E enjte, 28.03.2024, 11:21 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Harresë e qëllimshme apo psikologji e robit!?

E diele, 18.08.2019, 01:21 PM


Harresë e qëllimshme apo psikologji e robit!?

Shkruan Florim Zeqa

Si pasojë e pushtimeve të gjata, psikologjia e robit po vazhdon edhe në ditët e sotme tek shqiptarët. Jemi i vetmi popull në botë që pajtohemi lehtësisht me të keqën dhe harrojmë shpejt të kaluarën.

Mjafton të përcjellësh me vëmendje vizitat që i bëjnë kryetarit të posaemëruar të LDK-së, pikërisht ata që deri para kuvendit të fundit dilnin hapur me kërkesën për ndryshime, gjegjësisht për largimin e Isa Mustafës nga kreu i LDK-së.

Harresat janë të llojeve e trajtave të ndryshme, secila prej tyre e kërkon një trajtim të veçantë mjekësor, por harresat e qëllimshme e kërkojnë një analizë më të thellë psiko-analitike.

Është normale të harrohet një e kaluar e largët historike, por nuk e kam të qartë sesi me aq lehtësi harrohet e kaluara e afërt disa vjeçare, mujore, javore e nganjëherë edhe ditore e njerëzve të politikës.

Kur e keqja bëhet e mirë brenda natës dhe anasjelltas, diçka nuk është në rregull me vetëdijen e njerëzve. Kthimi i dashurisë në urrejtje vjen si produkt i tradhtisë, por nuk e kam të qartë, nga cili produkt kthehet urrejtja në dashuri!?

Kthimi i urrjtjes në dashuri

Kthimin e urrejtjes në dashuri më së miri po na mëson Albin Kurti, edhe pse shumica e qytetarëve nuk e kuptojnë burimin e kësaj dashurie.

Takimi i tretë brenda pak muajve i Albin Kurtit me Isa Mustafën e shpërfaqi në mënyrën më të keqe harresën e qëllimshme të liderit të VV-së, përkatësisht harresën e një historie raportesh armiqësore me liderin e LDK-së.

Nuk dëshiroj të ndalem në historikun e zhvillimeve të së kaluarës së dy liderëve që po mundohen të kurorëzohen në një koalicion parazgjedhor, por që e kaluara e hidhur nuk po i pengon në qëllimin e tyre "fisnik".

E njëjta kauzë (e pushtetit) që i kishte ndarë në të kaluarën e afërt, sot po i bashkon dy personalitete me karaktere sa të ndryshme po aq kontraverse.

Edhe përkundër dëshirësh së dy liderëve (Kurti e Mustafa) për t'u bërë bashkë në një koalicion qeverisës për të "mirën" e shtetit, ka diçka që po i pengon!

Në këtë dashuri "para-festum" po e pengon ndarja e tortës qeveritare. Sikurse njëri, ashtu edhe tjetri e duan "zemrën" e pushtetit (kryeministrinë). Për fatin e keq të tyre dhe shumë liderëve tjerë partiakë, kjo zemër është një dhe e pa ndarë. Ah sikur posti i kryeministrit të ishte si shqiponja dykrenare, sa lehtë do të ishin bashkuar zemrat e politikanëve, pa pasur asgjë të përbashkët përveq kauzës për pushtet.

"Qershia e lagur" (Isa Mustafa) nga ajo kohë nuk ka ndryshuar, është ai që ishte, kryetarë i LDK-së dhe nënshkrues i Zajednicës, por jo edhe kryeministër i vendit.

E meqë (sipas Kurtit) Isa ("qershia e lagur") tani nuk është kryeministër, bën të hahet, por jo edhe presidenti Hashim Thaçi.

I keq është ai që mban pushtetin, ndërsa i mirë është (i keqi) që humbi pushtetin.

Në këtë rast, janë vetëm dy të vërteta; e para), Albin Kurti duhet t'i ketë kërkuar falje Isa Mustafës për të gjitha veprimet e deritanishme, ose e dyta), e ka vendosur të tradhtohet përseri nga ai!

Të vërtetë të tretë nuk ka. "Ujku qimen e ndërron, por zanatin se harron", thotë një fjalë e urtë popullore.

Përderisa politikanët i hanë i hanë "qershitë e lagura", qytetarët nuk i hanë ato.

Mashtrimi në emër të ndryshimit

Nuk ka gjë më të shëmtuar sesa shtrëmbërimi i realitetit dhe mashtrimi i qytetarëve me të pavërteta. Mbajtja në iluzione e qytetarëve për këto 11 vite nga klasa e papërgjegjshme politike, përveq me izolim ndërkombëtar, vendit i kushtoi edhe me humbje të pallogaritshme në fushën e zhvillimit ekonomik dhe diplomatik njëkohësisht, e cila rezultoi me tërheqje njohjesh, tkurrje territori dhe humbje të sovranitetit politik.

Ndodhi pikërisht kështu për shkak se klasa e kusarëve politikë standard të veprimeve të tyre e kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin e qytetarëve, vjedhjen dhe abuzimin e buxhetit të shtetit.

Sa e sa herë, në sa e sa palë zgjedhje janë mashtruar qytetarët e varfër të këtij në emër të ndryshimeve, në emër bashkimit të Mitrovicës, në emër të zhvillimit ekonomik, në emër të mbrojtjes së sovranitetit, në emër të liberalizimit të vizave,...në emër të gjithçkaje e të asgjëje!

Qytetarët e vendit më shumë do t'i besonin Albin Kurtit në kauzën e tij për ndryshime duke i hyrë i vetëm me VV-në në garën për pushtet, sesa duke tentuar për t'u bërë bashkë me kapësit e shtetit.

Për aq sa është fajtor Hashim Thaçi për kapjen dhe rrënimin e shtetit, aq është fajtor edhe Isa Mustafa me klanin e tij. Që të dy nënshkruan marrëveshje të dëmshme për vendin (Zajednicën), që të dy urdhëruan deputetët për votimin e Gjykatës Speciale dhe Demarkacionit me Malin e Zi , që të dy  punësuan familjarë dhe militant partiakë në isntitucione shtetërore, borde dhe agjenci zhvatëse të qytetarëve, që të dy janë milionerë dhe karrierist të papërmirësueshëm.

Të gjitha këto që i ceka më sipër dhe më shumë se kaq i dinë fare mirë Albin Kurti për Isa Mustafën. E kuptoj dëshirën dhe qëllimin e Albin Kurtit për marrjen e pushtetit, por jo edhe ndryshimin që mund të sjellë një koalicion me kapësit dhe rrënuesit e deridjeshëm të shtetit.

Koalicioni LVV-LDK do të kishte kuptimin dhe peshën e duhur, sikur nga Kuvendi i IX-të Zgjedhor, LDK-ja të dilte e reformuar dhe ndryshuar në kuptimin e plotë të fjalës, por jo ashtu siq ishte më parë, e bunkerizuar pas liderit diktatorial të partisë.

Secili politikan që përpiqet të bëjë ndryshimin në këtë vend, duke u bërë bashk me kapësit e shtetit, me hajdutët dhe zhvatësit e qytetarëve nuk mund ta bëjë shtetin, përkundrazi  do të dali edhe më i lagur dhe më i zi se ta.

Dorën që nuk munden ta thyejnë dje, sot po e puthin një nga një!

Po i kthehem edhe një herë fillimit të shkrimit. Zërat kritik që ishin në LDK para kuvendit të ashtuquajtur zgjedhor, janë kthyer nga zëra vajtues në zëra të ëmbël e këndues sikurse zëri i "knusit n'pleh".

Ky është "progresi" i arritur në LDK, që të kujton psikologjinë e robit. Dorën që nuk munden ta thyejnë dje, sot po e puthin një nga një!

Me këtë çasje robëruese e nënshtruese do të vazhdoj sundimi i LDK-së nga klani puçist deri në rrënimin e plotë saj, sikurse që do të vazhdoj kapja e institucioneve nga uzurpatorët deri në bankrotimin final të shtetit.

Mbajtja e mëtutjeshme e kësaj klase politike në pushtet, rrezikon bankrotimin dhe zhbërjen fizike të shtetit të Kosovës.

Zgjedhjet janë një mundësi e mirë, por jo e mjaftueshme për largimin e kusarëve politikë nga pushteti. Populli e do ndryshimin e jo riciklimin e figurave politike.

E vetmja shpresë e vogël e  qytetarëve të dëshpruar është ngjizja e një nisme të re politike nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta ç'rrënjosur në themel të keqën që ka mbërthyer vendin tonë  për këto 11 vjet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora