E enjte, 28.03.2024, 05:20 PM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Kurthet politike të Beogradit e Surrelit dhe mundësia e kthesës historike në Kosovë?!

E premte, 30.08.2019, 06:24 PM


Kurthet politike të Beogradit e Surrelit dhe mundësia e kthesës historike në Kosovë?!

Nga Enver Bytyçi

Deri të shtunën në mbrëmje partitë politike në Kosovë do të përpiqen të formojnë aleancat parazgjedhore, me qëllim që të fitojnë automatikisht që në këtë fazë të drejtën e formimit të qeverisë së ardhshme. Koalicionet janë të shëndetshme. Ato mund të bëhen faktor i ndryshmeve historike në Kosovë. P.sh nëse deri mbrëmjen e datës 30 gusht do të ketë një marrëveshje midis Vetëvendosjes dhe LDK-së, kjo do të rikthente shpresën e qytetarëve të vendit për një ndryshim të madh. Njerëzit do të rikthenin shpresën se më në fund Kosova nuk do të ishte më peng i korrupsionit , nepotizmit dhe krimit të organizuar. Se interesat kombëtare do mbroheshin me shpirt, mendje , me argumente dhe me vendosmëri. Se qeveria e re LDK-VV do të garantonte integrimin euroatlantik të Kosovës.

Në fakt qytetarët presin të ketë progres-koalicione dhe jo regres-koalicione. PDK-ja është përjashtuar nga të gjitha partitë si subjekt bashkëpunimi, çka do të thotë se ajo mbetet në këtë fushatë elektorale ‘Delja e zezë e politikës kosovare’. Prandaj dhe është e përjashtuar mundësia e krijimit të regres-koalicioneve. Por a janë eliminuar kurthet, intrigat dhe ndërskamsat politike, që rrezikojnë vazhdimin e politikave të përçarjes, miqësive, krahinarizmave, korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar?! A është eliminuar mundësia që Hashim Thaçi dhe PDK të sigurojnë mbështetje për politikat anti-kombëtare të ndarjes së territorit të Kosovës, si ‘Zgjidhje e konfliktit me Serbinë’?!

Kurthet dhe intrigat po thuren në bunkerët e politikës shqiptare dhe politika progresive në Kosovë nuk duket të jetë e vetëdijshme për këtë. Dy janë qendrat, mënyrat dhe grupimet kundër ndryshimit të madh që duhet të ndodhë në keto zgjedhje:

Së pari ka informacione të besueshme se në Tiranë, përkatësisht në bunkerin e Edi Ramës në Surrel, janë tubuar disa protagonistë anti-progres në Kosovën e pas-zgjedhjeve të 6 tetorit. Nën kryesimin e kryeministrit të Shqipërisë në atë bunker po diskutohet sesi mund të ruhet pushteti i Hashim Thaçit në Kosovë, me qëllim vijimin e politikës së ndarjes së saj. Aty gjendet Aleks Soros, njeriu hije i ekzekutimit të vendimeve antishqiptare në Ballkan. Ndodhet i dërguari dhe i besuari i presidentit të Serbisë, ‘i shpallur në kërkim’ prej disa ditësh, zotnia R – Baton Haxhiu. Gjenden gjithashtu jo pak asistentë dhe këshilltarë, mjeshtra të kurtheve politike, që rrezikojnë Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

Të gjithë këta kanë ngritur një fushë të madhe shahu me gurë të mëdhenj dhe ndjekin lëvizjet për të shkuar deri te asgjësimi i mundësisë për ndryshimin e madh që pritet të ndodhë në Kosovë më 6 e pas 6 tetorit 2019. Qëllimi është krijimi me çdo kusht i një mazhorance, ku PDK-ja të jetë faktor vendimmarrës. D.m.th të krijohet vazhdimësia e politikës së mëparshme dhe Hashim Thaçi të vazhdojë të kryesojë bisedimet me Serbinë e të firmosë aktin sui generis në historinë e kombeve dhe shteteve, ndarjen e vendit, të cilin ai si president është i detyruar ta mbrojë?!

Vjosa Osmani e ka bërë të qartë se me kryesimin e qeverisë prej saj, ajo do t’ia heq presidentit të drejtën të jetë krye-negociator në bisedimet me Beogradin. Por Albin Kurti, ndonëse kritik i rreptë i Thaçit për çështjen e kufijve, ende nuk ka dhënë një deklaratë të tillë e as ka marrë përsipër masa juridike për shkarkimin e presidentit të vendit për shkelje kushtetuese. Mesa duket kjo sjellje ekuivoke e Kurtit ka bërë që Edi Rama, në mungesë të rikthimit të Thaçit dhe PDK-së, ka menduar që të mbështesë zotin Kurti për funksionin e kryeministrit të vendit në qeverinë e pas 6 tetorit. Kjo dëshmohet edhe nga sondazhet e iniciuara nga portalet që financohen prej Edi Ramës, me të cilat ai kujdeset që Albin Kurti të jetë në krye të këtyre sondazheve, madje dyfish më lart se Vjosa Osmani.

Së dyti, nuk dihet nëse do të funksionojë kurthi i Surrelit për ruajtjen e vijës politike të Hashim Thaçit në qeverisjen e ardhme të Prishtinës, por dihet se kurthi tjetër i ngritur nga Beogradi, Tirana surreliste e Edi Ramës dhe Prishtina e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut ka të bëjë me pengimin e një koalicioni midis LDK-së dhe VV. Deri tani kurthaxhinjtë djallëzorë ia kanë arrit kësaj. Nuk kanë lejuar që ky koalicion të bëhet realitet. Dikush te Vetëvendosja ka akuzuar Lutfi Hazirin si pengesë e marrëveshjes. Ndërsa Isa e vendosi Lutën në rolin e koordinatorit për një aleancë midis dy partive më të mëdha politike në vend. Ka shumë pikëpyetje nëse Hashim Thaçi dhe Edi Rama do t’i japin ose jo leje Lutës për ta realizuar këtë koalicion. Nuk dihet nëse vetë Luta vetë ka interes që Vjosa, ose siç ai e quan, nusja e Preshevës, të bëhet kryeministre e vendit.

Por, duke shenjuar këto zhvillime, vijmë te ideja dhe këshilla që edhe nëse qielli politik i Kosovës duket i pastër, duhet patur kujdes se retë e zeza janë grumbulluar në Surrel e gjithandej për të lëshuar përsëri mbi atë vend stuhi e rrebesh kundër interesave kombëtare të Kosovës! Kush e do ndryshimin e madh duhet të shpalosë qëndrimin e tij progresiv e të luftojë me vetëmohim për një qeverisje të re, ndryshe në Kosovë!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora