E premte, 29.03.2024, 12:26 AM (GMT)

Editorial

Enver Bytyçi: Pse diktatura Rama dhe Veliaj i ngriti memorial dhunës së presidentit Erdogan?!

E marte, 13.08.2019, 07:58 PM


Pse diktatura Rama dhe Veliaj i ngriti memorial dhunës së presidentit Erdogan?!

Nga Enver Bytyçi

Debat i madh për memorialin turk te Kodrat e Liqenit artificial të Tiranës, me të cilin Edi Rama dhe Erion Veliaj nderojnë ‘fitoren e madhe të Rechep Tayp Erdogan kundër puçistëve të 15 korrikut 2016 në Turqi’.

Që ky memorial është antihistorik, antikombëtar, alogjik, për këtë është folur shumë. Në fakt ishte gjest vasaliteti i kryeministrit të Shqipërisë përballë presidentit të Turqisë. Ishte gjithashtu akt i paprecedent. Në praktikën ndërkombëtare kurrë nuk ndodh që një vend të memoralizojë ngjarjet e grushtit të shtetit në një vend tjetër. Vetëm diktaturat, për arsye ideologjike, memoralizojnë ngjarjet e brendshme të ashtuquajtura revolucionare në vendet e tjera, me qëllim që diktatorët ta aplikojnë si model ngjarjen e vendit mik ose vëlla. Kishte ndodhur kjo me Shqipërinë komuniste psh me imitimin që iu bë Revolucionit Kulturor Proletar Kinez, ose me aplikimin e politikave staliniste tek ne.

Ndërsa në debatin për rastin e fundit dëgjoj interpretime të tilla, sipas të cilave, ‘Rama dhe Veliaj janë të kapur ose të shitur te presidenti turk, Erdogan’. Edhe kjo logjikë funksionon. Por memoriali i ngritur në përkujtim të fuqisë erdoaniste të pushtetit ka një domethënie më të madhe. Ashtu si diktatorët edhe sorosistët e Tiranës duan që të kopjojnë modelin turk e rus, si dhe t’u japin shqiptarëve mesazhin se ushtria është e gatshme të ndërhyjë në çdo rast kur rrezikohet pushteti i dyshes Rama-Veliaj! Dhe jo vetëm kaq! Dy pushtetmbajtësit absolutë në Shqipëri duan t’i japin vlerë shtypjes dhe jo revoltës e ta paraqesin dhunën shtypëse si të legjitimuar përballë revoltës së qytetarëve.

Mesa duket i gjithëpushtetshmi Edi Rama e ndjen kërcënimin që i vjen prej valës së protestave të vjeshtës dhe për pasojë paralajmëron se protestuesit shqiptarë të vjeshtës së ardhshme do të kenë fatin e të implikuarve në grushtin ushtarak të shtetit në Turqinë e para tri viteve. Modeli Erdogan do të thotë burgime të përjetshme, dënime të rënda, largime me lista të akademikëve, artistëve dhe çdo kundërshtari e protestuesi nga puna! Të gjithë do të konsiderohen puçistë, siç u konsideruan 2500 dekanë universitetesh në Turqinë e Erdoganit në korrik 2016!

Mbetet që kryeministri i Shqipërisë t’i ngrejë monument të gjitha diktaturave që janë mbrojtur nga revolucionet, me qëllim që të përligjë dhunën e tij të strukturuar në tru, kundër proceseve demokratike të pashmangshme në Shqipëri, procese që çojnë e duhet të çojnë në rrëzimin e diktaturës sorosiste Rama-Veliaj!

Sigurisht që ai memorial është krejt i pakuptimtë, sepse mban anë në zhvillimet e brendshme në një vend të tretë, madje në kundërshtim me qëndrimet evropiane dhe amerikane. Nëse e zbërthejmë kuptimin e këtij memoriali, atëherë do të duhet që të shohim qartë çfarë rreziku u kërcënohet gylenistëve në vendin tonë! E në këtë aspekt ndoshta duhet ta ketë kapur mesazhin përkatës ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati!

Prej ditës dhe orës kur u përurua memoriali i fitores së Erdogan në Ankara e në Stamboll, prej atij momenti qytetarët turq në Shqipëri, qofshin dhe me pasaportë shqiptare ose me prejardhje shqiptare, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me grushtin e shtetit në vendin e tyre, janë dhe do të jenë të kërcënuar, me fatin e 6 gylenistëve që Hashim Thaçi i paketoi në mënyrë të kundërligjshme për t’i çuar në Ankara.

Ky akt anti-perendimor i presidentit të Kosovës është kritikuar ashpër, ashtu siç po gjen kundërshtinë e medieve amerikane dhe evropiane akti i turpshëm e poshtërues i ngritjes së memorialit për Erdoganin në Tiranë. Bota amerikane e mbron fuqishëm liderin e lëvizjes ‘Hyzmet’, Fethullah Gylen, ndërkohë që asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian nuk ka pranuar që të zbatojë urdhër-arrestet që lidhen me ngjarjen e të ashtuquajturit grusht shteti kundër Erdogan në Turqi. Memoriali i Edi Ramës dhe Erion Veliajt shkon në drejtimin e kundërt të qëndrimeve perendimore!

Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë kuptojmë se veprimet dhe politikat e brendshme dhe ato që kanë të bëjnë me ngjarje si memoriali në fjalë, synojnë dhe çojnë në konsolidimin e diktaturës mafioze të Edi Ramës në Shqipëri! Edi Rama me këtë memorial u tha shqiptarëve se ‘forca, dhuna, është në dorën e tij, ndërsa demokracia e liria janë e do të jetë e pafuqishme përballë kësaj force e kësaj dhune’! Ndaj shpalli si aleat të çimentuar në beton e mermer presidentin autokrat të Republikës turke!

Tiranë, më 12.08.2019



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora