E shtune, 20.04.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Kuçeder

E shtune, 04.10.2008, 05:18 PM


Kuçeder

Nga Edison Ypi

Vajte 87?! Rrofsh. Po sikur  s’po më besohet ! Duken pak për një si ty që ke parë e ke bërë aq tepër.Mos  harro se je kusureshë. Ke kusure për të larë dhe për të hequr. Prandaj duhet të jetosh më tepër. Shumë më tepër. Duhet të jetosh përgjithmonë. Mos të ardhtë kurrë ajo me kosore. Rrofsh e qafsh përjetë ! Ja se si; Në mënyrë që të mbetesh përgjithmonë në mes; as e kallur as e ngjallur, as e vdekur as e varrosur, ngulu në një barrake me dërrasa në një majë kodre pranë Shtish Tufinës. Mu atje, 200 vitet e ardhëshme jetoi kruspull me kokën ulur, pa e ngritur asnjë çast. Në mënyrë që të gjithë të të shohin dhe asnjë të mos shohësh. Fill pas kësaj vuajtjeje paraprake, pra pendesës së heshtur mashtruese aparente, që s’do jetë kurgjë krahasuar me ç’të pret deri në amshim, dalngadalë, gjatë një adhapi që do vijë duke u shtuar gradualisht dita - ditës, do të kapin reumatizmat. Të gjitha llojet e reumatizmave dhe artriteve, që do bëjnë të të dhembin të gjitha kockat. Kjo do vazhdojë deri atëhere sa këto dhimbje, në sasi dhe cilësi, të barazohen deridiku me dhimbjet reumatizmale të qelive e të paktën njërës prej atyre qindra familijeve që u rropatën gjithë jetën qelive të burgjeve dhe baltrave të internimeve në emër gjoja të zbatimit të parimeve për të mirën e të gjithëve, por në fakt për fajin tënd se ashtu të deshte ty qefi. Reumatizmat, gjatë të cilave, për arësye të kuptueshme, nuk do të të lejohet të ulërasësh, do zgjasin nja 400 vjet të tjera. Këto tortura, që do jenë vetëm një pjesë fare e vogël e çmimit që do paguash për mbetjen gjallë, do të vazhdojnë derisa të gjitha kockat të të jenë zbutur të jenë bërë si prej dylli. Sytë, prej të cilëve s’dolën kurrë lot, të kthehen ashtu si në të vërtetë i ke pasur, pra në gremina që rrëzonin fate, hone që vdisnin ëndërra. Nga goja të kenë nisur të të dalin britma komitetesh shoqëruar me urdhëra pushkatimesh. Pastaj do vuash një torturë të sheshtë që do vazhdojë të paktën 1000 vjet. Gjatë kësaj kohe, që e krahasuar me përjetësinë nuk do jetë fort të gjatë, nuk do jetosh edhe aq keq. Për të ngrënë do hash. Sipas shijes tënde dhe dëshirës së tyt shoqi. Menu sloganesh varur mbi mure të pista kooperativash bujqësore. Do hashë bukë, sipas sloganit; “Vetëm buka dhe fishekët të mos na mungojnë”. Por meqënëse me bukë thatë, ose fundja edhe me feta buke me barut nga të fishekëve sipër, zor se do jetoje, le të bëhet një kombinim sloganesh. Bukën pra ta hash me bar jeshil shtruar mbi fetë, sipas tjetrit slogan; “Bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”. Natyrisht edhe do vishesh dhe do mbathesh. Për të veshur, gjatë behareve s’ësht problem. Gjatë dimrave do veshësh një kapotë të grisur zborri. Kapota do merret nga një depo e një reparti diagaçash aty rrëzë Dajtit. Për të mbathur do mbathësh pa çorape çizme të shqyera llastiku miniere plot zhul që ende nuk u ka dalë era e djersës. Që të mos të ngjiten zorrët, si iu ngjitën nja dyve që i mbaj mënt unë, njërit në Tiranë tjetrit në Fushë Krujë, edhe do pish diçka. Ujë, po se po, që do merret nga rrëketë e baltave të varreve aty afër. Por edhe kafe. Kafen pa sheqer do ta zjesh vet’ me gjethe ferrash bregu lumi. Kjo e tillë veshmbathje e sajuar me elementë fshataro-ushtarake, pavarësisht se sot në demokraci është shumë në modë, për ty nuk do jetë e plotë përderisa nuk mbyll trekëndëshin tënd të dashur revolucionar edukim-punë-kalitje sepse duket sikur nuk e përfill, sikur e lë jashtë vëmëndjes elementin e tretë “kllasë punëtore” çka nuk i shkon për shtat një vampireje si ti. Por mos u mërzit. Se përderisa nuk do vdesësh kurrë, ke kohë, edhe për tu mërzitur, edhe për tu gajasur, edhe për të tëra. “Kllasa punëtore” do vijë. Do vijë vetë shumë shpejt fill kur pasi me ato çizme e atë kapotë që nuk do ta lashë kurrë, shumë shpejt, tamam si anijet në Durrës që u mbushën me varfanjakë dhe ikën drejt Italisë, edhe ty po ashtu nga pisllëku krejt trupi do të të mbushet me mijëra morra proletarë. Morrat do jenë nga ata të mëdhenjtë fare të fjetoreve të punëtorëve që ndërtonin diga dhe rrugë, sidomos diga hidrocentralesh nga ato të cilat sot janë katandisur më tepër plot me gurë dhe kërcunj se sa plot me ujë. Dhe ja ku e respektove trekendëshin e dashur. U se për pak harrova ! Moj, me se do ngrohesh gjatë dimrave ?! Ky është një problem, por që zgjidhet lehtë. Unë them të mos mbash sobë pranë. Ngrohu sa të mundesh duke u dridhur kur të kujtosh ç’hatara ke bërë. Pas gjithë këtyre shekujve, me jetën e re do jeshë mësuar. Aq sa do t’i kthehesh sa do mundesh rutinës së vjetër. Mes tjerash do nisësh të lexosh libra. Për shembull atë librin me letra të zgjedhura. Pavarësisht se pa lotë, pasi lotët do kenë shekuj që do të jenë tharë, por përmes rënkimesh që do jenë shndrruar në krrokama korbash që sapo çukitën kufomat, prej librit me letra dhe të tjerave lexime të ngjajëshme, do prekesh shumë. Do prekesh sidomos nga letrat që Ezhdërhaja ia dërgon popullit të Gjirokastrës, Zhoao Amazonës, Diogenes Arrudës, Zhysten Godarit, dhe të gjithë rrugaçëve të tjerë anembanë botës. Natyrisht që do presësh miq dhe bashkë me ta’ do bëni qokat e dikurshme, do festoni datat jubilare etj. Miqtë do jenë veteranë. Meqënëse do ketë kaluar shumë kohë veteranët do t’i ketë kalbur dheu. Por ata do vinë për të ardhur. Do ngrihen nga varret. Paçka se kur të vinë pranë teje do jenë skeleta me kocka me brima të zeza me baltë. Ti krruspull në mes, skeletat me baltë rretheqark teje, do kujtoni një për një, garat, emulacionet, objektivat, datat, rezultatet, sukseset, arritjet, rrethimet me tela me gjëmba, jetët e këputura, përgjakjet, rrahjet, spiunimet, krimet, burgjet, pushkatimet, etj., etj.
Pakngapak do rridhesh nga trutë dhe do ngatërrosh shekujt si ai që bënte lëmsh vitet. Do fillojë ajo rrjedhje se Perëndia nuk mund edhe të ta fali përjetësinë edhe të ta lërë trurin qiqërr si atë natë tek i përgjigjeshe në televizion pyetjeve të asaj shkrimtares. Dhe ashtu me bulëza dhe rrëkeza duke të rrjedhur nëpër turi’ ai lëngu i trashë që quhet tru, mund të ndodhi që të kujtohesh t’i lutesh Perëndisë për faljen e mëkateve me qëllim shpëtimin e shpirtit. Do jetë një lutje e kotë. Sepse edhe ty që t’i numurosh, edhe Perëndisë që t’i dëgjojë llahtaritë e tua, koha e pafundme nuk mjafton. Perëndia do dëgjojë sa do dëgjojë dhe nga marazi do nisi të qajë; Dhe shpirti do t’i plasi. Dhe kohën do ndali. Dhe botës fundin do t’i sjelli. Pak para fundit, do pyesin; Çmoshë kishte ?! Do përgjigjen; S’kishte moshë. Ishe e zeza e njerëzisë.

edisonypi@gmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora