E enjte, 28.03.2024, 07:27 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Në pritje

E marte, 27.08.2019, 11:00 AM


NË PRITJE

E mira vjen duke çaluar, e keqja duke vrapuar - Proverb spanjoll

Skicë

NGA RESMI OSMANI

Në orën që i kishte lënë mjeku,trokiti lehtë në derën e klinikës, pastaj hyri. Brënda ishte një çift në pritje. I përshendeti. Ju përgjigjen me nje tundje të kokës.

Paradhoma e paqtë, lyer me të bardhë, e ndriçuar mirë. Dritaret e mëdha shihnin nga juglindja.Perdet e rënda nuk e pengonin shkulmin e të nxehtit. U ul përballë çiftit, në një karrige mbështetur pas murit. Qetësi. Dëgjohej zukatja e ajrftohësit që nuk arrinte ta freskonte paradhomën.

Në pritje të radhës, i hodhi sytë nga çifti në pritje. Ishin ulur në një ndenjëse dyshe. Burri duhet te ishte  rrotull të dyzetave. Fytyrë rrunbullakët, pjekur nga dielli, balli i lartë, flokët të rralluar.Me pantallona të shkurtëra. Bënte ç’bënte, s’ia ndante sytë pulpës së këmbës së djathtë që ishte bajagi e ënjtur. Dukej që kishte dhimbje. I kishte ardhur e keqja papritur. Kjo i pasqyrohej në fytyrë. Kjo e frikësonte dhe e mërziste. Për të pritja për te mjeku, ishte si një ankth që e pështjellonte, por edhe një shpresë. Ç’do t’i thoshte vallë? Ku s’i shkonte mendja. Ç’të qe kjo , tek je, tek jam, pse t’i ndodhte pikërisht atij? Gruaja, edhe ajo me xhinse të shkurtëra, bluzë të lehtë, flokët të pakujdesur, si shtupë liri, lidhur me nje kordele i kornizonin fytyrën. Edhe në sytë dhe pamjen e saj kishte zbritur tisi i mërzisë. Rrinte si e shtangur. Burri kishte vapë. Nga një tryezë e ulët që kishte pranë mori një fletpalosje reklamash dhe filloi të bënte veri. Dikur edhe kjo ju mërzit dhe hoqi dorë. Gruaja hapi çantën dhe  i ofroj një shishe ujë. Ai nuk deshi ujë. Gruaja gjerbi dy gllenjka dhe e futi ne çantë. Nisi diç ti thoshte burrit, por largësia dhe zëri i ultë nuk ia mundësonin t’i dëgjonte. Kuptohej që burrit si shqitej mërzia dhe trazimi i brendshëm nga ajo e panjohur që priste t’i thoshin. Po e shihte me kujdes. Kjo i kishte ndodhur edhe atij muaj më parë. Atëhere ju duk fundi i botës, u shkreh, iu mpiks pështyma dhe nga goja s’i shqitej hidhësira e shëllirtë, por tani ishte i qetë dhe e zotëronte veten. E dinte ç’kishte. E panjohura na frikëson. Kishte ardhur në vizitën e radhës për të marrë mjekimin.

S’po ja ndante sytë burrit. I vinte keq. Ishte i ri. Ai e dinte se çfarë kishte.Burri jo. Nisi të bënte ca veprime kot nasikoti, të vetvetishme e të pakontrolluara. Në lojë hyri dora e djathtë: gishti i madh ledhatoi mollzën e gishtit të vogël, u ndal pak aty, kushedi se ç’i tha pastaj, që të mos u mbetej hatri, me radhë gjithë të tjerët. Gjithë gishtat u shtrënguan me njeri-tjetrin dhe u mblodhën grusht, pastaj u hapën një e nga një. U mblodhën e u shtrinë si për tu shmpirë. Dora u ngrit dhe fërkoi hundën, që dreqi e di pse ju tek të  kruhej, pastaj sytë si për të davaritur mjegullimin, u ngjit në ballë, e gjithë pëllëmba u mbështet mbi të, si për të hequr sish mendimet e mbrapshta,  shtypi tëmthat, si për të hequr dhimbjen e kokës, pastaj zbriti dhe kruajti mjekrën. U ul e mbështetur mbi kofshë dhe  ra në plogështi. E majta s’deshi të mbetej pa punë. Nisi të fërkojë ngadalë pulpën e ënjtur të këmbës së djathtë. Më pas, u tërhoq dhe kushedi pse, u fut në xhepin e pantallonës, se ç’ gërmoi dhe nxori një letër që duhet të ishte kartvizitë, me të doli jashtë edhe astari, e futi astarin në vend  dhe ia vuri burrit kartvizitën para syve. E pa me pasajdi pastaj dora e vendosi ate në xhepin e këmishës. Detyra e saj kish mbaruar, u shkreh e u var. Ku ta dish pse, këmba e majtë, e veshur me atlete, nisi të bënte lëvizje ritmike si të mbante dridhjet  e  padurimit që vinin së brendshmi. Kur ai e vuri re, i tha të pushonte dhe ajo u urtësua. Dora e djathtë mori sërish atë fletpalosjen dhe nisi të bënte veri, por ajo s’kishte ç’ti bënte atij të nxehti që vinte edhe së brendshmi. U bë pishman dhe e la ku e mori. Gruaja seç itha, por u duk që ai s’deshi t’ia dinte, boll e kishte hallin që e kishte zënë dhe, ajo heshti……

Dera e studjos u hap përgjysëm. Nga brenda dëgjohej biseda e mjekut me klienten që kishte përfunduar vizitën. Ajo doli. Ishte një  e re elegante. Burri u ngrit. Duke shqepuar lehtë,bashkë me të shoqen  që e mbante  për krahu hynë brënda në studio. Dera u mbyll.

Mbeti vetëm, në pritje. U ngrit dhe nisi të kundroj dy tabllo me peisazhe, të pikturuara pa talent nga ndonjë amator dhe u ul nën ajrftohësin. Bënte vapë. Ju desh të priste edhe një çerek ore, apo diçka më shumë, kur burri me të shoqen dolën të përcjellë nga mjeku. “Mos u mërzit- i tha ai- do të kalojë. Je i ri dhe ka ilaçe të mira, por do një çikë durim. E di si thotë një proverb spanjoll: e mira vjen duke çaluar, e keqja duke vrapuar.”

Magjia e fjalës së mjekut dhe rezultati i vizitës, ua kishin fshirë nga pamja mërzinë dhe trishtimin. Në fytyra u kishte zbritur buzëqeshja. Edhe fjala shëron. U ishte kthyer shpresa. I erdhi mirë.

Ishte radha e tij.

Gusht 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora