E marte, 23.04.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kosta Trebicka vdiq si pasojë e një aksidenti të pastër automobilistik

E shtune, 04.10.2008, 04:58 PM


Publikohet raporti i ekspertit amerikan Kevin Teter për vdekjen e Kosta Trebickës

TIRANË - Kosta Trebicka vdiq si pasojë e një aksidenti të pastër automobilistik. Pas më shumë se 20 ditësh nga vdekja e dyshimtë e dëshmitarit kryesor të aferës së fishekëve, zbardhet edhe raporti përfundimtar i ekspertit amerikan Kevin Teter, i cili u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e çështjes. Në datën 23 shtator, oficeri i policisë së Virxhinias, Teter, në prani të një notereje firmosi ekspertizën prej pesë faqesh, ku përshkruhet me detaje dinamika e aksidentit të 12 shtatorit, ku humbi jetën Kosta Trebicka. Në dokumentin që tashmë i është vënë në dispozicion edhe Prokurorisë së Korçës, Teter thotë se automjeti është përmbysur si pasojë e një manovrimi të menjëhershëm nga shoferi. Pas ekzaminimit të të gjithë materialeve që iu vunë në dispozicion dhe ekspertizave që realizoi, Kevin Teter rindërtoi edhe dinamikën e ngjarjes, e cila sipas ekspertëve cilësohet si pjesa më e rëndësishme e hetimit. “Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut”, -thotë në raportin e tij eksperti amerikan, i cili përshkruan me detaje gjithçka ndodhi në pak sekonda në rrugën Voskopojë-Lekas, zonë kjo që është rreth 30 kilometra larg qytetit të Korçës. “Duke dalë nga një kthesë në të majtë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë majtas, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë”, -përshkruan në raportin e tij eksperti autoteknik nga Virxhinia. Duke u përqendruar në momentin e aksidentit fatal, eksperti i huaj thotë se, “si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e hapur e tavanit”. Nëpërmjet përshkrimit të detajuar, Teter i jep fund dilemës se përse trupi i të ndjerit ndodhej aq larg automjetit tip “Nissan Patrol” me targë TR 8843 J. “Automjeti u rrotullua në tavanin e tij, u rrotullua mbi shoferin dhe eventualisht u kthye mbi rrota pingul në rrugë. Si rezultat i pjerrtësisë së rrugës për poshtë, në drejtim të lindjes, automjeti eci mbrapsht, siç tregojnë shenjat e gomave që fillojnë nga rruga deri në pozicionin final të automjetit”, - thotë në raportin përfundimtar eksperti amerikan, i cili u jep fund të gjithë dyshimeve mbi vdekjen e njërit prej dëshmitarëve kyçë të aferës së fishekëve të vjetër kinezë nga ndërmarrja shtetërore “Meico” te kompania amerikane “AEY”, që kishte një kontratë me vlerë 300 milionë dollarë me Pentagonin. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ky raport ka mbërritur në Tiranë rreth katër ditë më parë dhe pasi i është nënshtruar procesit të përkthimit, u nis drejt Prokurorisë së Korçës. “Kjo ekspertizë do të krahasohet me të dhënat e nxjerra nga grupi hetimor i çështjes, i cili do të nxjerrë një konkluzion përfundimtar për ngjarjen e 12 shtatorit. Pasi të përfundojë ky konkluzion, ai pritet t’i dorëzohet Prokurores së Përgjithshme”.

Raporti u firmos një ditë pas largimit nga Shqipëria

Një ditë pas vdekjes së Kosta Trebickës në fshatin Lekas të rrethit të Korçës, Prokuroria e Përgjithshme kërkon zyrtarisht ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbardhjen e ngjarjes. “Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, për sqarimin e mëtejshëm të saj, Prokurori i Përgjithshëm nëpërmjet ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë kërkesë dhe jemi në pritje për vënien në dispozicion të një grupi ekspertësh me njohuri të posaçme për të dhënë kontributin e tyre në ekzaminimin e ngjarjes”, - tha zyra e shtypit të kryeprokurores më 13 shtator. Në përgjigje të kësaj kërkese, më 18 shtator mbërrin në Tiranë Kevin Teter, ekspert autoteknik i policisë së shtetit të Virxhinias. Pa humbur kohë, Teter u nis drejt qytetit të Korçës dhe më pas në vendin ku humbi jetën Kosta Trebicka. Pas një vizite të shkurtër aty, u kthye në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, ku mbahej nën masa të rrepta sigurie automjeti me të cilin udhëtonte Kosta Trebicka. Për dy ditë me radhë, eksperti amerikan ekzaminoi me kujdes automjetin dhe paraprakisht arriti në konkluzionin se në të nuk kishte ndërhyrje të jashtme. Nga ky moment, e gjithë vëmendja u përqendrua në dinamikën e ngjarjes dhe distancën rreth 45 metra të trupit të viktimës nga automjeti. Më 22 shtator, Teter largohet nga Shqipëria, për të hartuar raportin përfundimtar rreth ngjarjes që ngjalli jo pak debat në vendin tonë. Raporti i Teter mban datën 23 shtator, fakt i cili tregon se Teterit i është dashur të kthehet në SHBA vetëm për ta shkruar ekspertizën, pasi gjithçka për të është qartësuar gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri.   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora