E enjte, 28.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Mendime

Prend Buzhala: Jeniçerizmi historik dhe Jeniçerizmi modern

E hene, 02.09.2019, 06:14 PM


JENIÇERIZMI HISTORIK DHE JENIÇERIZMI MODERN, I

Nga Prend BUZHALA

Fjalori i shqipes kështu e përkufizon fjalën jeniçer: "JENIÇER m. sh. hist. Ushtar këmbësor i trupave të zgjedhura osmane, që ishte marrë zakonisht nga të krishterët e vendeve të pushtuara prej Turqisë ose ishte zënë rob dhe që në vogëli ishte stërvitur e përgatitur për luftë."

Perandoria otomane, dikur, nëpërmes jeniçerëve (fëmijëve të rrëmbyer nga gjiri familjar, kryesisht i familjeve të krishtera), synonte që FËMIJA TA HARROJË PRINDIN E VET, besimin e vet fetar, kombin e vet dhe gjuhën e vet. Tragjedi e shumëfishtë!

Fëmijët e rrëmbyer dhunshëm, edukoheshin në thertoret otomane, bëheshin ushtarakë e mandej i quanin jeniçerë, mbasi ua kanë ndërruar Shpirtin e Arbrit dhe mandej pajisen me Urrejtjen si masë të Jetës. E mandej, me tërbim, ky JENIÇER i shkombëtarizuar, të shkonte në luftëra pushtuese, së pari të shkonte e ta vriste familjen e vet, ta shkrumbonte, dhunonte e përgjakte Atdheun e vet...

Jeniçerët ishin ushtarët më të fortë, më trimat, më të egjër se vetë otomanët. Arritën të bëhen deri edhe pashallarë, vezirë etj. I kishin shtënë në dorë forcën ekonomike, ushtarake, politike e kulturore. Të tjerët ishin skllevër. Fituan statusin e Diskriminatorit të Privilegjuar ndaj Të tjerëve me Shpirt Tjetër, arbëror a evropian, s’ka rëndësi: një mendësi tipike e zemaneve otomane.

Dhe ata shtegtuan nëpër shekuj...

1.

Ndërsa Mithat Frashëri shkruan:

"Synimi pesë herë shekullor i Turqisë, një sunim nga më të zezët që kanë njohur historitë e botës, na ka shtuar të metat e vjetra, duke na pakësuar virtytet: Turku na mësoi edhe një herë akoma më përtacë, më të harbuar; me anadollakun, si jeniçer ose bashibuzuk, kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bagdat dhe në Jemen; më vonë jemi shkruar zaptie për një mexhitkë në muaj, dhe kemi vdekur në Gjirit, na janë zbardhur eshtrat në rërë të Fizanit... Edukata që morëm në oxhakët e jeniçerëve na bëri të jemi të këqij dhe të padrejtë kundra vëllezërve tanë më të dobët, të humbasim çdo ndjenjë dhe virtyt kombi, të gjendemi si fis i egër, armik dhe i përçarë me njëri-tjetrin, pa asnjë farë bashkimi, indiferent në përparim, të mërguarë prej çdo lumturie materiale, meqënëse të larguar nga bashkimi, pa bashkëpunim dhe pa solidaritet... E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që mend e shoi çdo ndjenjë njerëzie, çdo cilësi njeriu të ndershëm... Vajtimi nuk hyn më punë, se sjell dëshpërimin e fatalizmit. Kundër një të lige, përpara një mynxyre, duhet vepruar, do prurë një reaksion, që të vijë zgjimi pas gjumit, larg dehjes, një zgjim veprimtar, me vullnet të vërtetë, me punë të fortë, motra dhe mëma e shpresës pjellore.Një veri e bën detin që të buçasë. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi."

A kemi sot jeniçerë modernë (madje dhe jeniçerë të demokracisë)?

E me çka dallojmë sot, në fushën e ejtës poltike e shoqërore, nga karakteri i një jeniçeri të tillë që na e përshkuan me saktësi argumentuese Mitahat Frashëri?

2.

Jeniçer dhe i rrëmbyer ishte edhe Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, por ai kishte MOSPAJTIM SHPIRTËROR, prandaj KTHIMI I TIJ në Atdhe e në vlerat e përparshme, mbeti IDEAL I PËRGJITHMONSHËM. Kthimi nuk ishte thjesht fetar: mohim i ideologjisë së pushtuesit, por ishte kthim te Dashuria ndaj të vetëve, te atdhedashuria.

Naim Frashëri për këtë kthim proverbial, këndon me nota psiko-lirike:

Më nuk duron dot as mallë,

që kam për mëmë e për atë,

dhe s'di a janë të gjallë,

i kam ndërmend dit' e natë.

Aqë kam një mallë të shumë

për Shqipëritë natë e ditë,

sa s'kam as prehje as gjumë,

më gjeti si qilimitë.

Në filmin për Skënderbeun, amaneti i prindit është tronditës: "Shiko, bir! Kjo ësjtë toka e atdheut tënd!"

Nëse Skënderbeu, i shkëputur dhunshëm e tragjikisht nga gjiri familjar, nëse ai do të marrë arsim në shkollat më të larta ushtarake perandorake otomane, nëse ai merr atje dhe dije e kulturë të përgjithshme, është e habitshme që atë nuk e shndërruan në turk luajal, sikundër thekson Arbën Xhaferi, por e brumosën edhe të fort karakterin e tij armiqësor kundruall perandorisë. Dhe kjo ndodh vetëm tek njerëzit me karakter të fortë, sepse ai nuk kënaqej me tituj të lartë osmanë, as me privilegjet e pafund osmane. Dhe kthimi ndodh, falë këtij karakteri, edukimi familjar dhe qëndrueshmërisë në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Kthimi ishte i vullnetshëm në atdheun e robëruar.

Një kthim që shënoi një epokë.

Arbën Xhaferi thotë se Skënderbeu u kthye në atdhe me VULLNET TË LIRË, mbasi "ishte marrë me dhunë e me dhunë u bë jeniçer... gjeneratori i moralit të tij të lartë ishte qytetërimi perëndimor. Prandaj, me plot gojë mund të themi se roli i tij historik ishte i madh, dhe vendimtar, jo vetëm pse ai u bë atlet i Krishtit, por te fakti pse ai nuk u bë atlet i sulltanit. Po ta Kishte zgjedhur rolin e dytë, historia e Evropës do të ishte krejtësisht ndryshe."

ATLETI mund Jeniçerin. Atleti u bekua nga historia, kurse jeniçeri nuk prodhoi histori...

ATLET nuk është emërtim as shtetëror, as civil e as shoqëror a kombëtar (Vatikani ishte qendër fetare e civilizimit evropian e jo shtet a principatë mbretëri si të tjerat... titulli ishte një shenjë e atij civilizimi, këtu qëndron moskuptimi). Te e fundit, Gjergji u ka shkuar në vizitë dhe ka pasur marrëdhëniet më të ngushta nga katër papët e kohës (ky është realiteti historik dhe ky fakt historiknuk ka se si të ndryshohet, ashtu sikundër nuk mund të ndryshohet fakti që islamizimi i shqiptarëve është realitet historik e kjo nuk i ka bërë më pak shqiptarë a më pak kastriotianë... dhe kam bindjen: nuk i ka bërë më pak europerëndimorë).

Shtetet tjera perëndimore Skënderbeun e shndërruan në HERO MITIK (pra nuk e shndërruan në figurë fetare, se krishterimi nuk shpall hero fetar... kurse sintagma "Atlet i Krishtit" ishte identifikim me Evropën, dhe sot ajo është KAPËRCYER historikisht, por Skënderbeu mbeti se mbeti SIMBOL I IDENTITETIT EVROPIAN TË SHQIPTARËVE).

Por të merresh me DIMENSIONIN BOTËROR të kësaj figure (pak kemi shqiptarë me dimension botëror), nuk e ngushton rëndësinë e tij, por e pasuron botërisht dhe e shton krenarinë tonë.

Bie fjala, Naim Frashëri e trajton gjerësisht te vepra e tij letrare "Histori e Skënderbeut" këtë DIMENSION: si argument historik, kur “Evropa ishte për lumë” dhe Skënderbeu e shpëtoi! Jeniçeri i dikurshëm snhndërroeht në shpëtimtar të Atdheut e Evropës; ai nuk vjen si sundues, vrasës e pushtues, por si shpëtimtar... Se shqiptarët nuk kanë të bëjnë me grekët e sllavët, se kanë lashtësinë e tyre pellasgjike, se shqiptarët e kanë këtë kryehero evropian, prandaj kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre kombëtar etj etj.

Edhe sot e marrim në DIMENSIONIN e tashëm kohor: si shenjë e integrimit tonë në Evropën perëndimore. Skënderbeu ishte dhe mbeti AKT FRYMËZIMI për të gjitha kohët... Në këtë frymë naimiane është edhe Arbër Xhaferi.

3.

A kemi sot jeniçerë modernë (madje dhe jeniçerë të demokracisë)?

