E shtune, 20.04.2024, 03:00 PM (GMT+1)

Mendime

Ahmet Selmani: Nexhmia kërcënon shkurt e shqip

E shtune, 04.10.2008, 04:51 PM


Nexhmia kërcënon shkurt e shqip

Nga Ahmet Selmani
 
Kjo është porosia e saj në ditëlindjen e Enverit. Ajo i kërcënon shqiptarët edhe me fantazmën e burrit të saj. E tani e kanë radhën shqiptarët të shohin se kush është Nexhmija, por edhe se ku e me kë u shfaq ajo Edhe pas rënies së sistemit të kuq plagët shqiptare si duket po bëhen gjithnjë e më fatale. Ato assesi të mbyllen e të shërohen, ngaqë po i ngacmon një dorë djalli duke nxjerrë gjak prej tyre. Pak ditë më parë, sërish na u shfaq zonja e zezë Nexhmije Hoxha, vejusha e diktatorit më të egër Enver Hoxha për të rehabilituar figurën e neveritshme të tij. Dhe kjo nuk u bë pa shkas; është 100 vjetori i lindjes së tij. Fundazi, shqiptarët nuk kanë ç’të presin asnjë të mirë prej saj, përveçqë ajo t’i zemërojë me ndonjë fjalë që do ta thotë, por të çudit fakti prej nga gjithë ai zell i Top Channel-it për ta sjellë në ekran pikërisht atë. Rreth dy orë, në emisionin “Shqip”, gazetarja Rudina Xhunga i dha hapësirë Nexhmije Hoxhës të rrëfehet për shumë gjëra, ia hapi rrugën që t’i hidhte poshtë të gjitha sulmet që i janë bërë bashkëshortit të saj Enver Hoxhës. Me një fjalë, me këtë emision, ky rrjet televiziv e shënoi 100 vjetorin e lindjes së “udhëheqësit më të dashur, xhaxhit Enver”. Thjesht, mungonte vetëm torta solemne dhe 100 qirinjtë e ndezur. Le të na rrojë sa malet, do të uronin nostalgjikët e tij. Gjatë kohës sa fliste zonja e zezë, a thua Rudina Xhunga, bashkë me drejtuesit e TV, e kanë vrarë mendjen se si janë ndier ata ish të burgosur politikë, ata të internuar, ata familjarë të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre pikërisht nga dora e atij regjimi që e drejtonte E. Hoxha? Vallë a u ka shkuar mendja ndonjëherë se gjatë kohës së këtij tirani janë pushkatuar më tepër se 5000 burra, disa qindra gra (madje edhe shtatzëna), me qindra mijëra të burgosur, me qindra e mijëra të çmendur, me dhjetëra mijëra të internuar, të keqtrajtuar kafshërisht etj? Bile, N. Hoxha vajti aq larg sa mori guximin të thoshte se E. Hoxha “gjithë jetën e tij ka qenë për të mirën e vendit”. Cila na qenka ajo e mirë e përjetshme? Ajo nuk i thotë ato të mira, por i dinë ata që i kanë vuajtur. Dhe ato janë mijëra e mijëra varre, eshtra të hedhura gjithandej, eshtra të mbjella nëpër kënetën e Maliqit e gjetiu, nëpër përroje e skaje rrugicash. Janë qindra mijëra bunkerë anekënd Shqipërisë që ende ua vrasin sytë shqiptarëve etj., etj. Në një rast Nexhmia e tha edhe këtë gjë: “Enveri bukën e vinte krahas me fishekun”. E ç’farë i kujtoi shqiptarët me këtë? Natyrisht, buka e tyre ishte parulla “Bar do hamë e marksizëm-leninizmin do ta ruajmë”. Prandaj ai jo që s’ju dha bukë, por ua mori atë nga goja. Në vend të saj u dha barë si kafshëve. Dhe ata që s’deshën të hanin barë, që deshën të mbeten njerëz e jo kafshë, ai u dha fishek, ua preu jetën bashkë me ëndrrat. Dhe aty N. Hoxha u mburr edhe për sukseset të cilat, sipas saj, i mohohen Enverit dhe nuk i përmnden kurrë. Në mesin e shumë të tjerave, ajo sidomos e veçoi edhe faktin se në kohën e sundimit të E. Hoxhës “popullsia u rrit tri herë, mesatarja e moshës së njeriut shkoi në 70 vjet” etj. Hajmedet! Si ua zgjati jetën shqiptarëve? Natyrisht duke i kalbur nëpër burgje, duke i vrarë, duke i internuar nga njëri skaj në skajin tjetër të Shqipërisë, duke i keqtrajtuar nëpër kanale e këneta, duke i lënë jo vetëm pa shtëpi, por edhe pa varre. Prandaj lidhur me akuzat për vrasjet që ka bërë, ajo jo vetëm që nuk do të dëgjojë, por i hedh poshtë “100 për qind”, siç u shpreh vetë. Sipas saj, të gjitha fajet e bëra gjatë periudhës komuniste na i paska sistemi. E kush e drejtonte atë system? Prandaj nuk e sheh të arsyeshme të kërkojë falje. Dhe pa fije turpi thotë: “Të kërkosh falje për faje që janë bërë nga një kolektiv, nga një system, kjo nuk bëhet.” Natyrisht, arsyet i di vetëm Nexhmia, askush tjetër. Por arroganca e saj kulmon kur thotë se nuk ndien zhgënjim fare nga bashkëshorti i saj. Përkundrazi, ajo krekoset: “Jo që nuk më ka zhgënjyer, por unë edhe sot e konsideroj veten si gruaja më e lumtur, një grua që kishte një bashkëshort ideal e nuk mund t’i uroja vetes një tjetër fat.”. Pra, Zonja e Zezë nuk ka turp, nuk ndien as faj, as pendim, as përgjegjësi. Thjesht mburret me atë që ka bërë burri i saj, kuptohet bashkë me të. E këtë komoditet ia krijoi pikërisht Top Channel e drejtuesja e emisionit “Shqip”. Pra Nexhmia flet shkurt e shqip, por edhe kërcënon po ashtu! Kjo është porosia e saj në ditëlindjen e Enverit. Ajo i kërcënon shqiptarët edhe me fantazmën e burrit të saj. E tani e kanë radhën shqiptarët të shohin se kush është Nexhmija, por edhe se ku e me kë u shfaq ajo.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora