E marte, 19.03.2024, 04:58 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kur e mohonin Ibrahim Rugovën si Juda Krishtin

E shtune, 17.08.2019, 05:59 PM


Kur e mohonin Ibrahim Rugovën si Juda Krishtin

Kujtime

Nga Gani Mehmetaj

-Ibrahim Rugova mori fund, mos u identifiko me të, mos e mbroj më! - më thirri një mik imi me telefon nga Shkupi, ku e përplasi fatkeqësia e refugjatit. Duket ia kishin thënë qëndrimin tim e të gazetës që s’kishte ndryshuar, ose shkrimet e mia i lexonte në një gazetë lokale të Shkupit.

-Mos u bë besëpakët, s’ke si shkëputesh nga fati i tij e t’u ngjitesh partizanëve të rinj, - ia ktheva aty për aty. - Nuk të besojnë edhe po u bëre be nga toka në qiell, -nisa ta merrja si në tallje.

Ai përpiqej të më bindte se jam jashtë realitetit. Sipas tij njerëzit mendonin ndryshe.

Se si m’u duk kur ma thoshte, ai me të cilin kishim filluar që ditët e para të pluralizmit politik, shkonim ndonjëherë edhe në Pallatin e Rinisë, kur demonstronin punëtorët e popullata. Pse donte aq shpejt të hiqte dorë nga njeriu, të cilin deri dje e himnizonte? Pse donte të mos identifikohej më me Ibrahim Rugovën? Deri dje betohej në kokën e tij. Më shkoi mendja tek ata që thonë se kur nis të fundoset anija, minjtë ia mbathin të parët. Pse donte t’ia mbathte ai? Ku do të futej? Në strukturat e reja që përvijoheshin me aq agresivitet e zemërim? Më mbërtheu zemërimi. Athua donte të bënte karrierë në fatkeqësinë e përgjithshme?

- Edhe sikur ta mohojmë tri herë si Juda Krishtin, prapë do të na identifikonin me të, s’ka kush që beson ndryshe, - ia ktheva i prekur nga ato që thoshte. Miku im këmbëngulte se Rugova më kurrë s’do të marrë veten. E dija se e ka gabim, e dija se gaboheshin edhe analistët e tjerë nëpër ca gazeta pamflete, ku nisën spekulimet e turpshme. Donin t’ua mbushnin mendjen të huajve, duke ua vënë në pah kinse etnopsikologjinë e shqiptarëve, ende besonin se kemi mbetur në çifteli e lahuta. Ata u pëshpëritnin në vesh se shqiptarët urbanë e ruralë do ta donin një lider hero me mustaqe vesh e m’vesh dhe me britma lufte: Oooo, prite, prite!

Harronin vendës e të huaj se Rugovën e zgjodhën dy herë rresht president, duke ia parë pamjen e brishtë, qëndrimin këmbëngulës e frymën e tolerancës, popullata nuk donte lider me pamje të kreshpëruar e flokët e palarë. Kishte kaluar koha e kaçakëve, jetonim në fund të shekulli XX. Rugova rrezatonte mirësi e jo dhunë, mençuri e jo mendjelehtësi, ai rrezatonte maturi e jo aventurizëm. Populli i Kosovës nuk e zgjodhi që të mbante kobure në brez, Rugova u bë lider, sepse ua kuptonte hallin, u shqua mbi të tjerët, sepse nuk hoqi dorë nga idealet e përcaktimet e veta, që ishin idealet e synimet e shqiptarëve të Kosovës. Ai sikurse të gjithë shqiptarët e ndiqte ëndrrën e madhe.

Nuk ia tumira propozimin, nuk doja të grindesha, ia ktheva me humor: - E di si, unë me timen, ti me tënden! Nga zërat që dëgjoja përtej telefonit e mora me mend se nuk ishte vetëm, fliste ta dëgjonin të tjerët.

Një grup syresh për herë të dytë shkoi në Tiranë të takoheshin me presidentin shqiptar, Rexhep Mejdani, por synimi ishte të dilnin me një kumtesë ku do të distancoheshin nga Rugova, do ta mohonin si Juda që e mohoi Krishtin dhe do të merrnin poste, të cilat do t’ua caktonin zyrtarët shqiptarë, ata zyrtarë që në pushtet erdhën me shantazhe e presione pasi u shkërmoq shteti shqiptar. Një pjesë e delegacionit të LDK-së nuk pranoi të takohej me presidentin Rexhep Mejdani, as të jepte deklarata kundër Rugovës. E kuptuan mashtrimin.

Pas dy ditësh nga Cyrihu shkova në Shkup. Takova familjen që ishte vendosur te të afërmit e gruas. Fëmijët vazhdonin mësimin në shkollat shqipe të Shkupit. Nisa kërkimin e kolegëve e miqve. Vëllezërit e motrat që i zuri lufta në Pejë, me shumë peripeci e rreziqe pas një rrugëtimi qindra kilometrash në këmbë, arritën në Tiranë, ku u vendosën te motra që jetonte në kryeqytetin shqiptar. Dy vëllezërit me familje u kthyen nga Malësia e Gollakut në Lagjen e Muhaxhirëve, në gojën e ujkut, por rrugë tjetër nuk patën. Gati vdiqën urie. I thirra disa herë me telefon përmes një linje që kalonte nga Banja-Lluka, qytet në Bosnjë e Hercegovinë deri në Prishtinë.

Në Shkup erdha të mblidhja gazetarët e të formoja redaksinë. Natyrisht përpiqesha të vija kontakte me veprimtarët e LDK-së. Doja t’u sugjeroja të organizoheshin, nëse donin mund të kërkonin vendosje të përkohshme në Gjermani ose Zvicër, ku qemë më të organizuar. Veprimtarët e LDK-së në Perëndim ishin të gatshëm t’i pranonin e t’i ndihmonin.

Në përpjekjet për të formuar ekip gazetarësh, doja të angazhoja gazetarët e “Rilindjes”. Kërkova miqtë e vjetër bashkëmendimtarë që do të bashkëpunonim, për të plotësuar boshllëkun e krijuar pas marrjes peng të Rugovës. Vështirë t’i gjeje, të shpërndarë gjithandej, nga Shkupi në Strugë, një pjesë strehoheshin në Shqipëri. Për Xhemail Mustafën askush nuk dinte asgjë konkrete. Ai nuk e kaloi kufirin. Nuk dihej fati i shumë të tjerëve, por disa gjëra diheshin. Vrasjet e burgosjet shpejt merreshin vesh. Një kolegu ia kishin vrarë gruan, kurse endej me fëmijë jetimë nëpër rrugët e Shkupit. Me dhimbsej, por askush s'mund ta ndihmonte.

Në këtë situatë të pështjelluar, përpiqesha së paku të mblidhja një grup gazetarësh e përkthyesish që të bëja një qendër të lajmeve. Çdo ditë na thërrisnin në Cyrih redaksitë gjermane, franceze e zvicerane të radios e të gazetave, na lusnin për ndonjë informacion, kërkonin të konfirmonin ndonjë lajm që u kishte ardhur nga burime të pakonfirmuara. Megjithëse përpiqeshim t’u dilnim ndesh kërkesave të tyre, me ekipin e vogël mezi e sajonim gazetën në gjuhën shqipe.

Hajdar Sadria na ndihmonte në përkthimin e informacionit më të rëndësishëm në gjuhën gjermane që e botonim në katër faqe të “Rilindjes”, brenda si shtojcë e veçantë. Në fakt ai na e dërgonte të gatshme, ne e bënim vetëm faqosjen.

Takova disa miq të vjetër, dy prej tyre ish-anëtarë të Kryesisë së LDK-së. I emocionuar ua paraqita konceptin tim të organizimit të shtabit që do të komunikonte me degët e LDK-së në Zvicër e Gjermani. Disave që ishin gazetarë u propozova të fillonin punën në zyrat e Shkupit. Nuk e di çfarë po ndodhte, frikësoheshin të punonin për gazetë, nuk donin të komunikonin me degët e LDK-së, megjithëse para disa vjetësh kishin shëtitur gjithë Zvicrën e Gjermaninë me paratë e këtyre degëve. Pse ngurronin? Kujt i druheshin, një druajtje e frikë mbizotëronte te një pjesë e intelektualëve refugjatë. Më habisnin, sepse ata ishin anëtarë të Kryesisë së LDK-së, ose kishin qenë në organe udhëheqëse, kurse unë nuk mora pjesë në asnjë mbledhje të LDK-së pas 23 dhjetorit të vitit 1989, kur u themelua. Ata i gëzonin të gjitha privilegjet, merrnin rrogë në parti derisa filluan bombardimet, unë e fitoja bukën me profesionin tim, ata patën privilegje, ndërsa tash kur iu këputën burimet e financimit donin t’ia mbathnin. Shumica syresh mendonin se Rugova nuk do të këndellej kurrë më, prapë disa syresh nisën të më bindnin se duhej t’i shmangesha Rugovës. Më dëshpëronin, por nuk më bindnin. Nuk u përpoqa as unë t’i ktheja rrugës së zotit.

Kot që u flisja, ata kishin ndarë mendjen të shkonin me fitimtarin, sikurse shpresonin se do të bëheshin grupet politike që mbështeteshin nga SHIK-u e Qeveria shqiptare. Logjika e tyre pragmatike e imorale, s’të jepte mundësi debati.

Bëra përpjekje që përmes korrespodentit tonë në Shkup të vë kontakt me gazetarët e tjerë. Çuditërisht ai u soll në mënyrë të rebeluar. Nga gazetari dikur i përulur, i gatshëm për çdo shërbim, më përgjigjej shkurt, herë-herë me arrogancë, një herë me tha: Ku do ta bësh vendin, o Gani Mehmetaj?

Pse? i thashë i habitur?

Sepse ti e di që ata nuk të duan.

–Ty a të duan? e pyeta me interesim.

- Unë jam me ta, - ma ktheu.

- Epo atëherë shqiptarësia e tyre qenka e dyshimtë -ia ktheva me seriozitet. Kisha rezerva ndaj tij, sidomos pas intervistës me ministrin maqedonas, Fërçkovskin, antishqiptar i tërbuar që i shoi me gjak demonstratat e shqiptarëve në Maqedoni. Por zyrat i kishte funksionale. Intervistën me ministrin vrasës (Fërçkovskin) nuk ia botova në Perëndim, këtu nisi armiqësia jonë. Me këtë qatip gazetarie ndenjëm në një restorant. Korrespondenti nuk pranoi t’i lëshonte zyrat që ia kishin dhënë subjektet politike shqiptare të Maqedonisë në emër të “Rilindjes”. Punës së tij nuk ia kisha nevojën, sepse ishte gazetar i dobët. U ndamë secili në rrugën e vet, ai me fitimtarët që i priste, unë me “humbësit”.

Kolegu i vjetër, Emin Azemi na ndihmoi shumë në gjetjen e zyrave, infrastrukturës e të bashkëpunëtorëve. Ai e botonte gazetën “Fakti”, e cila ato ditë ishte gazeta më e lexuar shqiptare, që shpërndahej nëpër kampet e refugjatëve. Disa gazetarë të tij na raportonin çdo ditë.

U ktheva në Cyrih. Megjithatë e formova redaksinë në Shkup. Ndër redaksitë e pakta e patëm korrespondentin tonë që e përcolli ardhjen e presidentit Klinton në kampet e refugjatëve. E kishim edhe fotografinë nga takimi i presidentit amerikan Bill e Hilari Klinton me fëmijën që mbeti pa prindër. Njëra nga fotografitë tona e mori dheun.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora