E premte, 19.04.2024, 08:44 PM (GMT+1)

Speciale

Shefki Sejdiu: Çabej i diskutimeve në kongreset dhe konferencat shkencore

E premte, 03.10.2008, 06:10 PM


Eqrem Çabej
ÇABEJ I DISKUTIMEVE NE KONGRESET DHE KONFERENCAT SHKENCORE

Nga Profesor Shefki Sejdiu
Prishtinë

Përpara se të parashtroj disa mendime rreth diskutimeve të Çabejt në tubimet shkencore, temë kjo jo aq e rëndomtë për analiza dhe vlerësime rreth kontributit të të një personaliteti të shquar të dijes shqiptare, do t’i thoja disa fjalë rreth institucionit të tubimeve shkencore pa hyrë në imtësia rreth karakterit dhe rangut të tyre.

Tubimet shkencore si forma organizimi e pune janë të një rëndësie të veçantë informimi e interkomunikimi shkencor. Ekziston mendimi i arsyeshëm se shkenca më së shumti përparon përmes tubimeve shkencore dhe separatëve[1]. Në këto tubime zhvillohen edhe aktivitete interkomunikimi intelektual e hulumtues interesash e formash të shumëllojta.

Format e komunikimit dalin nga vet natyra e punës dhe aktorëve që alternativisht bëhen edhe dhënës e marrës të mesazheve, që presupozon rolin e folësve përkatësisht dëgjuesve, në këtë rast të kumtesave e të debatit. Nëse një referues trajton çështje të ndryshme, pjesëmarrësi dëgjues mund të motivohet e të cytet të reagojë ndaj kumtesës të një a më tepër referuesve dhe mendimeve të parashtruara. Këtë kompleksitet problemesh e trajtimi imponon shumësia e universit preferencial kognitiv që kurdoherë është në qendër të vëmendjes së hulumtuesve.

Gjatë procesit të komunikimit shkencor qoftë ky edhe i institucionalizuar siç është edhe i tubimeve shkencore, paraqiten forma institucionalisht e motivisht të ngarkuara që shprehen si diskutime, intervenime (ndërhyrje), respektime (sqarime), debatime, polemizime, qortime (të buta e të ashpra) e grindje, që krijojnë paradigmë edhe hierarkike nocionesh komunikimi.

Konferencat shkencore kanë qenë pjesë e pandashme  e veprimtarisë së frytshme shkencore të Çabejt. Ai përfaqësoi gjuhësinë shqiptare në vend dhe jashtë vendit. Çabej i konsideronte diskutimet shkencore të një rëndësie të veçantë. Diskutimin në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire (1972) e ka filluar me fjalët që meritojnë të shënohen: “Besoj, thotë Çabej, se DISKUTIMET e djeshme dhe të sotmet na kanë vërtetuar më së miri që në kongrese e në kuvende DISKUTIMET e SHKËMBIMET e mendimeve shpeshherë dalin më të frytshme se kumtesat, ligjëratat e referatet”[2].

Në saje të formimit të tij intelektual e shkencor Çabej ka ndërtuar një sistem pune e veprimi në tubime shkencore nivelesh të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare ku janë trajtuar çështje albanologjike të periudhave të ndryshme që nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

I bindur për kompleksitetin e çështjes, Çabej iu kushtua çështjes me seriozitetin më të madh (e, për çështje të tilla është e nevojshme pjesëmarrja e hulumtuesve shqiptarë me kumtesa e me diskutime) sepse duhej përballuar me ide e pikëpamje jo gjithherë shkencore të bazuara, subjektive e simpliciste, intencionale e me referenca jo të plota e jo reale. E, dihet tanimë se fusha apo aksi i referencës është hapësirë ku rrahën mendimet mendimet për hulumtimin dhe gjetjen e reales, të cilën pra duhet hetuar, gjetur, veçuar, njohur e vlerësuar brenda universit kognitivo-referencial. Por, kur realja, e vërteta, e kërkuara perceptohet dhe konceptohet e shtyrë nga motive intencionale, subjektiviste e individualiste, ky lloj perceptimi shpie tek shumësia  e mendimeve që provokojnë debat. Mbi këtë bazë motivuese edhe qëndrojnë ndërhyrjet e Çabejt rreth kumtesave e diskutimeve të dhjetëra studiuesve të njohur si V’. Georgiev, Katiçiq, Desnickaja, Gëlëbov, Rich, Al. Roseti, Mihaescu, Galdin, V. Pisani, C. De. Simone, Bonfante, St. Mann, Z. Skiro, Ajeti, Ceka, Z. Sako, Demiraj, Lafe etj.

Po, si duket paraqitja e Çabejt në diskutimet në ven dhe jashtë vendit, përkatësisht në raport me vendorët dhe të jashtmit?

Me bashkëkombësit e tij Çabej është kolegjial, didaktik e principiel; me të huajt (mysafirë) tek Çabej vërehet ndjenja e mikëpritjes, e përgjegjësisë dhe e respektit, por edhe e parimësisë dhe konsekuencës.

Jashtë vendit, Çabej me bashkëkombësit e tij është i afërt, i kujdesshëm dhe metodik, kurse me të huajt është i matur, i paimponueshëm, serioz, dinjitoz, principiel, me një ndjenjë të theksuar kompetence, përfaqësimi e përgjegjësie intelektuale.

Te Çabej edhe si diskutues duket i çartë formimi dhe informimi si në fushë të gjuhësisë njashtu edhe në disciplina të tjera konvergjuese që lidheshin me origjinën, atdheun, historinë dhe gjuhën e popullit shqiptar.

Çështjet rreth të cilave Çabej ka debatuar në konferenca janë nga më të ndryshmet: si ato rreth origjinës së popullit, të gjuhës dhe vendit të formimit rreth autoktonisë dhe argumenteve dhe dëshmive të sjella nga disciplina të tjera konvergjuese diakronike, rreth fenomenit të ambiguitetit, apriorizmit, simplifikimit, rreth fiksimit të kritereve, rreth subjektit gjuhësor, rreth shtresimeve dhe krahasimeve midis gjuhëve (mesapishtes e shqipes), rreth ndarjes kentum-satem, rreth marrëdhënieve kelto-ilire, rumuno-shqiptarëve, rreth kontakteve dhe ndikimeve lashto-greko-proto-shqiptare, latino (proto) shqiptare, rreth evaluimit të tingujve, rreth geminanteve në shqipe, rreht ndikimit të faktorëve të jashtëm në karakterin ballkanik të shqipes, rreth nyjave, rreth leximit dhe interpretimit të mbishkrimeve etj.

Në të gjitha këto çështje të trajtuara nga të tjerët, çoftë në formë kumtese apo diskutimi, Çabej në ndërhyrjet e veta tregohet njohës i mirë i problemeve me sens të theksuar të çështjes interdisiplinare, induktivit e komparativist, që mjeshtërisht shfrytëzon evidencat gjuhësore dhe kontkstet e ndryshme për njohjen e çështjeve që trajtoheshin.

Në diskutime Çabej çorton çasjet simpliciste, arbitrare, improvizuese, intencionaliste, si dhe rekonstruktimet dhe gjeneralizimet e bazuara në të dhëna ekskluzivisht të izoluara e eksterne (Vl. Georgiev). Përkujton kritere e parime universale e specifike, vlerësuese, saktësuese (E. Lafe); sugjeron përcaktimin e vlerave të koncepteve si p.sh., invencion, konservacion gjuhësor (Sh. Demiraj).

Shikuar nga aspekti metodologjik Çabej ndjek rrugën e argumentimit dhe arsyetimit: nuk e çorton autorin ( e kumtesës apo diskutuesin), por idenë e tij të shfaqur hic et nune; në disa raste pa e shfaqur në mënyrë explicite mospajtimin me referuesin apo diskutuesin, Çabej ia kundërvë mendimin e vet (si te Borssin). Ndodhë që të pajtohet me mendimin e referuesit për çështje të caktuara (Roseti, Ajeti), por me qëllim përforcimi e potencomi sjell edhe mendime të ngjashme të të tjerëve, pra përforcon hipotezën. Ka raste kur duke mbrojtur mendimet që aty shfaqen (A. Desnickaja) mbron edhe të vetat, kështu që (shpeshherë) përdor edhe mënyra indirekte komunikimi (Georgiev: Desnickaja: Çabej).

Ndodh që referuesit a diskutuesit Çabej t’ia pranojnë njërën anë të sqarimit të çështjes, por gjatë diskutimit Çabej jep sqarime edhe për pjesën tjetër (tek Bonfante). Diskutimi i tij shpeshherë është sqarues a mjaft diskursiv, pra edhe argumentues me elemente krijimtarie spontane të dala nga një situatë ad hoc; shumë diskutime të Çabejt u ngjajnë kumtesave të shkurtëra me rezultate të dukshme.

Bie në sy edhe realizimi gjuhësor, përkatësisht strukturimi formal e përmbajtësor për këtë lloj komunikimi shkencor. Toni dhe ritmi si dhe struktura e tekstit janë të stilit akademik dinjitoz (V. Georgiev: centracionist, kategorik, autoritar = Çabej: decentracionist, relativist, tolerant)[3].

Çabej në rrafshin preferencial përdor referenca të plota dhe joekuivoke dhe jo-intencionale, eviton struktura të tipit elokutor, si: them, kundërshtoj, heth (poshtë), korrigjoj e, në vend të tyre përdor modelet: më duket, mendoj, supozoj, saktësoj, etj.

Përdor veten e parë të shumësit për rezultate, suksese, kurse veten e I të njëjësit e përdor tepër rrallë që sugjeron modesti dhe vetpërgjegjësi. Në diskursin debatues të Çabejt më shpesh del veta e tretë e njëësit apo pavetësorja si forma objektive e depersonalizuese (Traimer, Ajeti).

Gati gjithherë emrat e individëve qofshin ata autorë të kumtesave, diskutues apo reflektues janë të paraprirë nga titujt, thirrje dhe struktura të tjera honorifike.

Në Diskursin debutues të Çabejt në Konferenca shkencore më së shpeshti hasën nocionet dëgjim, observim, mendim, pritje, dëshirë, urim, përgëzim, kurajim, pohim, saktësim, sqarim, plotësim, prurje, përzgjedhje, krahasim, argumentim, vlerësim, konkludim, të artikuluara me struktura verbale, rëndom në vetën e parë shumës, struktura këto që përbëjnë një lloj paradigme konceptuale ndërkomunikuese e vlerësuese shkencore.

Dhe për fund do të shtoja se shumë raste Çabej nuk i hesht as ngatërrimet (e që dalin me qëllim apo pa të) midis primarës e sekondarës, universales e partikulares, esenciales e formales, kreatives e improvizueses, shkencores e arbitrares, kompatibiles e inkompatibiles - kategori këto kundërvënëse akriologjikisht dhe epistemiologjikisht relevante.

   



[1] Me termin tubim shkencor nënkuptoj punën e organizuar dhe të programuar ku parashtrohen, idetë dhe rezultatet, si dhe përfaqësimin e të arriturave shkencore-hulumtuese personale, institucionele, por edhe kombëtare.

[2] E. Çabej, Diskutim në Kuvendin I të Studimeve ilire, mbajtur në Tiranë, në shtetor ’72.

[3] I krahasova këto personalitete ngase i takonin të njëjtës hapësirë (ballkanike, por lindje perëndim), të njëjtës moshë (1908) dhe të njëjtës shkollë (vieneze).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora