E merkure, 30.09.2020, 10:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Një ves që nuk të dëmton shumë...

E shtune, 04.10.2008, 02:56 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Një ves që nuk të dëmton shumë...

Nuk ka gjë që më tërbon më shumë se sa.... Më mirë po e filloj ndryshe. Del me tët shoq. Imagjinoni vetë, ti e veshur me fustan të bukur ose me diçka tjetër të lezetëshme , taka, ke bërë një truk që të ka ngrënë kohë të konsiderueshme, ndjehesh mirë, pak ndryshe nga e zakonshmja, e ecën si flutur përkrah burrit tënd. E pse jo, të pëlqen edhe ndonjë shikim që tërheq rrugës. Befas, nuk e di se si , por përballë se nga shpifet, dhe është gjynah të thuash se shpifet, një vajze apo grua e re shumë e bukur, me minifund, me dyfishin e takave të tua, e me një bluzë që zbulon një kërthizë të hatashme. Eshtë një krijesë e bukur ,e ti e shikon e magjepsur ,se si ka mundësi natyra të krijojë kryevepra të tilla .E adhuron atë ,dhe natyrën. Por... për ty kalon e aq ,e ti vazhdon përpara pa e ndërprerë fjalën që kishe në gojë, ndërsa për burrin... e keni dëgjuar atë që thonë për diellin e lulen e diellit ? Koka e tij sikur nuk qëndron mbi një qafë të zakoneshme me vertebra,qafa e tij është shndërruar në një kërcell luledielli, rrotullohet pa pengesa fare derisa mjekrra i arrin atje, diku në një pikë midis dy shpatullave. Mbetem keq sigurisht, por nuk them gjë sepse më vjen zor. E fundja ç'ti them, përse e shikon atë grua të bukur, edhe vetë po e shikoja.Bëj sikur nuk e kam vënë re , buzëqesh ëmbël e i mbush mendjen vetes se gjithshka shkon mirë, vazhdoj të flas duke treguar diçka që për momentin më duket interesante, vetëm e vetëm të tërheq vëmëndjen e tij , e sikur dua t'i them se ka edhe gjëra të tjera të cilat meritojnë vëmëndje në këtë botë. E tamam, atëhere kur kam arritur t'a tërheq në bisedë, përpara nesh ja beh një tjetër. Duket si një pikë uji me të parën, s'ka gjë se ajo ishte bjonde ,e kjo tjetra që më vjen përballë është brune, ajo që ka rëndësi është se ...është shumë e bukur dhe gjërat e bukura ngjajnë me njera tjetrën po aq sa ngjajne edhe të shëmtuarat. Dëgjuesi im i zellshëm , papritmas humbet dëgjimin, sikur i është këputur ai nerv që lidh trurin me veshët , ai ka vetëm sy që rrotullohen së bashku me qafën e ... duke ndjekur atë rrotulloj kokën dhe unë në atë drejtim. Një bezdi e madhe fillon e të shqetëson, ec e gjeje, burrë i martuar, me gruan në krah , të pispillosur e të krehur bukur vetëm për të, e kur them vetëm për të , nuk është se dua të mashtroj atë dhe të tjerët. A nuk thonë se burri është pasqyrë e gruas, përse të mos jetë edhe e kundërta ? Sa më mirë të dukem unë , aq më i nderuar është dhe ai. Por jo, gruaja, atë çast as që i kujtohet se e ka në krah. Bezdia fillon e shndërrohet në një ofendim i cili nga diku poshtë stomakut ngrihet lart , e ja, në vend të buzëve tani kam vetëm një vijë të hollë , të drejtë inatçore, aq shumë i kam mbledhur. Për të folur, as që më bjen ndërmend, por as atë nuk e dëgjoj më kur më flet, dëgjon vetëm zërin e inatit tim. Si nuk i vjen zor xhanëm, po kujt t'i thuash ? Ja ç'farë t'i bëj kësaj vizite që kisha për të bërë , por nuk dal më me të, do të më lutet ,e kur të më lutet...Ja, parakalon një e tretë, nuk ishin binjake , janë trinjake këto të bukurat, e minifundi i saj duket sikur ngrihet në çdo hap nga pak. Zëri i burrit fillon e meket paksa, një vesh i zakonshëm nuk do t'a kuptonte, por ama unë që e njoh prej kohësh...e diku ndalon
 - Cfarë po thoje ?- i them me inat.
- Hë ... pse po thoja gjë ?
- Po , para se të kalonte ajo mrekulli.
- C'flet moj grua, unë kam sy vetëm për ty...
- Për mua ? Ti po shikoje atë !
- Pse ti nuk po e shikoje, - ma pret pa të keq ai.- Sytë, moj e bekuar, janë bërë për të parë.Nuk e di përse e bën kaq
problem, të isha në vendin tënd ...
- Ashtu ? Ta shohim  !- i them unë e filloj e kërkoj ndonje fytyrë te bukur burri në rrugë.
- Ta shohim çfarë ? Përse bën muhabete pa kuptim.
- Ta shohim se si do të të vijë po të fiksoj ashtu ndonjë burrë të bukur rrugës.
- Burrë ?! E ç'kanë të bukur burrat për t'u parë ! ?
- Ashtu ?!Përse pak burra ka të bukur ?
- Më thuaj një ? - më provokon ai.
- Po ja George Cloonye - ja pres shkurt unë që nuk dija se ç'ti thoja e solla nëpër mend aktorët e filmave. Në fakt , nuk është se më pëlqen ai aktor, e më pat zemëruar për ato që kish shprehur për Kosovën e kish zemëruar edhe tim shoq, por ndoshta ishte edhe kjo arësyeja, nënvetëdija nganjëherë të ndihmon më shumë se ç'e ke imagjinuar. Pashë se si u skuqën pak mollëzat e tij , shenjë kjo që po zemërohej , e mirë që ishim në rrugë e nuk mund të shpërthente.
- Ai është koqe nga trutë , moj e shkretë!
Ndërkaq , unë që po livadhisja sytë e nuk po më tërhiqte vëmëndjen asnjë,e për këtë e kam fajin vetë sepse nuk kam ndonjë konsideratë kushedi se çfarë për burrat shumë të bukur, kam frikë se natyra u ka kompensuar në pamje atë që ju ka lënë mangut në gjëra të tjera, të më falin pasi është thjesht një mendim imi ,aspak i provuar, kam spikatur një fytyrë të njohur. Eshtë një komshi i shkallës, nuk mund të them se është i bukur , por të paktën e njoh. Sajoj një buzëqeshje rrëzëllitëse, e përshëndes me përzemërsi dhe e kthej pak kokën pas pa ja hequr sytë ndërsa vazhdoj të eci. Aq shumë jam e përqëndruar në këtë veprim ,sa nuk vë re se ata hapa po i bëj vetëm, im shoq ka ndalur pas e më shikon gojëhapur.
 - Luaj këmbët, se do të bëhemi vonë ! - i them si pa të keq.
- E di çke ti, shko vetëm në atë vizitë. C'më don mua me vete kur i hap sytë të tjerëve, bile... mos shko fare atje, por shko e ndiq atë ...- nuk e vazhdon më pasi unë i kam shkuar pranë dhe e kap për krahu dhe e tërheq pas vetes.
Mendova se e kisha prurë diçka në vete me këtë , edhe pse patëm një diskutim aspak miqësor dhe unë u pendova për ç'ka bëra, por më shumë ...më bëri të pendohem komshiu , i cili sapo më sheh në shkallë më buzëqesh e më flet në mënyrë pak të çuditëshme e nuk pushon së ledhatuari qenin tim. Pra, përveç pranisë së bezdisëshme të komshiut , nuk fitova gjë. Edhe herën tjetër që dolëm, ai e ktheu kokën pa dashje pas ndonjë bukurosheje, vërtet më pak, por e ktheu. Nganjëherë , kur në horizont të rrugës duket ndonjë... nuk e di se si, por ai i merr masat , tani ndodhet gjithnjë një hap pas meje...E mua nuk ma mbajti t'i hapja sytë rrugës. Ama , nuk ja heq dot tij këtë ves, por... Kam blerë një kasetë me një film të Clooney-it , dhe sa herë që nxehem me të për këtë punë , e vë në video.
- Po sikur e kemi parë këtë film , moj e uruar !
- Po pastaj, kush tha se dua të shikoj filmin, dua të shikoj
Xhorxhin, sytë për të parë janë... - ja kthej duke buzëqeshur ndërkohë që kam vënë hekurin e hekuros rrobat. Ai turfullon nga nervat e largohet në dhomën e gjumit e merret me sudokun. Nuk e di se sa do t'i mbajnë nervat , jam e sigurtë që një ditë do të m'a thyejë kasetën me gjithë videon , po aq sa e di që videon do të m'a blejë përsëri... Sa më shpejt t'a bëjë , aq më mirë .Duhet të filloj e të mendoj të ndërroj aktorin sepse Clooney më ka ardhur në majë të hundës...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora