Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Fuqia e së keqes

| E shtune, 04.10.2008, 08:00 PM |


Ndue Ukaj
Fuqia e së keqes

Nga Ndue Ukaj

Dijetari i mirënjohur francez Saint Beuvit shkruan: "Kur mendojmë sinqerisht të kaluarën, kur e kuptojmë mirë atë, do të thotë se e kemi vështruar saktë të ardhmen". Kjo referencë mund të tumiret si e qëlluar për të interpretuar sadopak rëndësinë e reflektimit pozitiv ndaj historisë. Në dimensionet shqiptare, mendoj se ka një semantik të sforcuar dhe kësisoj ndihmon diskursin lidhur me debatin për marrëdhëniet tona me historinë.

Për pesë decenie, Shqipëria ishte pjesë e politikës më çnjerëzore të mundshme, të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha. Piramida e një diktature e ndërtuar me pasione të tmerrshme dhune, gjaku e krimi ka rënë, por flukset e saj ende vërtiten pa fije turpi dhe ngrehin kokën nga mbeturinat e trishta, duke i mohuar krimet. Mosnjohja e krimit dhe mospendimi për krimet është dyfishim i krimeve. Këtë gjë e ka bërë e veja e diktatorit Hoxha me paraqitjen e saj në TCH. Ajo duke u çjerr si një qaramane, kërkoj, pos tjerash të rishkruhet historia dhe çmendurisë t'i jepet vend në historinë shqiptare, pra që krimet të mos quhen krime, të pushkatuarit dhe të dënuarit të shpallën edhe njëherë tradhtar dhe të vriten barbarisht. Një marrëzi e pakripë, që mund del vetëm nga goja e një njeriu të inkriminuar deri ne ekstrem. Në të vërtet, ky soj i diskursit, thënë shkurt është shpërfaqja e trajtave më tragjike te mbeturinave të zeza të një diktature që ka prodhuar dhunë, krime, urrejtje. Por paradoksi sa qëndron tek e inkriminuara aq për mendimin tim qëndron tek dishepujt e saj, ata të cilën i krijojnë hapësirë për të plasuar ajo në opinion marrëzirat e saj. Askush s'do të priste të kundërtën e asaj që e thoshte Nexhmija, por është e pafalshme që asaj t'i  lejohej të predikoj dhe së këndejmi të dëshmoj për historinë tragjike, kur ajo vet ishte shkaktarja e kësaj tragjike, në mos kupola e saj. Në realitet ajo duhej dënuar për mosnjohjen e krimeve, ashtu siç ndodh në gjithë botën e qytetëruar.  Prandaj ka të drejt Agron Tufa, i cili këto ditë shkruante se: "Absurditeti për mua nuk qëndron në produktin oral të një krimineleje, e cila vendin duhej ta kishte, pa asnjë ekzagjerim, në Tribunalin e Hagës". S'do mend se ajo vendin nuk do të duhej ta kishte në Shqipërinë e liruar nga kthetrat e egra të pushtetit të saj, por duke vuajtur dënimet për bëmat e tmerrshme. Madje s'do mend se ajo s'do të duhej lejuar të predikoj për historinë, kur dihet botërisht se ka qenë pjesë e krimeve të panumërta që historia do t'i njeh si të tilla përgjithmonë. Në të vërtet, ajo duhej të ishte në vendin e merituar (në Hagë), për faktin se do ta çlironte Shqipërinë nga një barrë e rënd, tejet e rënd që vazhdon të qëndroj si plagë e dhimbshme mbi supet e saj të molisura nga diktatura.

Tanimë po bëhen afër dy decenie që kur perdja e hekurt e diktaturës ka rënë dhe demokracia ka përshkuar Shqipërinë, ashtu sikur gjithë vendet tjera të Europës. Por, në dimensionet shqiptare ndodh paradoksi më i pazakontë dhe çnjerëzorë synohet t'i jepet kuptim. Është e trishtueshme të shihet se si gjurmët e këtij regjimi çnjerëzor akoma nuk janë zhdukur në Shqipëri. Përkundrazi, pasionet e egra dhe ogurzezë predikojnë në mënyrën më tragjike. Madje duke pretenduar në mënyrën më të paskrupullt të maskohen krimet e panumërta dhe të ditura botërisht, sikundër vetë aparati i tërë kriminel që ka shkatërrua jetëra të tëra. Kjo tendencë e marrë bëhet me qëllime të menduara që diktatorit dhe sistemit të tij t'i rikthehet vendi në historinë shqiptare. Duke synuar të vë kuptime të reja në realitetet e sotme shqiptare, me një pikëqëndrim në ridimensionimin e periudhës së diktaturës së çmendur, e veja e Hoxhës jo që nuk kërkon falje para popullit të saj, por përkundrazi pohon të kundërtën e asaj që ka ndodh, që është një krim i rënd dhe i dënueshëm. Çdo kush që ka parë apo lexuar intervistën e njeriut që ka qëndruar në piramidën e aparatit kriminel në Shqipëri, të vesë së diktatorit Hoxha, do te jetë ndjerë i trishtuar, i pikëlluar dhe i revoltuar.

T'i jepet mundësia diktatorit të rrëfej, kjo s'do koment. Gjëra të tilla ndodhin në realitetin shqiptar. Në botën e qytetëruar kjo as që mund të imagjinohej.

"Zëri është tregues dhimbjeje e kënaqësie, porse atë e kanë edhe kafshët të tjera; ndërsa fjala ekziston për të shprehur çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë" shkruan dijetari  spanjoll Josep Ramoneda. Nexhmije Hoxha nëpërmjet fjalës edhe njëherë ka bërë krime të rënda mbi popullin shqiptar, duke u bërë pengesë për të kundruar historinë nga perspektiva e së ardhmes.

Është momenti i rëndësishëm që kombi shqiptar të reflektoj drejt dhe të kuptoj se "pushteti lindi prej fjalës", prandaj s'duhet lejuar çdo kush që ta manipuloj më të, në të kundërtën duhet të ndëshkohet. Hiq më pak, atyre që kanë masakruar me fjalë nuk duhet lejuar në komoditet të predikojnë dhe të edukojnë tjerët.

S'do mend se diktatura ka lënë gjurmë dhe nostaligjket e diktaturës nuk mund të çlirohen nga adhurimitaria për diktatorin. Të tillë ka kudo në hapësirat shqiptare, por ata duhet izoluar për hir të së ardhmes dhe perspektivës. Prandaj është e turpshme aq sa për mediat e Tiranës t'i jepet hapësirë për të rikuperuar krimet kriminelit, aq është e turpshme dhe skandaloze që lider të Kosovës, madje krerë të lartë të institucioneve që të varin në muret e tyre portretin e diktatorit. Një gjë të tillë kam para vetëm para disa ditësh në RTK. Kjo paralele flet shumë. Kush ka veshë le të dëgjoj!