Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Jeniçerizmi historik dhe Jeniçerizmi modern (2)

| E marte, 03.09.2019, 12:47 PM |


JENIÇERIZMI HISTORIK DHE JENIÇERIZMI MODERN, II

Nga Prend BUZHALA

Kombi ynë, përgjithësisht shoqëria jonë tashmë ka krijuar, nga resurset e veta, xhelatin e vet.

Jeniçerin e vet modern.

Sa grupe jeniçerësh i formuan, as lapsi nuk e rrok.

Mjaftonte që në politikë të paraqiten, bie fjala, si ithtarë me maskën e frymës rugoviane, dhe brenda ditës të shndërrohen në hanxhinj politikë, në përhapës së frymës moderne të jeniçerizmit.

Maskat bënë punë.

Ideologjitë e dhunës gjithmonë janë fshehur, në fillim, pas një maske të dikurshme mbrojtëse, si maskat luftarake, që i vinin në fytyrë luftëtarët e dikurshëm jeniçerë...

Por po ndodh vetëçmaskimi...

Vetëshembja...

1.

Tashmë në skenën mediatike na shfaqet Cyber-kronisti. Ai erdh e u bë personazh i këtij shkrimi. Ai dëshmon se çka ka ndodhë e ende po ndodh me një grusht jeniçerësh, që, si i quante ai, jeniçerë modernë të Demokracisë që po futen në jetën politike në “proceset e ndryshimit në Pashallëkun e quajtur Kosovo.”

Vazhdon të zbatohet statusi i Diskriminatorit të privilegjuar otoman kundër Të tjerëve me Shpirt Tjetër, arbëror a evropian, s’ka rëndësi: një mendësi tipike e zemaneve otomane. Ndërsa zemanet (sipas Cyber-kronistit, formuan një Hyrrjet a një si Kuvend të përbërë vetëm nga ‘trimat’, pra nga jeniçerët e që na u bënë jeniçerë modernë. Dolën edhe më të fortë se ustallarët e tyre” e që quheshin me një emër qesharak: ndërkombëtarë. “Ndërkombëtari” ishte sinonim i Sulltanit të Dikurshëm. “Ndërkombëtari” po e tradhtonte misionin e tij me Shpirt Tjetër, arbëror a evropian. Cyber-kronistit të shekullit XXI këto gjëra i dukeshin qesharake dhe shqyhej gazit: ishte një komedi me disa akte: se si vidhej ajo gjë që quhej votë, që dhunohej a i thurshin skena intrigash... se si kjo intrigë a kjo vjedhje quhej standard ndërkombëtar demokratik.

Cyber-kronisti lexonte më tutje: kryeparët e disa grumbujve që quheshin parti (Kronisti i Kohës i kishte quajtur: parti jeniçerësh, dmth rrëmbyesish të votës e të pasurive të pashallëkut që quhej Kosovo), i kishin shtënë në dorë edhe disa grumbuj që quheshin polici, gjyqe, KQZ, banka, firma financiare, madje-madje i bënë për vete edhe do farë të tjerë që quheshin “ndërkombëtarë”. Kryeparët i radhitën vetë listat pa e pyetur zgjedhësin e tyre, i radhitën edhe fletëvotimet për rrethin më të ngushtë, që, siç i quante Kronisti i Kohës, “për mafiozët politikë.” Kryeparët shpërndanë dhurata e para tek do farë turmash që quheshin votues. Ishin frymëzuar nga njëfarë Luciferri që quhej Putin. Kronisti i Kohës kishte shënuar: “Zgjedhjet ishin debakël i Demokracisë.” E vetmja e mirë, ishte se te grumbulli, si e quante Kronisti, “popull”, po mbretëronte vetëdija se “mund të bëhen ndryshime dhe kjo ishte gjë e mirë.”

2.

Havel pohon:” Është gënjeshtër ajo që thonë të tjerët se politika është rrenë. Politika duhet të jetë shprehje e dëshirave dhe e synimeve për t’i sjellë mirëqenie bashkësisë e assesi shprehje e nevojës që ajo bashkësi të përndiqet. Ajo nuk duhet të jetë vetëm art i së mundshmes, veçanërisht kur me këtë mendohet në artin e spekulimit, kalkulimit, intrigës, marrëveshjeve e transaksioneve të fshehta dhe manovrimit pragmatik; porse mund të jetë edhe art i të pamundshmes, domethënë, art i përsosmërisë së vetvetes dhe botës.” Po ku shpie, nganjëherë, politika e kuptuar si garë zgjedhore dhe fushatë e egër për pushtet? Shpie në përjashtimin e tjetrit, në emër te demokracisë. Shpie në aparteid përjashtues.”

Dhe kjo po bëhej nga një arsye qesharake, si vlerësonte Cyber-kronisti: në emër të do emrave qesharakë të shekullit XXI, si unitetit e pavarësisë, “demokracisë së jeniçerëve dhe pavarësisë jeniçeriane”. Cyber-kronistit po i përziheshin kohët: nuk e dinte saktësisht se a ishte shekulli XIV apo ai XXI: “para se të vinte fermani i nënshkruar nga kryejeniçeri, fillimisht mbahet një takim konfidencial: si strategë që janë, jeniçerët duhet të ecin përpara, me mençuri! Goditja duhet të jetë e shumëfishtë kundër Të Pabesëve të Allahaut, të cilët nuk po i nënshtrohen Normës e Kanunit të Jeniçerëve. Kryejeniçerët që i paguajnë mirë vartësit e tyre për mënyrën demokratike të votimit, luajnë e argëtohen dreçnisht me kukullat e veta. Kukullat i lajnë duart si Juda dikur: e përse t’i humbin pozitat e tyre prej kukullash, intrigantësh çapaçulë a personazhesh të intrigës e që paguhen mirë. Sepse dyfishi i ylemasë nuk ishte pajtuar me Kanunin e Jeniçerëve të Provincës Kosovo. Kronisti i Kohës vlerëson: Frojdi i ka zbuluar kurthet e nënvetëdijës: kur nëpërmes një gabimi të pavetëdijëshëm dalin në sipërfaqe bindjet tua të vërteta, në kohë të paduhur e në vendin e paduhur. Këtë gabim të pandërgjegjshëm e bënë politikanët tanë: u zunë në flagrancën e vjedhjes...

(Prend Buzhala, 4 gusht 2019)