, emocione të cilat i shkarkon në librat e tij. Ka shkruar deri tani kushtuar Suedisë dhe bashkëkombësve shqiptarë atje librat: “Bukuri suedeze”,  “Për ju miqtë e mi”,  “Zonja nga Borasi”, “Ju dua më shuam se veten!”, “Poleni viking” (me bashkautor),  “Kur vjen Sokoli”, ndërkohë që sapo ka mbaruar monografinë “Marigoja shqiptare në Norvegji” që lexuesi do ta ketë në duar së shpejti.

3.

Kam në duar librin “Zonja nga Borasi” të Viron Konës. E kam lexuar dhe rilexuar, kam dëgjuar edhe të tjerë të flasin dhe të shkruajnë për të, edhe në Shqipëri, edhe në Suedi ku “Zonja nga Borasi” ka vendlindjen dhe ku shkrimtari ynë ka marrë temën dhe frymëzimin. Është një libër me tregime, që në tërësinë e tyre i lidhin motivet përbashkëta të dy popujve miq, shqiptarë e suedezë. Shkrimtari me mprehtësinë dhe aftësinë e tij krijuese, arrin t`i afrojë kulturat dhe motivet jetësore të këtyre dy popujve, duke vënë në dukje vlerat dhe të përbashkëtat e tyre, duke zbuluar njëkohësisht vlera të mëdha njerëzore si  dashuria për jetën, dashuria për lirinë, vlerësimi ndaj njeriut dhe gjallesave të tjera, ashtu dhe ndaj natyrës.

Pikërisht këtu nis dhe e shpalos Viron Kona këtë afrim moral, shpirtëror e letrar, nga gjesti human i një gruaja të madhe suedeze, e cila pasurinë e saj ua la me testament e trashëgim kujdesit ndaj zogjve dhe shpendëve. A nuk ngjason kjo grua me Nënën Terezë, gruan e madhe shqiptare, e cila u përkushtua për jetën deri në sekondën e fundit të frymëmarrjes së saj? Suedezët bëjnë gjëra vërtetë të mëdha që i shkojnë për shtat qytetërimit dhe e zbukurojnë më shumë atë. Nëse Nobeli fali pasurinë e tij për ta dhënë atë përvitshëm në formë çmimi për shkencëtarët, mjekët dhe shkrimtarët, “Zonja nga Borasi” e fali pasurinë e saj për t`u dhënë një hapësirë jetese dhe kushte natyrore origjinale zogjve, shpendëve që rriten në Rramnaparken, në parkun e liqenit pranë qytetit të Borasit, në pyllin që gjallëron mjedisin dhe krijon kushte të shkëlqyera për jetesën dhe shumimin e mijëra zogjve. Që nga koha që ajo zonjë e madhe dhuroi pasurinë e saj, ai park është zhvilluar aq shumë, është zbukuruar dhe është bërë kaq shumë tërheqës, saqë shkojnë atje si vizitorë njerëz nga  e gjithë bota. Ky fakt, tërhoqi vëmendjen e shkrimtarit tonë dhe, jo vetëm e shkroi si tregim mbresëlënës artistik, por edhe i vuri titullin librit të tij tashmë të njohur.

Per Sjöstrand, rektor i shkollës “Fjardingskolan” duke marrë me autograf librin “Eh, more Bubulino” nga shkrimtari Viron Kona. Në foto dhe redaktori i librit z. Sokol Demaku. Në vazhdim, së bashku me shkrimtarin tonë, edhe gazetarët  suedezë: Erik Jullander dhe Sandra Nordin. (Gazeta “Boras Tidning”).

Te libri “Zonja nga Borasi” ka dhe  shumë llojshmëri tregimesh të tjera, motivet e të cilave gërshetohen me ngjarje e fabula interesante, por edhe duke i integruar ato me tema dhe subjekte origjinale  nga vendi ynë. Janë tregime magjepsëse, intriguese, me stil modern që të përfshin në subjektin e tyre aq tërheqës dhe të realizuar. Të lë mbresa të veçanta tregimi “Karl Linne` dhe mësuese Ollga e botanikës”, ku ndërthuren bukur vlerat shkencore dhe përshkrimet artistike. Karl Linne`, një botanist i njohur suedez e botëror, kishte në kopshtin e tij mbi 200 drurë e pemë dhe njihte përmendësh llojet, emrat dhe cilësitë e tyre, ashtu siç ne njohim shkronjat e  alfabetit. Këtu bien në sy analizat e sakta dhe konkrete të autorit, njohja e thellë e objektit për të cilën shkruan, ndriçimi i tij nga kënde të ndryshme, fryma emocionale dhe qëndrimi realist, si dhe preokupimi për të shtruar dhe zgjidhur probleme aktuale me jetën e sotme. E bashkë me të dhe mësuesja e mrekullueshme shqiptare Ollga, e  cila e adhuronte lëndën e saj, adhuronte nxënësit dhe përpiqej t`i bënte të ditur si botanisti i madh suedez, t`u mësonte arritjet e  tij shkencore dhe të gjitha këto me një pedagogji të rrallë dhe emocionuese, që të bën të mos e lëshosh librin nga dora. Ndërkaq shfaqet  tregimi “Çudibërësi”, ku ndërthuren bukur puna shkencore e Anders Celsiusit, - shkencëtarit të madh suedez, që shpiku termometrin dhe kujtimeve të fëmijërisë së autorit...

Tregimet kanë frymë parimore dhe ndjeshmëri, që karakterizohen nga shije të holla estetike, gjuhë e gjallë shprehëse, sidomos tek tregimi “Promeksi” suedez na shpëtoi nga “pushkatimi politik”, i cili paraqet një ngjarje tipike të realitetit politik të së kaluarës 45 vjeçare të diktaturës në Shqipëri. Është interesant fakti se si personazhi kryesor Sadiku, shpëtoi nga dënimi politik vetëm sepse dinte të përdorte makinerinë e rendë të shpimit të tuneleve “Promeks”, por kjo ngjarje e hidhur për kohën, e ngritur në art nga mjeshtri Kona, bëhet më e këndshme, më mbresëlënëse dhe aq më tepër merr karakter njohës për të rinjtë tanë.

Tregimet përshkruhen qartë, me realizëm dhe të përshkruar me patos njerëzor, natyrshmëri, vlera jetësore që afirmojnë arritje novatore në këtë stil, prandaj autori është i ëmbël dhe i ngrohtë në trajtimin e ngjarjeve. Kështu ndodh në tregimin “Fotografia në bibliotekën suedeze”, ku autori bën një analogji të bukur që fisnikëron ngjarjen, ku, 28 Nëntori është ngjarje me shumë rendësi dhe në Suedi, ku libri është një thesar i paçmuar që ka vlera jetësore. Kështu ndodh në shtetet e zhvilluara perëndimore. Këtu, përdorimi artistik i analogjisë,përmes së cilës shpalosen ritme të brendshme vlerash në përputhje me idenë dhe temën, paraqitur me emocion, imagjinatë dhe mjeshtëri letrare.

Meritë e Viron Konës është se ai trajton tema pak të shkelura më parë. Është aftësia e tij si shkrimtar me një stil të veçantë që përshkruan ngjarje me një ndërthurje reale mes vendlindjes së tij dhe Suedisë.

Autori kërkon t’u japë tregimeve një pamje, ndjesi dhe përmbajtje të caktuar, subjekt të arrirë dhe vlera artistike. Kjo për vetë faktin sepse lexuesi i tij kërkon diçka të re, konceptim unik të materialit letrar dhe këtë autori e arrin me mjeshtëri. Kështu tek tregimi “Inga dhe Cezarina”, autori ngre një problem nga më të rëndësishmit për shoqërinë njerëzore dhe, gjithë këtë e jep nën nocionin artistik “Jetojmë në të njëjtën shtëpi të përbashkët,në të njëjtin rruzull tokësor. Jemi miq, vëllezër dhe motra…”

Në këtë përmbledhje ndihet kultura e institucionalizuar  e të shkruarit dhe njohja profesionale. Dy janë simbolet artistike që zotërojnë në këtë vëllim, zogjtë dhe lulet, të cilat janë sinonim i jetës së lire. Në tregime gjallon jeta, lëvizja, e ardhmja. Gjen në këtë vëllim me tregime problematika interesante që lidhen me të përditshmen,jetësoren. Me punën plot pasion të prindërve për t`i edukuar fëmijët e tyre si njerëz dhe me vlera shoqërore. Mjaftojnë të lexojmë tregimin “Lulet dhe fëmija”, për të parë sa të kujdesshëm dhe njerëzorë ishin prindërit tanë. Duke u nisur nga vlerat e tregimit, autori kalon në përgjithësime dhe analizën e argumentuar të tipareve qenësore të individit në shoqëri. Duhet theksuar se, ky vëllim me tregime i autorit të mirënjohur Viron Kona, aq i pëlqyer edhe nga lexuesi suedez, qëndron afër realitetit të sotëm, sepse ai hyn në botën e shqetësimeve e të ëndrrave të njeriut, sepse materiali jetësor gjen këtu një trajtim filozofik. Nga ana tjetër, përdorimi origjinal i figurës, personazhit artistik krijon një diapazon të gjerë  intonacionesh artistike - tregimtare, duke krijuar një ritëm të brendshëm me idenë dhe tematikën e trajtuar.

Tregimet e Konës kanë një strukture dhe procedim letrar tipik. Përgjithësisht, para se të kalohet tek zhvillimi, paraqitet personazhi në një atmosfere të caktuar, që në pamje të pare duket sikur s`ka lidhje me ngjarjen, por kjo na ndihmon të njihemi me personazhin para se të futemi në vatrën e subjektit dhe të gjykojmë për veprimet e tij. Edhe kalimi nga pjesa hyrëse në zhvillimin e ngjarjes në mënyrë graduale dhe të natyrshme e detyron lexuesin të ndjekë me kujdes fillin e shtjellimit të subjektit. Përjetime të tilla,shpresoj se do të ndjejë lexuesi edhe kur të lexojë tregimin që pagëzon librin “Zonja nga Borasi”, si dhe tregimet “Lisi pranë shtëpisë sime”,“Tregtari i bronztë”, “Refreni që përsëritej çdo ditë”, “Laku”, “Lejlekët”, etj.

Libri “Zonja nga Borasi” u përurua në Suedi, në prani të dhjetëra lexuesve, studiuesve, gazetarëve, mësuesve, suedezë e shqiptarë, mes të cilëve ndodhej dhe kryetari i bashkisë i qytetit dhe autoritete të tjera vendore.

Në mbyllje të këtij artikulli, po citojmë albanologun e njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik), i cili në një korrespondencë me shkrimtarin Viron Kona, shkruan: “Miq shqiptarë kudo ku jeni! Erdhi një letër nga Shqipëria, jo një letër e rëndomtë por një letër si xixë drite në terrin e nëntorit suedez...Një letër që rrezaton optimizëm, mirëkuptim, humanizëm, një mesazh prej një miku shqiptar, i cili përfaqëson vetitë më të mira të shqiptarizmit të gjallë, me rrënjë kombëtare dhe me frymë internacionaliste. Ky nuk është shqiptarizmi i rremë që shohim tepër shpesh, ku njeriu ose shikon kërthizën e vet pa interes për botën përreth ose rreh gjoksin duke lëshuar automatikisht fjalë bajate gjoja patriotike...Viron Kona nderon miqësinë tonë, ai nderon popullin e vet duke marrë nga jashtë gjërat pozitive për të krijuar diçka konstruktive në mjedisin e vet shqiptar. Ai është tipi i njeriut që duhet të shohim më shpesh në kohën tonë kudo, në tërë botën shqiptare, kur njerëzit në shumë raste kanë rënë në kllapi pa kuptuar identitetin e tyre shqiptar dhe rrugën e tyre drejt së ardhmes. Viron Kona me fjalët e tij përhap vetëm dritë, dhe me këtë dritë sigurisht do të frymëzojë shumë nga bashkatdhetarët e tij...” (Ky fragment i Ullmar Qvick(Kvik) është shkëputur nga portali i shoqatës së Miqësisë Shqipëri Suedi).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora