E enjte, 28.03.2024, 01:24 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Romani i Qamil Alushit, një overturë e shpirtit njerëzor

E premte, 23.08.2019, 07:17 AM


ROMANI I QAMIL ALUSHIT,  NJË OVERTURË  E SHPIRTIT NJERËZOR

NGA QAZIM D. SHEHU

Qamil Alushi,  i njohur si studiues i periudhës së Skënderbeut , vjen tashmë me romanin”Edhe yjet derdhin lot”, një prozë e nivelit të  arritur artistik, ku trajtohet një periudhë para tetëdhjetë viteve, me normat dhe zakonet,  të cilat jo vetëm ngjyrosin perceptimin e asaj kohe, por në mjaft tregues i hedhin spirancat e kuptimit dhe analogjitë edhe për sot.

Në qendër të romanit është një grua e cila,  qoftë për mendjelehtësi apo për diferencë moshe nga i shoqi,  gënjehet dhe martohet në një vend të largët,  duke u ndarë nga i biri, një fëmijë katër vjeç, me premtimin se atë do t`ia sjellin shpejt, por kjo nuk ndodh…

Kjo fabul , sa e thjeshtë , aq prekëse,  mbart në vetvete mundësinë për të shtjelluar një dramë të fuqishme njerëzore në gjerësi e thellësi, duke depërtuar në botën e brendshme shpirtërore të një nëne e cila  bëhet pre e normave dhe sjelljeve të ngurta, e sidomos e atyre njerëzve  që dinakërisht  thurin intrigën  dhe po dinakërisht e çojnë atë deri në fund.Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë se deri ku shkon  rrethi i mbyllur i logjikës të zhytur në injorancë dhe pashpirtësi i këtyre njerëzve, është po kështu e rëndësishme të ndjekim fatin e kësaj gruaje të gjorë,  e cila jeton çdo çast me ëndrrën  për të birin.Dhe e gjithë kjo paraqitet përmes një rrëfimi tronditës me detaje dhe aspekte të ndryshme që ia  mbajnë pezull frymën lexuesit.

Ky roman zbulon një ide të thellë, një ligjësi të brendshme shpirtërore, kur një grua, një nënë, për asnjë çast nuk duhet ta heqë mendjen nga i biri të cilin ia kanë ndarë dhe nuk di ku është.Prandaj,  për të nuk ekziston asnjë lloj dashurie tjetër më e madhe në botë se ajo për fëmijën.Në vendosmërinë dhe peshën e kësaj dashurie,  ajo nuk i nënshtrohet asnjë rrethane.Për të, braktisja e fëmijës, është fundi i botës, mbarimi i ekzistencës së saj.

Duke qenë një njohës shumë i mirë i temës, i lëndës jetësore, por dhe duke pasur përvojë dhe kujtesë për realitetin që shtjellon, Alushi arrin të ndërtojë një roman me dy linja daramatike: nënë e bir (në largësi)dhe një  grua e degdisur në fatin e vet të mbrapshtë dhe njerëzit e ambienti që e rrethon. Brenda këtyre linjave që përpikmërisht takohen me njëra tjetrën dhe ecin paralel duke zgjeruar frymëmarrjen e narrativës, pluskojnë e shpërthejnë,  sipas rastit , gjendje shpirtërore të ngulfatura e shpërthyese, apo,  herë herë,  disi të qeta por me një cipë të përzishme dramatike.

Është meritë e këtij autori që ato t`i japë me natyrshmëri e besueshmëri, duke ecur hap pas hapi me kujdes me penën e tij, për t`iu afruar personazhit të vet me autencitetin e rrëfimit.

Vërtet është një kohë e largët, por sa shenja i bën ajo së sotmes, dhe këtu autori e ngre nivelin e rrëfimit drejt një toni meditues për fatin e një gruaje, të gruas në tërësi,  kur na kujton sesi trafikohen disa gra të sotme jashtë dëshirës së tyre  nga një skotë e tërbuar meshkujsh injorantë e të egër.

Ky ton meditues,  jo vetëm zbërthen shpirtin njerëzor plot trazime e brenga të mëdha, por arrin të na japë në qasje të njëmendtë filozofike edhe natyrën e një shoqërie gjysmë të egër, plot indiferencë dhe të mbërthyer nga interesi material.

