E enjte, 28.03.2024, 11:47 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Dasmat glamuroze dhe varfëria shpirtërore

E diele, 18.08.2019, 04:57 PM


DASMAT GLAMUROZE DHE VARFËRIA SHPIRTËRORE

Nga Xhelal Zejneli

Për ceremonitë gazmore siç janë dasmat, kudo në hapësirat shqiptare shpenzohen shuma të mëdha parash. Dikur, një dasmë apo ceremoni martesore ka zgjatur një javë, në mos dhe më tepër. Në kohën e sotme ceremonitë martesore zgjasin më pak se një javë. Por, ka raste kur edhe sot dasmat zgjasin plot shtatë ditë. Disa zakone shuhen, por në përputhje me trendin, lindin adete të reja. Zhvillimi i shoqërisë, rritja e bazës materiale, ngritja e nivelit të emancipimit, arsimimi, ngritja e vetëdijes, mënyra urbane e jetesës, integrimi në jetën sociale apo rritja e punësisë determinojnë edhe mënyrën e organizimit të ceremonive martesore. Si dikur, ashtu edhe sot, për ceremonitë martesore në botën shqiptare bëhen harxhime të konsiderueshme. Ka familje që për martesën e djalit, përgatiten një kohë të gjatë, në mos dhe me vite.

Dasmat ndër shqiptarë organizohen kryesisht në muajt e verës. Në këtë kohë kthehen në vendlindje shqiptarët që punojnë dhe që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Perëndimit. Me një fjalë, kthehen kurbetçinjtë. Përkundër faktit se numri salloneve të dasmave shtohet dita-ditës, megjithëkëtë në hapësira të caktuara shqiptare, për të bërë dasmë në muajt e verës, sallonin duhet ta rezervosh disa muaj para, për të mos thënë - një vit para. Shpenzimet e sallonit të dasmës ndërlidhen me numrin e të ftuarve si dhe me cilësinë dhe sasinë e ushqimit që do të konsumohet. Numri i të ftuarve në dasmë lëviz prej 200 mysafirësh deri në 300 sish. Ka dasma që bëhen edhe me 100-120 vetë, sikundër që ka të tilla ku ftohen edhe mbi 300 vetë, varësisht nga baza materiale e dasmorit. Dikur dasmat janë bërë nëpër oborret e shtëpive. Raste të tilla sot nuk ka apo ka shumë pak. Dikur dasmat janë bërë duke u ndarë burrat veç dhe gratë veç, ndërsa sot, shumë dasma bëhen bashkërisht, d.m.th. gra e burra bashkë. Megjithëkëtë, edhe sot, në vise të caktuara shqiptare një numër i konsiderueshëm i dasmave bëhen ndaras, pra burrat veç dhe gratë veç. Ushqimi për person në një sallon dasme kushton rreth 15 euro. Kuptohet, ushqimi për person mund të kushtojë edhe më tepër se kaq dhe kjo varet nga fuqia materiale dhe financiare e dasmorit. Dikur njerëzit janë ftuar në dasmë nëpërmjet grishëses (grishatores). Sot ndërkaq, në saje të teknologjisë, kjo praktikë është eliminuar. Në dhjetëvjeçarët e fundit, njerëzit thirren në dasmë nëpërmjet ftesave përkatëse. Ftesat e sipërthëna paraqesin shpenzim shtesë për zotin e dasmës.

S’ka dasmë pa muzikë. Për dasmën e muajve të verës, edhe grupin muzikor duhet ta rezervosh disa muaj para. Në dasmat shqiptare, çmimi i grupit muzikor lëviz prej 1200 euro deri në 3000 euro. Në shumë raste, ky çmim arrin edhe 4000 apo 5ooo euro, në mos dhe më shumë. Çmimi i muzikës varet prej renomesë së grupit muzikor. Sa më i afirmuar të jetë këngëtari apo grupi muzikor, aq më i lartë është edhe çmimi. Në shumë raste, një grup muzikor ka në kuadrin e vet dy e më tepër këngëtarë. Sa më i madh të jetë numri i performuesve aq më i lartë është edhe çmimi i grupit. Ka dasma ku dasmori angazhon edhe pjesë të shoqërive kulturore-artistike me një program vallesh popullore në kohëzgjatje prej rreth 30 minutave. Tani shpenzimet e muzikës të këtij dasmori - shtohen. Në shumë dasma, pjesë e ceremonisë janë edhe lodrat. Gjatë një dasme, lodrat angazhohen dy-tri herë: kur krushqit nisen për ta marrë nusen, kur e sjellin nusen në shtëpinë e dhëndrit dhe në sallonin ku zhvillohet ceremonia qendrore. Lodrat vijnë në sallon rreth orës 23, ndërsa performanca e tyre zgjat 30 deri në 45 minuta. Edhe lodrat paraqesin shpenzim shtesë për dasmorin.

Gjatë ceremonisë qendrore që realizohet në sallon, rëndom janë të angazhuar një apo dy fotografues. Detyra e tyre është të fotografojnë kryesisht të afërmit e dhëndrit dhe të nuses, por edhe pjesëmarrësit e tjerë në dasmë. Edhe këto shpenzime përballohen kryesisht prej familjes së dhëndrit. Në dekadat e fundit dasmat xhirohen edhe me kamera. Vitet e fundit dasmat xhirohen  me kamera speciale që kanë kapacitet më të madh xhirimi. Kuptohet, edhe kamerat s’vijnë pa para. Çdo gjë e ka çmimin e vet.

Kah ora një pas mesnate, mysafirët e dasmës fillojnë të derdhen, të shkojnë. Mbeten vetëm të afërmit e dhëndrit. Për ta, kah ora 2.30 pas mesnate pritet një tortë e madhe e stolisur. Torta pritet disi në mënyrë ceremoniale, por pak kush e provon atë. Edhe torta s’është që s’kushton. Pak nga pak, shpenzimet mblidhen e shtohen.

Në dasmë nuk shkohet me rroba apo me tesha të përdorura. Natyrshëm, dhëndri do t’i ketë rrobat e dhëndërisë. Por, rroba e tesha do të blejnë edhe anëtarët e tjerë të familjes së dhëndrit, i madh e vogël. Shpenzime të konsiderueshme për familjen e dhëndrit paraqesin sidomos veshjet e grave. Në shumë raste, gratë e familjes së dhëndrit nuk blejnë vetëm një palë rroba, por më shumë se kaq. Në dasmat shqiptare, gratë e familjes së dhëndrit apo të rrethit të afërt të tij, gjatë ceremonisë së dasmës që zhvillohet në sallon, ndërrohen dy-tri herë. Me një fjalë, i ndërrojnë veshjet apo fustanet për të veshur të tjera. Një mençuri të këtillë, burrat nuk e praktikojnë. Dikur kur i zoti i dasmës e ka martuar të birin, u ka qepur apo u ka blerë rroba, fustane e dimi edhe bijave të martuara, hallave të dhëndrit, xhaxheshës, mbesave etj. Ndonëse në shuarje e sipër, në zona të caktuara ky zakon praktikohet edhe sot.

Në kohën e sotme, dasmat nuk zgjasin një javë, sa kanë zgjatur dikur, por vetëm dy apo tri ditë. Në ditën e parë të dasmës dasmorja i fton në dasmë gratë të cilat nuk shkojnë në sallonin ku mbahet ceremonia qendrore. Kjo pjesë e dasmës mbahet në një sallon me kapacitet më të vogël. Ceremonia përcillet po ashtu me muzikë. Ka raste kur dasmorja këtë ceremoni e realizon në oborrin e shtëpisë, kuptohet të përcjellë me muzikë. Ushqimin për të ftuarit e porosit te gjellëbërësit publikë. Askush më nuk qëron drithë, nuk gatuan në shtëpi, si dikur.

Ditën e dytë pason ceremonia qendrore që mbahet në sallon, ndërsa të tretën ditë dasmori i fton burrat, kryesisht të moshuar, të cilët nuk planifikohen për në sallon. Në këtë ceremoni të ditës së tretë merr pjesë edhe kleriku i zonës, kështu që ajo përshkohet edhe me një lutje fetare. Kuptohet, të ftuarve u shtrohet ushqim.

Pjesë e shpenzimeve të dasmës është edhe grymimi i grave të familjes së dhëndrit si dhe rregullimi i flokëve të tyre. Në muajt e dasmave, për grymim dhe për rregullimin e frizurave, gratë duhet të caktojnë termin te floktarja. Me fjalë të tjera, duhet të akordohen me të, një apo dy ditë para. Si çdo gjë, ashtu edhe grymi dhe rregullimi i flokëve e kanë çmimin e vet.

Pjesë e shpenzimeve të dasmës janë dhuratat që i këmbejnë miqtë e ri. Familja e dhëndrit u dërgon peshqeshe anëtarëve të familjes së nuses dhe të afërmeve të saj, ndërsa ana e nuses – rrethit të ngushtë dhe të gjerë të dhëndrit. Me përjashtime të caktuara, ky zakon praktikohet edhe sot. S’ka dyshim se këto dhurata e kanë çmimin e vet. Dikur dhuratat i kanë dërguara me mbështjellje më të thjeshtë, ndërkaq sot, kundrejt një pagese,  paketohen dhe stolisen në shërbimet të specializuara për këtë punë.

Shpenzime dasme ka edhe familja e nuses. Dikur vajzat vite me radhë e kanë përgatitur prikën e nusërisë. Sot kjo traditë është në shuarje e sipër. Askush nuk qepën dhe nuk blen 10 ose 20 fustane e më tepër, ngase me kalimin e kohës ato dalin prej mode. Pjesë e ceremonisë martesore është edhe nata e kanës të cilën e organizon ana e nuses. Kjo ceremoni mbahet në ndonjë sallon. Nusja e fton farefisin e vet të cilave u shtrohet edhe ushqim. Numri lëviz prej 100 deri 300 vetë. Nga ana e dhëndrit vijnë rreth 50 gra të cilat pasi ia vënë kanën nuses - largohen. Edhe këtu ka muzikë. Kohët e fundit, në saje të filmave amerikanë, krahas kanës, vajza që shkon nuse organizon me rrethin e ngushtë të saj – bachelorette. Ky banket i beqarisë, i përcjellë me ushqim dhe me muzikë, mbahet disi më larg syve të botës.

Një numër të ftuarish, diku rreth 60-70 vetë, të anës së nuses marrin pjesë në ceremoninë qendrore që mbahet në sallon, bashkë me të ftuarit e anës së dhëndrit. Shpenzimet e pjesëmarrjes së tyre mbulohen nga ana e nuses, por shpesh ndodh që t’i mbulojë ana e dhëndrit. Varësisht nga baza materiale, numri i të ftuarve nga ana e nuses mund të jetë edhe më i madh. Edhe përballimi i shpenzimeve ndërlidhet me fuqinë financiare të palëve.

Nuk duhet harruar se gjatë dasmave shpenzime kanë edhe të ftuarit në to. Në dasmë nuk shkohet duar thatë. Çdo i ftuar sjell një dhuratë. Vitet e fundit praktikohet dhënia e parave - 15 euro e përpjetë, varësisht nga fuqia financiare si dhe nga afria e të ftuarit me çiftin e ri. Përpos shpenzimeve për dhuratat, të ftuarit në dasmë, sidomos gratë, kanë edhe harxhime të tjera - blejnë për vete rroba të reja, edhe pse ato “të vjetrat” i kanë shumë më të mira.

*   *   *

Fustani i bardhë i nuses kushton prej 300 deri në 1000 euro. Ka të tillë që kushtojnë edhe më tepër se kaq. Në një botë në të cilën sundon materialja çmimet s’kanë kufi. Fustani i bardhë nuk blihet në qytezën e çiftit të ri. Për të shkohet më larg. Madje kalohet edhe kufiri. Sa më larg, aq më me nam. Ndryshe është kur t’i thuash hallës: E kam blerë në kasabanë tonë, dhe krejt ndryshe është kur i thua se ke kaluar lumenj e dete. Këtë fustan nusja e re, gjatë gjithë jetës së saj do ta vesh vetëm disa herë, në mos vetëm një herë. Grymi i nuses dhe frizura e saj, kundrejt një çmimi të caktuar, bëhet te floktarja që është e specializuar për përgatitjen e nuseve. Vetura me të cilën e marrin nusen stoliste në shërbimin, të specializuar për këtë punë. Ka raste kur në botën shqiptare nusen e marrin edhe me helikopter. Në këtë mjet fluturimi për ulixhen s’ka vend. Në të shkuarën nusen e kanë marrë me kalë shalë apo me pajton. Shpenzime të konsiderueshme për shtëpinë e dhëndrit paraqesin stolitë prej ari të nuses. Vitet e fundit kjo traditë apo ky zakon jep shenja reduktimi. Për rrethanat e shoqërisë shqiptare çmimi i arit në treg është tejet i lartë. Si rrjedhojë, për shumëkënd është i papërballueshëm. Por, ata që kanë forcë të madhe financiare, sot e kësaj dite e mbulojnë gjoksin e nuses me flori, duke ia rënduar edhe qafën. Dikur nuses i kanë dërguar një numër të konsiderueshëm fustanesh, ndërsa sot ky numër shënon rënie. Fustani i qepur sot, nesër bëhet demode. Në njëfarë mënyre demode janë duke u bërë edhe stolitë prej ari. Ka gra të cilat përdorin bizhuteri. Nuses i qepen edhe dimi. Edhe pse tregojnë shenja të daljes nga moda, dimitë e punuara me fije të praruara, d.m.th. me sërma, sot e gjithë ditën vazhdojnë të jenë në përdorim. Këto dimi kushtojnë 1500 euro. Po kaq kushtojnë edhe kaftanat. Gjithsej 3000 euro. Për kushtet e këtij populli me perspektivë të zymtë këto janë çmime astronomike. Për këtë popull që zë ndër vendet e para në botë me tendencën e shpërnguljes, këto shuma janë absurde. Për këtë popull që s’ka industri dhe ekonomi këto shpenzime janë të tepërta. Nuset e sotme, me shkollë dhe të punësuara, gjatë gjithë jetës së tyre dimitë e sipërthëna i veshin fare pak, për të mos thënë aspak. Shpenzimet ndërkaq - bëhen. Kështu mblidhen e bëhen tri-katër palë dimi. Është paradoksale që një vajzë e cila hiqet e arsimuar dhe e emancipuar, të rendë pas do zakoneve, adeteve dhe dokeve që janë anakronike dhe në perëndim e sipër. O kohë, o zakone! Në një anë thotë se është moderne, e në anën tjetër ngulmon për vlerat që janë relikte të së shkuarës! Ka edhe raste kur miku i çon fjalë mikut se dasma s’bëhet dot pa stoli ari, pa sallon dasme, pa muzika.

Në natën e mbylljes së çiftit të ri, vajzat e familjes së dhëndrit, të fisit dhe të lagjes, diku rreth 15 sosh organizojnë arifane. Fatmirësisht, dasmorit kjo s’i kushton gjë. Paratë e arifanes, d.m.th. të darkës, këto vajza i fitojnë vetë. Një natë para, në orët e vona të natës ato shkojnë me dajre nëpër shtëpitë e farefisit të dhëndrit për të kërkuar pulë. Kthehen në shtëpinë e dhëndrit pas mesnate. Dajesha apo xhixha pulën e ka zënë qysh ditën. Ajo që s’mban pula të gjalla, u jep pulë të blerë në tregtizë. Dikush u jep para, prej 500 deri 1000 denarë (rreth 10 deri 15 euro). Ky adet është në perëndim e sipër, por aty-këtu praktikohet ende.

Nja dy ditë pas dasmës, ato të nuses vijnë në shtëpi të dhëndrit me dhurata e peshqeshe. Sjellin ëmbëlsira, bakllava, torta, stoli ari, aparate elektrike, pajisje teknike, rroba etj. Nëse ndër ta ka edhe fëmijë, atëherë e ëma e dhëndrit u jep atyre para - 10 deri 20 euro e përpjetë. Ky zakon është në zhdukje e sipër, por në zona të caktuara akoma jeton.

Disa prej zakoneve të lartpërmendura janë ndikime të huaja. Kuptohet, zakonet, doket dhe traditat nuk janë të njëjta në çdo cep të botës shqiptare.

Nja dy ditë pas natës së dasmës, nusja e fshin lamën. Këtu për të zotin e dasmës nuk ka shpenzime. Një prej grave të farefisit të dhëndrit i imiton anëtarët e familjes së nuses apo të afërmit e saj. Bëhet si nëna e saj, si babai, i vëllai, si daja etj. Edhe këtë lloj humori është duke e shkelur koha.

Pjesë e dasmës është edhe ajo që quhet muaji i mjaltit. Çifti i ri shkon në shëtitje njëjavore apo edhe më tepër. Bijtë e oligarkëve, të pushtetarëve apo të politikanëve shkojnë deri në Amerikë. Dasma ende s’ka përfunduar. Pason darkëçika, d.m.th. zijafeti. Kjo darkë solemne mbahet në ndonjë restorant ku organizohen ceremoni të tilla. Ana e nuses e fton familjen e dhëndrit dhe të afërmit e tij. Mblidhen rreth 30 deri 40 vetë. Pas kësaj edhe ana e dhëndrit i fton ato të nuses. Dikur janë bërë dy zijafete. Sot rrallëkush i bën dy. Tani bëhet kryesisht një zijafet, për të mos thënë asnjë. Dikur miqtë e ri s’janë njohur sa duhet, ndaj nëpërmjet zijafeteve kanë vendosur kontakte në funksion të njohjes së njëri-tjetrit. Të rinjtë sot dhe familjarët e tyre, në saje të teknologjisë janë në kontakt të vazhdueshëm. Njerëzit s’kanë shumë kohë të merren me ceremoni të tilla, i kanë  punët e veta, ndërsa kurbetçinjtë kthehen nga kanë ardhur.

*   *   *

Një familje shqiptare harxhon për dasmë energji të konsiderueshme. Fëmijët e oligarkëve, të politikanëve dhe të pushtetarëve shpenzimet e një dasme s’i ndjenë fare. Edhe kurbetçinjtë ia dalin lehtë. Disa të rinjve u duhet të shkojnë për të punuar në Irak, në Afganistan apo në ndonjë vend të Afrikës. Për ta martuar djalin dikush e shet edhe arën. Pare për dasmë s’të jep kush. As vëllai. S’ke si ia kthen. Për dasmë dikush merr edhe kredi në shumë prej 5000 deri në 10.000 euro. Kredi me kamatë. Derisa ta kthejë kredinë heq të zitë e ullirit. Pastaj nuk është vetëm dasma. Ndokush ka nevojë ta meremetojë edhe shtëpinë. Dasmë të bësh apo shtëpinë ta meremetosh?! Ka të tillë që janë martuar pa dasmë dhe asgjë s’i ka gjetur. Dasmë po, por në suaza racionale. Harmoninë nuk e siguron dot dasma. Thelbi i harmonisë është dashuria dhe jo sallonet, tupanët, peshqeshet, helikopterët apo muaji i mjaltit përtej detit. Kuptimi i jetës qëndron në veprimin e pandërprerë të dy të rinjve për ta ndryshuar realitetin dhe për ta bërë atë më të njerëzishme. Të rinjtë duhet të jenë më praktikë dhe më pragmatikë. Në këtë kohë krize duhet parë atë që është funksionale. Ka të rinj të cilët, duke trashëguar bazë materiale nga gjyshër e prindër, jetën e gjejnë të gatshme. Por pjesa më e madhe e rinisë shqiptare jetën duhet ta ndërtojnë vetë, me mundin dhe me djersën e vet. Dasmat glamuroze janë privilegj i një pjese të vogël të shoqërisë. Shumë prej tyre janë snobë të cilët nëpërmjet një ceremonie plot salltanet, synojnë promovimin shoqëror. Dasmat e kushtueshme, për një popull që ende nuk e ka kaluar fazën e konsolidimit kombëtar dëshmojnë për varfërinë shpirtërore të shoqërisë. Për këtë popull, të tillat ceremoni duhet të jenë punë dytësore dhe sporadike. Vlerë e dorës së parë për të rinjtë është krijimi i familjes. Madje, krijimi i familjes në kohë të duhur. Jeta është e bukur, jo kur begatinë e gjen të gatshme, por kur atë e krijon me duart e tua. Askush në histori s’ka krijuar dot pasuri marramendëse pa bërë veprime të panjerëzishme.

S’ka dyshim se dasmat nëpër provinca kanë edhe karakter gare. Me dasmë të madhe dasmori demonstron edhe forcën materiale të vet si dhe statusin social. Aty ku është nëpërkëmbur dhe është përmbysur sistemi i vlerave, askush nuk pyet për mënyrën e pasurimit të një oligarku, të një pushtetari apo të një politikani.

Të rinjtë e sotëm duhet ta dinë se dashuria, krijimi i familjes, harmonia dhe puna e ndershme janë përmbi bazën materiale. S’ka dashuri dhe harmoni që blihen me para. Dhe s’ka për të pasur. Ai që pandeh se paraja është çdo gjë, për para është në gjendje të bëjë ç’mos. Familja shqiptare, shkolla shqiptare dhe shoqëria shqiptare nuk duhet të lejojnë përmbysjen e vlerave. Dasma një javë në shekullin XXI është anakronizëm. Shpenzimet enorme për një ceremoni martesore, në këtë kohë krize janë në kundërshti me arsyen njerëzore. Ti i jep mijëra euro për një dasmë, ndërsa fqinji yt vuan për bukë dhe s’ka mundësi mjekimi.

Do të kishte qenë më e arsyeshme që shqiptarët dasmat t’i reduktonin në suaza të racionales ndërsa potencialin financiar ta orientonin në ekonomi, në industri, në arsimim cilësor, në shëndetësi cilësore, në infrastrukturë bashkëkohore etj. A thua bëhet kjo?! Një gjykim si ky, mos vallë është utopi dhe iluzion!

Rini, e ke fjalën!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora