E premte, 20.09.2019, 05:59 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Kunavia në Regnum Albaniae - Mbretëria e Albanisë (1272 – 1368)

E shtune, 17.08.2019, 07:00 PM


KUNAVIA NË REGNUM ALBANIAE – MBRETËRIA E ALBANISË (1272 – 1368)

Nga Lutfi ALIA

Me Shtetin e Arbërit (1190 – 1216), princat e dinastisë Progoni krijuan një komunitet arbëror të fortë politik, administrativ, fetar dhe kulturor, kësisoj Arkondia e Albanisë, nga njësi e thjeshtë adminsitrative bizantine, u shndërrua në bashkësi e konsoliduar trevash etnike albaneze. Në Shtetin e Arbërit perfshiheshin trevat e Krujës, Kunavisë, Matit, Pultit, Mirditës dhe Dibrës. Kryeqendra ishte Kruja. Dinastia Progoni kontribuoì në krijimin e një formacioni shtetëror perëndimor dhe në plazmimin e klasës feudale albaneze, kryesisht katolike, me edukim sipas modelit napolitan dhe francez. (K. Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 6467).

Shteti i Arbërit nuk u ngacmua nga Dhespoti i Epirit Mihal Engjell Komneni, i cili synonte rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine, që ishte shpërbërë në vitin 1204. Dhespoti Mihal nuk kishte interesa ta prekte Shtetin e Arbërit, madje e shfrytezoi si aleat kundër Venedikut, që kishte aneksuar qytetet e Albanisë bregdetare dhe të Greqisë nga Korfuzi deri në Korinth. (K. Frashëri, Principata e Arbërisë. Tiranë 2014, f. 104 – 107). 

Në këtë kohë, Marin Valaresso - duka i Venedikut në Durrës, u ndodh përballë sulmeve të dhespotit të Epirit, por dhe të kundëershtimeve të Dhimiter Progonit, që me të drejtë pretendonte Durrësin. (Uspenskij F. I. Istorija vizatinskoj impperii. Vol. I, Sanct Peterburg 1913). 

Dhespoti Mihal Komneni, i shfrytëzoi të gjitha rrugët diplomatike, ekonomike dhe ushtarake për të vepruar kundër feudalëve perëndimorë. Për konkretizimin e marrëveshjes tregtare me Venedikun, të nënshkruar më 20 qërshor 1210, dërgoi ambasadorë dy ipeshkëv arberorë, Simeonin e Kunavisë dhe Theodorin e Çermenikës, të cilët i përkisnin kishës bizantine. Në letrën e dytë (faqe 114 dhe faqe 140; CX: Vol. I), të marrëvshjes të dhespotit Mihal Komnena, me Dozhën Ziani të Venedikut theksohet: “Nuncios meos virum venerabilem Theodorum Cernicensem et Symeonem Cunalis, magnitudini vostre porraei, concessitis mihi et heridibus meis et nomine feudi dedistis terras que vostri juris suni quas ego tenebam quando Marinus Vallaresus vir nobilis dux Dyrrachi venit ad me”. (Acta et Diplomata. Vol. I. Doc. 140).

Me këtë marrëveshje, Dhespoti Mihal Komneni i bëri lëshime Venedikut, por nga ana tjetër perfitoi në kurriz teë arbërve, duke i aneksuar tre provincat e Arbërisë jugore: Çamërinë, Kolonjën dhe Mallakastrën. (Emanuele Antonio Cicogna. Della iscrizioni veneziane. Vol IV. Venzia 1834. f. 540)

Pas këtyre arritjeve, Dhespot Mihali e prishi aleancën me Shtetin e Arbërit dhe në vitin 1212 e pushtoi Durrësin, në vitin 1214 dhe Shkodrën, por më pas u detyrua ta braktisi. Në këto rrethana konflikti, princi Dhimiter Progoni e shpërnguli qendrën e Shtetit në Geziq të Mirëditës, dhe për t’iu kundërvënë dhespotit të Epirit, lidhi aleancë me mbretin George të Diokleas. (K. Frasheri idem. F. 107).

Në vitin 1217 Shteti i Arbërit nuk përmendet në dokumentat dhe në kronikat e kohës. Pas rënies së Shtetit të Arbërit, trojet tona u bënë arena e konflikteve tipike bizantine dhe e përplasjeve të kishës perëndimore me atë lindore, për të fituar kishën arbërore. 

Në vitin 1217, trojet arbërore u pushtuan nga dhespoti i Epirit Teodor Engjell Komneni, ndërsa ne vitin 1230 u pushtua nga bullgarët e perandorit Ivan Aseni II. Ndërhyrja e bullgarëve nuk u tolerua nga Johan Duka Vataces, perandori bizantin i Nikeas, i cili në vitin 1253 e pushtoi Arberinë. Me perandorin bizantin u bashkua Gulami, sundimtari i Arbërisë. Në këtë periudhë Arberia ishte trevë autonome. (K. Frasheri, idem, f. 129)

Në vitin 1254, perandori pasardhës Teodori II Laskaris, caktoi komandantin ushtarak bizantinin Kostantin Havaroni në krye të provincës së Arbanonit, duke i shkelur të drejtat e autonomisë të Arbërisë, që ia kishin njohur parardhësit. Perandori Teodori II Laskaris dërgoi pretorin Georgii Acropolitis për të vëzhguar situatën në viset arbërore. Në kronikën e tij, Akropoliti thotë se bashkë me parinë e vendit vizitoi Durrësin, kaloi nëpër viset e gjëra të Kunavisë, kaperceu malin Malam Petram (Mali i Keq, kufiri verior i Kunavisë), përshkoi Matin, kaloi në Diber dhe pas tre muaj udhëtime arrijti në Perlep, ku mori lajmin, se arbërorët ishin ngritur në kryengritje dhe se kishin zën rob komandantin Kostantin Havaronin. Në kronikën e Akropolitit theksohet: “Dyrrachiique negotiis compofitis, in viam deducor, & Chunavia emenfa  & montem, quam Malam Petram cognominant, permeans, Matem progredior, inde que Derbem appello cum univerſis, qui in itinere obviam fa&i funt, quique veloppida , vel privatos exercitus, vel publicarum etiam rerum fummam peragerent ſermonem conſerens & per Cytzabim tranfiens Prilapum cóntendi”. (Georgii Acropolites, Historia bizantinae. Venetiis. Ex Typographia Bartlolemei Javarina. MDCCXXIX) XX, 17. Doc. 39. f. 59 – 60)

Konfliktin mes dhespotit të Epirit me Perandorin Bizantin të Nikeas, e shfrytëzoi mbreti i Siçilisë Manfred Hohenstafen, i cili pasi pushtoi qytetet bregdetare, e shtriu pushtetin në brendësi të trojeve Albanisë.

Me inkursionet e Manfredit filloi një periudhë e re e ndikimit të feudalëve perendimorë në historinë e Albanisë. Një ndër vendimet e rëndësishme të Manfredit ishte bashkimi i Durrësit me provincën e Arberisë dhe emërimit të fisniku albanez Andrea Vrana, qeveritar ushtarak i Durrësit dhe i Albanisë: Capitaneus Arbani et Dyrrachii. (P. Xhufi 1997, p. 1233-1256). Klasa feudale me identitet arbëror, i asimiloi vlerat e shoqërisë militare dhe kalorsiake perëndimore dhe bashkë me feudalë të kulturës bizantine, në shekullin XIV u bashkuan dhe kundër-shtuan presionet e perandorisë dhe të kishës ortodokse serbe.

Manfredi Hohenstafen mbeti i vrarë në betejën e Benevento në vitin 1266 dhe fronin e Italisë jugore (Mbretëria e Napolit dhe e Siçilisë) e mori Karli I Anzhuin (i biri i mbretit të Francës Luigjit VIII).

Pas rënies të Shtetit të Arberit (1216) dhe të princit Gulami më 1255, në skenën e historisë tone doli Mbreteria e Albanisë - Regum Albaniae, me mbret Karli I Anzhuin. Mbretëria e Albanisë (1272 – 1373), u shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt të vitit 1272, nga Karli I Anzhuin, por në fakt, termi Regnum Albaniae u përdor nga kancelaria Anzhuine, në traktatin e Viterbos, më 27 maj 1267, të nënshkruar nga Papa Klementi IV dhe Karlit I, ku me këtë akt u përligjën fushatat militare të Karlit I në Ballkan dhe pushtimi i trojeve arbërore. (Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268)

Në shkurt të vitit 1271, flota e Karlit I pushtoi Durrësin. Kalimi i Durrësit nen zoterimin e Anzhuineve, erdhi në mënyrë spontane dhe me miratimin e prijësave lokalë dhe të përfaqësueseve të klerit katolik, që luajtën rol themelor në propogandën dhe në traktativat diplomatike të mbretit Karli I Anzhuin, me sundimtarët arbëror të Albanise. (Ducellier A. 1981, p. 238 – 239). (Carabellese 1911, p. 49, nota 2).

Historianët É. Léonard, P. Xhufi, G. A. Ducellier, Del Giudice, E. Carabellese, M. Šufflay, A. Kiesewetter D. G. M. Monti, G. Campobasso etj, theksojnë: “Ishin ipeshkvët, kontët, baronët, ushtarët dhe qytetarët arberorë, ata që e zgjodhën dhe e pranuan Karlin I si mbretin e tyre”.

Marrja e Durrësit në vitin 1271 ishte konkretizim i negociatave me princat arbëror, të ndërmjetësuara dhe të mbeshtetura nga klerikët benedektinë dhe françeskanë. Në këto traktativa, kontribuan dy klerikë albanezë, murgu Nicola d’Albania, të cilit mbreti Karli I i akordoi një shpërblim vjetor prej 12 onçe ari, për meritat në kalimin e qytetit të Durrësit nën sovranitetin anzhuin; si dhe prifti Giovanni di Durazzo (Gjon Durrsaku), i cili gjatë vitit 1271 udhetoi disa herë në Pulja, si mediator ne bisedimet ndermjet dy paleve, per kalimin e Durresit nën varësinë e mbretërisë anzhuine: “... ad predictas partes Durachii pro nostre maiestatis exequendis serviciis remeare”. (Gianvito Campobasso. Alcune fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò : documenti, epigrafi, araldica e visual evidences. 2016. Melangès e l’ècole Francaise de Rome).

Në vitin 1272, Karlit I Anzhuin u shpall mbret i Albanisë: “Carolus I, dei gratia Rex Siciliae et Albaniae”. Kryeqyteti i Regnum Albaniae ishte Durrësi. Në një dokument të vitit 1272, rezulton se Karli I Anzhuin, emëroi mëkëmbësin e tij të përgjithshëm në Albania Kinardo Gaxoni, të birin e admiralit Filipp, zot i Vlorës dhe i Korfuzit: Carolus I dei gratia Rex Siciliae et Albaniae et cetera. Gazoni Chinardo militi suo in regno Albaniae vicario generali dilecto ... De tua prudencia et fidelitate plenam fiduciam obtinentes, amovendi et puniendi tam in Regno Albaniae quam in exercitu et extolio nostris destinatis ad ipsum regnum omnes officiales, tam castellanos”. (Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268) (Acta Albaniae, op.cit. n. 14, vol. I, doc. 270).

Pushteti i anzhuinëve në Albania, vazhdoi rreth një shekull. Gjatë kësaj periudhe, Albania ndjeu zgjedhën dhe ndikimin napolitano-francez, madje zbatonte doket dhe rregullat ad modum Franciae, që u përvehtësuan nga elita albaneze, me synim të krijonin qendrime dhe sjellje kulturore të njejta, ose të ngjashme me ato të oborrit të Anzhuinëve. (Gianvito Campobasso. Idem.)

Si e thekson historiani Campobasso, ambicjet e Karlit I, për aneksimin e trojeve ballkanike, ishin nxitur dhe mbështetur nga Selia e Shenjtë, sepse Papati e shihte Karlin si një instrument për organizimin e kryqëzatës kundër shizmës të ortodoksisë serbe dhe me synim për një bashkim konfesional të ortodoksëve “shizmatikë” nën primatin roman. Mbështetjen Papale, anzhuinët e shfrytëzuan për të ligjëruar veprimet ushtarake në lindje, si dhe për të përfituar tituj të lartë fisnikërie. Me këtë politikë Papale, u bashkua dhe kleri katolik albanez, që nxiti dhe favorizoi kalimin e Albanisë nën zoterimin e Anzhuinëve. (Gianvito Campobasso. Alcune fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò : documenti, epigrafi, araldica e visual evidences. 2016. Melangès e l’ècole Francaise de Rome).

Gjatë sundimit të tij, Karli I Anzhuin nxorri disa diploma, ku shprehte karakterin paqësor të politikës se tij në marrdhëniet me fisnikët albanezë dhe pasardhësit e tyre, duke përdorur formula diplomatike për “bashkimin” e Albanisë me mbretërinë anzhuine pa kurrfarë dhune dhe shtërngimi: “Nosque et heredes nostros absque aliqua violentia seu cohactione in perpetuos dominos recognoscere...” (Acta Albaniae 1913, vol. I, doc. 268).

Me mbretin Karli I Anzhù, katolicizmi u zgjerua dhe u konsolidua në trojet arbërore, duke filluar në veri me Pultin, Mirëditën, duke vazhduar me Matin, Krujën, Kunavinë, Dibrën, ne lindje vazhdoi deri në Ohër e Kostur, ne jug në Himarë dhe deri në Butrint, ku shtriheshin kufijt e mbretërisë (K. Frasheri idem). 

Në Durrës ishin përqëndruar organet administrative, komanda ushtarake (me komandant marshallin francez Guillaume Bernard) dhe Kryeipeshkevia. M. Šufflay dhe Karabellese, bazuar në dokumentat papnore të vitit 1272, përcaktuan shtrirjen e Regum Albaniae. Kufiri verior perfshinte Pultin, Mirëditën, Lezhën, Ulqinin dhe Danjen (nën zotërim te protosevastorit Guljelm Blinishtit, dhe të baronit Calojohannes Blinishti), në juglindje përfshinte territoret në zoterim të Mentul Muzaka - konti i Këlcyrës; ne lindje ishin trojet e Ohrit dhe te Dibres (ku sundonin baroni Pal Matrenga dhe baroni Pal Gropa); në qendër bënin pjesë Durrësi (kryeqendra), Kruja (në zoterim të kapitenit Andrea Vrana); Kunavia nën zotërim të markezit Martaseos, Çermenika në zotërim të kontëve Ladislavi dhe Andrea Muzaka - mareshalli i Regum Albaniae; Berati në zotërimet e Gjin Muzaka; ndërsa kufiri jugor ishin malet Akrokeraune, Himara dhe Butrinti.

Në dy diploma, që kishte nxjerr kancelaria mbretërore më 20 dhe 21 shkurt 1272, Karli I Anzhu iu premtoi fisnikëve arbëror mbrojtje (protectionem suam) dhe njohjen e privilegjeve, të normave dhe të dokeve "të mira" të mëparshme, pra pranonte kodin arbëror. Njohja nga ana e krerëve arberorë, të sovranitetit anzhuin nuk ishte "dorëzim" pa kushte, por një ujdi e arritur në mirëkuptim, si shprehej vetë mbreti Karl I, gjithëçka u krye "pa kurrfarë dhune dhe shtrëngimi - absque aliqua violentia seu cohactione”. 

Mbreti Karli i I Anzhu dhe pse iu premtoi fisnikëve arbëror mbrojtje dhe autonomi, i shkeli premtimet, madje për të shmangur revoltat, mori peng disa fisnikë dhe i internoi në Itali. Ne vitin 1278, në kështjellën e Terni-t burgosi Dukën Tanush Dukagjini (Dux Ginus Tanusius Albanensis); ndërsa një grup tjetër fisnikësh arbëror ishin të burgosur në Anversa, nder ata Duka Tanush Skura (Dux Tanusius Scura), i cili me 5 fisnikë të tjerë, u arratisën dhe u kthyen në atdhe.  

Në vitin 1273, Albania u trondit nga një tërmet i fuqishëm, sidomos u ndje në Durres ku shkatërroi banesat e qytetit dhe shkaktoi mbi 25 000 viktima. Rrënimi i qytetit i detyroi banorët të transferohen ne Berat, ku qëndruan deri në rindërtimin e një pjese të banesave. Për rikthimin e banorëve në Durrës kontribuan në veçanti fratenit minorë të urdhërit Françeskan, të pranishëm në qytet që nga vitit 1248. Pasojat e tërmetit në Durrës përshkruhen në kronikën e pelegrinit Simeon Simeonis. (Gianvito Campobasso. 2016. idem).  

Ky termet tronditi dhe trojet malore të Kunavisë, ku rrënoi shumë banesa, shkaktoi viktima dhe dëmtoi kishat e manastiret, sidomos katedralen dioqezane të Shën Dhimitrit. Katedralia e rindërtuar, u konsakrua me emrin e Shën Gjon Pagëzorit (Sanctus Joannes Batista), çka dokumentohet në bulën e Papa Klementi V, e vitit 1311, për emërimin e Imzot Gulielm Montegrano, ipeshkëv i Dioqezës shufragane të Kunavise në Mbretërinë e Albanisë. Ndryshimi i emërit ka nje motiv bindës, sepse Shën Gjon Pagëzori është mbrojtësi ndaj fatkeqësive natyrore, ndaj tërmeteve dhe stuhive, mbrojtës i barinjëve dhe i përpunueseve të leshit, i prodhuesve të shpatave etj, etj. Titulli i Shën Gjon Pagëzorit, u pranua dhe u nderua nga malesorët e Kunavisë, të cilët ishin kryesisht blegtorë, pasi bujqësia zinte pak vend në jetën e tyre, si për kushtet klimatike, por dhe të terrenit të ashpër malor e me shumë pak tokë për kultivimin e drithrave.

Në shekujt XIII - XIV, Albania përjetoi qytetërimin perëndimor në tërë rrafshet e zhvillimeve politike, ekono-mike dhe shoqërore; respironte kulturë europiane, ishte pjesë integrale e Europës. Shpallja e Mbretërisë së Albanisë, ndikoi që paria vendore, të fitoi status politik dhe status fisnikërie të njejtë me të vendeve perëndimore. Titujt e fisnikërisë ishin të trashëgueshëm, pavarësisht nga jetëgjatësia anzhuinëve në territoret tona, pavarësisht se në vitet e më pasme do te kishte apo jo një mbret. Një herë e shpallur, mbretëria mesjetare e Albanisë, nuk mund të shpërbehej më, andaj dhe titujt e fisnikëve u trashëguan nga brezat pasardhës. Kultura europiane ishte e mishëruar dhe në heraldikën arbëror, e cila ishte sa origjinale, aq dhe pasqyrim i heraldikës europiane dhe të asaj anzhuine, e shprehur me stemat, me flamujt, me medaljonet dhe me kodikët e fisnikëve.

Stemat e para heraldike të dinastive dhe titujt e fisnikërisë arbërore, u shfaqën në shekullin XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit. Në periudhën e Mbretërisë së Albanisë stemat heraldike u perdorën gjërësisht nga fisnikët arbëror, të cilët i braktisën titujt bizantinë dhe përdorën tituj perëndimor. Në traktatin e vitit 1295 të gjenovezit Galvano Levante Januensis, përmenden antarët e familjeve fisnike albaneze me titujt respektivë perëndimor si kont, baron, kalorës etj: “Illustribus heroidibus Albaniae dominis Bardo Matrango, Alexio Comit, Comiti Johani,  et cavallieri Demetrio Olfano, Demetrio Scura, filio Zacharia Scura, Johanis Sbramu-no, Canastio Belvestio, Michaeli Cachoruga et omnibus aliis baronibus de natione Albaniae neophitis, per revonationem fidei orthodoxe et reconceliationem ex proposito bono ad sanctoi Romanem Ecclesiam”. (Ch. Kohler. Mélange pour servir à histoire de l’Orient latin e des croisades. Paris 1906, f. 222 – 223).

Në shekullin XIV, familjet patronomike të Mbretërisë së Albanisë, përdorën simbolet heraldike anzhuinëve. Zambaku me tre petale (Fleur de lis) i anzhuinëve francezë, ishte i pranishëm në stemat heraldike të disa dinastive fisnike arbërore dhe pse asnjeri prej zotërve të këtyre familjeve nuk ishte kurorëzuar mbret. Stemat e princave Topia, Muzaka, Skura, Kastrioti, Frangu etj, e kanë komponent zambakun tre petalesh, ashtu si kanë shqiponjën me një apo dykrenëshe, me një ose me dy kurora mbretërore, pavarësisht se familjet e tyre nuk ishin me origjinë mbretërore, as nuk ishin kurorëzuar mbretër nga Papa, as nga Patriarku i kishës Ortodokse, si ishin ligjet dhe normat e mesjetës.

Filologu erudit Faik Konica, duke iu referuar periudhës të Mbretërisë Anzhuine të Albanisë thekson: "Gjuha albaneze duhet të jetë shkruar në shekullin XIII, kur në 1272, Karli I Anzhu, u zgjodh mbret i albanezëve me kryeqytet Durrësin. Ai dërgoi në Durrës mëkëmbësin G. Chinardo, për të organizuar Mbretërinë e Albanisë dhe kuptohet, duhet të ketë organizuar gjuhën administrative në arberisht”. Konica mendon se në këtë periudhë ekzistonte dhe një lloj letërsie laike e herëshme albaneze e mesjetës, e formës me rrëfime kalorësiake, apo përmbledhje historishë popullore, sipas modelit të botimit italian "Cento novelle antiche".

Mbreti katolik Karli I Anzhù, i preu lidhjet me Konstantinopojën dhe e konsolidoi lidhjen e kishave arbërore me Romën, por pa ndryshuar ritin kishtar tradicional bizantin. Si kuptohet kthesa u krye nën trysninë e faktorit politik të anzhuinëve, të cilët me përhapjen e katolicizmit, synonin te rikrijonin Perandorinë Latine të Lindjes, atë që ishte shembur në vitin 1260.

Karli I Anzhuin vdiq në Foxhia me 7 janar 1285, duke ia lënë fronin të birit Karli II Anzhuin (1285 – 1309). Pas vdekjes të Karlit II, në fron hypi i biri Roberto Anzhù (1309 – 1343), mik i Petrarkës dhe i Bokaçios. Me vdekjen e Robertit, në fronin e mbretërisë së Napolit hypi e mbesa Xhiovana I Durazzo, të cilën e rrëzoi nga froni i nipi Karlo, duka i Durrësit dhe Zoti i Albanisë, që u shpall mbret i Napolit me emrin Carlo III di Durazzo. Karlo III Durrsaku ishte i biri i Luigjit III – duka i Durrësit dhe i Margarita Sanseverino. (Salvatore Fodali. Dizionario Biografico degli Italiani. 1977, vol. 20).

Karli I Anzhuin synoi të pushtonte Ballkanin, per te krijuar nje shtet të madh në orbitën napolitane, por ëndërra e tij nuk u vazhdua nga Karli II, i cili i ndodhur para konflikteve të brendëshme, sidomos të Vespri Siçiliane, u detyrua t’i braktisi këto ambicje, për faktin se forca ushtarke dhe financiare e mbretërisë u dobësuan në vitet 1285 – 1302. (Carabellese 1911, p. 33, nota 1. Léonard 1967, p. 243-246. Frachery 2005, p. 15, nota 32).

Mbreterit anzhuin, kanë merita se e organizuan Mbretërinë e Albanisë sipas modelit napolitano-francez. Ata kontribuan në plazmimin e fisnikërisë albaneze me kulturë perëndimore dhe në konsolidimin e katolicizmit në popullatën arbërore. Një ndër masat e rëndësishme administrative ne organizimin e shtetit ishte hartimi i statuteve qytetare, një proçes paralel i shtrirë në të gjithë mbretërinë, që filloi me Consuetudines Barenses (Kushtetuta e Barit, Itali), vazhdoi në Albania me statutin e Ulqinit në vitin 1280, me statutin e Shkodrës të vitit 1349, të Vlorës në vitin 1357, të Tivarit në vitin 1369, të Durrësit në vitin 1392, të Drishtit 1397, etj. Drejtimi i mbretërisë dhe i shoqërisë me norma juridike të parashikuara në statutet qytetare, dëshmon për nivelin e zhvillimit social-kulturor dhe politik perëndimor të Albanisë në shekujt XIII - XIV.

Në vitin 1294, mbreti Karli II i dha të birit Filipit drejtimin e Principatës Tarentine, të principatës të Akaia, të dukatit të Athinës, të mbretërisë së Albanisë dhe Vlakisë: “principatu Achaie, ducatu Athenarum, regnio Albanie, provincia Wlachie ac ceteris locis imperii seu partium Romanie tam in terra firma quam in insulis ex quacumque causa iuro vel titulo nobis nunc competunt et possent competere in futurum”. (Léonard 1967, p. 373. Nicol 1994, p. 24-32)

Princi Filip sundoi nën koronën e Anzhuinëve, por me ambicie, për të krijuar një principatë indipendente, me shtrirje strategjike në vendet tej detit, duke perfshirë Albaninë dhe vendet e tjera Ballkanike. Për të realizuar këto qellime, Filipi shfrytëzoi dhe martesat, kështu fillimisht u martua me Tamarën e Epirit, ndërsa më pas me Katerina Valua Kurtenei, trashëgimtaren e ish-perandorisë Latine të Lindjes. Pas marteses, Katerina vizitoi Albaninë. (Ducellier, La façade ,pp. 323-59, in part. pp. 326-47, pp. 338). Kuptohet se kjo vizitë i sherbeu për të planifikuar një aleancë të re martesash të fisnikëve arbëror me Anzhuinët, duke krijuar bazat për fuqizimin e pushtetit të familjeve albaneze. (Perrino: Affari pubblici , pp. 91 - 94; Curzi, S. Maria , pp. 71 - 78, f. 89). Duke analizuar pemën gjeneallogjike të Anzhuinëve, Léonard konstatoi se konti Andrea Topia u martua me të bijën natyrale të princit Filip dhe jo me të bijen e mbretit Robert, si ishte thënë më parë. (Émile-Guillaume Léonard 1967, p. 373)

Princi Filipi i Taranto u tregua aktiv për forcimin e pushtetit në trojet arbërore, andaj së bashku me dukët e Durrësit, organizuan vizita diplomatike dhe ekspedita ushtarake. Në një akt zyrtar të 5 shtatorit 1304, në gjuhën latine, i lëshuar nga adminsitrata anzhuine e princit Filip, rezulton se është një marrëveshje me prijësat arbëror, të cilëve u njihte privilegje të veçanta. Në këtë dekret janë përfshirë trembedhjetë bashkësitë e trevave arberore: Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos, Lecenis, Turbaceos, Martasesos, Scuras, Zeneuias, Bucceseos, Logoresccos, Mataseos. (Acta Diplomata. Vol I, Doc. Nr 563). Në këtë listë mungojnë Muzaka dhe Topia, me të cilët, princi Filip kishte bërë më parë marrëveshje bashkëpunimi, duke i njohur privilegjet dhe autonominë, në shkëmbim të besnikërisë së tyre ndaj Princit Filipi Tarantin. Në listën e trevave është përfshirë Markaseos i Kunavisë, me sundimtar markezin Martaseos.

Në vitet e sundimit të Anzhuinëve, Durrësi mori zhvillim duke u shndërruar në qendër administrative, kulturore dhe fetare, me kryeipeshkëvinë e Durrësit që kishte në varësi 14 dioqeza shufragane.

Në vitet e para te shekullit XIV, nje pelegrini i quajtur “Anonimo Latino”, e përshkruan Durrësin të shtrirë  brenda mureve të kështjellës, në periferi me toka pjellore dhe tufa bagëtish, me banorët të besimit katolik dhe nën sundimin e Princit Tarentin: “Est enim hec Albania regio satis lata et magna. Terra est fertilis in carnibus,  caseis et lacte, in pane et uino non multum habundant, sufficienter tamen habent. Habent tamen unam ciuitatem que uocatur Dyrrachium et est Latinorum. Ab ea enim habent pannos et alia necessaria. Partem huius regni cum ciuitate Dyrrachena predicta tenet nunc princeps Tarentinus, filius regis Sicilie, et hoc ex uoluntate libera illorum dominorum de terra qui ipsum, propter naturalem amorem quem habent ad Gallicos, sponte et libere eum in dominum receperunt.

Ky përshkrim (descriptio) i anonimit latin, ashtu si kronika e vitit 1320 e pelegrinit Simeon Simeonis, tregojnë përkatësinë politike të Durrësit anzhuin, duke theksuar se banohej nga latinë, greke, hebrej dhe barbarët vendas, që flisnin gjuhën albaneze dhe se popullata ishte pakësuar si pasojë e termetit të rëndë, që kishte goditur qytetin: “Durachiam, civitatem olim famosam et in mari et in terra potentem, et imperatori grecorum subjectam, nunc autem principi Romanie fratri regis Jerusalem. Ipsa autem civitas est in murorum ambitu amplissima, et in edificiis vilis et exigua, quia quondam terre motu fuerat funditus eversa, et in ejus eversione ditissimi ejus cives et inhabitatores propiis palatiis oppressi fuerant, ut dicitur, bene XXIIII millia, et mortui sunt : nunc autem in populo est sterilis, qui est ritu et habitu et lingua divisus ; habitatur enim latinis, grecis, judeis perfidis, et barbaris albanensibus”. [Nashmith (a cura di), Itinerarium, pp. 246 - 282, in part. p. 252.92]

Vula e princit Filipi Tarantino, me stemën heraldike të anzhuinëve

Regnum Albaniae përmendet dhe në dokumentat e kancelarisë Papnore të vititt 1317, në bulat e Papa Gjoni XXII, të dyja bulat të lidhura me Kunavinë. Më 10 maji 1317, Papa Gjoni XXII i drejtohej Imzot Guljelm Montegrano, ipeshkëvi i Kunavisë, i Kryeipeshkëvisë së Durrësit të Regnum Albaniae, me urdhërin të paraqitej në Avinjon, ku ishte transferuar selia Papale. Kjo bulë, ka vlera historike si dokument, me të cilin Papati e njeh zyrtarisht Regnum Albaniae, por dhe sepse lidhet me historinë e Kunavisë, si pjesë integrale Mbretërisë së Arbërit edhe si dioqezë, ku po rritej roli i kishës katolike.

Me bulën e dytë më 27 shtator 1317, Papa Gjoni XXII i drejtohet Imzot Ndreut (Andrea Croensis - Andrea Krutani), ipeshkëvi i Krujës dhe administratori apostolik i Kunavisë, të cilin e ngarkonte me detyrë të organizoi kryengritjen antiserbe, por dhe me misonin e legatit: “Të konfirmoi emërimin e At Gjon Rubeut në famullinë e kishës së Shën Nikolla në Petrosa të dioqezës së Kunavisë”. Petrosa është fshati i sotëm Lena në Martanesh. Sipas Millan Šufflay, famullia e Shën Nikolla në Petrosa të Kunavisë, ishte shumë e pasur dhe siguronte në vit të ardhura me rreth 60 gulden të arta, një shumë sa të ardhurat e dy ipeshkëvive të vogla,. (M. Šufflay. Situata e Kishës në Shqiperinë paraturke. Botime Françeskane. Shkodër 2013, f. 125)

Konteksti i bulave të Papa Gjoni XXII në vitet 1317 - 1320, lidhen me kryengritjen kundër serbëve.

Plani për kryqezatën kundër serbëve, u perpilua nga Anzhuinët me mbështetjen e Papës Gjoni i XXII, i cili në letrën e 12 maj të vitit 1319, dërguar princit Filip, e siguron se ishte i gatshëm për çfarëdo lloj iniciative, pasi kësisoj mendonin dhe Karli I Roberti - mbreti i Hungarisë (1308-1342) dhe Mladeni II - Bani i Kroacisë dhe i Bosnjës.

Në vitin 1319, malësorët e Kunavisë u bashkuan me imzot Ndreun, udhëheqësin e kryengritjes kundër shizma-

tikut Uroshi II, revoltë që vazhdoi edhe kundër carëve të tjerë pasardhës. (M. Šufflay. Sitauat e Kishës në Shqiperinë paraturke. Botime Françeskane. Shkodër 2013, f. 58)

Sulmet serbe kundër trojeve arbërore dhe politika e tyre agresive për konvertimin e banorëve në ortodoksë, i detyroi prijësit e trojeve veriore të Albanisë, të kërkojnë ndihmën e Papës. Në letrën, që delegatët arbëror i dorëzuan Papës Gjoni XXII, theksonin terrorin serb ndaj arbërorëve: “...quam dura est tyrannica servitute ab Rege schismatico premerentur illi populi ...” Në qershor të vitit 1319, Papa Gjoni XXII, miratoi planin për kryqëzatë kundër mbretit serb. Me letrën e 17 qershorit 1319 Papa Gjoni XXII, kete vendim ua njoftoj fisnikëve albanezë Guljelm Blenishtit (protosevastor), Guljelm Aranitit (protholegatur), baronit Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të mbretërisë së Albanisë, si dhe Ladislavit - konti i Albanisë, Mentul Muzaka (konti i Këlcyrës), Andrea Muzakës (Mareshalli i Regnum Albaniae), Theodor Muzaka (protosevastori i mbretërisë së Albanisë), Vladislavit konti i Dioklea. (Farlato et Coletti, Illirici sacri, vol VII, pp. 63 – 64).

Anzhuinët, me pas e humbën besimin e Papës Gjoni XXII, për shkak të lidhjeve, që ata krijuan me Serbët shizmatikë dhe me bullgarët. Mungesa e harmonise dhe bashkpunimit të Papatit me anzhuinët, e pengoi realizimin e kryqëzatës së planifikuar për të cilën u thirrën fisnikët e Arbërisë.

Në gjysmën e parë të shekullit XIV, trojet e Albanisë u pushtuan nga serbët. Politika e Stefan Uroshit II (1282-1321) kundër katolikëve të viseve arbërore, u intensifikua gjatë sundimit të Stefan Uroshi III (1322-1331) dhe Stefan Dushanit (1331-1355). Këta tre sovranë e fuqizuan mbretërinë serbe, përkrahën kishën ortodokse me peshkopin Sava (djali i vogël i mbretit Stefan Nemanja), me të cilin e ka zanafillën hierarkia e kishës greko–sllave, e pasuar me kryepeshkopin Arsenije I.

Letrat e Papës drejtuar klerikëve dhe fisnikëve arbëror, synonin të arrihej bashkimi i të gjitha forcave politike e ushtarake albaneze, për çlirimin nga sundimi i serbëve, të cilët si thotë studiuesi Pëllumb Xhufi, ata përdorën të gjitha politikat për shkatërrimin e strukturave social-politike të Albanisë të asaj kohe, së pari duke i zhveshur shtresat e larta nga pasuritë dhe duke imponuar politikën e serbizimit, që fillonte me konvertimin e popullatës në ortodoksë. Asimilimi kishtar, asimilimi kulturor dhe së fundi asimilimi etnik, ishin shtresa të të njëjtit proces serbizimi i politikës serbe.

Kjo situatë e ndërlikuar në Albania, është prezantuar nga kardinali Guido de Bologne, në një letër të 25 majit 1350, dërguar Papa Klementi VI, ku përshkruan me shqetesim masakrimin e arbërve nga serbet.

Kjo periudhe, përkon me prishjen përfundimtare të marëdhënieve të Serbise me Papatin dhe me fuqitë katolike, sidomos me mbreterinë Anzhuine të Albanisë dhe të Hungarisë. (M. Šufflay. Situata e Kishës në Shqipërinë paraturke. Botime Françeskane. Shkodër 2013, f. 58)

Në vitin 1355, ra Mbretëria e Albanise. Princat arberor mobilizuan popullin kundër pushtuesve serbë e njera pas tjetrës u çliruan provincat dhe u themeluan principaatat. Ne vitin 1367, u themelua Despotati i Arta e me pas principatat e Balshajve, Topiajve, Arianititëve, Muzakëve, Kastriotëve, Dukagjinëve etj. 

Durrësi, vazhdoi të drejtohej nga pasardhësit e dinastisë Anzhuine deri ne vitin 1368, kur u pushtua nga princi Karl Topia, i cili formalisht konsiderohej vasal i Anzhuinëve të Napolit, por në çastin e duhur, i shkëputi lidhjet dhe e pushtoi qytetin e Durrësit, pa i përfillur protestat e anzhuinëve, ankesat e Papatit dhe shqetësimet e zakonëshme të Venedikut, që i trembej daljes së feudalëve arbëror në detin Adriatik.

Princi Karl Topia, fillimisht arriti t’i bashkoi nën sundimin e tij territoret nga Mati deri në Shkumbin, troje te cilat dikur kishin qenë zotërime të atit Tanush Topia dhe të ungjit Andrea Topia, kesisoj shpalli dhe u be zoti i Principates se Arberit. Në vitin 1370, Topiajt zotëronin një pjesë të mirë të brezit bregdetar, trojet ndërmjet lumit Drin, Mat, Shkumbin dhe Seman, nga ku i kishte larguar me forcë Muzakajt, zotërit e mëparshëm. Në Arbërinë qendrore, Principata e Topiajve përfshinte Matin, Krujën, Bendën, Kunavinë, Çermenikën, Polisin, Elbasanin, Myzeqenë, ndërsa ne lindje kufizohej me zotërimet e Andrea Gropës, që shtriheshin nga Dibra deri në Oher, madje Karl Topia përfshiu qytetin e Ohrit, ne zotërimet e tij. Princi Karl Topia arriti të bashkonte te gjitha trojet e Arbrit të vjetër dhe te njihej “zot i gjithë vendit të Arbrit (Albanoit)”. 

Në vitin 1374, Princi Karl Topia, i premtoi Papës, se ai vetë, fisnikët dhe populli i arbërit, do të perqafonin katolicizmin. Duke e vlerësuar pushtetin e Karlit dhe lidhjen me kishën katolike, Papa Grigori XI, i dha Karl Topisë titullin "Grande Comte d'Albania - Kont i madh i Albanisë”.

Gjatë sundimit të kontit Karl Topia, kisha katolike e dioqezes se Kunavisë u fuqizua. Gjatë shekullit XIV, në katedralen e Shën Gjon Pagëzorit të dioqezës shufragane të Kunavisë, shërbyen pesë ipeshkëv katolikë: Imzot Gulielm Montegrano, Imzot Gjon Hojo (Johannes de Hojo), Imzot Pietro, Imzot Françesku OFM dhe Imzot Beninjus OFM.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV, mbretërimi rreth një shekull i Anzhuinëve në Albania, ishte vetëm një kujtim i largët. Në vitin 1409, duka Ladislao di Durazzo (Ladisllav Durrsaku), pinjolli i fundit i anzhuinëve, ia shiti Venedikut zotërimet dalmate.

Pavarësisht nga ky divorc, kultura anzhuina vazhdoi të mbijetoi në organizimin feudal të principatave arbërore, në jetën e familjare dhe shoqërore të fisnikëve, në raportet fetare me kishën katolike të Romes dhe në shkëm-bimet tregetare me Puljan dhe Venedikun. 



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT