E premte, 20.09.2019, 09:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Zymer Mehani

E marte, 20.08.2019, 07:42 AM


Zymer Mehani

Më trego, atdhe…

– Atdhe, trazimin tim a do të ma kuptosh?

Ne, a nuk jemi sot shpella të zbrazëta?

Po edhe ky shekull mos është njerka jote?

Vallë mos dhe kësaj here po i bëjmë “komplot” kësaj bote?

– Atdhe, a nuk e paguam me gjak këtë liri?

A mos u lindëm herët a ndoshta jemi vonuar?

Oh, mos ma dëgjo zërin tim se jam i dëshpëruar!

– Më trego, atdhe pse s’je i bashkuar?!….

Pse, atdhe dhe sot më je me sy të trishtuar?

– Edhe unë besova

Edhe unë lëngova

Por kurrë s’u dëshpërova

Nëpër flakë vrapova

Gjatë shekujsh t’neveritur

Por n’liri besova

U ktheva i kalitur.

Unë e di çfarë është pikëllimi dhe plaga

Unë e di çfarë është padrejtësia dhe ndarja

Por s’e di Evropa ç’është turpi a marrja!

Humbur e kam hapin n’rresht t’pafund t’marshimit

Se m’pat shkelur gjatë këmba e romanit, e latinit

Mandej edhe e turkut dhe e këtij katilit

Që u zhdorgj nga Karpatet n’truall t’Ilirikut

E prej rreshtit kam dalë ta kuptoj drejtimin.

Shekujt brutalisht janë lëshuar mbi mua

Në ballin tim kanë gdhendur, kanë pështyrë e damkuar

Por gjithmonë pata yje në qiellin tim të trazuar

Mirëpo besimi të mos nxitohet

Sepse Ribashkimi do të realizohet!

PËR KËTË TOKË

Gjyshi im ra

Për këtë Tokë

Dhe vëllai këtë Tokë

E mbrojti me kokë

Ah, dhe një shok

Për këtë Tokë ra

E mua t'mjerit

Një krah m'u tha

Edhe një motër

E mbrojti këtë votër

S'e lejoi hasmin

Këtu t'bëjë lodër

Për këtë Tokë

U flijuan shumë

-Në cilin front

Do të vdes unë?!!!

Dua...

Unë dua ta shoh Gjon Buzuk-Shqiptarin

Dhe dua ta pyes ku e shkroi “Mesharin”

Dua ta takoj edhe Pal Engjëll-Trimin

T’ma thotë me gojë t’vet “Formulën e pagëzimit”

Dhe Pjetër Bogdanin ta takoj unë dua

“Çetën e profetëve” ta pyes si e ka shkrua’

Pjetër Bud-vjershtorin dua ta takoj

T’më tregoj ai mua cili e tradhëtoi

Edhe Sami Frashërin dua që ta shoh

Për “BESËN” shqiptare diçka të më njohë

Bilbilin e Shqipes, Naimin e Madh

Dua ta takoj, se zemrën ma ngjall

Dua që ta pyes diçka për ATDHEUN,

Për LULET E VERËS dhe për SKËNDERBEUN

Me Filip Shirokën të takohem dua

T’m’njohë me “Dallëndyshen”, vallë ku ka shtegëtua’

Me Hil Mosin, miq, me këtë burrë shqiptari

Dua t’bisedoj, si duket tradhtari

Dëshiroj t’takohem edhe me Asdrenin

“Rreth flamurit t’përbashkuar” ta këndojmë refrenin

Edhe me Migjenin kisha dashtë të takohem

Por nuk pata fat se u dogj para kohe

Diku

Në ëndrrat e mia

Më mbeti në zemër

I bukur yti emër

Në të miat pritje

Imi mall për Ty

M’u bë poezi

Në tonat përqafime

Mori shqipja trime

U ndez zemra ime

Pak jam poet

Pak jam poet

Me zemrën si det

Herë përplot tallaze

Herë tejet i qetë

Kur t'më ngjiret zëri

Me timin varg flas

Kur shkelet butësia

Me maraz bërtas

Fjalë e besë kur thehen

Zemërohem, rrëmbehem

Dashuria kur shahet

Shpirti seç më vrahet

E bardha kur njolloset

Zemra më brengoset

I keqi kur prin

Gjaku n'dej më ngrin

Pëllumbat kur lodhen

Për ta fluturoj

Dëshmorët po t' harrohen

Për ta vjershëroj

Thur vargje për qiellin

Malet majelarta

Për mamanë n'kuzhinë

Me duar të arta

Për motrën mantelbardhë

Në t'detyrës nivel

Për Bilbil Bilbiloshin

T'vogëlushes kurdel

Të gjitha n' varg i kam

Se pak poet jam

Kosovë, atdheu im

U kruspullose,

U përdhose,

U dergje,

U dogje,

U bëre hi,

U preve,

U grive,

U shkrumbove,

Të nëpërkëmbën,

Të damkosën,

Të shtrinë,

Ttë grinë

Të njollosën,

Të gjakosën,

Të përgjakën,

Të përlloqën,

Të ranë,

Të shanë,

Por dot s’të vranë

U mbrojte

Me gjak zemrash,

Me duf çlirimtar,

Me grushta,

Me armë,

Me thikë e hanxhar

Për Ty u falën jetëra

U ujite me gjak

U ruajte me mundim

Kosovë-atdheu im

Të dua pa mbarim

LULËKUQET E KOSOVËS

(Përkushtim për heroinat)

