E premte, 20.09.2019, 10:06 PM (GMT+1)

Komente

Florim Zeqa: Koalicionet e turpit si produkt i frikës e jo dëshirës për ndryshim!

E merkure, 21.08.2019, 11:32 AM


Koalicionet e turpit si produkt i frikës e jo dëshirës për ndryshim!

Shkruan Florim Zeqa

Askush në Kosovë nuk ka pritur që 20 vjet pas lufte të ushqehet me lugë të "artë", por askush nuk e ka menduar që 20 vjet pas luftës Kosova do të sundohej nga antivlerat, nga shqipfolësit, nga injorantët, gjysëm analfabetët dhe kusartët politikë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre.

Partitë politike dhe politikanët në përgjithësi i ndanë vetëm pushteti, ndërsa i bashkon korrupsioni, hajnia, krimi i organizuar dhe kontrabanda në këtë gjysëm shtet pa drejtësi dhe gjysëm liri pa të drejtë lëvizje të lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Qytetarët e lodhur nga varfëria dhe denigrimi social që ua shkaktoj klasa e politikanëve milionerë, me shpirtë të thyer dhe zemër të plagosur, janë duke i braktisur vatrat shekullore, me lot ndër sy janë duke e kërkuar shpëtimin sa më largë atdheut të tyre.

I madh dhe i vogël, i varfër dhe me gjendje mesatare ekonomike, pa e bërë asnjë përpjekje për ndryshim, janë duke e menduar vetëm ikjen sa më shpejtë e sa më largë nga Kosova, ndoshta për të mos u kthyer asnjëherë më në vendlindjen e tyre.

Si pasojë e zbrazjes në heshtje të Kosovës, shumë shpejtë do të ndodhë përgjysmimi i numrit të banorëve të Kosovës. Siq po shihet, ky është synimi dhe qëllimi i fundit i sundimtarëve aktualë, i këtyre mafiozëve politikë, oligarkëve dhe matrapazëve të të gjitha llojeve e ngjyrave, për të realizuar kështu më lehtë planet ogurzeza për ndarjen dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës sipas orekseve të fqinjëve tonë veriorë e jugorë, lindorë apo perëndimorë.

Partitë i ndanë pushteti i bashkon krimi i organizuar

Partite e kriminalizuara politike të frikësuara nga debakli në zgjedhje, koalicionet parazgjedhore i shohin si zgjidhje të vetme për të vazhduar sundimin dhe mbijetesën në skenën politike.

Në situatën e tanishme, për qytatarët e vendit të gjitha partitë politike  janë përafërsisht të njëjta, janë parti të dështuara në qeverisjen e vendit, të kriminalizuara dhe në shërbim të mafias dhe oligarkisë kriminale.

Në mungesë të një alternative të re dhe serioze politike, qytetarët edhe nga këto zgjedhje nuk presin që të ketë ndryshime substanciale, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion fiton, do të kemi vazhdim të keq-qeverisjes, përkatësisht sundim të krimit të organizuar në institucinet më të larta të shtetit.

Prandaj, me shkuarjen e vetme të partive në zgjedhje, do të matej forca reale e tyre. Vetëm matja e partive në popull e përcakton fuqinë reale politike të tyre dhe kredibilitetin e liderëve partiakë tek qytetarët e vendit.

Përderisa partitë e mëdha përmes koalicioneve synojnë mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit, partitë e vogla përmes koalicioneve parazgjedhore synojnë kalimin e pragut zgjedhor (prej 5 %).

Duke qenë se është kështu, 80 përqind e legjislatures së re do të mbetët e pandryshuar. Do t'i ndryshojnë vetëm vendet në ulëset e parlamentit dhe konfigurimi i tyre parlamentar.

Kësisoji, zgjedhjet e parakohshme, përveqse do të prodhojnë riciklim politik, do të jenë një sprovë e vetëdijes qytetare.

VETTING-u i pamjaftueshëm pa angazhimin e qytetarëve

Kjo situatë paradoksale e ka krijuar një imazh tejët negativ për shtetin e Kosovës, i cili aspiron anëtarësimin INTERPOL dhe organizatat tjera më prestigjioze siq janë BE dhe OKB.

Sa më shumë të zgjatë aplikimi i procesit të VETTING-ut në Kosovë, aq më e vështirë dhe e komplikuar do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në Kosovë e kapur nga mafia politike dhe oligarkët ekonomik, duhet aplikuar një sistem i zgjeruar dhe i kombinuar i VETTING-ut. Pasi në Kosovës nuk ka institucion shtetëror dhe publik që nuk është i korruptuar dhe i kriminalizuar deri në fyt.

Mirëpo sistemi politik dhe ai i drejtësisë, janë dy hallkat më rënduara nga krimi i organizuar, në të cilat kërkohet ndërhyrje urgjente, për t'i hapur rrugë VETTING-ut në fushat tjera.

Me zgjuarsinë e qytetarëve në procesin e parakohshëm zgjedhor, mund të bëhet një hap i madh i në pastrimin e skenës politike, si parakusht i domosdoshëm për pastrimin e sistemit të kalbur të drejtësisë.

Kosova nuk guxon të mbetët edhe më tutje një njollë e zezë në Ballkan shkaku i drejtësisë së kapur nga krimi i organizuar dhe mafio-politika.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen nga koka e jo nga bishti.

Qytetarët duhet të mobilizohen kundër kësaj klase politike dhe oligarkisë kriminale në përgjithësi, për shkak se këto janë të lidhura me njëra-tjetrën sikurse mishi me kocken.

Mbajtja e mëtutjeshme e kësaj klase politike në pushtet, rrezikon bankrotimin dhe zhbërjen fizike të shtetit të Kosovës. Zgjedhjet janë një mundësi e mirë, por jo e fundit për largimin e kusarëve politikë.

Koaliconet nuk po bëhen për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, por nga frika e humbjes së pushtetit, gjegjësisht nga frika e humbjes së mundësisë për marrjen e pushtetit.

Prej koalicioneve të turpit që bëhen nga frika dhe egoja për pushtet e jo dëshira për ndryshim, asnjëherë nuk do të kemi shkapje të shtetit, por vazdhimësi të kapjes së shtetit dhe ngulfatje të vullnetit të elektoratit për ndryshime.

Për dallim nga kafshët, njerëzit sa më shumë kanë, më të uritur bëhen!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT