Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Filozofia e politikës së paqes, mbi një fushë të minuar

| E premte, 18.05.2007, 08:22 PM |


Nga Albert VATAJ

Albert Vataj
Zhurma nervacingëritëse që provokoi takimi Nano-Berisha tejkaloi premisat pozitive për një këndvështrim të ri të politikës shqiptare, një tjetër kahje që propozohej turravrapit që kishte marrë në këto momente kur i gjithë faktori ndërkombëtar kishte drejtuar projektorët e vëzhgimit tekkëndej. Mendimi i të shumëve për takimin Nano-Berisha i ngjan një fushe të minuar. Filozofia e politikës së paqes së ofruar prej tyre u shtyp nga pesha e rëndë e paragjykimit që gjallon ndër shqiptarë, si pasojë e të drejtës që i është diktuar atyre nga vetë politika e konfliktualitetit, armiqësisë dhe kacafytjes. Kumtimi i takimit Nano-Berisha ishte dhe dëshmoi për një erë të re të politikëbërjes në Shqipëri. Vendosja e volitshme në kohë dhe hapësirë i këtij mentaliteti të ri, u bë mbartës i një mundësisë për të bërë politikë ndryshe nga si derimësot kuptohej ky mekanizëm. Interesat fondamentale të shanseve të vendit, në rendjen e vështirë drejtë integrimit evropian, dhe qorrsokaku i raundeve të pamundura të kompromisit, ku e kishte degdisur klasa politike vendin dhe interesat e palëve, në pragun e atyre zgjedhjeve që u etiketuan nga ndërkombëtarët si test për Shqipërinë, u bënë shtysë e atij takimi. "De jure" ai mbeti një dorështërngim befasues dhe i shumëpërfolur, sikurse dhe i paragjykuar në mazhorancën e atyre që morën pozat e gjykatësit. "De facto", ishte pika e kthesës së theqafjes që kishte shtegtuar politika e konfiktualitetit imazhin e vendit tonë dhe gjithçka që gjallonte në varësi të politikës.
Tançka ka hyrë në vorbullën e debatit për takimin Nano-Berisha përcillet si një paragjykum me penelata të theksuara gri në të zezë. Më të zellshmit na e veshën këtë me një mantel stërr zi, duke na e servirur si një kob që sipas tyre kërcënonte kolonat e moralit mbi të cilën ngrihej ngrehina e politikës. Në miniaturë nuk munguan edhe zëri i kthjellët i arsyes që kanë mundur ta shohë në dritë këtë panoramë të politikës shqiptare. Ajo që të drobit në këtë kohë stresi, rraskapitjeje, shpresëhumbjeje, çoroditje, që ka ngërthyer jëtën tonë të vështirë, është një dëshirë gati patologjike, jo vetëm për ta parë në terr këtë takim, por edhe për ta lexuar keq produktin e tij.
Berisha u takua me Nanon me ftesën e të parit i yshtun nga obligimi për ta ndalur teposhten që thikej para galopit politik. Kjo nuk ishte një herezi politike. Ata nuk bënë asnjë krim, përkundrazi dëshmuan se ka ende kapacitete rigjeneruese pozitive që premtojnë standarde bashkëkohore dhe realiste të politikëbërjes. Duam s’duam ne që mendojmë se Nano-Berisha përbëjnë tashmë një të kaluar politike prej të cilës duhet shkëputur përgjithnjë, ata janë faktor, mbeten personazhet nga më të spikatura dhe më afatgjata të politikës shqiptare. Karizma dhe potenciali i tyre popullor nuk janë shkase për t’i parë ata me sy mbyllur, për më tepër për t’i pohuar gjithashtu symbyllurazi duke kërkuar si udhërrëfyes në këtë paragjykim tançka e zezë zien brenda nesh vetëm për faktin se ata i kemi parë si armiq, dhe nuk duhet të ketë gjasa të perceptohen ndryshe. Kjo kohëndalje është një absurd që gjeneron botëkuptimin e moçalit në politikën shqiptare dhe sipas kësaj logjike çdonjëri që guxon të dalë jashtë kësaj "Status quo"-je, qofshin këto dhe personazhe sipërore politike, përbëjnë shkas për herezi.
Dritëshkurtësia, cinizmi, mllefi, kanë orientuar me një turravrap ndërkryes shumë vëzhgues të takimit ndërmjet ish-kryeministrit Fatos Nano dhe Kryeministrit Sali Berisha. Ky takim sa befasues aq dhe i shumëdiskutuar u kthye në një sheshpërshesh diskutimesh dhe debatesh pafund. Dikush u ndal tek amoraliteti i këtij morali. Shumë e panë si një Pazar për Presidentin e ardhshëm të Republikës. Në një shoqëri demokratike, në një mundësi të mbretërimit të fjalës së lirë, pakkush nuk kishte takatin të thoshte mendimin e tij sipas oreksit. Pjesa sunduese e përfundimeve të gjithë kësaj morie orientoheshin saktësisht në fotografimin e objektivit që kishin zgjedhor në kushtet e një errësire gjykimi. Në kësi rastesh është tepër e rëndësishme këndi i vendosjes për të realizuar një pamje të saktë. Për fatin e keq, jo pak prej kësaj armate kishin zgjedhur pikën e papërshtatshme për ta kundruar dhe kumtuar këtë takim të një rëndësie të veçante në