Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Nënë Tereza, antitezë e lakmisë shkatërruese

| E enjte, 05.09.2019, 09:46 PM |


NËNA TEREZE, ANTITEZË E LAKMISË SHKATËRRUESE, I

(Kundrim eseistik)

Nga Prend BUZHALA

Në ditën e sotme,më 5 shtator 1997, Nëna Tereze shkoi në përjetësi. Një jetë të tërë ajo e zhvilloi luftën saj në solidarizim me të goditurit në jetë, me të diskriminuarit, me të privuarit nga e drejta për t’u ushqyer, për të pasur një pikë ujë, për të pasur ilaçe për shërim.

Në jo pak tekste e lutje të karakterit meditativ e shpesh edhe poetik, ajo, si një urtake e rrallë, i vëren sjelljet masive dhe ato individuale; i vëren gjakimet a etjet jezusiane-racionale, sikundër janë dashuria e pakufi ndaj njeriut e Hyjit, solidaritetin, lirinë për të vërtetën, për drejtësinë sociale, nga njëra anë; si dhe pasionet e instinktet irracionale, siç janë egoizmi, ambiciet e sëmura, zilia, e, mbi të gjitha, LAKMIA.

1.

Lakmia përkufizohet si “dëshirë e madhe dhe e pangopur për ta pasur vetë diçka a dikë, etje e pashuar për diçka; synim i padrejtë për të pasur diçka me çdo mënyrë.” Porse kjo fjalë ka edhe anën tjetër të medaljes, ka edhe kuptimin tjetër shqip: “Dëshirë e madhe e përpjekje me të gjitha fuqitë për të kryer një punë a për të rregulluar diçka. Punon me lakmi të madhe. Ka shumë lakmi për punë (për udhëtime).” Kështu i jep shpjegimin dhe përmbajtjen e kësaj fjale Fjalori ynë.

Dhe sado që bota është e mbushur me lakmi e me lakmitarë, që nuk i frenojnë dëshirat e veta, që dëshirojnë të zotërojnë gjithçka, edhe paratë, edhe pushtetin, edhe gjithçka tjetër; megjithatë, gjithmonë në botë kanë ekzistuar edhe ”banorët e së mirës”. Nuk e kishte thënë më kot Sami Frashëri: “Gjërat që numërohen të shenjta, si mendja, njohuria dhe dituria, nga shkaku i lakmisë për famë e madhështi, s’mund t’u qëndrojnë disa dëshirave të kota, ndërsa dashuria mund çdo gjë.” Një luftëtare e tillë kundër lakmisë, është shembulli jetës dhe veprës së Nënës Tereze. Te një lutje e saj poetike me titullin “Lutje për përdorimin e parave” (vëllimi “Nënë Tereza, mërmërimë shenjtoreje”, Tiranë 2003, me përzgjedhje e poetizim të Visar Zhitit), thuhet:

O shenjt (...)

Të lutem mësona,

mësona të kemi besë në largpamësinë e Zotit

e të mos jemi të sigurt në lakmitë tona prej njeriu.

E kë bëri të lumtur lakmia?

Ajo e thekson nevojën e parasë, po edhe keqpërdorimin e saj. E, kur ajo ofron dashuri, kur ajo gjendet në anën më ekstreme të socialitetit të rëndë, në Indi, kundruall botës “së pasur”; gjithnjë e gjithnjë do ta theksojë dashurinë: “Paratë nuk mjaftojnë. Shërbejnë vetëm për të blerë gjëra ‘materiale’, si ushqime, veshje, shtëpi. Është e nevojshme diçka më shumë: ka fatkeqësi që nuk ndreqen me para, por me dashuri.” (“Me shumë dashuri. Mendime të Nën Terezës”, përkthyer nga Laureta Çobani, Tiranë 2003).

Ajo e bën betejën e saj për rikthimin e kuptimit të dinjitetit, aty ku të vetmuarit e të veçuarit kanë nevojë për dashurinë e kujdesin e tjetrit. Ajo thekson: “Synoj t’u japë të varfërve me dashuri, atë që të pasurit e pushtojnë me para” (“Me shumë dashuri,...”, po aty). Edhe zgjidhjen e problemeve të rënda të drejtësisë ajo e sheh te dashuria, që nis në familje, e deri te skaji tjetër i botës. Ajo nuk bën dallime në raca, besime e kombe: “Cilido qoftë besimi ynë, duhet të mësojmë të falim, nëse duam të dashurojmë me të vërtetë.” Dhe të gjitha të mirat ajo i gjen te demiurgu i saj, te Zoti, që fal aq shumë të mira, që na e jep dhuratë jetën.

A është gjë e mirë nëse Zoti kërkon nga ne të mirën?

Disa herë e shqipton këtë pyetje,për ta gjetur gëzimin e saj te kjo dashuri, te lutja, te hiri i saj hyjnor.

Dhe, a nuk është antitezë e “botës së pasur”, ku ka lakmi, babëzi për fitime sa më të mëdha, po edhe të droguar, njerëz të vetmuar, të papunë, të dëshpëruar, etj etj. këtu, sipas frymës refleksive tereziane, ajo e konsideron lakminë si burim të këqijash dhe mëkatesh, si armë që shkatërron virtytin e së mirës. Kësisoj ajo ndjek atë traditë botërore e ungjillore. Pothuajse, të gjitha religjionet e dënojnë lakminë si burim të këqijash. Niçe thoshte se se për të fituar pushtetin, ti gjëra janë të nevojshmejanë: lakmia, zilia dhe urrejtja. Shën Pali Aty sheh rrënjën e krejt të këqijave: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.” Timoteu1-6.10).

Nëna Tereze shtronte në poezinë-lutje që e përmendëm më lart:

“E kë bëri të lumtur lakmia?”

Më saktësisht: a gjen paqe në vetvete njeriu i tillë?

E pra: po qe se lakmia nxit ambiciet e liga, sjelljen e pamëshirshme, nënshtrimin e të tjerëve; atëherë ai nxitet e zhytet gjithnjë e më tepër në kënetën imorale: lakmi për pushtet, lakmi për para, lakmi për popullaritet. Lakmia nuk merr fund. Lakmitarët nxiten të kenë sa më shumë. Pikërisht pse nuk kënaqen me atë që kanë, ata ndiejnë pasiguri, shqetësim.

Nuk është e rastit, prandaj, përse Nëna Tereze i thekson të kundërtat e lakmisë: solidaritetin, dashurinë, kujdesin, bujarinë, gatishmërinë për të ndarë me të tjerët: “Shpirti i bashkësisë sonë është t’i dhurohesh Zotit, të duash dhe të kesh besim tek të tjerët, dhe të sillesh mirë me të gjithë” (“Me shumë dashuri,...”, po aty).

2.

Lakmia shkakton shumë tensione shoqërore

Kosova nuk fitohet E PLOTË si atdhe, kur lakmia e babëzia nuk kanë të ndalur. Kosova varfërohet, kur lakmitarët e pushtetshëm rrëmbejnë ç'’iu vjen përpara.

Kosova gëlltitet nga vrimat e zeza të botës së zhvilluar, kur ky vend nuk i ndjek trendët zhvillimorë të botës, por vendnumëron... e këto VRIMA TË ZEZA po e gëlltisin rininë tonë, si mish i gjallë, për t'i asimiluar pas një a dy gjeneratash... Përpos Bashkësisë ndërkombëtare, që ka krijuar një realitet tragjik me mure e izolime kundër Kosovës, kah këto VRIMA TË ZEZA po e dërgojnë rininë tonë LAKMIA e pushtetarëve tanë për para e privilegje të pafund. Lakmia nuk krijon paqe, as siguri, por pasiguri, shkatërrim të vlerave morale, shkatërrim të shoqërisë.

Aty ku mbizotëron lakmia, aty nuk ka vend as hapësirë për drejtësi, për lumturinë e shumicës, pikërisht për faktin pse pushteti lakmitar njerëzi i sheh si numra (për vota) dhe si pre për nënshtrim, për plaçkitje masive...

Dhe, më në fund, nuk ishte e rastit, që duke i parë këto rreziqe, këto rrënjë të së keqes, Nëna Tereze kërkonte thesaret e zemrës, të dashurisë e ato të dashurisë nbdasj hyjit, se sa brengosjet tona për posedim material, për sigurim të jetës nëpërmes gjendjes materiale. Vërtet, a nuk është lakmia ajo që nxit raporte të fshehta armiqësore mes njerëzve? Se veprat e ndryshme kriminale, sikundër janë vrasjet për interesa materiale e politike, a nuk motivohen nga lakmia? Me filozofinë e saj të dashurisë në vepër, Nëna Tereze ishte shtylla më e sigurt për një shoqëri e rend me drejtësi sociale e demokraci sociale, kundruall lakmisë si tipar antisocial, antidemokratik e antinjerëzor.