Fenomeni i jeniçerizmit modern u përhap pas luftës nëpërmes OJQ-ve, organizatave humanitare (fetare-politike) nga Azia, televizioneve e medieve të financuara nga jashtë, nga burime të dyshimta. Qëllimi kryesor i tyre ishte SHPËLARJA E TRURIT e të rinjve shqiptarë. Të gjitha këto OJQ të brendshme apo organizata humanitare-politike-fetare të jashtme, shpëlarjen e trurit e bëjnë nëpërmes TË TË VËRTETAVE TË TYRE: interpretimeve “ndryshe” për të kaluarën tonë historike, interpretimeve “ndryshe” të librave të shenjtë, interpretimin “ndryshe të mënyrës së veshjes, ushqimit, pijes, përgjithësisht mënyrës së jetës; dhe, më në fund, interpretimin “ndryshe” të të kaluarës: shpëtimtari juaj është kriminel, ju që ishit arbër, ishit të këqij dhe u bëtë njerëz, kur morët shoirtin e jeniçerit!!!

Thuhet se shtetet e jashtme i financojnë projektet për të rinjtë tanë ndër ne.

Dhe le ta shtrojmë pyetjen: a e financojnë shtetet e jashtme interesin e tyre apo interesin tonë publik e shtetëror?

Por, në vend të rrëmbimit të fëmijëve dje, sot raportet kanë ndryshuar: fëmijët dje rrëmbeheshin; sot ata dërgohen VULLNETARISHT në duart e “rrëmbyesve të rinj”. Nuk ka nevojë rrëmbimi fizik, mbasi kërkohet t’u rrëmbehet vetëm shpirti... sepse, kur ti E JEP VULLNETARISHT SHPIRTIN, ti atëherë i beson të vërtetës së huaj e jo asaj kombëtare apo historike.

E çka ndërmori shteti a shoqëria jonë për ta ndërprerë këtë shitje shpirti?

E çka ndërmorëm që të mos rrëmbehet ky shpirt rinie pas të vërtetave të huaja?

Tashmë jo pak të rinj janë shndërruar në MERCENARË FETARË (jo nga bindja fetare, por duke u shitur me para për një mënyrë të veshjes); dhe e kanë bërë këtë për shkak të “stomakut të zbrazët”, për shkak të gjendjes sociale...

Janë gjendur në radhët e këtij jeniçerizmi edhe intelektualë, të cilëve shoqëria nuk iu dha alternativë tjetër... ose intelektualë që paguhen shtrenjtë nga klientelat e jashtme dhe shndërrohen lehtë në mercenarë të këtij jeniçerizmi.

4.

(Intermexo: Jeniçerët morën hua një emër tyrk e një sllav, sepse edhe tyrqit edhe kaurrët po nxirrnin gazeta; jeniçerët e kishin harruar gjuhën shqipe; emrin e babës ë të nanës, po se po! Kishin dëgjuar për do fjalë si Rilindje, Libër, Shkollë. Të paktën, në gjithë Evropën po nxirreshin gazeta, popujt po e përjetonin Rilindjen e tyre evropiane e nacionale. Mandej, i ndanë rolet si “gazetarë”, “kolumnistë”, “redaktorë”; një dyzinë redaktorësh në Zvicër, në Gjermani, në Kosovë e ku jo! Më në fund, i mprehën shpatat e hanxharët prej jeniçerësh dhe ia mësynë Botës së Arbërit: “ku di Arbëri se çka është Kultura, Liria, Ushtria, Shteti, të cilat duhet të modifikohen, të yrnekizohen simbas shembullit të Kushtetutës së jeniçerëve? Ku dinë ata se çka janë trimat tjerë? Trima jemi vetëm ne jeniçerët. Ku dinë ata se çka është politika? Politikë mund të bëjmë vetëm pashallarët tanë, të cilët dolën nga ushtria jonë e famshme jeniçere. Ku dinë ata se çka është Intelektuali, kjo fjalë e pështirë? Normat e kushtetutat jashtë zemanit otoman nuk ekzistojnë. Ku guxojnë mejtepet të marrin emra tjerë pos atyre që i propozojmë ne, jeniçerët?” Kështu e do zakoni i Kryejeniçerit. Mbasi kanë marrë turr kështu, ndaj çdo gjëje arbërore, tani iu mbetet që t’ia hanë kokat njëri-tjetrit, ashtu sikundër kanë filluar: ta denoncojnë njëri-tjetrin tek Bos-i, kur s’kanë se çka tjetër të denoncojnë; të shkelin mbi kokat e njëri-tjetrit, kur nuk kanë se kë më ta shkelin, ta sulmojnë a ta denoncojnë në gjyqet e huaja; me një fjalë, gazetat e yrnekosura e kanë shpallur vetëshkatërrimin e vetëshuarjen!)

(Prend Buzhala, 3 gusht 2019)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora