E diele, 17.11.2019, 01:22 PM (GMT)

Kulturë

Reshat Kripa: Vargje për shoqërinë

E hene, 19.08.2019, 09:59 AM


Vargje për shoqërinë

Nga Reshat Kripa

28   NËNTOR   1991

Kushtuar kremtimit te festës së pavarësisë

Njëzetetetë nëntori, ditë e rrallë  e vendit tonë,

E ka shkruar historinë, e ka shkruar përgjithmonë.

E ka shkruar në flamurin, në flamurin kuq e zi,

E përjetëshme do mbetet, do jetë nder për Shqipëri!

Por nëntor i këtij  viti, do të mbetet paharruar,

Vlora jonë e bukur trime, Vlora jonë e bekuar.

Me djemtë e saj si luanë, me bijtë e martirizuar,

Të burgosur, internuar, nga rregjimi i mallkuar.

Ky Xhemali dhe Fadili, * dy pishtarë të lirisë,

Hipur në shtiz të flamurit, grisën yllin  e  tradhtisë,

Të rrethuar nga policët, policët e  sigurimit,

Hoqën nga flamuri ynë, simbolin e komunizmit!

Ditën e festës së madhe, kryetari kuqalosh,**

Se ç’po ecte rëndë, rëndë, ecte fryrë si kaposh,

Po kujtonte ditëziu, kohën që kish perënduar,

Koha s’ishte më  e tija, frika kishte fluturuar.

Trimat që s’ishin përulur, s’ishin epur nga torturat,

Dolën para tij si diva dhe i thanë atij si burrat:

Mjaft flamurin  komunizmit, lart ia ngritët gjer tani,

Sot flamurin e Skënderit,  do ta ngremë ne në liri!

Ky Altini *** djalë azgan, ngre flamurin arbëror,

Turmë e tërë brohoret, kënga po ushton në kor.

Rrofsh moj Vlorë, Vlora jonë,Vlora jonë e krenarisë,

Përsërite dymbëdhjetën  i dhe dritë Shqipërisë!

Vlorë, nëntor 1991

*          Dy    rinj, Xhemal Mustafaraj     nga    Vlora,   ish     i     burgosur  politik   dhe

Fadil Ndreu   nga   Dibra,    lindur    dhe    rritur    në internim,   grisën    nga     flamuri    ylli e

komunizmit    dhe    e    dogjën       mënyrë        demostrative,    27  nëntor 1991.

**        Ish  Kryetari   socialist    i     Komitetit Ekzekutiv Pluralist të   Rrethit  Vlorë.

***                   Altin       Kokoshi,     shtatëmbëdhjetë  vjeçar,  nipi   i  Qazim Kokoshit, firmëtart

të aktit   të pavarësisë më 28 nëntor  1912

Mësuesve të mi

Seç po shfaqen para syve, plot me plagë dhe tortura,

Madhërisht në mendjen time, seç   lartohen ata  burra,

Që i kisha  nënë e babë, që i kisha miq dhe shokë ,

Që s’më lanë në errësirë, që më dhanë dritë e forcë.

I paçmuari doktor, ky Isufi ynë * i lartë,

Mendje ndritur i nderuar, ndriçon si një yll i artë,

Gjoni  dhe Patër Mëshkalla **, dy simbole të lirisë,

Dy titanë madhështorë, shërbëtor të Perëndisë.

Tahir Hoxha me Meçanë***, që përherë ishin në ballë,

Fjalë e tyre, fjalë e rëndë, ishin dy burra të rrallë,

Dhe i urti avokat****, oh, Xhevdeti orator,

Biri i qytetit plakë, një dishepull trimëror.

Por si mundem të harroj, si do mundem mos kujtoj,

Buzagazin dhe të urtin, atë burrë që më mësoi,

Gjakun dhe fisnikërinë, nderin edhe dashurinë,

Mikun tim të paharruar, Engjëllin*****zemër lirinë.

Ky vegim, vegim i rrallë, nëpër mendje më vërtitet,

Dhe imazhi shumë i lartë, kurrë nuk do të më shqitet,

Lapidar do ngrihen lart, lart në qiellin hyjnor,

Lavd dhe nder për atdheun, për atdheun arbëror.

Tiranë, shkurt 2001

*                      Doktor   Isuf   Hysenbegasi   nga    Starova    e  Pogradecit, simbol i vetmohimit..

**                   Gjon   Shllaku  dhe   Patër Mëshkalla  nga  Shkodra,   klerikë dhe studiues të shquar.

***                  I  pari  mësues  nga Tragjasi, i dyti Meçan Hoxha agronom  nga Velça e Vlorës.

****                 Xhevdet Kapshtica nga Korça, avokat i shquar i asaj kohe.

*****               Engjëll Kokoshi nga Vlora, miku im më i mirë.

DJALOSHIT  MIRDITOR

Kjo    poezi    i      kushtohet             djaloshit

shtatëmbëdhjetë    vjeçar        dha    jetën, një

natë janari    vitit 1955, i ngrirë në një shtyllë

telefoni,   i   lidhur  me  urdhër    operativit 

kampit  Bulqizë.

Ishte dimër, binte borë,

Cingërima thante sytë,

Lidhur hekurat  në dorë,

Të morën  të fundit frymë.

Nuk u qave, nuk vajtove,

Nuk kërkove  as mëshirë,

Si titan atje qëndrove,

Promete, njeri i lirë.

Ndjenim dhimbjen fare afër,

Kur morëm tënden mandatë,

Ah, o Zot, atë masakër,

Qysh durove  atë natë!

Ju, o kriminel mizorë,

Ju çerberë egërsie,

Si e vratë  atë të gjorë,

Yll i rrallë   djalërie?

Tiranë,  janar 2005

VELIUT

Kushtuar shokut tim Veli Premtaj

Prej qelisë kur u lirova, ndjeja veten të vetmuar,

Nga shokët e fëminisë, që qëndronin të  larguar,

Përmbi shpatullat e mia, hija e rëndë e mjerimit,

Porsi guri i Sizifit, rëndonte  mali  ndëshkimit.

Vallë s’kishin të mbaruar,  brengat e hallet  për mua,

Deri kur dënimi im, do më ndiqte prapa thua?

Nuk mjaftuan vuajtjet ferrit, brenda në kafaz i mbyllur,

Por dhe kur  isha i lirë, shpirtin ta mbaja të ndrydhur?

Krejt papritmas ti u shfaqe, si kalorës i shpëtimit,

Zemrën time  qetësove, me balsamin e shërimit,

Pranë meje ti qëndroje, nuk u ndave kurrë nga unë ,

E jetonim bashkë rininë, të dy bashkë shkonim në punë.

Por kur dielli  rilindi, errësira u shpërnda,

Dhe kur shpresat ngrohën zemrat, zemra jote ne na la,

Nuk durove dot lirinë, fluturove lart në re,

Fluturove lart në qiell, më nuk do të jesh  me ne.

Por do  mbetesh pa mbarim, jetë për jetë do të kujtohesh,

Si kujtim i  paharruar, asnjëherë s’do të harrohesh,

Fjala jote, fjalë burri, do të  mbetet thellë në zemër,

Fjalë e artë, fjalë hyjnore, fjalë e urtë, fjalë me emër.

Tiranë, maj 2005

SHOKUT     TIM

Kushtuar  shokut  tim    fëminisë  dhe burgut,

Jorgo Beshos, vdekur    Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jetën bashkë e filluam, ende kur ishim fëmi,

Bashkë luanim  sylla mbylla, nuk na trazonte njeri.

S’kishim halle as dhe brenga, luanim edhe këndonim,

Zërat seç buçisnin fortë, botën donim të pushtonim.

Vitet rrodhën porsi lumë, porsi lumë prej kristali,

Ëndrrat tona djaloshare, askërkush më nuk i ndali,

Ëndërruam dhe luftuam, për lirinë  e dëshëruar,

Së bashku me Myrtezanë, shokun tonë të paharruar.

Por përpara ish pantera, pantera e zezë mizore,

Që na grabiti rrëmbyshëm e na ndau nga jeta prore,

Na lëndoi, na sakatosi, na vërviti  mes të ferrit,

Ku  sundonin pa mëshirë,  tre gojët e  Luçiferrit.*

Zemra jote shumë e fortë, zemra jote shumë e zjarrtë,

U ngrit dhe kundër Zeusit, plot me flatra krah të artë,

Hape krahët fluturove, lart  në qiellin e nxirë,

Dhe e ndale vrullin tënd, atje në botën e lirë.

Por Atroposi**  mizore, nuk të la që të gëzoje,

Të shkëlqeje, të tregoje, aftësitë arbërore,

Kur arrite majë malit, kur  shpërtheve ti në jetë,

  preu fijen e jetës, të mbylli në  varr të shkretë.

Ike me zemër të plasur, për atdhe dhe për liri,

Për ato kishe luftuar, me plot zjarr në Shqipëri.

Ike pa i patur pranë, familjen dhe shoqërinë,

Larg në botën e lirë, që të rrëmbeu rininë.

Jorgo, shoku yn i dashur, Jorgo, shoku yn  i parë,

Përgjithmonë të kujtojmë, të kujtojmë ty  me mall,

Unë  bashkë me Myrtezanë, që të dy pleq të moshuar,

Shokun e rinisë nderojmë, shokun tonë të  paharruar..

Tiranë, prill 2006

*                   Sipas        Dantes         dikur         ishte    engjëlli    i    mrekullueshëm

    udhëhoqi kryengritjen kundër perëndisë.  Për    këtë    u   përzu

nga   qielli       thellësitë  e  tokës.  U shndrrua në djall  përbindësh

me tre  gojë  dhe u bë mbret i ferrit.

**        Sipas   mitologjisë   ishte   njëra   nga tre hyjneshat  e  jetës.    Lakezis

endte   fillin   e    jetës,   Klotoja  mblidhte  lëmshin   ndërsa  Atroposi

e  priste atë  fill

SIMBOLI   I   BURRËRISË

Kushtuar, Bujar Kaloshit, me  rastin  e

dhjetëvjetorit    vrasjes,  më 26  korrik 1996..

O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë,

Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?

Thellë në  zemër më goditën, më goditën në Tiranë,

Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.

Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,

Seç goditën zemrën  djalit, trimit tim të paharruar.

Dhjetë vjet kam që lëngoj, dhjetë vjet kam  që po  pres

Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë.

Si kushtrim buçet nga  larg, zëri djalit që ushton,

Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon.

Uturon nëpër shkrepa, zëri i djalit të ri,

Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!

S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,

Ato le t’i lemë prapa,  ato brezat le t’i nxënë,

Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot rehati,

Dua, dua drejtësi, të prehem në qetësi!

Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,

Biri yt ka fluturuar, lart në qiellin e amshuar!

Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,

Si simbol të burrërisë, përgjithmonë i paharruar!

Tiranë, korrik 2006

FOTOGRAFIA

Si kujtim një miku im ,

Me qëllimin mirëdashës,

Më tregoi fotografinë,

Kishin dalë shokët e klasës.

Bashkë me shoqet e mira,

Që u ndriste i bukuri sy,

U shkëlqente mirësia,

Vetëm unë s’isha aty.

Isha hedhur dhe degdisur,

Brenda rrathëve të ferrit,

Nga Minosi çakërdisur,

Ngado mbuluar prej territ.

Rri shikoj fotografinë,

Po dëgjoj rrahjet e zemrës.

Kush ma shkatërroi rininë?

Kush ma preu rrugën e jetës?

Doja dhe unë të jetoja,

Tok  me shoqe edhe shokë,

Doja dhe unë të gëzoja,

Por më ndanë nga kjo  botë.

Ndaj tani  këtu  qëndroj,

Thellë zhytur në mendime,

Si t’ia bëjë e të veproj,

Që t’i  heq  nga mendja ime?

Tiranë, tetor  2008

MALL…!

Strukur thellë në qoshen time, zog i mbyllur në kafaz,

Para syve shumë kujtime, zemra gati sa s’më plas.

Ç’po lëngon edhe vajton, kujton kohën e kaluar,

Ç’ke moj zemër që rënkon, ç’nostalgji të ka mbuluar?

O ju shokë të fëminisë, o ju shoqe lule mali,

Ju kujton zjarri rinisë, zemra duket sikur ndali.

Dhimon, Lilin, Shezaiun, Jorgon shokun tim të parë,

Kos’e vdekjes i përpiu, qetësisht prehen në varr.

Kujtoj Duron dhe Aliun, Luanin dhe Myrtezanë,

Këngën “Erëza malore“, përgjithmonë e kishte pranë

Me Minellën bisedoj, kujtoj kohën e kaluar,

Edhe Pipin e takoj, mendja më ka fluturuar.

Tek të mirat vajzat tona, Ana, Shazia dhe Vjoleta,

Ti, Aliqi dhe ti, Dona, ti, Zymbyle dhe ti, Vera,

Mbi të gjitha ndiej një mall, një mall që më robëron,

Oh, moj Neri, yll i rrallë, zemrën pse po ma copëton.

Qeshnim, qanim, ah, së toku, zhytur në ëndrrat qiellore,

Moshën e artë jetonim, moshën pa dallime prore.

Trrilli kohës ne na ndau, ca në jug, ca në veri

Na degdisi, na shpërndau, në kafaz dhe në liri.

Dhe tani që jam i thinjur, emrat tuaj i kujtoj,

Nuk e di pse zemra dridhur, po kërkon që t’ju takoj,

Nuk e di se çfarë besoni, nuk e di ku bëni pjesë,

Zemra ime ju kujton, po ju pret me gaz dhe shpresë.

Larg nga zhurmë e kësaj bote, le të mblidhemi tani,

Ndarjet le t’i flakim tutje, le të bëhemi  fëmi,

Ejani, po ju thërras, lozim, qeshim si aherë,

Pleqëria të pëlcasë, të rinj jemi kurdoherë.

Tiranë, tetor  2008

ERËZA   MALORE

Kushtuar shokut tim Myrteza Baboçit.

Kur të vegjël ishim, kur ishim fëmi,

Kur nuk kishim brenga, nuk ndjenim mërzi,

Zëri yt i bukur, zëri prej bilbili,

Zemrën na gëzonte, aromë trëndafili

Dhe ky zë i ëmbël plot me forcë ushtonte,

Qetësonte shpirtrat, zemrat i gëzonte,

“ Erëzën Malore “  bukur e  këndoje,

Edhe shpirtrat tanë na i ekzaltoje.

Por një ditë së bashku, mbyllur në kafaz,

Trupat plot me plagë, mbushur me maraz,

S’donim salltanete, kishim derte plot,

Donim veç lirinë, për të derdhnim lot.

Kampeve u endëm, duke ëndërruar,

Bashkë me dashurinë, lirinë shenjtëruar,

“ Erëza Malore “ prapë na mbajti gjallë,

I harronim brengat, s’ishim më në hall.

Tani që u plakëm, zëri përsëri,

Po ushton fuqishëm, si zë në rini,.

Zëri prej bilbili, zë prej kanarine,

“ Erëza Malore “, aromë trëndeline!

Tiranë, korrik  2009



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT