Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Dialog qytetarësh

| E hene, 26.08.2019, 11:10 AM |


DIALOG QYTETARËSH:

(Përqasjet Evropa dhe ne Sot. Dialogu zhvillohet mes dy intelektualësh, duke udhëtuar me veturë...)

Nga Prend BUZHALA

I PARI:

Eh, në ç'pozitë të pakëndshme është shqiptari që jeton në Kosovë: brenda e godasin mospërfillja, papunësia, varfëria... nga jashtë e godasin izolimi nazifashist dhe akuzat për gjithçka që ndodh në Kosovë: përse qenke "përkrahës" i një force politike (e kur asnjërës nuk i takon), përse nuk po e rrëzoni këtë e atë qeveri, përse po votoni e përse nuk po votoni... përse nuk vriteni njëri me tjetrin!!!?

Menjë fjalë, faji kryesor qenka: përse edhe ju nuk po ikni nga Kosova?!

Përse ende qenkeni gjallë?!

I DYTI:

Nuk mund ta luajmë gjithmonë rolin e viktimës... Është faji ynë që nuk po arrijmë të ndikojmë më shumë në të gjitha proceset, edhe në jetën politike, edhe në atë të luftimit të fenomeneve negative...

I PARI:

E sheh, Evropa Perëndimore e di që krejt detyrimet, punët e angazhimet çka i takon Kosovës, janë kryer... dhe përsëri na izolon! Dikur e sulmonin Shqipërinë socialiste për "vetizolim"... e tani? Dhe e kanë krijuar Mitin e Pasurimit, Mitin e Mirëqenies në Perëndim, e me sjelljet e kritikat prej super-padroni, te ne e kanë futur Mitin e Dështimit, Mitin e Zhgënjimit, Mitin për të mos jetuar këtu...

Tani na mbajnë të izoluar për qëllime të interesit të tyre politik e jo për interes tonin: Tani ne iu duhemi vetëm si racë e bardhë, si mish i bardhë, për t'ua mbushur hapësirat me qenie njerëzore, këtyre dështakëve kriminelë të politikës së Perëndimit që nuk duan të lindin fëmijë...

I DYTI:

Përsëri po e them: është mirë ne t'i shikojmë punët tona. Me Perëndimin jemi e duhet të jemi partnerë... Ata madje janë kujdesur tej mase ndaj nesh edhe dje edhe sot: dje, me intervenimin e NATO-s, sot, me trajtimin serioz politik: në shpalljen e pavarësisë, në rrjedhat e zhvillimit, në financime, në forcimin e shtetësisë sonë e të paqes në rajon, në zhvillimet e integrimeve rajonale, evropiane e botërore... Në perëndim ne na kanë strehuar në kohë të vështira, na kanë gjetur punë, diaspora jonë e ka mbajtur gjallë Kosovën në kohë të vështira... BE kërkon nga ne reforma...

I PARI:

I kam dëgjuar këto slogane. Lëri përrallat! Kosova është duke u zbrazur me program pacifikues. E ata kërkojnë reforma! Reforma për ta zbrazur Kosovën nën plaf! Shpesh përmendet fjala REFORMË në fjalorin e BE-së, sa herë kanë të bëjnë me Kosovën. Ngjet si një mbllaçitje çamçakëze: e zgjat dhe e shkurton sipas masës që ti ia jep... Çamçakëz-reformë, hesapi! Ia jep formën si ti dëshiron!

Formë pa përmbajtje! Përmbajtje-çamçakëze!

Përtypësit e ngeshëm, që e përjetojnë këtë përtypje e që s'iu bëhet vonë për

asgjë, janë këta të BE-së!

I DYTI:

Duhet të besojmë te populli ynë, te Kosova. I besojmë popullit tonë e secilit qytetar të Kosovës, se ka aq fuqi te vetvetja për ta bërë të mirën.

Mirëkuptimi i ndërsjellë sjell bekim dhe krijon rrugë që çojnë te njëri-tjetri e te e mira e përbashkët që quhet Republikë (nga latinishtja: Res publica – të mirat e

përbashkëta). Rrugët e urrejtjes na çojnë në theqafje, në humnerë.

Kosovën nuk duhet ta dërgojmë në humnerë.

Kosova është e mira jonë e përbashkët.

I PARI:

E për çka po flas unë?

I DYTI:

Serbia nuk ka ushtri në Kosovë, por SHBA! Serbia nuk është brenda Kosovës, por BE dhe SHBA! Nuk po i kuptoj shumë miq, disa parti politike dhe jo pak gazetarë e politikanë: po na e paraqesin Serbinë më të fortë se BE dhe SHBA!!!

Pandaj të thashë që le ta shikojmë së pari vetveten!

Ekziston një logjikë a mendësi e mbrapshtë te jo pak krerë a përgjegjës institucionesh, po edhe te jo pak qytetarë: “Të rrëmbejë sa më shumë të mira të përbashkëta për veten e tij, sa më shumë të këqija të bëjë.”

Le ta shohim në sy kohën tonë: kush sa ka rrëmbyer e kush sa ka dhënë.

Rrëmbyesit janë të shumtë: me mashtrime e dredhi. Por edhe dhuruesit janë të shumtë...

I PARI:

O mik!

Është koha e çlirimit dhe largimit të vegimeve, ëndrrave dhe shpresave të kota.

Më në fund, pas kaq përvojash të hidhura dhe pas kaq të këqijash që iu shkaktuan njerëzve; pas kaq mbjelljesh theqafëse të ideologjive identitare zhbërëse, duhet të vijmë në veti.

Është koha të shihet jeta në sy, të shihet bota ashtu si është.

I dehur, ti bën kaos, tollovi, krijon gjendje jonormale.

Dehja nuk vjen vetëm nga alkooli, por edhe nga drogimet shoqërore.

Dehja tashmë i ka bindur njerëzi të ikin, ashtu pa kokë, prej Kosovës.

E bota perëndimore po na e vjedh rininë tonë. Rinia nesër bëhen zviceranë, gjermanë, italianë, amerikanë, por nuk do të jenë më shqiptarë. Ashru s nuk janë ata muiliione të tillë në Turqi...

I DYTI:

Nuk mendoj ashtu. Vetëdija për shqiptarësinë nuk është zhdukur te rinia jonë në Perëndim. E ndiejnë veten shqiptarë. Vijnë me krenari në Kosovë e në Shqipëri. Ata tashmë Kosovën e kanë atdhe të dytë...

Familjet shqiptare në botën e jashtme tashmë kanë krijuar bazën atdhetare të re për pasardhësit e tyre: ata e kanë shumëzuar atdheun, ata kanë tashmë nga DISA ATDHE dhe nga disa vendlindje... për shkak se njerëzit gjenden në lëvizje të përhershme dhe në shpërngulje rutinore, ku ekzili dhe format tjera na janë bërë dhe fenomene postmoderne, por e vërteta është se njerëzit gjithmonë gjatë shekujve kanë ndërruar vendbanimet, janë zhvendosur gjetiu apo janë shpërngulur për shkaqe të ndryshme.

Por nuk është aspak për t’u çuditur, përse pikërisht kujtesa nacionale, si kjo

jona, krijon hartat e veta etnike të kësaj kujtese dhe ato i ruan si amanet

brezash.

Lënda e tillë e kujtesës së kësaj qenësie të rrënjëzimit të njeriut për truallin e tij, gjithsesi që do të ishte një thesar hulumtimi për antropologët... Nëse tek Mërgimtari takojmë përjetimet, ngjarjet dhe reminishencat e kësaj përvoje, si thelb shkrimi, atëherë aty hasim dhe personifikimin e e njeriut të letrave si Vetëdije e Zgjuar jo vetëm shkrimore, por edhe historike.

I PARI:

E përmende fjalën postnmodernitet... Postmoderniteti nuk jep përgjigje në shumë pyetje esenciale: cilat informacione janë më të shpeshtat? Kush i përhap dhe krijon llojet e informacioneve, me çfarë qëllimesh e me çfarë pasojash?

E ku mbetet identiteti ynë nacional dhe kulturor?

A qëndrojmë midis pikëpamjes së deritashme për ta theksuar me forcë identitetin tonë (një gjerman thotë se është krenar ë është gjerman e jo anglez apo turk, ashtu ndodh edhe me turqit apo anglezët etj etj); apo te pikëpamja postmoderne: se shqiptari i lindur në Gjermani, Zvicër, Amerikë etj, e ndien veten me "kombësi të dyfishtë" etj etj e kjo do të thotë që ky identitet shfaqet më i ndërlikuar, më i lëvizshëm, në rrethana të reja globale. Më duket sikur vetëm ne jemi humbësit e jo ato kombe që sot e kanë marrë flamurin e ecjes përpara...

Por te ne po ndodh PROCESI I KUNDËRT: nuk është e hapur E veriga me kufij e me lëvizje të lirë!

Nuk është e gatshme të na pranojë në PROCESE INTEGRUESE, POR AJO OARAQITET VAZHDIMISHT refuzuese ndaj nesh në këto procese.

Nëse globalizmi i tyre synon t’i rrafshojë dallimet, kufijtë, atëherë përse në këtë proces iu interesuaka izolimi ndaj nesh?

Ku çon kjo?

(Nuk u mor vesh përgjigjja e të dytit, pasi i dyti frenoi veturën për të mos e shkelur një kalimtar që po e truponte rrugën aty ku nuk duhej... U qetësuan... Kur e nisën veturën, ndërruan bisedë: kishin harruar ta aktivizonin ftohjen e ajrit... Po udhëtonin “në të njëjtat valë” ajri... )

(Prend Buzhala, 5 gusht 2019)