E marte, 17.09.2019, 02:18 AM (GMT+1)

Editorial

Reshat Kripa: Ktheni kryet edhe nga të përndjekurit politikë

E marte, 13.08.2019, 08:59 PM


Ktheni kryet edhe nga të përndjekurit politikë

Nga Reshat Kripa

Një zhurmë e madhe po bëhet këto ditë rreth ngritjes së një memoriali nga ana e Ambasadës Turke në Tiranë  në kodrat e liqenit artificial të kryeqytetit. kushtuar të rënëve në grushtin e shtetit kundër diktaturës së presidentit Erdogan. Çuditërisht në këtë memorial përfshihen vetëm të rënët që i përkasin pushtetit të Erdoganit dhe jo ata që u ngritën kundër diktaturës së tij..

Kush e lejoi ambasadën turke të ngrejë një menorial të tillë? Kjo është e qartë  duke parë disa pesrsonaliteteve të vendit tonë që u bënë pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të saj. Kush ishin ata? Në rradhë të parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Ardian Mazniku. Ishte gjithashtu edhe një personalitet tjetër i njohur, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, si përfaqësues i shoqërisë civile, që deklaroi:

“Ky memorial është ngritur për të nderuar njerëz, të cilët dhanë jetën për vendin e tyre. Ata u ngritën për të mbrojtu lirinë dher prosperitetin e vendit të tyre dhe ky rast duhet të shërbejë si shembull se si duhen nderuar të gjithë ata njerëz të cilët sakrifikojnë për vendin e tyre.”

Me gjithe respektin që kam për këtë zotni, dua t’i them se mbrojtësit e diktaturës ergodaniane nuk ranë për lirinë e Turqisë, se lirinë Turqisë është pikërisht presidenti Erdogan që po ia rezikon. Kështu që ata ranë për të mbrojtur një sistem diktatorial që po vendoset në Turqi. Në rast se këta ekzemplarë paskan rënë për lirinë e vendit të tyre, atëhere le të ngrehim memorial edhe për grushtet e shtetit të zhvilluara në shumë vende të botës si në Greqi, grupi i kolonelëve, në Sudan dhe në shumë vende të tjera.

Ajo që më deziluzionoi më tepër ashte deklarata e kryetarit të Bashkisë Tiranë, zotit Erion Veliaj, që deklaroi:

“Në atë teritor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme dhe secili ka mundësi të reapektohet. Unë do të thosha që t’i lemë të vdekurit të qetë dhe kushdo që t’i repektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lemë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë.”

Atëhere po të jetë se Tirana paska vend për të gjithë, zoti Veliaj, le të ngremë memorial edhe për diktatorët e botës mbarë që kanë sunduar  vendet e ndryshme. Le të ngremë memorial edhe për kuilingët e njohur të botës mbarë.

Duke menduar të gjitha këto që shkrova më sipër më del para syve vendimi i Këshillit të Ministravee të Republikës së Shqipërisë me numër 42, datë 14.01.2009 për propozimin e projektligjit “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkangjitet këtij vendimi.

Ndërsa në relacionin përkatës thuhet:

Projektligji përcakton ngritjen e një obelisku, përmes të cilit do të përkujtohen viktimat dhe krimet e komunizmit dhe, si i tillë, do të ndihmojë brezat, e tanishëm dhe të ardhshëm, të kujtojnë dramën që i shkaktoi komunizmi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për të realizuar këtë mision kaq të rëndësishëm, obelisku duhet të vendoset në njerin nga sheshet kryesore të Tiranës, si një zgjidhje arkitekturore e një niveli të lartë internacional. Në bazë të këtij ligji,Këshilli i Ministrave ka hapësirën e mjaftueshme ligjore, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ngritjen e obeliskut.”

Mbështetur në këtë vendim dhe këtë relacion, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi projektligjin “Për Simbolet e Përkujtimit të Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit në Shqipëri”, ku në nenin 5 të tij thuhet:

“Këshilli i Ministarve të nxjerrë aktin e nevojshëm nënligjor, për ngritjen e “Obeliskut Të Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit”.

Çuditërisht, kanë kaluar gati njëmbëdhjetë vjet nga miratimi i vendimit në fjalë,  dhe asnjë nga kryeministrat dhe kryetarët e Bashkisë së Tiranës nuk është interesuar për zbatimin e tij. Si ka mundësi që, pa u menduar fare, miratohet ngritja e një memoriali për nje grusht shteti të nje vendi të huaj që nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë dhe nuk ngrihet memoriali i të përrndjekurv politikë, i caktuar me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë? Mos vallë kjo është pasojë e prapaskenave të marëveshjes së fshehtë Rama-Erdogan?.A mos vallë kjo është një paralajmërim për mbylljen e disa shkollave turke në Shqipëri që nuk i përkasin rrymës së kryeministrit aktual turk?

Përse ky hezitim i pajustifikuar për problemet e të përndjekurve politikë? Qysh në tetor 2006 është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë rezoluta “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në miratimin e së cilës deputetët socialistë, me urdhër të kryetarit të tyre, Edi Rama, dolën nga salla. Zbatimi i kësaj resolute do të ishte një zgjidhje përfundimtare e problemeve të të përndjekurve politikë. Por kjo nuk ndodhi. Nga të shtatëmbëdhjetë pikat e saj pothuajse nuk është zbatuar asnjë. Le t’i argumentojmë:

Nuk është dënuar diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi,drejtuesi dhe ekzekutuesi  i sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore.

Nuk është bërë rishikimi i datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës  komuniste.

Nuk janë bërë publike të gjitha dokumentat që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat, dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve.

Nuk janë hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë,të administratës publike lokale dhe qëndrore,  si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shklruara.

Nuk është hartuar një strategji kombëtare për të gjithë detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekuve politikë për integrimin, arsimimin punësimin, strehimin,  dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë si dhe akordimin e një fondi  për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

Nuk është bërë rishikimi i librave shkollorë, hapja e muzeumeve dhe kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshme si dhe ngritja e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënie ndaj regjimit totalitar.

Nuk është organizuar konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga diktatura komuniste.

Të gjitha këto ishin parashikuar të realizoheshin por, megjithëse kanë kaluar trembëdhejtë vjet, askush nuk është kujtuar për zbatimin e tyre. Për të qënë më realist theksoj se janë zbatuar pothuajse plotësisht arsimimi dhe strehimi i tyre, megjithëse për strehimin u hartua nje ligj, sipas të cilët, të përndjekurit politikë fitonin të drejtën e strehimit falas, kurse tani, çuditërisht, atyre u zbritet vlefta e shtëpisë nga ligji i dëmshpërblimit të tyre, i cili ka kaluar për zbatim në kalendat greke dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.

Sot në Shqipëri numërohen mbe 4000 të vrarë dhe të humbur që nuk kanë një varr për të vendosur një tufë lule apo të derdhin një pikë lot. Shtypi dhe media përditë shkruajnë për të zhdukurit në Kosovë por nuk kujtohen për të rënët në Shqipëri. Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?

Ka mbi dymbëdhetë vjet që është krijuar shoqata e shpalljes së kampit famëkeq të Spaçit në muze por, megjithë përpjekjet e saj, ende nuk ëshrë bërë asgjë.

Lidhur me konferencën kombëtare për krimet e kryera nga diktatura komuniste vazhdon heshtja sikur të moa ekzistonte fare si një pikë e rezolutës në fjalë. Në vendin tonë po organizohen konferenca nga të gjitha llojet, deri edhe ato nga shoqatat gej dhe për këtë konferencë as që kujtohet njeri. Përse?

Këto ishin çështjet që më dolën parasysh këto ditë kur diskutohet ngritja e një memoriali absurd për një çështje që nuk i takon fare vendit tonë.  Si një ish-i dënuar politikë nga regjimi komunist, u drejtohem shoqatave të të përndjekurve politikë që ta ngenë zërin deri në kupë të qiellit për zbatimin e të gjitha detyrimeve që janë ligjëruar për shtresën tonë, deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre. Përndryshe nesër do të jetë shumë vonë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT