Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Më mirë ose shtigje të vështira

| E diele, 25.08.2019, 05:22 PM |


Më mirë ose shtigje të vështira

Nga Blerim Rrecaj

Më mirë të shohin një tufë pëllumbash duke drekuar e që fillojnë vrullshëm një vrapi përpjetë, e gjatë ngjitjes e rrahjes së flatrave të ndjekim një pendë që i shkëputet njërit nga trupi dhe bie poshtë si shigjetë në drejtim të një pike toke se sa të presim e përcjellim se çka do të bëhet me të ashtuquajturën shpërndarje a shkapërderdhje kuvendi a kuvendarësh.

Më mirë të shohim një gjethe të madhe ngjyrëmakiatoje të rreshkur dielli qoftë duke kuvenduar me një motër të sajën ngjyrë gjelbër, a që bie nga dega që nuk e mban më se sa të informohemi për transferime, transformime, të x,y,z e zh individi në x,y,z e zh partiçke e partize fjalëdemushshe.

Më mirë të dalim të shohim arat me misër e me luledielli, të endemi shkurreve a sërrnishtave ngjyrëarta ku hasim lule e flutura se sa të ngulim sytë ekraneve ku gumëzhijnë fjalë premtuese të mbushura me lloj-lloj ndyrësie e banaliteti të kurdisur në stilin: unë i miri, ti i keqi, ti mozomakeqi, ti mozomakeqi.

Më mirë që duke ecur të na bije një pikë shiu në flokë a në krahë se sa të shohim anketa a ankesa për anketa, se kush kë po e lut e kush me kë po koalicionohet për të korrur votues pragun për ta kaluar, a krejt për të fituar.

Më mirë të jemi në kërkim të një pamjeje të bukur, të ndonjë pjepri të çarë, të një poezie plot sharm e shije se sa të ëndërrojmë ndonjë alternativë afatshkurtë e mbase dhe afatmesme për të ashtuquajturat ndryshime rrënjë-e-thelbësore.

Më mirë të bëjmë ngarendje jo dhe aq të lira, ecejake torrollake se sa të gënjehemi se do të zgjedhim e përzgjedhim lirisht, lirshëm me vullnetin tonë me a pa reforma zgjedhore.

Më mirë të pijmë një gotë bozë se sa të themi se më kështu nuk shkon, s'mund të shkojë e kushedi sa mund të shkojë, se po duket se nga njëra grackë po hidhemi në tjetrën, nga rrjeta në rrjetë edhe atëherë kur po themi se jemi jashtë çdo rrjete.

Më mirë të kundrojmë një lojë fëmijësh, ku njëri prej tyre vë mjetin që duhet t'i fryejë para një ventilatori dhe fluskat që ventilatori i hedh fëmija tjetër aq sa mundet me një shpatë-lodër i pret se sa t'i japim njëri-tjetrit mend në stilin e mirënjohur: na merr dushkun, mirë m'i jep goglat, ma jep votën, t'i jap dokrrat.

Më mirë të heshtim se sa të tejzgjatim bisedat që lënë pas një varg pakënaqësish, paqartësish, mosmarrëveshjesh, hutishë, keqkuptimesh, turbullimash e deformimesh njashtu si pamja e deformuar që mund të dal nga fotoshkrepja që mund t'i bëjmë njërës nga këmbët e kësaj karrike metalvizëlluese rrotëzezë e cila na mundëson të lëvizemi bashkë me të, në vend që të çohemi ta lëvizim derën...