Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Astrit Lulushi: Taksë ndjeshmërie

| E enjte, 22.08.2019, 08:28 AM |


..taksë ndjeshmërie

Nga Astrit Lulushi

Pse njeriu e ka trurin kaq të madh? Përgjigjia mund të jetë e dukëshme. A nuk është truri një gjë e mirë? Jo domosdoshmërisht, sepse kërkon shumë energji, rreth 20 përqind të energjisë që përdorin muskujt, megjithëse zë vetëm 2 përqind të masës së trupit. Kjo është arsye pse evolucioni në përgjithësi ka shkaktuar më shumë trullosje, dhe pse më pak qenie e kanë trurin në këtë masë.

Disa e trajtojnë trurin si luks, e përdorin vetëm për t’u dukur. Disa lloje peshqish kanë mini-tru, që e përdorin në kërkim të ushqimit, por pasi ta kenë gjetur, nuk kanë më nevojë për një pajisje të tillë të kushtueshme, kështu që ...hanë trurin e vet. (Disa kanë bërë shaka, në mënyrë mizore, se kjo ngjan pak-a-shumë me rastin e akademikëve, që pasi arrijnë këtë shkallë, rrallë prodhojnë ndonjë vepër).

Sidoqoftë, truri i njeriut duket se e paguan çmimin; ai është i nevojshëm për të menaxhuar duar e këmbë, për të përpunuar imazhe, sepse imazhet gëlltisin fuqinë e trurit, ashtu si kompjuterët. Dhe më e rëndësishmja, falë trurit, njerëzit janë të shoqërueshëm; të jetuarit në grup disa e përdorin të fshihen a humbasin gjurmët, të paraqiten si viktima, ose të sigurojnë mbrojtjen. Presioni për të jetuar në grupe të mëdha u rrit, kur njeriu doli nga pyjet në terrene të hapura siç janë kullotat (sot, hapësira të ngjashme gjenden në FB) dhe filloi të konsumojë, krahas perimeve, edhe mishin, që nxit zhvillimin e trurit.

Për të jetuar me sukses me anëtarët e tjerë të grupit, atij (njeriut) i duhej të mbante nën kontroll marrëdhëniet që ndryshonin vazhdimisht midis familjes, miqve dhe armiqve. Kush është lart dhe kush është poshtë? Kush është miqësor dhe kush jo? Kush më ka borxh duhet të më përulet, dhe kujt i jam borxh? Këto janë detyra llogaritëse, kompleksiteti i të cilave rritet ndërsa grupi zgjerohet. Nëse ke vetëm 5 shtete fqinje, mund t’i bësh ballë; nëse ke më shumë, llogaritjet bëhen më të ndërlikuara, eksponenti rritet, dhe jo një-e-dy fajson të tjerët për të gjitha problemet që ke.

Për të jetuar në grup, njeriut i duhet gjithashtu një pasqyrë. Të mësuarit se si të mendosh e ndjesh mund të ketë qenë hap i rëndësishëm drejt vetëdijës, vetënjohjes dhe gjithçkaje që ndodh brenda vetes. Vëzhgimi i zhvillimit të shoqërive tregon se nëse këto llogaritje bëheshin gabim, njeriu do të ushqehej më keq, do të ishte më pak i mbrojtur, do të grindej më shpesh dhe do të pakësonte shanset për të qenë dhe patur fëmijë të shëndetshëm.

Pra, shoqërueshmëria, bashkëpunimi dhe fuqia e trurit duket se kanë evoluar së bashku që nga kohët më të lashta. Në fakt, ekziston një lidhje e afërt midis madhësisë së një kombi dhe madhësisë së trurit. Dhe duket se në të kaluarën, disa shoqëri u treguan të gatshme të paguanin edhe një detyrim më të lartë ndjeshmërie a entropie, taksën e trurit, për të qenë sot shoqëri më të zhvilluara e më të mëdha në numër.