Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Dom Gjergj Meta falsifikon historinë e komunizmit shqiptar

| E premte, 23.08.2019, 08:26 PM |


Dom Gjergj Meta falsifikon historinë e komunizmit shqiptar

Nga Kastriot Myftaraj

Në Ditën Europiane të Përkujtimit të viktimave të komunizmit, Ipeshkvi i Mirditës, Dom Gjergj Meta mbajti një fjalim në ish-kampin e internimit në Tepelenë, ku tha ndër të tjera:

“Kur njeriu arrin me barbarinë e tij, me zemërimin, urrejtjen e tij të dëmtojë njerëz të tjerë dhe kështu shkaktojë vuajtje te njerëzit. Është e pabesueshme kjo që ka ndodhur këtu dhe nuk na e kanë bërë të huajt, nuk na e kanë bërë të tjerët, ia kemi bërë njëri-tjetrit. Dhunimi brenda familjes që ka ndodhur dhe kjo është një traumë që populli ynë do ta bartë për shumë kohë.”

Me dy fjalë, Dom Gjergji falsifikon krejt historinë e komunizmit në Shqipëri, duke e quajtur atë një ngjarje të brendshme shqiptare. Kur nuk ka qenë aspak e vërtetë kështu. Kjo është një teori që demonizon kombin shqiptar, i bën urrejtjet politike ndërshqiptare të sjella e nxitura nga jashtë sikur kanë gjetur mjedis të pëlqyeshëm për t’ u zhvilluar në natyrën e brendshme të kombit tonë.

Ardhja në fuqi e komunizmit në Shqipëri ka qenë pasojë e një agresioni ndaj vendit tonë të kryer nga Kominterni, Internacionalja Komuniste, me qendër në Moskë, duke perdorur komunistët jugosllavë, italianë dhe grekë.

Partia Komuniste e Shqipërisë u krijua dhe u pri gjatë periudhës së luftës botërore nga komunistët jugosllavë. Deri në vitin 1943, lëvizja e armatosur partizane komuniste në Shqipëri ishte krejt e parëndësishme. Vetëm pas kapitullimit të Italisë fashiste kur mijëra ushtarë, nënoficerë por dhe oficerë italianë me bindje komuniste u bashkuan me partizanët shqiptarë. Rëndësia e këtyre vullnetarëve italianë rritej sepse ata ishin të aftë në përdorimin e llojeve të ndryshme të armëve. Kështu ushtria partizanë u bë një forcë e rëndësishme ushtarakë dhe e ndjeu veten të sigurt sa për të nisur luftën civile në vend dhe për ta fituar atë, duke mposhtur kundërshtarët politikë, Ballin Kombëtar, Legalitetin, (monarkistët) si dhe forcat antikomuniste në Mirditë dhe veri të Drinit. Burimet gjermane por edhe ato amerikane flasin për mijëra ushtarakë italianë të bashkuar me komunistët. Historia zyrtare komuniste shqiptare duke dashur të lartësojë meritat e Enver Hoxhës dhe partizanëve të tij e ka mbyllur cështjen e ndihmës ushtarake italiane duke folur për 1500 ushtarë italianë të bashkuar me partizanët dhe batalionin “Antonio Gramshi” si bërthama e tyre. Shifrat e dhëna nga burimet e Enver Hoxhës, kur ai ka pasur interes që t’ i zvogëlojë, duhen shumëzuar së paku me pesë.

Regjimi komunist nuk do të kishte mundur të shtypte qëndresën masive kundër tij në vend në vitet 1945-1949, nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë të brigadave partizane jugosllave dhe atyre greke. Veçanërisht forcat partizane komuniste greke të cilat e kishin bërë Shqipërinë një bazë të tyre gjatë luftës civile në Greqi, që nga viti 1945 e deri në 1950, kanë pasur një rol të rëndësishëm në shqypjen e qëndresës antikomuniste në Shqipëri, në këtë periudhë. Pas vendosjes së regjimit komunist erdhën edhe grupet e këshilltarëve sovjetikë.

Kjo është e vërteta e ardhjes Nuk qëndron teoria se në Shqipëri u mblodhën 200 komunistë në 1941, dhe me ndihmën e të dërguarve jugosllavë krijuan Partinë Komuniste, e cila në tre vite krijoi një ushtri partizane të aftë për të marrë vendin nën kontroll në fund të vitit 1944, duke marrë kështu pushtetin.

Gjysma e atyre që krijuan PKSH-në madje nuk ishin shqiptarë të këtej kufirit, ishin gjakovarë. Si grup i dytë më i madh në numër ndër 200 komunistët e parë, ishin minoritarët sllavë dhe grekë.

Në Shqipëri nuk do të kishin ardhur dot në pushtet komunistët nëse nuk do të kishin pasur ndihmën e drejtpërdrejtë të fuqive ushtarake jugosllave, italiane dhe greke, por edhe ndihmën e aleatëve perëndimorë britaniko-amerikanë.

Një enigmë që kërkon ende shpjegim mbetet ndihma e rëndësishme në material ushtarake, ar, veshje, ushqime e aleatëve perëndimorë britaniko-amerikanë për komunistët shqiptarë në periudhën e luftës botërore. Argumenti se kjo ndihmë u shkoi komunistëve shqiptarë për shkak se ata luftonin kundër gjermanëve nuk qëndron dot. Sepse aleatët perëndimorë nuk ndihmuan lëvizjen shumë më të fuqishme partizane komuniste në Greqi, pasi nuk donin që komunistët të vinin në pushtet në këtë vend. Dom Gjergji mund të kishte thënë se 2 mijë mirditorët e internuar në Tepelenë i transportuan me kamionët amerikanë e ardhur si ndihmë nga UNRRA. (ndihma perëndimore)

Dhe në 1949, kur ishte shtypur pothuajse krejt qëndresa e brendshme antikomuniste, britanikët dhe amerikanët vendosën më në fund të ndërmarrin një operacion për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, duke përdorur si forcë të parë vullnetarë nga emigracioni politik shqiptar në Perëndim që u hodhën në vend si desantë. Por këta nuk gjetën pothuajse asgjë nga forcat e armatosura antikomuniste që kishin luftuar për rreth pesë vjet kundër regjimit komunist. Kuptohet se ky operacion do të dështonte.

Të vërtetat historike në Shqipëri janë varrosur thellë. Por një njeri si Dom Gjergji nuk mund të mos i dijë në vija të përgjithshme, ndonëse nuk njeh detajet e mësipërme.