Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Behlul Klaiqi - Kurban i Gollakut dhe mbarë Kosovës

| E premte, 03.10.2008, 09:10 PM |


Demir Krasniqi
Në kujtesë të viktimave të terrorit serb në Kosovë:

BEHLUL KLAIQI – KURBAN I GOLLAKUT DHE MBARË KOSOVËS

Nga Demir KRASNIQI

Në përpjekjet e fundit për realizimin e planit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, për zhbërjen e qenies shqiptare nga trojet e tyre etnike stërgjyshore, përmes formave më të egra barbare, torturave, vrasjeve, burgosjeve, përndjekjeve dhe përzënies së tyre për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe të LNÇ-së, Kryeudbashi i Serbisë, i quajtur Aleksandar Rankoviq, përmes makinerisë së tij vrastare dhe shfarosëse ndaj popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, e kishte bërë edhe një projekt famëkeq kundër kësaj popullate, me qëllim që përmes dhunës, terrorit dhe torturave të papara çnjerëzore, ta detyronte këtë popullatë që t’ i lëshojë tokat e tyre stërgjyshore dhe të shpërngulet për në Turqi dhe shkretëtirat e Anadollit!

            Për ta realizuar këtë elaborat, Kyreudbashi i Sërbisë, Aleksandar Rankoviq, kishte projektuar një skenar shtesë të quajtur “Aksioni për mbledhjen dhe grumbullimin e armëve në Kosovë”.

            Për ta realizuar këtë “Projekt”, Rankoviqi me makinerinë e vet vrastare dhe shfarosëse kundër popullatës shqiptare të Kosovës, e kishte zgjedhur  “Dimrin e gjatë” të vitit 1956, dhe atë, pikërisht muajin Janar, gjatë kohës së pushimeve të nxënësve në gjysmë-vjetorin e parë shkollor,  që atë kohë fillonte prej datës 15 Janar dhe zgjaste deri më 5 Shkurt.

            Pra, shkollat ku mësonin nxënësit shqiptar, jo rastësisht, ishin zgjedhur për arenë të ndëshkimit dhe torturave kolektive ndaj burrave shqiptar! Kurse, stina e dimrit, gjithashtu ishte zgjedhur me qëllim që acari, bora e madhe dhe izolimi i fshatrave rurale, të jenë në favor të barbarisë serbe, ku viktimat eventuale nga torturat do të heshtnin nga informimi i opinionit ndërkombëtar dhe botëror!

            Njëra ndër qendrat më famëkeqe për  grumbullimin  e  armëve, ishte organizuar në shkollën fillore të fshatit Tugjec, të Malësisë së Gollakut të Kamenicës, fshat ky që dikur kishte qenë qendër administrative komunale, kurse gjatë kohës së “Aksionit për grumbullimin e armëve” kishte mbetur vetëm si Bashkësi Lokale, në të cilin gravitonin edhe fshatrat për rreth:Gëmica, Sfirca, Zajçeci dhe Meshina.

            Fatkeqësisht, pas shumë përpjekjeve të mia, për ta mësuar datën e saktë se kur është zhvilluar kjo plojë, mbi burrat e asaj Malësie, duke i përfshirë në “Listën e zezë”, që nga mosha 18 vjeçare e deri në moshat më të vjetra, nuk kam arritur të mësoj , përveç asaj , se kjo plojë është zhvilluar diku pas datës 16 janar 1956.

            Projektuesi i këtij “Aksioni” – Aleksandar Rankoviq, në bashkëpunim me UDB-ën serbo-jugosllave, nuk e kishte përzgjedhur rastësisht këtë Malësi, nga se në rend të parë, fshatrat e kësaj Bashkësie Lokale, shtriheshin për rreth brezit kufitar Kosovë – Serbi, e në anën tjetër, malësorët e Gollakut ishin të njohur për rezistencë të herë pas hershme ndaj armikut dhe okupatorit!

            Shi për këtë, në “Listën e zezë për dorëzimin e armëve” ishin përzgjedhur djemtë dhe burrat më të spikatur të kësaj Malësie, duke i rekrutuar si që thotë populli:”Yst e begen”, ku ishin më të mirët!

            Në mesin e këtyre burrave dhe në regjistrin famëkeq, nuk kishte shpëtuar pa hy edhe Behlul Bajram Ismajli, nga fshati Tugjec, i cili në ato anë, nga bashkëfshatarët  dhe bashkëvendësit e vet ,  njihej më tepër si: Behlul Klaiqi, me që paraardhësit e tij, ishin shpërngulur me dhunë në vitin 1878 nga fshati  Klaiq i rrethit të Jabllanicës.

            Behluli, ishte një burrë shumë i urtë, i dashur, i ndershëm që i takonte një familje skajshmërish të varfër, ku në atë kohë, si edhe shumë bashkëfshatarë të tij, mezi arrinte që ta sigurojë kafshatën e bukës për tre muaj ditë të vitit kalendarik, për fëmijët e tij të zbathur e të zdeshur, e lërë më që të kishte armë?!

            Plojën e “Aksionit për grumbullimin e armëve” në Bashkësinë Lokale të fshatit Tugjec, e kishte drejtuar një Kryeudbash i quajtur: Vllada Shilegoviq, i cili në elitën e tij ndëshkuese kishte të rekrutuar edhe disa shqipfolës opingalëpirës –duaxhi , të pushtetit terrorist, që paguheshin mirë nga okupatori, për të zbatuar dhunë e tortura mbi bashkëkombësit dhe bashkëvendësit e tyre!

            Elita ndëshkuese, në emër të kërkimit dhe të dorëzimit “vullnetarë” të armëve, nuk e lëshonte asnjë burrë të kësaj Malësie, pa e shti ndër dajak e tortura të pa para!

Ata torturoheshin në grupe e runde të ndara, me qëllim që të krijojnë panik sa më të madh tek të tjerët! Pas një rundi torturash, viktimat urdhëroheshin që të dilnin në borë dhe të qëndronin të zbathur në formë të rrethit, derisa u ngrinin me këmbë e duar dhe më as goja nuk iu punonte!

            Ata që ishin më të rinj, më të paepur dhe më të shëndetshëm, e pësonin më së keqi, nga se përveç dajakut, mbi ta ushtrohej edhe shkulja e mustakëve me anë të danave për mbathjen e kuajve!

            Derisa i erdhi radha për rrahje, Behlul Klaiqit, ai ishte shtangë me duar e këmbë duke qëndruar në borën e madhe dhe në acar që ngrinte pamëshirshëm trupat e pa fajshëm të burrave të kësaj Malësie!

            Behluli, hyri dhe iu nënshtrua rrahjeve dhe torturave deri në alivanosje. Pas kësaj procedure, elita e udbashëve , kur e panë se do të iu vdiste nëpër pendrekë, e urdhëruan që të shkojë në shtëpi, por që të nesërmen të mos vinte i gjallë, po qe se nuk do t’ ua sjelli armët të cilat ia kërkonin!

            Behlul Klaiqi, i dërmuar dhe i stresuar rënd nga rrahjet, del nga shkolla dhe niset për të shkuar në shtëpinë e tij, rreth 3 kilometra larg shkollës, ku i habitur tërësisht, e kishte humbur kontrollin dhe ishte nisur i zbathur për të shkuar tek shtëpia e tij, nëpër borë e cila i arrinte deri në gjoks!

            Bashkëfshatarët e tij, kur e panë duke shkuar zbathur pa opinga, kishin menduar se i kishte harruar për t’ i  mbathur dhe i thirrën me zë:

            “O, Behlul! Kthehu e merri opingat se i ke harrua dhe do te të ngrihen këmbët derisa të shkosh te shtëpia!”

            Behluli, i humbur, i dërmuar dhe i shkapërderdhur nga dajakët, ua ktheu përgjigjën:

            “O, jo nuk i kam harruar, por nuk kanë se çka më vlejnë më, nga se ma zi për mua nuk ka se çka me u ba!”

            Behluli, shkon në shtëpi, ashtu i zbathur nëpër borë dhe gjatë tërë natës nuk flenë nga dhembjet e rrahjeve nëpër trup, por gjithnjë mundohej që t’ i  fshihte dhembjet dhe ofshamat para fëmijëve të tij. Gjatë natës, kishte marrë vendim të prerë, që më i gjallë të mos u shkojë në duar bishave karpatjane!

            Të nesërmen , zgjohet herët në mëngjes, lahet e pastrohet mirë dhe i veshë një palë rrobe të pastra, me të cilat shkonte nëpër ndeje, mysafirëllëqe e dasma .E merr një litar me veti, ku në atë rast iu thotë fëmijëve dhe familjes së tij:

            “Ju, mos u bëni merak, se unë po bie deri tek livadhet për t’ ua marrë një barrë sanë bagëtive!”

            E merr litarin dhe niset drejt rrugës së vdekjes. Kur arrin në krye të lagjes së Ismajlajve, mu përmbi varret e tyre, e zgjedh një qershi të vjetër, e cila dukej shumë mirë karshi shkollës së Tugjecit, ku zhvillohej ploja mbi shqiptarë nga elita e UDB-së serbo-jugosllave, ngjitet në atë qershi, e ngreh litarin dhe i jep fund jetës së tij!

            Me të kuptuar për këtë varje, kryeudbashi Vllada Shilegoviq, ishte tmerruar  thellë nga frika se tani do ta kuptojë bota torturën e tyre dhe se aksioni i tyre do të dështojë!

Ai, menjëherë jep urdhër që kufoma e Behlul Klaiqit, të zbritet sa më shpejt nga qershia, t’ i fshihen gjurmët e litarit dhe të varroset sa më shpejt, për t’ ia humbur çdo gjurmë!

            Ndaj kësaj urdhërese, reagon fuqishëm bashkëfshatari i Behlulit – Selim Hasan Buzuku, i cili kategorikisht mohon që të zbatohet ky urdhër, pa e bërë obduksionin ekipi i mjekëve specialist! Këtë, e përkrahin edhe shumë bashkëfshatarë dhe më në fund arrin  që të vijnë mjekët në vendin e ngjarjes dhe të konstatojnë shkaqet e kësaj vdekje të dhunshme!

            Lajmi mbi vdekjen e dhunshme të Behlul Klaiqit, brenda natës e kishte marrë dheun. Kishte kuptuar mbarë Kosova, Beogradi dhe opinioni ndërkombëtar!

            Me tu kuptuar për vdekjen e Behlul Klaiqit, i cili sakrifikoi jetën e vet dhe u bë kurban i mbarë Malësisë së Gollakut dhe mbarë Kosovës, që ditën kur u varros Behluli, “Aksioni për grumbullimin e armëve në Kosovë”, u ndërpre.

            Behlul Klaiqi, që u sakrifikua dhe u bë kurban për shpëtimin e vëllezërve tjerë shqiptarë nga rrahjet dhe torturat e egra barbare serbe, u varros në një mënyrë fare modeste, pa kurrfarë ceremonie. Trupi i tij, pushon i qetë dhe prehet në amshim në varrezat e lagjes së tij, në fshatin Tugjec. Pas veti i la bashkëshorten dhe tri vajza të mitura bonjake.

            Ai, u sakrifikua për shpëtimin e jetëve të vëllezërve të tij, nga torturat e egra të barbarisë serbe, por në fund doemos shtrohet pyetja e pa shmangshme:

            -Çka bëmë ne vëllezërit dhe pasardhësit e tij, pas vdekjes së Behlul Klaiqit?!

Askujt, deri më sot, nuk i shkoi ndër mend që t’ ia rregullojë varrin e tij, t’ ia ngrehë së paku një pllakë përkujtimore, t’ ia mbajë një orë përkujtimore, ndonjë emision dokumentar, por mediat e shkruara dhe elektronike edhe sot e kësaj dite heshtin ndaj kësaj ngjarje tragjike dhe rrëqethëse për historinë e popullit shqiptar?!

Gjilan, më 03.10.2008.