E shtune, 21.09.2019, 11:21 PM (GMT+1)

Komente

Aurel Dasareti: Nuk mund të flasësh për detin me një bretkosë të ulur në një pus

E enjte, 05.09.2019, 09:08 PM


Nuk mund të flasësh për detin me një bretkosë të ulur në një pus

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Nuk është aq e lehtë për shqiptarët që të "zgjohen" kur nuk dinë asgjë përveç manipulimeve dhe gënjeshtrave që u shërbejnë mediave amatore antikombëtare.

***

Më e rëndësishmja nga të gjitha në një demokraci është liria e fjalës. E drejta për të qenë vetvetja, të besosh dhe të mendosh si dhe të flasësh lirshëm është e lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes - e drejta për të shprehur atë që ke në zemrën tënde, me mjetet në dispozicion.

Nëse dikush e dobëson kritikën, atëherë dobësohet liria e shtypit, dhe nëse dobësohet liria e shtypit, atëherë dobësohet liria e shprehjes (fjalës).

***

“Shqiptarët, në gjuhën e tyre Shqiptar, Arnautë në turqisht, Arvanitas sipas formës së emrave grek, e banojnë Shqipërinë në veri deri në pellgun ujëmbledhës të rrjedhave të Danubit, ku janë përzier me serbët, dhe në jug deri në Janinë. Shqiptarët konsiderohen si pasardhës të ilirëve antikë. Ata bien në dy grupe të mëdha, gegët në veri dhe toskët në jug të Shqipërisë, midis të cilëve lumi Shkumbin formon kufirin. Ata janë pjesërisht muhamedanë, pjesërisht të krishterë, katolikë-romakë në veri dhe ortodoksë-grekë në jug, një ndarje që dobëson përpjekjet kombëtare të kombit. Ata janë si rrallë kush njerëz të bukur, luftëtarë të guximshëm, por grindjet fisnore dhe plaçkitjet kanë ndikuar negativisht në karakterin e njerëzve.”- shkroi një studiues i shkëlqyer danez disa shekuj më parë. Përkthimi im nga anglishtja.

***

Shkrimet e mia rregullisht i botojnë themeluesit (pronarët) e portaleve/gazetave që në kuptimin e plotë të fjalës janë mirëdashëse për kombin dhe vendin; pra atdhetarë dhe intelektualë të mirëfilltë. I botojnë edhe disa tjerë por bëjnë seleksionim të letrave. Të tillëve u pengon kur kritikoj idhujt e tyre të fesë, politikës ose të pushtetshmit prej të cilëve edhe paguhen. U pengon gjithashtu edhe feja ime katolike megjithëse nuk jam aq fetar. Pra, fisnorët e skajshëm u japin prioritet letrave të shqiptarëve myslimanë edhe sikur, llafi vjen, të shkarravitnin pallavra prej më të sertave.

Shqiptarët ndërtojnë shumë mure dhe shumë pak ura.

***

Demokracia e gjallë kërkon media të lira dhe të pavarura. Të gjitha shoqëritë kanë nevojë për një shumëllojshmëri thelbësore të kanaleve në mënyrë që të udhëheqin një debat të hapur shoqëror, duke përfshirë një vëmendje kritike mbi pushtetin dhe ushtrimin e autoritetit. Kanalet e pavarura të radios, portale, gazetat dhe televizioni janë qendrore për pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse politike. Shoqëria civile duhet të ketë kanale për përhapjen e pikëpamjeve të saj.

Liria e fjalës, liria e shtypit dhe liria e informimit janë vlera themelore në një shoqëri demokratike.

Prandaj, është e rëndësishme që të lehtësohet prodhimi i lajmeve dhe aktualitetit të mirë dhe të gjithanshëm si bazë për konsultim publik.

Tre nga katër njerëz (përfshirë shqiptarët) jetojnë në shtete ku situata për lirinë e shtypit renditet nga problematike - në shumë të keqe.

***

Nuk ka shumë vite që vetëm shteti kishte një monopol të afërt të "informimit" të njerëzve për atë që ishte e “denjë” për lajme dhe për të treguar se si do të interpretoheshin ngjarjet, çfarë ishte me vlerë të raportimit dhe çfarë ishte "e drejtë" për të menduar. Po tani kur kemi më tepër media se numri i popullatës?

Problemi i shqiptarëve është se mediat dhe komentuesit ndikojnë dhe formojnë qëndrimet dhe mendimet e njerëzve në mënyrën më të keqe të mundshme. Ata shtrembërojnë, hutojnë, ngatërrojnë dhe lënë lexuesit larg nga ajo që është logjike dhe e arsyeshme - për t'u kujdesur për interesat e një elite sunduese me një agjendë krejt tjetër: kriminale korruptuese antikombëtare. Shumë veta besojnë në atë që lexojnë në gazeta.

Të shohësh shtypin dhe gazetarët shqiptarë që e bëjnë vetveten në idiotë të dobishëm për forcat me motive shumë të dyshimta dhe të pista antikombëtare, janë gjëra të trishtueshme.

Nuk duhet të lejojmë më që mediat dhe komentuesit e tjerë budallenj e naivë të vazhdojnë kryqëzatën e tyre për të shkatërruar tërësisht atdheun tonë që gjendet saktësisht para greminës.

Liria e fjalës merret me të drejtën për të shprehur veten dhe për të dhënë ose marrë informacion (liria e informimit), pavarësisht nga mediumi i përdorur dhe pa ndërhyrjen e autoriteteve.

Liria e fjalës është liria që të gjithë njerëzit duhet të shprehin atë që ata besojnë dhe duan të thonë.

Shumë raste vrasjeje të kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve gërmues tregojnë se sa e rrezikshme ndaj gazetarisë-kritike mund të jetë kundërshtimi i të pushtetshmëve për zgjidhjen e një ngjarjeje kriminale.

***

Kritik për çështje të rëndësishme

Liria e fjalës na jep, ndër të tjera, një të drejtë kushtetuese për kritika. Por kjo nuk do të thotë se çdo gjë mund ose duhet të kritikohet. Balancimi se kur duhet dhe kënd duhet ta kritikojmë apo jo, është jo aq i lehtë.

Megjithatë, nuk është mirë kur dikush përpiqet të ndalojë çështjet kritike nga krijimi. Është e kuptueshme që ata që kritikohen në shtyp nuk mendojnë se është kaq e këndshme që të kritikohet. Por nëse dikush ndalon një çështje që është me interes publik, do të thotë që neve si shoqëri na pengohet (fshehjet) mundësia të dimë gjithçka që duhet të dimë.

Prandaj është e rëndësishme për shoqërinë se janë gazetarët, dhe jo burimet, që vendosin se cilat raste duhet të mbulohen. Dhe nëse një rast është me interes publik, është e rëndësishme që gazetari të mos ndalohet nga ata që duan të shmangin kritikat.

Por është gjithashtu e rëndësishme për shoqërinë se gazetari gjatë kritikave mbulon çështjet që janë me të vërtetë të rëndësishme dhe nuk humb kohën dhe paratë për gjëra që nuk janë me interes publik.

Por, ku duhet të shkojë kufiri, siç e keni kuptuar tani, nuk është fare e qartë.

***

Liria e fjalës duhet të ishte një vlerë themelore edhe në shoqërinë tonë. Volteri do të shqetësohej nëse do të dëgjonte se si tani po keqpërdoret ajo për të cilën ai luftonte. Një grup “vlerash” që shkojnë në ekstrem, ku vetë njerëzit ia ndalojnë vetvetes të mendojnë - nuk është  shëndetshëm, por diagnozë psikike.

Shembull: Predikuesit fetarë (me përjashtime nderi) sidomos në xhamia, shkojnë përtej skajshmërisë - dhe besimtarët e indoktrinuar i kultivojnë ato “vlera” ekstreme pa menduar fare me kokën e vet.

Indoktrinimi: do të thotë të përpiqesh të ndryshosh qëndrimet dhe perceptimet e një personi përmes ndikimit sistematik (përdoret më shpesh në një kuptim negativ).

***

O shqiptarë! Pyesni veten nganjëherë me seriozitet, nëse njerëzit me të cilët ju shoqëroheni janë duke ju ngritur lartë ose duke ju tërhequr poshtë – në greminë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT