| E shtune, 17.08.2019, 06:59 PM |
7 VITE PA ARBËN XHAFERIN
Nga Frank
Shkreli
7
vite më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti,
politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave
shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetën e
përditshme, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë,personalitete të njohura
dhe jo aq të njohura. Pas takimit me
ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme
që mbeten nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në
një vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët. Për disa falënderojmë Zotin që na jepet
mundësia t’i takojmë.
Për
mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe
të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja,
ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve
shqiptare.
Ishte
viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet
shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare
dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjëndjen
në trojet shqiptare -- me të këthyer në Washington – organizatës që
përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës
dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin me interesuar me çështjet shqiptare në
Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Tetovë
ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.
Pjesë
e këtij turneu ishin takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në detyrë, në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike
shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.
Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në
Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për
gjëndjen në rajon. Pastaj takimin e
parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë,
pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e kisha takuaar më
parë. Në kapacitetin e tij si Kryetar i
Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na
priste për një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë -- në kryeqendrën
e Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar
t’a rëndonte. Megjithse dukej i lodhur
fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të
mendimeve, Xhaferi ishte i këthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe
kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.
Pyetjes
time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të
fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe
për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase
në vend. Ndërsa po fliste për
marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më
habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit e
tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare -- me
përjashtim të Ibrahim Rugovës -- të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq
kundër partive të tjera ose liderëve të tyre -- gjatë këtij takimi, Arbën
Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim
të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike
shqiptare, jo vetm të shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e
mbanë trojeve shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të
tjerë politikë shqiptarë, sidmos në Tiranë dhe në Prishtinë.
Çfarë
freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën
shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën
Xhaferin, e që është aq e nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar
politik në radhët e udhëheqësve partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe
gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse
nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike
ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e
vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të vërtetë, i dalluar nga të tjerët,
shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik,
ndër-shqiptar.
Respekti
për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan
tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt
ndër-shqiptarë. Si i tillë, ai ka lënë
përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të
cilët është takuar gjatë karierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër
intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për
diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet që kishte zhvilluar
me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës
ndërkombëtare. Njëri prej këtyre ludhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i
Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë
shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot -- se, “Nëse Arbën Xhaferi
dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a
kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i
përkasin një populli shumë të vogël.”
Një atribut ky shumë me vend -- për të gjithë ata që e kanë njohur atë,
prej një udhëheqësi të huaj ndaj
reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit, edhe në këtë 7-vjetor të vdekjes.
Në
vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, Z. Xhaferi qe ankuar
se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis
shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e
cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte
për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nenshkrimin e asaj
marrveshjeje. Si përfundim, tha ai, ajo
marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas planit nga autoritetet
maqedonase – marrveshje të cilën ata e kishin nënshkruar duke marrë përsipër
zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i
Partisë Demokratike Shqiptare. Në
zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni
në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në
atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në
lidhje me procesin. Xhaferi shpjegoi se
si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur
largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.
E
mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi
gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë
dhe të shqiptarëve në përgjithësi. E
njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të
asaj kohe në kryeqytetin amerikan -- Shtetet e Bashkuara, në parim -- kishin
vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej
rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të
Amerikës, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit në favor të
pavarësisë së Kosovës. Këtij lajmi, i
ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë -- e priti me një buzqeshje të sinqert -- duke
thënë se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni
duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin
Perëndimor -- asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto trojet tona, u
shpreh ai.
U
largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për
nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të
bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit
Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të
dalluar të botës shqiptare në përgjithësi -- vepra, filozofia politike dhe
publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë
referimi për frymëzimin e brezave tëardhëshëm të shqiptarëve.
Në
këtë 7-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të
shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri
i tij të mos bjerë në harresë!