Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Kandidatët e pasur e një populli të varfër!

| E shtune, 07.09.2019, 09:55 AM |


Kandidatët e pasur e një populli të varfër!

Shkruan Florim Zeqa

Qytetarët e Kosovës më 6 tetor të këtij viti do t’i kenë para vetës pesë emra që po pretendojnë ta marrin në dorë “timonin e shtetit”: Albin Kurti, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Vjosa Osmani. Janë këta pesë kandidatë për kryeministra që posedojnë pasuri të mëdha dhe para të majme në xhirollogaritë e tyre bankare.

Sikurse një liderë partiak milionerë që nuk e përfillë vullnetin e elektoratit, ashtu edhe një kandidat i pasur për postin e kryeministrit nuk mund t'iu shërben interesave të shtetit dhe qytetarëve të vendit.

Sikurse kandidatët për kryeministra nga radhët e pushtetarëve që thirren në shtet ligjor dhe që zotohen për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu edhe kandidatët nga opozita po thirren në shkapjen e shtetit. Por as njërës dhe as palës tjetër nuk po iu pëlqen të flasin hapur për nepotizmin dhe punësimet familjare në institucione.

Për shkak se kapja e shtetit fillon pikërisht nga punësimet familjare, uzurpimet e pronave, granteve qveritare dhe tenderëve për vete dhe familjarët e tyre.

Pasurimi i paligjshëm i kandidatëve për kryeministra

Bazuar në pasurinë e pesë kandidatëve për kryeministra të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, tre kandidatët për kryeministra nga radhët e pushtetit na dalin jenë shumë të pasur, madje milionerë, mirëpo as dy kandidatët nga radhët e opozitës nuk qëndrojnë edhe aq keq nga pasuria në vlerë prej qindramijëra eurosh.

Arsyeja pse dy kandidatët për kryeministra nga kampi opozitarë janë më pak të pasur sesa ata të pushtetit, qëndron në faktin se nuk e kanë pasur mundësinë ose nuk kanë guxuar, se ndoshta do të ishin pasuruar akoma më shumë...!

Kur kësaj pasurie të deklaruar të kandidatëve për kryeministra i shtohen edhe pasuritë e padeklaruara, të fshehura në "Parajsat Fiskale" apo në emra të familjarëve dhe farefisit të gjërë, atëherë qytetarët e varfër të vendit duhet të ndjehen të "privilegjuar dhe me fat" që do të votojnë për kandidatët milionerë!

Edhe pse nuk ka dhe nuk nuk mund të ketë pasurim të ligjshëm brenda një kohe të shkurtër, vota e qytetarëve po e përligjë pasurinë e milionerëve në Kosovën e pas luftës dhe pas pavarësisë.

Parafushatë e lodht e kandidatëve

Hiq më e mirë dhe më vlerë nuk na delë edhe parafushata e pesë kandidatëve për kryeministra.

Albin Kurti: "Nga takimi me banorët e fshatit Vllahi e dha premtimin se ditën do ta zgjasë nga 24 në 25 orë",

Fatmir Limaj: "I bindur në fitore premton punësime dhe shtet ligjor",

Ramush Haradinaj: "Me taksë nën sqetull dhe demarkacionin në qafë, premton liberalizimin dhe mbrojtjen e kufijve",

Kadri Veseli: "Me premtimin këmbëngulës për ta ç'rrënjosë korrupsionin (me korrupsion) nga institucionet shtetërore",

Vjosa Osmani: "Premtimet e saj janë të fokusuara në shkarkimin e Hashim Thaçit dhe shkapjen e shtetit dhe pikë, pikë, pikë...

Sikurse që është iluzive të pritet shkarkimi i Hashim Thaçit nga ata që e kanë zgjedhur president, ashtu është iluzive të pritet luftimi i korruspsionit nga ata që e kanë instaluar korrupsionin në jetën institucionale dhe shoqërore.

Nëse vërtetë "zgjatet" dita në "25 orë", atëherë edhe viti do të zgjatet për 365 orë dhe të papunët më shpejtë do të dalin në pension, ndërsa ata që punojnë do të pensionohen më vonë! 

Qytetarët që po vrapojnë pas partive dhe kandidatëve për kryeminsitra sikur po e harrojnë një fakt, se të nesernën pas 6 tetorit, kandidatët e tyre të preferuar i fillojnë pazaret politike për pushtet, duke i harruar të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, për të kontrabanduar kështu vullnetin e shprehur me votën e lirë.

Kosovës i duhen udhëheqës shtetërorë siq i kanë shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, që për nga pasuria janë të përafërt me qyetarët e rëndomtë. Një liderë i përmasave qytetare i kupton më lehtë hallet dhe dertet e qytetarëve, nuk i duhen trupërojet dhe xhipat e zi.