Se çfarë vlon në shpirtin e Sabinës(personazhit kryesor të romanit)edhe pse ajo rrethon në heshtje veten dhe përcillet nga gënjeshtrat e Kasketës(vëllait të burrit të dytë, një nga figurat artistike më interesante) autori e ka dhënë përmes situatave dhe ngjarjeve nga më të ndryshmet në  libër.Ai ka ditur që, përmes pamjes së parë të Sabinës (nënshtrimi ndaj fatit, heshtja, një vetëtërheqje në brengën e saj,  duke e vuajtur atë me durim)të sjellë fytyrën e vërtetë të një gruaje fisnike dhe njëkohësisht këmbëngulëse  në ëndrrën e saj për të takuar të birin.

Përmes nënshtrimit të saj ndaj fatit, për të cilin edhe vetë është pakëz fajtore për shkak të naivitetit dhe padjallëzisë së vet;ndaj normave të ngurta e barbare të një zakoni mesjetar, autori ka ditur të sondojë edhe në shpirtin e saj, duke zbuluar me një rrjedhë rrëfimore lirike-dramatike, botën e saj të pasur prej nëne, prej gruaje, prej njeriu të mirë.E përmes këtij këndvështrimi mjaft të hollë, ngrihet në antipod figura e njeriut -hije(Kasketa) që, si personazh, ngjyroset me një gri të ftohtë ,  duke na e dhënë atë  si njeriun që di të lëvizë e të besohet,  i shtyrë nga forca e së keqes.Kasketa i ngjet gjarprit që të pickon kur nuk e mendon, ai është mjeshtër i intrigës dhe i sajimit kur duhet të paraqitet si i vërtetë  dhe i besueshëm;gëzon një  autoritet prej vëllai të madh, ndaj burrit të Sabinës (një njeri me horizont të kufizuar) dhe, gjithë qëllimin e ka që gjithçka të ecë siç do e siç duhet kundrejt normave dhe zakoneve çnjerëzore;nuk njeh kufizim në veprimet e tij, nuk e bren ndërgjegja, s`ka asnjë skrupull dhe pendesë, i kujdesshëm në çdo gjë, duket se e thur skenarin përmes një fantazie diabolike.Por atë e “çarmatos” qëndresa prej nëne e Sabinës, kërcënimi i saj se ajo do të vetëvritet dhe do t`i japë fund jetës nëse nuk do ta takojë të birin.Para këtij fakti Kasketa bëhet esëll, dhe nuk e ka hallin nëse do të vritej ajo, por se kjo do bënte bujë në opinion, dhe ai ishte burrë me “namuz”.Ai e gjykon turpin jo për atë që ka bërë, por sesi ajo që ka bërë do të ballafaqohej  me  zakonin.Atëhere ai tërhiqet, vepron , premton , dhe Sabina takon të birin.

Lexuesi do të ndeshë faqe të tëra lirike dhe dramatke në momentet e takimit të Sabinës me të birin.

Zemra e përvëluar e një nëne mend plas nga mallëngjimi, nga një dashuri e madhe për krijesën e saj.Por edhe këtu ajo nuk vë ulërimën, është e vetëpërmbajtur, gjykon vetveten , e nënshtruar dhe e bindur ndaj marrëzisë që ka bërë, por s`ka gjë:mjafton fakti që takoi të birin dhe kjo për të është gjithçka.Me një përshkrim të lirshëm dhe të ngjeshur,  duke iu bindur mënyrës së tij të të treguarit , por edhe vlerësimit ndiesor të çastit, autori ka ditur të japë portretin e një nëne të penduar thellësisht, të shpalosë botën e saj të madhe, një botë fisnike që lundron në detin e dashurisë së madhe për të birin.Efekti emocional që krijohet në këto pjesë të romanit është i pashlyeshëm, lirik , daramatik, tronditës , dhe ta sjell në mënyrë bindëse forcën e madhe të ndjenjës mëmësore.Autori ka ditur ta paraqesë këtë me  zotësi.

Kjo nënë nuk duhet dënuar, mendon i biri, ndonëse edhe ajo është fajtore që buron nga naiviteti i vet.Nëna është për të shpirti zemra dhe mendja e tij, poezia e ndjenjave.A mund t`i thuhej saj një fjalë jo e mirë që do ta rëndonte edhe më shumë.Kur zemra dhemb , atë mund ta godasësh lehtë.Faqe të tëra të një zhbirimi psikologjik në botën e të birit shkojnë deri në fund të përshkrimit bindës dhe poetik, për të kuptuar atë lidhjen e shenjtë nënë –bir, por shkëmbi i rrethanave u rri para si pengesë.

Po çfarë do ndodhë me Sabinën?Pse ajo nuk duhet të bashkohet me të birin?Sërish dilema të mëdha bëhen barriera të pakapërcyeshme reale dhe psikologjike.I biri ende nuk e ka jetën e vet në dorë, as Sabina.Ata nuk mund të afrohen me njëri -tjetrin përfundimisht, ndonëse shpirtërisht  janë aq afër.Sabina rikthehet sërish në shtëpinë e burrit të saj, por tashmë më e lehtësuar shpirtërisht dhe njëherit më e ngarkuar.

Ajo që quhet teknika e së papriturës që vonon zgjidhjen është shfrytëzuar nga autori me efikasitet dramatik, duke nxitur këshërinë se çfarë do të ndodhë më tutje.Dhe ajo çfarë do ndodhë më tutje nuk është tjetër veçse kalvari i një nëne, i një gruaje që humbet ngadalë në shurdhërinë e ambientit, një mjedis i kufizuar, i pashpirt, pa asnjë shtegdalje, pas asnjë gjykim realist, sepse këtë nuk mund ta lejojnë rrethanat mizore në të cilat është i mbërthyer individi grua, në rastin konkret,  të një gruaje që është degdisur kundër dëshirave të saj larg fëmijës, siç është Sabina.Kemi kështu një roman me një kompozicion të mirëmenduar ku jepen ndërthurje linjash që sillen  drejt dy fateve paralele që zhvillohen në largësi nga njëra tjetra,  po që përmbushin gjithnjë mesazhin e një jete të ndarë midis dy qenieve që duan të rrinë pranë njëri tjetrit,  por që nuk rrinë dot.Endri, djali i saj, biri i një ish- pasaniku,  e sheh veten gati në mes katër rrugëve, ai mbetet jetim me nënën gjallë,  për të cilën nuk di se ku ndodhet.

Personazhi i Endrit është dhënë nga autori me një vizatim të plotë, të ngadalshëm  ku nuk mungon asgjë për të kuptuar mirë sesi zhvillohet rrjedha e  jetës së tij.Mungesat, privacionet, vetmia, të qenit i ndërgjegjshëm për pozicionin e tij, nuk lënë tek ai gjurmë vrazhdësie, përkundrazi,  tek Endri shohim djalin e zgjuar dhe vullnetmirë, studentin që mbaron shkollën dhe bëhet mësues, njeriun e kulturuar që do librin, që arsyeton bindshëm dhe kërkon të ngjitet në jetë, të bëhet dikushi, të bëhet i dobishëm, edhe pse kushtet i mungojnë, edhe pse kurrë nuk e ndjeu nga afër dorën e nënës,  dhe kujtimi i hidhur për vdekjen misterioze të babait të pasur e çojnë herë herë në mendime të trishta.

Në figurën e tij lexuesi do të gjejë dëshminë e freskët të perceptimit të jetës dhe kuptimin e saj se ajo mbetet gjithnjë e bukur edhe kur jeta të dhuron pak mundësi.Endri është skalitur brenda urtësisë dhe mençurisë së tij, brenda kujdesit për të  gjykuar mbi jetën pa lënduar kënd, për t`u bindur mbi atë që thuhet dhe flitet.Mjaft situata të bukura shtjellohen përmes tij në marrëdhënie me nxënësit, në marrëdhënie me vajzat, në krijimin e vatrës familjare etj,  etj.Ai është intelektuali i kohës me tiparet më të plota;ndjeshmëria, sjellja, urtësia, zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj njerëzve,  janë disa tipare esenciale që e spikasin si personazh, cilësitë pozitive të të cilit të joshin dhe të bëjnë për vete.Edhe sjellja e tij,  në fund të romanit, me të ëmën është mjaft dinjitoze, ajo vjen jo vetëm nga shtysa e e dashurisë ndaj mëmës, por edhe nga botëndijimi dhe botëkuptimi i tij.

Prekëse dhe mjaft e qëlluar është mbyllja e romanit, ku autori për pak kohë e ka shpëtuar Sabinën nga vuajtjet, brenga, por tashmë është vonë, edhe pse ribashkimi me të birin është një ngushëllim, një qetësim, por edhe një vuajtje e madhe për të kuptuar sesi do kishte qenë jeta e saj sikur të mos e ndanin dhunshëm nga i biri.Me poetikë të ngrohtë jepet  kujdesi i Endrit për të ëmën, me një  vërshim  të hollë ndiesor autori shpalos mjaft  momente të këtij kujdesi.

Romani i Qamil Alushit vizaton edhe mjaft personazhë të tjerë, njerëz të mirë, ndonëse të kufizuar.Një nga këto është edhe Merushja, motra e Kasketës.Në portretin e saj autori jep tiparet e mirësisë dhe fisnikërisë së gruas malësore, mirësjelljen dhe zemërgjerësinë, bujarinë dhe respektin,  por edhe autoritetin e një gruaje me vlera dhe serioze.Edhe pse në ato mjedise të përcaktuara nga normat dhe kodet e ngurta, nga varfëria dhe izolimi, shfaqen njerëz të mirë, që shqetësohen për tjetrin dhe i vijnë në ndihmë.

Autori di të vizatojë me zotësi mjedise, mjedisin social(jetesën e thjeshtë e me një varfëri të pranueshme të këtyre njerëzve), mjedisn etnografik, mënyrën e veshjes, enët e ndryshme të ujit apo gatimit, mjedisin natyror, malet, grykat, lumenjtë, peizazhet e mrekullueshme në çastet e perëndimit të diellit apo në stinët e ndryshme,   mjedisin blegtoral(momenti kur Fehmiu shkon në stan për të marrë bagëtitë për darkën e martesës)mjedisin psikologjik,  që përcaktohet nga hija e burrave  nursëzë e kapdai(Kasketa, Sula),  apo kur fjalët janë të pakta dhe një fjalë e pamenduar e gruas përfundon me një të bërtitur të burrit  apo kërcënime të tjera.Me zotësi jep ai pozitën e nënshtruar të gruas në një mjedis të tillë   në atë kohë, duke u futur brenda botës së saj shpirtërore e duke nxjerrë prej andej ngjyrat e shumta të një shpirti të ndrydhur.Kjo,  se autori e njeh mirë jo vetëm atë mjedis, historinë, kulturën, traditat, gjeografinë, psikologjinë e njerëzve në atë kohë, por  pa u ngutur përmes fantazisë së vet  krijuese ka arritur që përmes këtij dekoracioni të përgjithësojë ide dhe të skalisë personazhe  që bëhen tepër të besueshëm dhe rrinë mirë në kohë, edhe pse përmes shenjimit të tyre ideorë mesazhojnë në mjaft raste edhe me të sotmen.Ndaj, ky roman,  edhe për këtë lexohet me kuriozitet dhe  interes, sepse ai apelon artistikish kundër dhunimit të personalitetit të njeriut, veçmas të gruas.

Portretizimin e personazheve, sidomos kryesorë, e bën duke  gjurmuar me besnikëri mendimet e tyre  që pluskojnë përmes ndjenjave të thella dhe trazimeve  shpirtërore, përmes linjave rigoroze  dhe një pëlhure narrative të qepur mirë, pa asnjë arnë në rrëfim dhe kjo i ka sjellë ose sjell  edhe një stil të shtruar rrëfimor  ku shpesh xixëllojnë figura poetike të natyrshme.

Pasuria e informacionit jetësor ia ka lehtësuar shkrimtarit mundësinë që të shkruajë rrjedhshëm, por njëherësh të jetë edhe i kujdesshëm që të mos e shpërdorojë fjalën , përkundrazi fjala gjendet në pozicionin e vet, thuhet kur duhet dhe shmanget kur nuk është e nevojshme.Kjo siguron  lakonizmin, dhe romanin mund ta lexosh edhe për këtë aspekt të formës , edhe për këtë mjeshtëri të gjuhës narrative.

Përshkrimet e detajuara shkojnë gjithnjë në funksion të vlerësimit  të situatës tronditëse apo të shtjellimit të gjendjeve psikologjike që motivohen nga të ndodhurat apo të papriturat që personazhi ndesh.Por edhe dialogjet , shpesh të ngjyrosura nga fjalë dialektore, janë me masë dhe në vlerësim të portretizimit të personazheve të ndryshëm.Kështu,  te Sabina , në fjalët e saj , kemi shqiptimet e fjalëve që paraqesin një nënë të dëshpëruar, ndërsa në fjalët e Endrit spikatin  thëniet e një djali të zgjuar dhe i pangutur në gjykim.Fjalët e Kasketës ndryshojnë gjithmonë sipas situatave , sepse ato ndihmojnë për të kuptuar portretin e një hileqari dhe manovruesi të kujdesshëm,  por të lig.

Realizimi i një dialogu funksional ndihmon në dhënien e psikologjisë së personazheve,  tipizimin e tyre, por njëkohësisht ngjyros emocionalisht mjaft situata.

Skenat lirike janë disa herë mjaft domethënëse(komunikimi i mësues Endrit me nxënësen që më vonë do të bëhet gruaja e tij, komunikimi i Endrit me një vajzë tjetër kur ata bisedojnë për tregimin “Shakaja” të Çehovit);takimi i Endrit me nënën në arën me misër apo në spital etj, etj, janë dhënë nga autori me penelata të holla dhe mjaft të ndjeshme .Ky lirizëm vëhehet edhe në mënyrën e rrëfimit, ku autori shpesh e shmang vetën e tretë duke kaluar në të dytën.Ai e shmang disa herë pozicionin e rrëfyesit të jashtëm duke kaluar në detyrën e rrëfyesit të brendshëm,  kur ia jep këtë drejtë ndonjë personazhi tjetër, dhe kështu, me këtë mënyrë,  ai ka synuar dhe ia ka arritur të na japë një roman me një vështrim të gjerë artistik mbi fatin e një gruaje, të përshkruajë dhe të rrëfejë deri në maksimum gjithë botën shpirtërore të personazheve(sidomos Sabinës), duke skalitur karaktere njerëzore të besueshme.

Ky roman të trondit pikërisht për situtatat që përshkruan , të mbush me frymën e tij dhe shkriftësinë e rrëfimit, duke ta sjellë idenë se jeta është e bukur dhe vlerësohet më  shumë , kur  nëpërkëmbet dhe njeriu nuk arrin ta marrë në dorë fatin e tij dhe ai përcaktohet nga të tjerët.Si një meditim i thellë për jetën dhe fatin e një gruaje dhe të fëmijës së saj, romani arrin ta injektojë pikërisht këtë dhe të të bindë artistikisht po për këtë.Veprimi nuk ecën me shpejtësi,  sepse edhe koha e të ndodhurave është e gjatë, por tensioni dhe dramatika e siguron një shpejtësi të habitshme goditëse  si efekt dhe mënyrë për të kuptuar e për t`u gjendur sa më afër të vërtetës njerëzore.

Fjalia e pastër e çiltër dhe e qartë ka shënuar gjithnjë lëvizjen e duhur të saj, për të kapur çdo dridhje të shpirtit njerëzor.

Me romanin e tij”Edhe yjet derdhin lot”, një titull domethënës, autori paraqet një tablo të jetës njerëzore  në një kohë të caktuar duke shenjuar artistikisht përmasat e saj, ngjyrimet e ndryshme historike dhe mentale, po njërherësh  edhe fatin e gruas e të individit në përgjithësi.Trajtimi i figurës së gruas nuk është i panjohur në letërsinë tone, as në letërsinë botërore, por,  në këtë roman,  Qamil Alushi sjell diçka të vetën, origjinale, duke e parë më tepër Sabinën si nënë  se sa si grua, e cila gjatë gjithë romanit mundohet të kuptojë dhe e kupton me dhimbje se çdo veprim pa mend të bën të kërkosh mendtë.Si një roman me një kompozicion të shtrirë  linjat vijnë dhe lidhen ose shkojnë paralel me njëra tjerën ,  marrin korent vetëm nga trazimet shpirtërore dhe nga situatat dramatike, gjithnjë në gjenerimin e një vuajtje që është në kërkim të shpresës.Por ajo që mbetet më e veçantë është se autori  ka  ditur të skalisë botën e nënës , sidomos të një nëne të vuajtur, ku privacionet dhe kufizimet , dhe  ata që u munduan t`ia pengonin ndjenjat mëmësore, nuk ia zbritën dot,  as ia ulën forcën e ndjenjës, fisnikërinë dhe besimin se do të vinte një ditë më e bukur.Në të gjithë romanin ngrihet meritueshëm portreti madhështor i çdo nëne , që freskohet nga dashuria e pamposhtur për fëmijën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora