E premte, 29.03.2024, 11:03 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: E vërteta mbi përmendoren ushtarake serbe në Tiranë dhe atë në Gajtan të Shkodrës

E merkure, 21.08.2019, 01:15 PM


E vërteta mbi përmendoren ushtarake serbe në Tiranë dhe atë në Gajtan të Shkodrës

Nga Kastriot Myftaraj

Është fjala për një kryq të gurtë me një mbishkrim në mes, që gjendet në varrezën ushtarake serbe në Tiranë. Të gjithë ata që e njohin Tiranën e dijnë se që nga koha e Luftës Ballkanase ka pasur në këtë qytet një varrezë të ushtarëve serbë, në një sector të varrezës civile të qytetit. Mbishkrimi përmban një shënim për batalionin e dytë të regjimentit të këmbësorisë të Brigadës së Dytë të Shumadisë, që pushtoi Tiranën dhe qëndroi atje në periudhën nëntor 1912-maj 1913. Sipas shënimit bëhet fjalë për 522 ushtarë të vrarë, emrat e disa prej të cilëve janë veçuar në mbishkrim.

Këta ushtarë serbë nuk janë vrarë në luftë me ushtrinë e rregullt osmane, e cila me përjashtim të Shkodrës u tërhoq me shpejtësi, në mënyrë të çrregullt në territorin shqiptar, me synimin për të shkuar afër Vlorës që të largohej me anije për në territorin osman. Tërheqjen e çrregullt dhe të shpejtë osmane e vërtetojnë dokumentet osmane, serbe, vëzhguesit e huaj, si dhe studimet që bëhen ende dhe sot për luftrat ballkanase të asaj kohe, nga studiuesit perëndimorë.

Ushtarët serbë të cilët gjenden në varrezën e Tiranës janë vrarë në luftë me popullsinë shqiptare vendase, e cila i bënte qëndresë pushtuesit të ri. Kur shihet shifra prej 522 ushtarë serbë të vrarë në Tiranë, duhet pasur parasysh se, sipas shifrave zyrtare serbe, në krejt Luftën e Parë Ballkanase Serbia humbi 5 000 ushtarë të vrarë, dhe 6,698 të vdekur nga sëmundjet. Shifra zyrtare serbë për të vrarët serbë në Betejën e Lumës, në 1912 është 198 ushtarë të vrarë. Them se kjo është e vërteta pasi Serbia kurrë nuk e ka fshehur numrin e ushtarëve të vrarë në luftë, madje e ka parë si tregues heroizmi dhe arsye për krenari. Gjithsesi, edhe 198 qofshin, nuk janë pak sepse në këtë betejë nuk pati asnjë forcë të organizuar ushtarake osmane, por vetëm vullnetarë shqiptarë vendas. Nëse do të ishin vrarë 198 ushtarë serbë në çdo zonë të Kosovës së sotme, të barabartë me Lumën, apo edhe në trojet e pushtuara nga serbët në jug dhe lindje të Sharrit, atëherë Vojska Serbe do të kishte pësuar një humbje të turpshme në Shqipëri.

Kur vetë serbët pohojnë se i kanë hapur 522 varre në Tiranë për ushtarët e vet, kjo tregon se janë pritur vendosmërisht me armë nga vendasit. Është një ato luftrat shqiptare që shkruesit e historisë i kanë harruar qëllimisht. Ka në histori pra dhe një Luftë të Tiranës kundër serbëve, në 1912, por që nuk është regjistruar se nuk e kanë kryer forcat e rregullta turke. Serbët u detyruan ta pohojnë me anë të varrezës së tyre.

Është një luftë që i nderon shqiptarët e Tiranës, të cilët në 26 nëntor 1912 kur serbët ishin pranë qytetit ngritën flamurin kombëtar shqiptar për të treguar identitetin e tyre para botës. Për ta kuptuar rëndësinë e asaj që ka ndodhur le të shohim ndonjë fragment dokumenti me rëndësi, si raporti i gjeneralit malazez Vukotiç në 3 nëntor 1912 për mbretin e tij ku thuhet:

“Pararoja serbe e kalorësisë pranon se nuk do të depërtonte kurrsesi në nahinë e Pejës, sikur Peja të mos na ishte dorëzuar neve. Po kjo pararojë konfirmon hyrjen e serbëve në Prizren në 17 [30] të këtij muaji (po atë ditë kur ne hymë këtu). Pararoja tregon se ushtria serbe e Zhivkoviqit s’pati nevojë të zbrazë askund pushkën, pos në Novi-Pazar, ku ishin dy batalione. Në Mitrovicë ajo as nuk ndeshi në ushtri (turke), as u shkrep ndo¬një pushkë kundër saj.”(Citohet sipas: Zekeria Cana, “Genocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913: dokumente”, Instituti Albanologjik, Prishtine 1996, f. 109.)

Meqënëse malazezët përdornin ende kalendarin e vjetër, atë julian, më sipër jepen dy data të hyrjes së serbëve në Prizren. Serbët hynë në Prizren më 30 tetor me kalendarin modern, Gregorian. Ushtria Serbe, në marshimin e saj për të dalë në bregdet, nuk ndeshi askund më tutje forcë ushtarake të organizuar shqiptare, përveç një qëndrese të dobët në Lezhë.

Një studiues bashkëkohor i luftrave ballkanase, Edward J. Erickson shkruan në librin e vet “Defeat in Detail: The Ottoman Army in the Bal¬kans, 1912-1913”:

“Armata e Tretë Serbe përparonte në dy vija qasjeje, njëra në veri direkt drejt detit dhe tjetra në jug drejt Elbasanit. Ana jugore e darës serbe lëvizte në vakuum për shkak të tërheqjes së forcave osmane. Serbët e morën Gjakovën në 22 nëntor dhe vazhduan të përparojnë drejt Dibrës. Ana veriore e darës serbe përparoi drejt qytetit bregdetar të Shëngjinit, i cili mbahej nga dy batalione të regjimentit 53 osman të këmbësorisë. Në orën 5:50 të mëngjesit të 14 nëntorit, serbët dhe malazezët mësynë me fuqi të mëdha (Divizioni i Drinës, i këmbësorisë serbe, brigada e tretë e këmbë¬sorisë malazeze dhe Detashmenti i Shumadijes i përbërë nga dy batalione). Serbët e morën Shëngjinin në një betejë të shpejtë mëngjesore, gjatë së cilës u vranë pjesa më e madhe e oficerëve osmanë... Regjimenti 53 i këmbësorisë filloi të tërhiqej kah Tirana. Situata vazhdoi të përkeqësohej derisa Mahmut Hajret Pasha mori njoftim në Manastir për disfatën shkatërrimtare në Shëngjin. Ai ishte urdhëruar që të mbante hapur një linjë tërheqjeje në Elbasan për Armatën e Vardarit, por për fat të keq ai tashmë e kishte lëshuar këtë pozicion në duart e serbëve që përparonin. Në 17 nëntor Mahmut Hajret Pasha i çoi fjalë Armatës Perëndimore se regjimentet e Divi¬zionit 21 të këmbësorisë po drejtoheshin në grupe të vogla kah Shkodra. Armata Lindore, në përgjigje i dha lajmin katastrofal se një forcë armike kishte marrë Shëngjinin, çka e izolonte Shkodrën nga pjesa tjetër e Shqipërisë.”( Edward J. Erickson, “Defeat in Detail: The Ottoman Army in the Bal¬kans, 1912-1913”. Greenwood publishing Group, London 2003, f. 205)

Edward J. Erickson shkruan për vazhdimin e ngjarjeve:

“Kalorësia dhe këmbësoria serbe tash filluan të dynden në rrugën e Tiranës. Mahmut Hajret Pasha tentoi të formojë një mbrojtje të improvizuar në Krujë, por u shty pas me shpejtësi. Ai dërgoi regjimentin 61 të këmbësorisë në portin e Durrësit, ndërsa regjimenti 63 tentonte të mbante Tiranën. Të dy regji¬mentet qenë tepër të dobëta për të përmbushur detyrat që u qenë ngarkuar. Serbët i morën të dy qytetet në 28 nëntor.”(po atje f. 205-206)

Është e qartë se 522 ushtarët serbë në Tiranë, nuk janë vrarë nga ushtria e rregullt osmane. U pëlqen ose jo serbëve, përmendorja e tyre në varrezën e Tiranës i shërben historisë sonë. Kur u kam thënë shqiptarëve të Kosovës se gjatë luftës ballkanase (1912-1913)në Tiranë janë vrarë shumë më tepër ushtarë serbë se në territorin e Kosovës së sotme, kanë qeshur, duke kërkuar prova. E pra, ja ku janë provat, shkruar me dorë serbe, në varrezën e Tiranës.

Problemi nuk është përmendorja e të vrarëve serbë në Tiranë, por problemi është se për nuk kemi një përmendore të luftëtarëve shqiptarë që i vranë këta serbë dhe u vranë në luftë me ta. Familjet tiranase i njohin emrat e paraardhësve të tyre të vrarë në luftë me serbët.

Sa për përmendoren serbe që po kërkohet të ngrihet në Gajtan të Shkodrës, kjo është një çështje tjetër. Deri më tani nuk është ngritur përmendore në të vërtetë, por vetëm një kryq i ngjashëm me atë të varrezës serbe në Tiranë, që ka si shënim një datë, 1912-1913, që tregon qëllimin se çfarë kërkohet të bëhet më tutje. Synimi është që në kryq të vendoset një mbishkrim si ai i kryqit të varrezës serbe të Tiranës. Dhe mos i ngatërroni malazezët, këtë lojë po e bëjnë serbët e Malit të Zi, të cilët nuk duan as ekzistencën e shtetit malazez të pavarur.

Shteti shqiptar ka marrë një qasje të gabuar në këtë çështjen e kryqit-përmendore të Shkodrës, duke bërë Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit një kallzim penal për “Nxitje të grindjes dhe urrejtjes” ndaj atyre që vendosën kryqin, një shoqate minoritare dhe priftit të një kishe serbe. Shqipëria është shtet laik ku feja është e ndarë nga shteti. Bashkësitë fetare kanë detyrim dha kanë marrë përsipër në marrëveshjet përkatëse me shtetin që të respektojnë këtë parim kushtetues. Bashkësitë fetare minoritare serbe dhe malazeze nuk bëjnë përjashtim. Ato nuk mund të marrin përsipër që të bëjnë funksionin e shteteve përkatëse. Prandaj kryqi i politizuar i Gajtanit duhet të shembet si çdo ndërtim pa leje.

Përmendoret për ngjarje ushtarake bëhen me marrëveshje ndërshtetërore qeveritare, ashtu siç ka ndodhur me përmendoren e vendosur në varrezën e Tiranës, në 1935, dhe jo nga OJF-t dhe klerikët. Pikësëpari identifikohet varreza e ushtarëve, nëse ekziston, pastaj ndërtohet një përmendore, nëse është e mundur dhe e nevojshme. Por këto i bëjnë shtetet. Nuk është rastësi që as shteti serb, as ai malazez, nuk kanë kërkuar deri më sot një përmendore për këto ushtri. Për më tepër, që në kohën kur ndodhi ngjarja, lufta, Serbia dhe Mali i Zi ishin shtete të pavarura dhe ashtu janë dhe sot. Nuk mund të ketë pra një përmendore të përbashkët për ushtarët e rënë të tyre, aq më tepër pa kërkesën e shteteve përkatëse.

Çështja e parë që ngrihet është se me kë kanë luftuar dhe janë vrarë këta ushtarë serbë në Gajtan, 15 km në lindje të frontit të luftës me Shkodrën e rrethuar? Sigurisht, jo me Ushtrinë e rregullt osmane që gjendej e ngujuar në qytet. Pra, kanë luftuar me popullsinë shqiptare që i priti si pushtues. Nëse shkruajnë në përmendore se janë vrarë nga shqiptarët, janë të mirëpritur.

Sa për nxitjen e urrejtjes, kjo është një çështje serioze sepse kryqi me shënim politiko-historik nxit vërtet urrejtjen. Nëse prokurori Ermir Lelçaj dhe gjyqtarja Izabela Radovani nuk e kuptojnë këtë, atëherë le të hapin fjalorin zyrtar të gjuhës shqipe për të parë kuptimin e fjalës urrejtje. Sipas fjalorit zyrtar të shqipes, fjala “urrejtje” ka kuptimin “ndjenjë e fortë armiqësie për dikë a diçka.”

Kur një OJF dhe një klerik ose disa klerikë ngrejnë një përmendore ushtarake kjo është nxitje e urrejtjes sepse ato ushtri kanë ardhur në Shqipëri për pushtim, në mënyrë të dhunshme, kanë ushtruar dhunë ndaj popullsisë shqiptare. Ato nuk kanë luftuar me Ushtrinë Osmane, e cila gjendej e rrethuar në Shkodër, 15 km larg, por janë vrarë në luftë me popullsinë vendase që u bëri qëndresë.

Nesër mund të ngrihen OJF shqiptare, të thonë se ndihen të kërcënuar nga këto veprime dhe t’ i bëjnë presion shtetit shqiptar që t’ i dëbojë këta minoritarë serbë që merren me këto gjëra.

Një shtet në të cilin një drejtori e specializuar policore, pra një pjesë e shtetit, shkon te një pjesë tjetër e shtetit (Prokuroria) për ta vënë në lëvizje që të veprojë për një çështje të tillë me rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare, dhe pastaj të dyja pjesët e shtetit në konflikt, shkojnë në një pjesë tjetër të tij që është gjykata, tregon joseriozitet dhe bëhet komik.

Në territorin shqiptar u ngulën varrezat ushtarake greke sepse Ushtria Greke erdhi këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ishte anëtare e koalicionit antifashist, ndërsa neve kishim në Tiranë një qeveri që i shpalli luftë SHBA dhe Britanisë së Madhe. Në marrëdhëniet ndërkombëtare kanë rëndësi qëndrimet zyrtare të atij që ka në dorë zyrat e shtetit, jo qëndrimet e atyre që enden maleve.

Por nuk kemi pse pranojmë gjëra për të cilat nuk na fajësojnë dot aspak. Aq më tepër nuk kemi pse pranojmë kërkesa si ajo turke për ngritjen e përmendores për dëshmorët islamikë të 15 korrikut erdoganist. Drejtoria e Antiterrorit ka detyrim që edhe për këtë të bëjë kallzim për nxitje të grindjes dhe urrejtjes.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora