Mendime
Kastriot Myftaraj: Tyrbja Erdoganiste na zbuloi fytyrën e rrezikut të Islamit politik
E hene, 19.08.2019, 08:37 PM
Tyrbja Erdoganiste në Tiranë na zbuloi fytyrën e rrezikut të Islamit politik në Shqipëri
Nga Kastriot
Myftaraj
“Tyrbe”
është fjala më e saktë për atë që media në Shqipëri e quajti memoriali (fjala
shqipe është “përmendore”) turk i të vrarëve të 15 korrikut. Tyrbe quhet një
ngrehinë islamike për përkujtimin e një ose disa të vdekurve, e cila shpesh,
por jo gjithmonë, bart një varr. Kështu, në Fushë-Kosovë ka një tyrbe të
Sulltan Muratit I, por varri i tij nuk është atje, por në kryeqytetin osman të
kohës.
Nga
251 emrat e të vrarëqë që ka tyrbja e ngritur në Tiranë, veç 27%, përkatësisht
68 vetë janë policë dhe ushtarë. Saktësisht 62 policë dhe 6 ushtarë. 73%,
përkatësisht 183 vetë, janë civilë. Në çdo vend të botës demokratike, kur
nderohen të rënët nga një grusht shteti nuk përzihen bashkë të vrarët ushtarakë
dhe ata civilë, duke u quajtur të gjithë dëshmorë. (shehitë) Në çdo vend
demokratik të botës, dëshmorë quhen veç ushtarët dhe policët, ndërsa civilët
quhen viktima.
Pse
civilët turq të 15 korrikut dallonin nga ata të vendeve të tjera në rast
grushti shteti? Dallimi është se në Turqi civilët u ngritën për të luftuar në
mbrojtje të Erdoganit, me thirrjen e imamëve të 85 mijë xhamive të Turqisë,
nëpërmjet megafonëve të minareve. Duket se kjo ishte ushtria sekrete e
Erdoganit që përmbysi raportin e forcave. Ata që do të bëjnë grushtin e
ardhshëm të shtetit në Turqi, të kenë parasysh se duhet të neutralizojnë
megafonët e minareve të mbi 90 mijë xhamive të vendit, sa janë sot, duke u
prerë rrymën elektrike.
Turqia
është një vend ku 98% e popullsisë janë muslimanë, por në letër (Kushtetutë)
është një shtet laik, ku nuk fe zyrtare. Në 15 korrik 2016, Turqia u shfaq para
botës si një vend ku tashmë ishte instaluar në praktikë një regjim i Islamit
politik. Dhe bashkimi në një përmendore i emrave të të vrarëve të 15 korrikut
2016, qofshin ushtarakë, policë ose paramilitarëve islamikë është tregues i
qartë i instalimit të regjimit islamik në Turqi, duke u bërë Islami praktikisht
feja zyrtare e shtetit.
Tyrbja
erdoganiste e ngritur në Tiranë dhe reagimet e mosreagimet ndaj saj na zbuluan
fytyrën e vërtetë të rrezikut të Islamit politik dhe tekefundit të terrorizmit
islamik në Shqipëri. Ky rrezik nuk kufizohet aspak te mjekëroshët me veshje
arabe, sepse vetë Erdogani mban kostum dhe kravatë perëndimore. Nuk duhet të
presim as që rreziku të bartë atentate terroriste, së paku jo që në fillim.
Rreziku vjen edhe nëpërmjet institucioneve zyrtare shtetërore, qeverisë dhe
pushtetit vendor, të cilët përmbushin kërkesat antikushtetuese të Turqisë, për
shkak të interesave personale.
Debati
publik për tyrben zbuloi pa dashjen e tyre “kolonën e pestë” erdoganiste në
Shqipëri. Shumica, duke qenë njerëz që nuk rrinë pa reaguar në çështje të
debatueshme, u zbuluan me heshtjen e tyre. Këta nuk guxuan që ta marrin në
mbrojtje tyrben erdoganiste, por nuk mund të shpreheshin kundër saj. Kështu, u
zbuluan me heshtjen e tyre muslimanët praktikues Blendi Fevziu dhe Sokol Balla,
dy drejtues të emisioneve televizive politike të rëndësishme në Shqipëri.
Heshti edhe Ismail Kadareja, i cili më herët nuk i kishte kursyer kritikat ndaj
Turqisë. U bashkuan në heshtjen e tyre Ismail Kadareja dhe Rexhep Qosja.
Ndonjë
si Redi Shehu, që shfaqet në panelet televizive të Tiranës si musliman modern,
me kostum dhe kravatë, në një artikull në të përditshmen “Panorama”, e mbrojti
përmendoren (tyrben) erdoganist dhe u tall me kritikët e tij. Ngjarje të tilla
si vendosja e përmendores-tyrbe na shërbejnë për të zbuluar se cilët janë
erdoganistët, radikalët islamikë të fshehur, si ky Redi Shehu.
“Avokatët”
shqiptarë të përmendores-tyrbe thonë se ajo është një përmendore e të rënëve
për demokraci. Por asnjë vend i botës demokratike nuk e njeh 15 korrikun si një
ditë të rëndësishme në kalendarin historik të demokracisë botërore. Asnjë
kryeqytet I botës demokratike nuk ka vendosur një përmendore të tillë, as ka
emërtuar rrugë dhe sheshe në nder të “dëshmorëve të demokracisë” së kësaj dite,
siç ndodhi në Shqipëri një muaj më parë.
Tyrbja
erdoganiste është një tregues se ka një agjendë neo-otomane për Shqipërinë, e
cila është në zhvillim të plotë. Të tjerë kapituj të saj do të shfletohen për
t’ u zbatuar.