| E merkure, 14.08.2019, 08:41 PM |
IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR
Nga Nikë
Gashaj
Një
ndër faktorët më me rëndësi të përcaktimit të identitetit kombëtar është
përdorimi i gjuhës amtare ( private, publike dhe zyrtare) dhe arsimimi
kombëtar. Njohjet historike tregojnë se themelimi i shkollave në trojet
shqiptare u bë gjatë mesjetës me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit
dominikan. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në
Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e
dytë e shek.XIV.
Gjuha
shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte
ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rendësi, të
cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve të administratës
shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat
popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek.XIV
shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në
mbledhjet të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Përdorimi i shqipes si
gjuhë shkrimi për herë të parë
Një
ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historië e kulturës shqiptare shfaqet në
gjysmën e parë të shek.XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja,
përdorej si gjuhë shkrimi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për identitetin
kombëtar shqiptar, sepse me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi,
viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e
letërsisë shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar I, Akademia e Shkencave e
Shqiprisë- Instituti i Historisë, f.354, Tiranë, 2002. ).
Institucionet
kryesore arsimore që u ngritën në periudhën e sundimit osman në Shqipëri, ishin
shkollat e komuniteteve myslimane, me mësim në gjuhë turko-osmane dhe arabe.
Shkollat e komunitetit ortodoks, që funkciononin në Shqipëri qysh nga
shek.XVI-XVII ishin nën mbrojtjen Patrikanës së Stambollit. Mësime në këto
shkolla jepej greqisht, në gjuhën e kishës.
Shkollat
katolike ishin nën drejtimin e kishës së Romës dhe kishin si detyrë të
përgatisnin mësues-klerikë. Kur misionarët e Romës vunë re se veprimtaria e
tyre në Shqipëri nuk po jepte rezultatet që priteshin, për shkak se zhvillohej
latinisht ose italisht dhe jo në gjuhën e popullit. Roma filloi të përdorte
edhe gjuhën shqipe në shkollat fetare katolike. Në këto rrethana u hapën disa
shkolla të tilla, ku mësohej edhe gjuha shqipe dhe ku shërbenin si tekste
mësimore katekizmat e hartuar nga shkrimtarët klerikë si Pjetër Budi. Këto
ishin ngritur kryesisht pranë famullive dhe manastireve. Një shkollë e tillë
funksiononte në vitet 1628-1675 në Pedhanë dhe po në atë kohë edhe në
Blinisht(të dyja në rrethin e Lezhës ), si dhe në Kurbin ( rrethi i Krujës ) .
Në 1669-1670 funksiononte një shkollë katolike në gjuhën shqipe edhe në Himarë.
Në Pedhanë e në Blinisht u krijuan më vonë edhe shkolla më të larta, gjimnaze,
ku përdorej gjithashtu gjuha shqipe. Këto shkolla u ngritën nga murgjit
françeskanë. Shkolla të mesme shqipe katolike u hapën edhe në Janievë të
Kosovës (1671), në Velje të Mirditës (1699), në qytetin e Shkodrës(1699). Në
këto shkolla të mesme nxënsit, që ishin destinuar për t’u bërë klerikë,
studionin teologjinë, gjuhët latine e italiane dhe disa prej tyre dërgoheshin
për studime më të larta në itali.
Mësimi
i gjuhës shqipe në këto shkolla, ishte në interes të popullësisë vendase, që i
përkrahte ato. Kështu gjimnazi i Blinshtit u ngrit me kërkesën e krerëve të
vendit dhe kur në vitin 1648 shkolla e Pëdhanës u rrafshua nga një ekspeditë
ndëshkimore osmane, banorët e fshatit e rindëruan atë përsëri.
Në
vitin 1622 kisha katolike krijoi institucionin me emrin”De Propaganda Fide”me
qendër në Romë. Ky ngriti disa shkolla për përgatitjen e klerikëve shqiptarë,
si Kolegji ilirik i Femos(1633 ), që drejtohej nga misionarët jezuitë, shkolla
e Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskan etj.
Rrethana
më e favorshme për arsimin shqip u krijuan, kur në fronin e papës hipi Klementi
XI, me origjinë shqiptare. Me nismën e tij u mblodh më 1703 Koncili i
peshkopëve të Shqipërisë, që njihet me emrin”Koncili i Arbërit”, i cili vendosi
të përhapte letërsinë fetare në gjuhën shqipe. Tetë vjet më vonë, më 1711, në
shkollën e Montorinos në Romë u hap katedra e gjuhës shqipe ( Historia e
Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e shkencave e Shqipërisë- Instituti i
Historisë, faqe, 704-706, Tiranë, 2002. ).
Roli i kishës katolike
në mesjetë për përhapjen arsimit dhe kulturës shqiptare
Në
bazë të dhënave të lartpermendura, si dhe të njohjeve tjera historike mund të
konstatohet se një rol të rëndësishëm në veprimtarin arsimore dhe kultuore në
gjuhën shqipe në mesjetë tek shqiptarët e ka luajtur kisha katolike. Ajo pati
në dorë përgatitjen e inteligjencës së kohës. Shumica e njerëzëve të kulturës,
veçenarisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim
klerikë. Në duarët e tyre ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si
qendra të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret
fetare. Në shkollat pranë manastirave, mësohej kursi tradicional mësimor që
jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që
përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë ) dhe cikli i lartë
me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë ).
Në
shek. XIV e në fillimin e shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me
origjinë qytetare ishte mjaftë i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë
Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh,
mësuesish, famulltarësh etj.(Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e
Shkencave e Shqipërisë – Instituti i
Historisë, faqe, 353, Tiranë, 2002.).
Po
ashtu në atë kohë shënohej një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në
zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare. Megjithatë, që veprat
letrare ishin të shkruara në një frymë teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat
e para të historiografisë në trojet shqiptarte, sepse pikërisht një pjesë e
këtyre është hartuar nga autorët shqiptarë.
Shkputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në
historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV
e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit,
jashtë Shqipërisë.
Gjatë
kohës së sundimit osman në trojet shqiptare shkollat ishin të ndara veç për
popullsin myslimane dhe veç për atë të krishterë. Përveç shkollave turke, ishin
hapur dhe në numer i madh i shkollave private: greke, serbe, bullgare,
austriake e italiane. Në ato shkolla mësimi zhvillohej në gjuhë të huaja,
ndërsa gjuha shqipe ishte e përjashtuar nga mësimdhënia, çka rrezikonte që të
zhdukej pa nam e pa nishan me kalimin e kohës.
Perandoria Osmane nuk ka
njohur kombësi, por vetëm komunitete fetare
Perandaoria
Osmane nuk njihte në zotërimet e veta kombësi, por vetëm komunitete fetare:
myslimanë, ortodoksë dhe latinë (katolikë ). Rrjedhimisht edhe shqiptarët ishin
grupuar në këtë tri komunitete fetare dhe nuk njiheshin si një njësi kombëtare
më vete.
Përveç
kësaj, komunitetet e tyre fetare ishin të varura nga tri qendra të ndryshme të
huaja kishtare e kulturore. Sistemi arsimor i kohës ishte shëndërruar në një
mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sundimit osman, ashtu edhe të
shtetëve të tjera.
Një
pjesë e atyre shkollave kishin një dimension të propagandave të shteteve të
huaja për asimilimin e shqiptarëve. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një
pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin
mbydhjen e tyre ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.
Ndërkaq,
rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si nevojë të ngutshme për
hapjen e arsimit të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike,
me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Mirëpo,
përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e pengesa të shumta. Pengesat
kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i
mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e
Tanzimanit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin
të ushtronin lirisht gjuhët e tyre në
institucionet arsimore e fetare. Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo
e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të
identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore
turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën
amtare, por vijoi t’ i quante ata sipas besimit fetar”turq”, “grekë” e
“latinë”.
Shkolla e parë kombëtare
shqipe në Korçë
Pas
një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë
shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën
shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo.
Çelja
e shkollës në shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për
gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të
përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarëve shqiptarë dhe të
atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk
financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u
mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të
saj u kthye në një ditë feste. Qysh ditën e pare në këtë shkollë u regjistruan
35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti 200. Ajo
ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë
mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më von u fut edhe
frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim
Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim
nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e
përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo
ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë
e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e
shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.
Çelja
e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë
ardheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur
Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim:”Hapu, hapu errësirë,
/Pa jakë tëhu o dritë! /Se arriti koh’ e mirë, /U gdhi nata u bë ditë…/Lumja
ti, moj Korç’o lule! /Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’u sule, /Ta
paçim për jetë hua!.
Hapja
e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në
krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në
Pogradec, në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në
Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj.
Në
vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e
Austro-Hungarisë. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të
shk. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të
administruara prej saj, në qytete e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të
asaj Qendrore.
Përveç
shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në
Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në
Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe
funkciononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla
të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijve dhe të
rriturve abetaren e gjuhës shqipe.
Ndryshe
nga autoritetet osmane që e përkufizonin kombin mbi bazën e fesë. Intelektualët
e Rilindjes kombëtare shqiptare mendonin se kombi ishte në radhë të parë gjuha.
Në themel të kombit shqiptar ishte gjuha. Ajo u kishte bërë ballë të gjitha
përpjekjeve për asimilim, që nga koha e pushtimit romak. Ajo duhej të ishte
njëzëri gjuhë letërsie të shkruar dhe gjuhë arsimi.
Duhet
thënë se, deri në mesin e shekullit XIX, librat në shqip ishin shumë të rrallë
dhe se nuk kishte normë shkrimi mbi bazën e një alfabeti të veçantë. Tekstet e
botura ishin nxjerrë pikësëpari për qëllime fetare dhe alfabetet e përdorura
ishin grek, por edhe arab. Mungesa e një drejtshkrimi të njësuar dhe numri i
paktë i botimeve në shqip shpjegohen me faktin se, qysh nga koha e pushtimit
romak në shekullin e II para erës sonë, shqiptarët
(ose paraardhësit e tyre ilirët, dardanë apo epirotë ) nuk kanë qenë kurrë
përnjëmend zot të vetes. Po të veçohet mënjëanë episodi i Principatës shqiptare
të Gjergj Kastriotit Skënderbegut në shekullin XV, ata kanë qenë gjithmon të
sunduar: nga romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Natyrisht, as që kanë
mujtur m’iu kundërvu fuqive të mëdha. Andaj dhe gjuha administrative ishte një
gjuhë e huaj, por edhe shqipja e përjashtuar nga liturgjia. Tek Shqiptarët qe i
ngadalshëm e i vonë ndërgjegjësimi se përbëjnë një komb. Ai zuri fill nga mesi
i shekullit XIX me shenjat e para të një lëvizje kulturore që u quajt Rilindja
Kombëtare. Lindja e vetëdijes kombëtare lidhej me idenë se gjuha shqipe ishte
një pasuri, në trashigimi prej të parëve, që ishte e udhës të mbrohej.
Rrahja
e mendimeve për një normë shkrimi të shqipes, beteja për arsimin në këtë gjuhë,
shpinin në një kërkim identiteti. Ndjesia e shqiptarëve se i përkisnin një
populli shumë të lashtë, u përforcua nëpërmjet përcjelljes së miteve dhe kultit
të heronjeve.
Patriotët
e Rilindjes kombëtare punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar.
Mirëpo, në atë drejtim krahas pengesave të regjiimit osman, i cili ishte
përpjekur gjithë një t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri, si dhe
faktorvë të jashtëm, ata hasën dhe në pengesa dhe për shkak të përçarjes së
shqiptarëve nga pikëpamja fetare.
Karakteri
i përçarë i fesë në tri besime kryesore: islame, katolike e ortodokse, si dhe i
tri shkollave fetare me ndikim financiar dhe programor nga të huajit vuri në
rrezik veprimin e bashkuar të shqiptarëve në luftën e tyre për liri. Mu për
këtë arsye patriotët e parë nisën të nxisnin shqiptarinë mbi të gjitha fetë.
Gjatë luftës për pavarësi nga Turqia Pashko Vasa një patriot dhe poet kombëtar
nga Shkodra, shkruente:”Çoniu, o shqiptarë, prej gjumi çoniu, /të gjithë si
vllazën në një besë shtrëngoniu, /edhe mos shikoni kisha e xhamia, /fe e
shqyptarit asht shqypria…”
Një nga udhëheqësit e shquar të Rilindjes kombëtare, Sami Frashëri, kishte
shkruar më 1899: “Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i
kreshtenë. Besa s’e ka ndruarë fare edhe kurrë, se kombësia ashtë përpara
besës…”.
Një
vazhdim të së njëjtës ide, një vjershator popullor thoshte: “Besa juaj sot/
s’është as kishë as xhami / por Nëna Shqipëri ! / Kur të fitojmë lirinë / do të
kujdesi për kishën e xhaminë. Nëse kisha ka një këmbanë / njëqind të varni
anembanë. / Nëse kini në fshat vetëm një xhami / ndëtoni edhe njëzet e tri. /
Por feja jonë tani / është Nëna Shqipëri”.
Edhe
pas fitores së pavarësisë së Shqipërisë, patriotët shqiptar kishin bindjen se e
vetmja zgjidhje për dyzimin e përçarë midis islamizmit dhe krishterimit ishte
zëvendësimi i tyre me shqiptarinë. Kështu, Andon Zako Çajupi në librin e tij
Mëmdheu, përfshiu në të një poemë për Malin e Tomorit. Në majën e malit ndodhej
një faltore, ku shqiptarët e lashtë shkonin të këshilloheshin me orakullin për
të ardhmen e tyre. Poti shkruente:”Baba Tomor, kishë e Shqipërisë, /mal
kryelartë, fron i Perëdisë, / tek ti kanë ardhur njerëzia që në lashtësi, /për
të mësuar atë që urdhëronte Zoti”. Më tej shtonte:”… kombi juaj s’vete mbarë, /
se betë u kanë ndarë. / … të krishterë e myslimanë, / gjithë një perendi kanë;
/ jini një gjak mor të mjerë, / se një vend kini lerë, / jini gjithë
shqiptarë”.
Në
pajtim me këtë atmosferë mbizotëruese elita politike e shtetit shqiptarë të
kohës vëndosi që shteti të ishte asnjanës, pa fe zyrtare, dhe që ushtrimin e
lirë të besimit duhet ta gëzonin të gjitha fetë. Ata vun si fe shqiptarinë,
duke i quejtur nëpunësit dhe mësuesit”apostuj” dhe “misionarë”. Në tëra
aktivitete shoqërore publike, si dhe në fushën e arsimit dhe kulturës shprehej
një shqiptari e zjarrtë që kishte për qellim të eklipsonte dasitë fetare dhe të
bashkonte popullin shqiptar.
Vonesa e shqiptarëve në
zgjimin e ndërgjegjes kombëtare
Shqiptarët
kanë pasur një vonesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare e cila ishte
kryesisht pasojë e përçarjes fetare: nën sundimin osman, dy të tretat e
popullsisë shqiptare ishin kthyer në fenë islame, ndërkohë që një e treta që
mbetej ishte edhe ajo e ndarë në të krishterë katolik në Veri dhe ortodoksë të
ritit grek, në Jug. Të mbëshetur në këtë përçarje autoritetet osmane e mohonin
ekzistencën e një kombi shqiptar. Ata e pëkufizonin kombin në bazë të fesë –
parimi i miletit ( Studiuesi Serge Metais, Histori e Shqiptarëve- nga Ilirët
deri te Pavarësia e Kosovës, f. 16, Tiranë, 2006.).
Bismarku në Kongresin e
Berlinit për Shqipërinë
Si
pasojë e zgjimit të vonë të vetëdijes kombëtare te shqiptarët dhe të mungesës
së përkrahësëve të tyre jashtë Perandorisë Osmane, Bismarku tha në Kongresin e
Berlinit më 1878 se Shqipëria nuk ishte veçëse një shprehje gjeografike dhe se
nuk ekziston kurrëfarë kombi shqiptar. Dhe jo vetëm Bismaku si kryesues i
Kongresit por asnjë prej fuqive të mëdha nuk i njishin shqiptarë si kombë, e
kjo ka qenë fatale për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Sepse si parim
i njohjes dhe i formimit të shteteve europiane dhe ballkanike ishte parimi
kombëtar. Shqiptarët me vonesë të madhe bëjnë përpjeke që prej horizonteve
politike osmane të dalin në horizonte evropiane.
Rexhep Qosja për
shqiptarët në Kongresin e Berlinit
Në
lidhje me këtë çështje profesor Rexhep Qosja, ndër të tjerat shprehet:”Në
Kongresin e Berlinit përfaqësuesëve shqiptarë nuk u lëjohet në marrin pjesë në
cilësi zyrtare në punimet e tij, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare
trajtohen”zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”! Vetëm pse
rreth dy të tretat e tij e kishin pranuar fenë myslimane, shpallej kështu
popullë i paqenë ! Më tutje Qosja shton:”Shqiptarët kanë pësuar dëmtim të
rëndë, tragjik, prej politikës së Fuqive të Mëdha evropiane… për arësye se dy
të tretat e tij i takonin fesë myslimane dhe pse ishin nën pushtimet e një
perandorie që këtë fe e kishte përhapur me shpatë dhe zjarr. Në kohën kur për
Evropën e krishterë feja dhe kombësia ishin njësh, shqiptarët e gjetur në
gjirin e një perandorie, pothuaj, islamike, s’kishin se si të shikoheshin veçse
si dikush që nuk i takon Evropës as me fenë, as me etninë, prandaj as me fatin,
si dikush që prej Evropës trajtohej i përjashtuari i Evropës!” ( Rexhep Qosja,
Studimi: Çështja Shqiptare-Historia dhe politika, faq.8 dhe 47, Instituti
albanologjik, Prishtinë, 1994).
Ismail Qemali në Londër
1913
Menjëherë
pasi u bë e njohur mbledhja e afërt e Konferencës së Ambasadorëve në Londër me
1913, Ismail Qemali me antarët e Delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të
Vlorës shkoi në Londër për takime dhe bisedime me politikantë e lartë të
Anglisë me qëllim të përfitimit të përkrahjes së tyre për ruajtjen e kufijve
etnik të Shqipërisë.
Mirëpo,
I. Qemali largohet nga Londra me ndjenjën e misionit të pakryer. Dokumentet
zyrtare tregojnë se ai hasi në një mos përfillje të përgjithshme si në qarqet
zyrtare britanike ashtu edhe në Konferencën e Ambasadorëve. Ashtu që vendimet e
Konfrencës së Londrës me 1913, e lanë gjysmën e tokave shqiptare jashtë kufijve
të Shqipërisë
Për
vizitën e tij në Londër, I. Qemali do të flasë disa muaj më vonë, në një takim
me gazetarë të huaj në Vlorë në shtator 1913. Ai u shpreh krejt i zhgënjyer.
Ndër të tjerat I. Qemali deklaroi:” Se shkoi në kryeqytetin anglez me shpresë
se do të arrinte diçka në Angli”, por u ndesh me një moskuptim të plotë nga dy
krahët e politikës angleze. “Liberalët, - thotë I. Qemali, - mendonin se
shqiptarët ishin të gjithë turq dhe myslimanë, ndërsa konservatorët i quanin
prishës të paqës, njësoj si irlandezët”(Arben Puto, Studimi: “Shqipëria
Politike 1912-1939”, faqe, 91, Tiranë, 2009).
Ngritja e memorialit turk në Tiranë, në dëm të identitetit kombëtar
Ngritja
e memorialit të ashtuqujtur dëshmorëve turq në Tiranë, paraqet një skandal të
madh historik të paparë të politikës shqiptare, e që është në dëm t’
identitetit kombëtar shqiptar. Kjo dëshmon se politika e shtetit shqiptar është
kontradiktore. Në njërën anë, Shqipëria është antare e NATO-së dhe deklarohet
se është përcaktua për integrime në Bashkësinë Europiane, kurse në anën tjetë
me të madhe përqafon vlerat e një regjimit politik diktatorial të Erdoganit,
për të cilin trulloset tërë bota demokratike. Andaj, njohjet nga shkencat
politike tregojnë se fundamentalizmi fetar në politik është i dëmshëm për rendin
shoqëror, e në veçanti është i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare.
Shteti
bashkëkohor duhet të jetë në pikëpamje të religjionit neutral. Ai u takon të
gjithëve, ndërsa religjioni jo. Bindjet e besimit fetar të njerëzve nuk mund
t’u imponohet të gjithëve. Shteti nuk duhet të kujdeset për shpëtimin e
shpirtit(J. Lock).
Natyrisht,
ndarja e bashkësive fetare dhe shtetit nuk nënkupton një kundërshtim të
ndërsjellët, por ajo ka të bëj me dallimin e lëmisë politike dhe asaj
religjioze. Andaj, normat religjioze nuk mund të shënderrohen në norma
politike. Meqënse, besimi fetar dhe
politika janë dy realitete të ndryshme. Prandaj, pushteti ndahet në atë
shpirtëror dhe laik, dhe secili është, ose duhet të jetë me kompetencë në
fushën e vet.
Në
qoftë se ndonjëra prej Bashësive fetare
u përkulet tendencave të ndryshme politike, respektivisht nuk është neutrale,
por ka të bëj me instrumentalizimin e përbashkët të religjionit e politikës,
atëherë ajo nuk prodhon kurrgjë të mirë në drejtim të lirisë dhe barazisë
njerëzore.