Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Ramazan Sula, intelekual dhe bir i denjë i Bendës

| E marte, 27.08.2019, 12:00 PM |


Ramazan Sula, intelekual dhe bir i denjë i Bendës

Nga Ibrahim Kabili

Eshtë nder, krenari, privilegj por dhe detyrim moral të shkruash për birin e denjë të krahinës, të ndjerin Ramazan Sula. Xani lindi në gusht të vitit 1945 në Selitë të Malit të rrethit Tiranë. Familja ku u lind dhe u rrit Ramazani qe familje e madhe e me tradita patriotike. Familja qe më shumë fëmijë dhe me kushte të vështira ekonomike. Që në fëmijëri ra në sy talenti i tij prandaj familja tregojë kujdes të vëçantë për shkollimin.        Mbaroi arsimin 7 vjeçar me nota shumë të mira. Arsimin e mesëm e vazhdoi në gjimnazin "Ylli i Kuq" Kamëz gjatë viteve 1961-65 dhe doli më rezultate të shkëlqyera. Mbas përfundimit të shkollës së mesme, regjistrohet në Instituin e Lartë Bujqësor Kamëz. Studimet në arsimin e lartë i vazhdoi në vitin 1965 dhe i përfundoi në vitin 1970 me rezultate të mira dhe diplomohet agronom i lartë.

Mbas mbarimit të arsimit të lartë  emërohet si  agronom  në kooperativën bujqësore " Jeta e Re" Zall-Dajt dhe punon për shumë vite në vendlindjes e tij. Tanimë djaloshi i ri, i mirarsimuar, i pajisur me dije  shkencore në fushën e bujqësisë punoi me përkushtim në fshatrat e zonës dhe pati shumë rezultate në bujqësi. Natyrisht këto vite qenë të vështira dhe Xani u përball me vendosmëri me to. Ai u përball dhe me mendimet ndryshe të drejtuesve të bujqësisë dhe shpesh qe në oponencë me to. Si agronom qe mjaft i përgatitur, përpiqej me çdo kusht që njohuritë e marra në skollë ti zbatonte në praktikë. Qe mjaft energjik, i palodhur, i vendosur, komunikues dhe human me ato që e rretbonin dhe nuk bënte kompromis në dëm të shumicës. Për këto cilësi e virtute të larta mbahet mend Xani gjatë punës në vendlindje nga bashkëfshatarët e tijë.Ai qe model i një intelektuali që rrezatonte me shembullin dhe punën e tij dhe që folte lirshëm në të mirën e njerëzve. Ky qe Ramazani i atyre viteve dhe që i mungon sot vendlindjes së tij.

Gjatë viteve 1986-90 ka punuar si agronom në zonën e Bazë - Shkopetit të Matit. Këto cilësi e virtute e shoqëruan Xanin dhe atje.

Gjatë fillimit të tranzicionit punoi një kohë në ushtri dhe më pas në Institutin Bujqësor.  Dhe këtu ai u tregua një specialist i zoti dhe i kompletuar në punën e vet. Punoj aty deri në vitin 2001.

Në vitet 1962-69 ka ndjekur Kursin e Lartë të Gazetarisë pranë U.SH. të Tiranës. Pas mbarimit të kursit ju përkushtua publiçistikës dhe u bë korespondent i rregullt i gazetave shqiptare që dilnin në Greqi dhe i shtypit të përditshëm në Shqipëri. Artikujt dhe shkrimet e  Xanit janë shumë realiste dhe tepër kritike për kohën. Mendoj se është ndër të rrallët opozitar që ka kritikuar politikën dhe politikanët për bëmat e tyre në vitet e tranzicionit. Kjo pasqyrohet me hollësi dhe saktësi në librin e tij :"Kur politika quhet lojë...".

Gjatë viteve 2001- 2011 emigroi  dhe punoi në Greqi. Natyrisht puna në emigracion është e vështirë por Xani e përballoi me sukses dhe dhe këtu pati krijimtarinë më të madhe në publiçistikë. Nga larg, në Athinë, ndiqte zhvillimet në Shqipëri . Nëpërmjet shtypit të shkruar shqiptar në emigracion dhe figurave të shtypit atje ai botoi  artikuj  të ndrushëm si opinione , vlerësime, analiza. Në këto shkrime del dhe me konkluzione mjaft të qarta, duke treguar rrugë, forma, mënyra që do të sillnin ndryshimin e situatës së rëndë në vend.

Për situatën e krijuar, Ramazani    shprehet:" Edhe pse në emigracion ku, natyrshëm, përballesh me vështirësi e sfida, për asnjë çast nuk e hoqa vemendjen nga zhvillimet në Shqipëri". Xani sipas shënimeve të tij gëzohej jasht mase kur ndodhnin ngjarje shpresëdhënëse dhe ndihej shumë keq për fenomenet negative që ndodhnin në Shqipëri.

Perjetimet  dhe shqetësimet për Shqipërinë i ka botuar në disa gazeta si: "Tribuna", " Albania Press", " Emigranti", "Shekulli",  "Albania", "Sot" etj.

Me një zë të fuqishëm në librin "Kur politika quhet lojë..."- Ramazani kërkon me forcë ndryshimin, dhe këtë e kërkon në emër të gjithë shtresave të popullsisë madje dhe në emër të Atdheut, që renkon shumë në këo vite  tranzicioni të lodhshëm dhe thuajse dështak.

Libri ka vlera njohëse, edukative, patriotike dhe ringjall  shpirtin rebel ndaj padrejtësive dhe atyre që i shkakojnë ato. I tillë qe Xani, model në luftën kundër shkaktarëve  të padrejtësive.

Xani së bashku me bashkëshorten e tij rritën, arsimuan, dhe edukuan tre fëmijë të cilët ecin në gjurmët e prindërve të tyre.

Sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme, doli mbi kurajon, durimin dhe forcën e Xanit për të jetuar. Deri në momentet e fundit qe optimist e nuk e pranonte vdekjen. Në vitin 2014 ai u nda përgjithmonë nga jeta, familja, të afërmit dhe shoqëria duke lënë pas modelin e një njeriu të mirë.

Tiranë më 25.08.2019