Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zef Zefaj: Fran Gjoka mësues i nderuar dhe gazetar i afirmuar

| E marte, 27.08.2019, 11:49 AM |


FRAN GJOKA MËSUES I NDERUAR DHE GAZETAR I AFIRMUAR

Nga Zef Zefaj - Mjek gjinekolog, “Mjeshtër i Madh”, Lezhë

Mësuesi dhe gazetari i nderuar, Fran Gjoka, i njohur në krijimtari që në bankat e shkollës së mesme pedagogjike Shkodër e deri sot që po i afrohet të 70 – tave, jetën dhe veprimtarinë publicistike ja ka kushtuar arsimit dhe shtypit të shkruar. Lexuesit i ndjekin me kujdes shkrimet e Franit, që rrokin tema dhe probleme me përmbajtje të thella ideore, atdhetare, kulturore, letrare dhe artistike.

Ato dallojnë për mendimin e thellë, vizionin e qartë dhe të përparuar, për bukurinë e shprehjes dhe formën artistike, për gjuhën e pasur dhe standardin e lartë gjuhësor dhe letrar.

Fran Gjokën e kam njohur e vlerësuar gjithnjë për shkrimet e tij të karakterit problemor, që në kohën e sistemit totalitar të asaj kohe, duke mos lënë kurrë mënjanë shkrimet profil të figurave me emër, si: akademikë, profesorë, doktorë shkencash e deri tek njerëzit e thjeshtë, por të sukseshëm në punë. Shkrimet e tij për 40 vjet vazhdojnë e mbeten cdo ditë në kujtesën e bashkëkombasve dhe brezave që ende vazhdojnë e punojnë, por pa llogaritur me dhjetra e qindra shkrime homazhe përkujtimore, opinione dhe mjaft shkrime të karakterit social e pedagogjik. Fatmirësisht e kam njohur dekada më pare, sepse shoqërohej që në rininë e hershme të tij me xhaxhain, shoferin e nderuar të shëndetsisë, Mark Gjoka, i cili nuk jeton më, por emri dhe kontributi i tij mbesin në kujtesën e brezave të sotëm lezhjanë. Fran Gjoka, edhe pse ka dalë në pension, nuk i ndahet së shkruarit, ku mbetet ndër brezat e njohur dhe me kontribut maksimal dhe vazhdon të jetë aktiv, i kthjelltë mendërisht. Është dhe do të mbetet shok dhe mik i imi i ngushtë dhe është me vend që të shkruash për njerëzit që e meritojnë, sepse është respekt dhe mirënjohje dhe breza të tillë është e vështirë të vijnë me këtë vullnet e pasion të pashembullt në shërbim të shoqërisë.

Mbetet një burrë që e shoqëron një buzëqeshje e çiltër. Kjo shihet gjatë ndalesave me të tjerët dhe shtrëngimi i dorës si dhe përkulja tradicionale burrërore.

Në çdo pyetje që i bën, të përgjigjet shkurt, qartë, me butësi dhe modesti. Kjo duket se ka zgjidhur të ruajë modestinë për shkrimet aq sa frazologjia e të shkruarit është për Franin  një mjet suksesi për ta dhe si i tillë njihet dhe shkalla e formimit tek ky mësues e publicist e kjo falë një trashëgimie të kujdesshme familjare. I lindur dhe i rritur në Ishull-Lezhë, në një familje me tradita të shkëlqyera. Nga ky trung familjar me tradita të shkëlqyera janë ngjizur cilësitë e karakaterit të tij, që përcollën në breza traditën, zakonet, burrërinë e mikëpritjen malësore. Frani u rrit, hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur më shumë se dy shekuj nga Kelmendi dhe u mëkua që të donte vendlindjen dhe njerëzit. Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin të lehta për të e ndoshta ky është shkaku i një miredukimi e shkollimi me sakrificë. Me një pjesëmarrje të dukshme e plot vullnet rinor, Frani hidhte shtat, ku me të drejtë prindërit dhe xhaxhai i tij shpresonin e ndjeheshin krenar me të si më i vogli i shtëpisë që ishte. Do të ishte ky i ri me njohje të tillë vlerash e do të sillte në shoqërinë e tij pjekurinë dhe vullnetin e një djaloshi plot perspektivë. Pas shkollimit të tij emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes. I përgaditur e bindës në vetvete për profesionin e nderuar të mesuesit, me ndjesi e ndershmëri qytetare, ai, nga një dekadë në tjetrën, shpalosi aftësitë e tij dhe shumë shpejt u bë pjesë e preferuar e komunitetit prindëror, ku pa përtim mësonte dhe edukonte fëmijët e fshatit, shkruante dhe botonte në shtypin e kohës për punën dhe njerëzit.

Një jetë e tërë në mësuesi e gazetari është e mbushur me shumë kujtime e vlerësime të merituar dhe sot, pas shumë dekadash, jeta dhe puna intensive në arsim dhe gazetari dominon humanizmin e tij, ndjenja të pastra, fisnike e njerëzore.

Kur bisedon me të nuk të ndërpret kurrë fjalën, të jep kurajo, besim e optimizëm, të lë të flasësh ti dhe kur fillon ai, ke qejf ta dëgjosh, është i kuptueshëm, flet thjeshtë. Ndaj do të thosha se njeriun e thjeshtë e duan dhe e respektojnë të gjithë. Emrin e mirë e krijon të shkruarit e tij original, gjithnjë në frymën e shqetësimeve të kohës në tranzicion.

Për këtë kontribut 40 vjeçar të tij e thanë sot shokët, miqtë, njerëz që ndoshta s’e kanë takuar fizikisht, por kanë lexuar gjithnjë shkrimet e tij. E gjitha kjo merr sot një kuptim të veçantë, sepse e tërë kjo punë voluminoze e tij ka depërtuar në besimin e tyre se Frani i do dhe i respekton njerëzit e ditur, por të thjeshtë e të ndershëm. Kur njeriun e shoqëron pasioni për punën krijuese, nuk ka pengesë që ta ndalë atë, në se ai ka vullnet, puna paraqitet gjithnjë e dukshme, e pranueshme, produktive në shërbim të shoqërisë.

Pra, gazetaria për Franin është e lidhur ngushtë me urtësinë dhe aftësinë e një inteligjence, ku për 40 vjet mbetën jetike në moralin e lartë të tij e ku vazhdon e mbizotëron vullneti i paepur në gazetari. I martuar me mësuesen e nderuar dhe të respektuar, Gjelina Gjoka, njohëse e shkëlqyer e lëndës së historisë dhe gjeografisë, ku për afër 40 vjet brezat e nxënësve ruajnë kujtimet më të bukura dhe ndjeshmëri për mësuesen e tyre. Ky çift intelektualësh ka tre vajza, dy vajzat e mëdha jetojnë e punojnë në Itali dhe vajza e tretë, Benedeta, që u gëzohet sot prindërve me atë ngrohtësinë e çiltërsinë ditës. Një baba, gjysh e bashkëshort shembullor. Teksa e pyet ku e gjen qetësinë, ai me buzëqeshje të përgjigjet se e gjej te tre vajzat, mbesat e mia, dhe pse janë larg, i quan ëmbëlsira e shpirtit. Duke patur vlerësime të njëpasnjëshme, është përfunduar një monografi “Fran Gjoka, një emër i nderuar i arsimit dhe gazetarisë”, shkruar me pasion nga shkrimtari dhe publiçisti i njohur, Ndue Dragusha, me redaktor përgjegjës Viron Kona.

I shkrova këto radhë duke i uruar Fran Gjokës 70-vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë e krijimtari të frytshme në shërbim të komunitetit ku jeton e punon.