jetën politike shqiptare. Pozicionimi i tyre në anën e pasme të takimit, mbarsi mendjet e tendosura për të nxjerrë një përfundim që përveçse dritëshkurtër, ishin dhe dashakeq. Ngasur nga dëshira për ta parë këtë takim nga ana e errët e tij, ata sejdisën helm dhe vrer për atë që për një mendje të kthjellët do të ishte si pika e kthesës në theqafjen që kishte marrë realiteti i politikës parazgjedhore. Nuk ka dyshim se ky takim ishte oksigjeni i një frymëmarrje të thellë që do të ngopte mushkëritë e politikës, rezultatet e së cilës do të plazmoheshin një ditë pas, me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet të gjithë krerëve të partive politike parlamentare nën hyqmin e Presidentit të Republikës Alfred Moisiu.
Ajo që të shokon në këta radhë pafund, e mori shkrimesh është se sipas shumë prej tyre ky takim ishte një herezi, një turp politik, gjallim i politikës së vjetër, e përplot paragjykime të tjera të larmishme. Madje u trumbetua si fatalitet i politikës.
E drejta për ta kuptuar kështu këtë takim është një e drejtë personale, por kur ajo ofrohet si predikim atëherë kthehet në një kërcënim i pashkas e i paqenë. E drejta e atyre për të menduar keq nuk duhet të jetë domosdo detyrim për të tjerët për ta kuptuar keq. Vallë a duhet të gjykojmë më ftohtë për të përcaktuar më qartë.
Duhet kujtojmë se janë takuar kryetar shtetesh, mbi supet e të cilëve rëndonin qindra viktima, dhe nuk janë paragjykuar, se kanë ecur mbi gjakun e të vrarëve apo për shitje interesash. Ka patur shtrëngim duarsh ndërmjet burra të shteteve me një armiqësi shekullore, e s’ia kishte kush ngenë për gërr-mërr. Historia është dëshmitare e shumë takimeve që kanë shënuar kthesa të rëndësishme në fatet e popujve. Megjithëse takimi Berisha-Nano nuk ngjante me një panoramik të ngjashëm samëlart citova, gjithsesi, për kohën dhe momentin ishte historik. Dëshira e keqe për ta lexuar keq këtë takim të shpie tek e keqja që duke na u bërë edukatë ka ushqyer në tërësi politikën shqiptare me frymën e konfliktualitetit, përplasjeve dhe kacafytjes. Ndër ne ka pak, të cilët kanë nge ta kuptojnë politikën larg një fushëbetëje, jashtë trysnisë së përleshjes dhëmb për dhëmb, të spostuar nga bashkëjetesa politike, kryesisht kur fatet e kombit janë në zgrip. Dëshira e mirë për ta parë si diçka pozitive takimin Berisha-Nano, e cila edhe u konkretizua, pavarësisht se la në miniaturë protagonistët, natyrshëm që na ysht drejt një filozofimi më pacifist të gjithçkaje, anipse edhe politike. Pavarësisht se është vetë politika ajo që ka ushqyr ndër njerëz veten e saj si një betejë, madje ka kërkuar edhe jetën e tyre si sakrificë për t’u kurorëzuar fitues i luftës (kujtojmë ngjarjet e vitit 1997), pse të mos e kapim këtë takim si shkas që ta kuptojmë atë si një orientim të ri, në një moment shumë delikat, ku parapërgatitja për zgjedhje e kishte futur vendin. Domethënia e këtij takimi mbetet mishërimi i një mundësie ndryshe të politikëbërjes në Shqipëri. Deri më tash konfliktualiteti ka shoqëruar në gjithë kaluarin e vet veprimtarinë e klasës politike, në atë që vijojmë ta quajmë tranzicion i pafundmë. Si Nano ashtu edhe Berisha, hodhën në tregun kartën e politikës së dakordësisë, kompromisit, bashkëpunimit dhe të një opozitëbërjeje konstruktive, të gjitha këto në shërbim të hapave të mbetur për integrimin në familjen evropiane, pjesë e së cilës jemi, por që vetë absurdi politik qartazi kërkon ta mohojë. Ajo që duhet të shpresojmë është se sa e gatshme është politika për ta rrokur këtë filozofi bashkohore të politikëbërjes. Se sa e predispozuar është ajo të hedh pas krahëve të kaluaren dhe të kundrohet përpara. Fatkeqësisht terreni që gjeti kjo frymë e predikuar e Nanos dhe Berishës ishte tejet armiqësor, ç’ka lë pak për të shpresuar se një ditë politikanët të mos i shohim si një apendiks të vetëdijes sonë qytetare evropiane por si një pjesë organike e saj. Shtrimi i kësaj fushe të minuar në këtë kurajo politike për të vepruar konform rregullave të qarta të lojës, dhe për të përdorur mjete të pranuara në luftën politike, mbars me pesimizëm këtë logjikë ndryshe. Ky zell për ta mohuar paqen politike është jo vetëm një taban kërcenues për kthimin në normalitet të gjithëasaj që kemi soditur si kacafytje, duke u ofruar si kohërencë lë në tentativë atë që u përpoqën ta injektojnë si civilizim politik, domosdoshmërinë e adaptimit të politikës së interesave kombëtare mbi ato personale.