Ju jeni mbretëreshat e luleve

Në fushat e mia

Harliseni me kokë drejt qiellit

Ju shtohet lavdia

Lulëkuqe ishit dhe jeni

Në kujtesë ju kemi

Gjaku Juaj s'venitet

Është dritë që kurrë s'fiket

Ju ratë për t'vërtetën

Kënga Jua pranveron jetën

N'histori të kombit keni mbetë

Jemi me Ju krenarë, o Shqipe me fletë

I LIGU

Punët e veta- llugë

E me t’huajat merret

Gjithkund e futë hundën

Prej agut, gjer t’erret

S’i shpëton asgjë

Pa e parë te tjetri

“T’i di lug’t në krojshe”

Siç ka thënë i vjetri

N’shpi t’vet s’ e sheh buallin

Te tjetri sheh mizën

E bën qimen tra

Rron me qësendismën

Nuk ka njerëzillëk

I paedukuar

Kurrë s’i pushon goja

Duke përgojuar

Për vëllanë flet keq

Për mikun dhe shokun

Trillon e gënjen

S’ta këputë konopin

Tërë ditën e çon

Duke u sorollatë

Se Zoti e ka falë

Me mendjen sakat

Me dorë asgjë s’prekë

Asnjë punë s’e kryen

Shpif edhe trillon

T’bardhën e përlyen

Këmbë e tij ku shkel

Tokës i rëndon

Ndërron njëqind f’tyra

Si kameleon

Gjuhë t’nëpërkës ka

Kudo therë me fjalë

S’e mendon të fundit

Të dalë ku të dalë

Dhe gjërat e huaja

Shpesh i përvetëson

N’xhepa t’huaj futë dorën-

Është i tij zakon

S’e thotë kurrë t’vërtetën

Gënjeshtrën ka shok

Bën e çfarë nuk bën

Dy gurë s’i lë tok

Mjerë sh’pia që e ka

Mjerë dhe tërë qyteti

Lanetër e djaj

E marrshin me veti

Nënë

Në zemër

Kujtimi për Ty-

Zjarr

Në sy

Portreti Yt-

Vegim

Në jetë

Dashuria jote-

Ngushëllim

Këndo

Me shushurimën e gjethit në mbrëmje

Dhe me gurgullimën e lumit në mëngjes këndo

Me përkëdheljen e lehtë të erës

Dhe në zbardhëllimin e agut, këndo, mos pusho

Edhe me plagë po të jesh në zemër

Dhe në vuajtje po të jetosh, kendo

Dhe në fytyrë kur nuk ke buzëqeshje

Edhe kur s'të këndohet, s'ka dorëzim, kendo

Këndo se njeriu është më i fortë se guri

Kështu thotë urtia ndër shekujt që kalojnë

Këndo dhe kurrë ti mos e ndal këngën

Gëzo ditët që vijnë se gjithmonë nuk jetojmë

Pa ty gjë s’jam

Në timen jetë,

Tuajat bebëza,

I pata diell

Dhe qiell pa re,

Ngjyra nylber.

Në çdo petale

Pata dëshirë

Tshkruaj tëndin emër,

S’mund të t’harroj,

T’kam ndryrë në zemër.

Në timin shpirt,

Në timen zemër

Dashuri mbolla,

Si rreze dielli,

Kaltërsi qielli.

Të t’puth në ballë,

O trëndafile,

Pata shumë mall,

Zemër të kam,

Pa Ty gjë s’jam!

ATA

(Armiqtë e kombit tim)

Plumbat binin mbi trupat tanë

Nga qejfi dhunonin

E nga mllefi këndonin

Bukën na e helmonin

Me gatë e motrat tona

Netët i dëshironin

Me fjalë na lëndonin

E me thika të prehta

Zemrat na i shponin

Kërko çfarë të duash

O vëlla,

kërko çfarë të duash!

Fjalë,

Besë,

Dashuri,

Shpresë !

Çfarë të duash,

vëlla kërko!

Respekt,

Nder,

Punë,

Vlerë!

Nëse je i pagjumë

Në krahë të përkund unë

I etur nëse je

Me lotë etjen unë ta deh

Dhe vetmi nëse ndjen

Për shok vargun tim e gjen

Gjithçka,

vëlla më kërko,

Veç kombin kurrë mos e moho

As atdheun mos e braktis

Mos i shërbe kurrë pabesisë

Këngëtari yt u bëra

Për ty, Atdhe, dashuria flakë yjesh

Dhe vargjet do t’i shkruaj në poezitë e pafund

Nëse s’kam letër, në bjeshkët tua do të shkruaj

E pena po të më mungojë, me eshtrat e bijve tu do të shkruaj

Poezi dhe vargje të gurëzuara

Dhe ngjyra e penës nëse do të më mungojë

Për ty, Atdhe i dashur, Diellit do t’i lutem

Që ngjyrën e tij të kuqërremtë mua t’ma dhurojë

Por vargjet për ty kurrë nuk do të shkëputen

Mbi kodra t’atdheut tim qielli seç përflaket

Një lot më shkëputet kur shoh epitafet

Për një dashuri të vlefshme sa jeta

Bij e bija ranë për këto troje e shkrepa

Unë poeti vetë i kredhur në mendime

E kujtoj t’kaluarën e kësaj Toke Trime

Sonte i mbylla të gjitha portat e vegimit

As muza t’mos më vijë t’më shpie drejt trishtimit

Atdhe, dua të vdes në Ditë të Ribashkimit

Për Ty, Atdhe i dashur pareshtur vargje shkruaj

Për vlerën e tëndit emër dashuri në zemër ruaj



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT