Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Guri prehistorik i Xhuxhës dhe shteti si ''shpëtimtar''

| E hene, 26.08.2019, 12:33 PM |


GURI PREHISTORIK I XHUXHËS DHE SHTETI SI “SHPËTIMTAR”

NGA NDUE DEDAJ

U zbulua krejt rastësisht dhe, siç ndodh me çdo gjë kur hyn në lojë shteti duke bërë të “fortin”, u ndez debati publik në rrjetet sociale, që ende nuk ka përfunduar. Një grup punëtorësh po nxirrnin gur, në fshatin e thellë Xhuxhë të Mirditës, rrëzë malit mahnitës të Zepës, kur fadroma hasi në një gur të gdhendur me figura dhe simbolika të lashta. Ata lanë punën, e këqyrën me vëmendje gurin e “shkruar”, u binden se kanë të bëjnë me një objekt me vlerë dhe pa vonesë njoftojnë për gjetjen e tyre të rastit mediat e rajonit, të cilat e përcollën lajmin në gazetat dhe televizionet e vendit, duke u bërë lajm i ditës. Komuniteti i banorëve të atyshëm, si dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore në Mirditë sensibilizuan pranë institucioneve qëndrore për një vrojtim profesionist dhe ekspertizë shkencore të gurit prehistorik me petroglife, siç po thuhej se ishte, ndërkohë që vendasit i gëzoheshin kësaj gjetjeje, jo se ai ishte një “gur xhevahir” që do t’i bënte ata të pasur me lekë, por si shenjë e një qytetërimi të lashtë në vendlindjen e tyre. Ata shkonin vazhdimisht te guri i gjetur, bënin fotografi me të duke e patur si dekor, kërkuan dhe mbështetjen e ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, që t’i bashkohej zërit dhe ndjeshmërisë së tyre, çka do të thotë se donin ta ruanin dhe ta kthenin në një atraksion turistik. U dërgua një ekip ekspertësh nga Tirana që hartoi dhe një raport për institucionet e trashëgimisë, siç erdhën për ta vizituar dhe xhuxhasit e ikur në rrethet e tjera, por dhe të tjerë nga Tirana, Kosova etj., veçanërisht gazetarë. Kështu do të reagonin dhe gjermanët apo anglezët, në një rast të tillë, që vetiu të bën krenar për rrënjët e tua prehistorike. Dikush e mendonte gurin në vendin e vet e dikush tjetër kërkonte që të vendosej në një vend më të sigurtë e më të vizitueshëm. Të dyja ishin të mundshme. Problemi fillon atëherë kur institucionet e trashëgimisë të kryeqytetit, posaçërisht Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjensia e Shërbimit Arkeologjik, Qendra Kombëtare e Inventarizmit të Pasurive Kulturore, vendosin ta mbartin gurin prehistorik për në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, me argumentin se atje do të ruhet më mirë, si dhe do të studiohet nga një grup specialistësh. Një nga shtysat e këtij vendimi të shpejtë duket se ishte dhe fakti që në këtë muze nuk ka asnjë të tillë, nga dëmtimet që u janë bërë gurëve si ai, apo të ngjashëm, në terren, si piktogramet e Lepenicës etj.

Askush nuk thotë që këto institucione të mos merren me pasuri të tilla, për të cilat i ngarkon ligji, përkundrazi, por ka një ngërç në gjithë këtë histori që zgjati vetëm dy javë. Nuk u pyetën ata që e kishin “pronë” të veten Gurin, që u kujdesën për të ditën dhe natën, pa shfaqur asnjë lloj synimi të mbrapshtë për ta përvetësuar në një mënyrë apo në një tjetër. Nuk kishin thënë se guri do të qëndronte aty, o s’ka! Ata e dinë fare mirë se çdo zbulim i rëndësishëm është jo vetëm i një fshati e zone, për i krejt shqiptarëve. Atëherë pse duhej sjellur në mënyrë urdhërore me ata njerëz, që treguan qytetari në rastin e gurit monumental? Bile ata pritën që institucionet përkatëse të gërmonin më tej aty, për të parë se mos ai gur nuk ishte i vetëm, çka nuk ndodhi, por besohet se është lënë për në ditët që vijnë.

Për ata që nuk janë nga ato anë, po themi se në Domgjon, fshatin kundruall me Xhuxhën, gjendet një nga monumentet unikale të Shqipërisë, ujësjellësi i shekullit IV të erës sonë (“Gurra e Domgjonit”), me tunelin dhe pusin nëntokësor, që është ruajtur nga banorët historikisht pa dëmtimin më të vogël dhe ku sot ata shoqërojnë turistët vullnetarisht. Ndërkohë në Rubik, në një guvë shkëmbore janë piktogramet e mirënjohura mijëvjeçare, të cilat gjithashtu janë ruajtur nga banorët, duke ndërhyrë këta të fundit pranë institucioneve të specializuara për trajtimin e tyre bashkëkohor. Falë mirditasve kulturëdashës gjendet sot i ruajtur, në Muzeun Kombëtar, mbishkrimi epigrafik i Gëziqit dhe Stema e Arbërit, gjithashtu gjetje unikale, zbuluar, më 1967, nga Dhimitër Shutëriqi, në kishën e Shën Mërisë së Ndërfanës. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për përkrenaren ilire të Perlatit. Ky nuk është një lavdërin i atyre njerëzve, aq më pak mburrje e tyre, por një realitet që dëshmon qytetarinë dhe vizionin e tyre, ku mjaft prej të tyre kanë lëvizur si emigreantë nëpër Europë dhe e dinë si veprohet atje me trashëgiminë.

Që të jesh i vetëdijshëm për vlerat e kulturës materiale apo shpirtërore të vendit tënd nuk do të thotë me doemos që të jesh zyrtar në Tiranë, Shkodër apo Vlorë. Janë lezhianët që e ruajtën vendvarrimin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe nuk qenë ata që deshën ta privatizonin kalanë e qytetit, duke bërë ndërtime private në të. Janë matjanët që e ruajtën Urën e Vashës, që tash e nxori në “dritë” Rruga e Arbërit. Janë durrësakët që kanë ngritur zërin për mosprekjen e zonës arkeologjike nga ndërtimet e reja. Janë vlonjatët që e ruajtën kalanë e Janinës e manastirin e Zvërnecit, e kështu me radhë. Kurse institucionet qëndrore të trashëgimisë, pa e mohuar rolin e tyre, shpesh kanë qenë të pafuqishme për të vepruar kur qeveritë kanë ndërmarrë aksione ndërtimore të debatuara, e gjer arbitrare, si rasti i Velierës në Durrës etj. Ndërkohë historia jo e largët ka qenë dhe më dramatike në këtë mes, ku me orientim të Partisë do të shembeshin objektet e kultit, kishat e vjetra monumentale të stilit gotiko-roman, si ajo e Vaut të Dejës, megjithëse pre 20 vitesh e shpallur monument kulture. Po ashtu, sidomos pas 1967-s, ka pasur një aksion ideologjik që të mos ruheshin kullat me frengji, kinse simbole të errësirës, përpos disave sosh, që u morën formalisht në mbrojte nga shteti, thjeshtë duke iu vënë nga një tabelëz te porta.

Brenda dhe jashtë këtij konteksti, shteti nuk ka pse të marrë një rol shpëtimtari, sikur vetën ai është i interesuar për objektet e trashëgimisë kulturore. Fundja, qeveria ja ku e ka Zgërdheshin (Fushë - Krujë), një vrap pele nga kryeqyteti, lënë në shkatërrim të plotë prej motesh, rrënojë madhështore e braktisur, ku lëvrijnë gjarpërinjtë nëpër muret hijerënda të njërit nga qytet-kalatë ilire më të rëndësishme antike, Albanopolisit. Shteti vërtetë është përgjegjës për administrimin e visarit arkeologjik kombëtar dhe çdo pasurie tjetër të trashëgimisë kulturore, por në kohën e sotme ky nuk është një ekskluzivitet vetëm i tij, po dhe i komunitetit e organeve të qeverisjes vendore, me të cilat mund dhe duhet të ndërmerren projekte të përbashkëta për t’i mbrojtur dhe menaxhuar në shërbim të edukimit, turizmit etj.

“Guri i Xhuxhës”, meqë ishte lëvizur gjatë gërmimit, ashtu siç u vendos në Muzeun Historik Kombëtar, mund të qëndronte dhe në vendin ku u gjet, siç mund të mbartej dhe pak kilometra më poshtë, në qendër të zonës (Klos), që përshkohet nga Udha e Kombit, apo në Rrëshen, duke u ekspozuar në xham etj. Asnjë opsion nuk ishte i përjashtuar, por, e theksojmë, duhej folur hapur me të “zotët” e gurit e jo t’iu merrej nga duart si një plaçkë pa i përfillur ata, që tash duhet të paguajnë biletë për ta parë gurin e tyre në kryeqytet, kur ai mund të ishte biletë për llogari të turizmit në vendin e tyre.

Nuk mund të shkohet më me psikologjinë se këto punë i dimë ne të qendrës, i di qeveria, ju atje mjaft që të na votoni neve për t’iu qeverisur. Dimë ne se ç’bëjmë me gurët tuaj, me lumenjtë e përrenjtë e bjeshkëve tuaja, me pishat dhe ahet. Shtetit nuk i lejohet të sillet si feudal me pronat dhe pasuritë publike, cilatdo qofshin ato, nga guri i “vogël” muzeal i Xhuxhës te minierat e kromit e bakrit, rrugët e reja, lejet e ndërtimit e shumëçka tjetër.