E hene, 19.08.2019, 11:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Valle fluturash në Radac

E marte, 13.08.2019, 07:54 PM


Valle fluturash në Radac

Nga Blerim Rrecaj

Një ditë e ngrohë, e zakonshme vere, ndonëse quhet ditë me vapë afrikane. E për ku jemi nis e për ku jemi duke shkuar marrim një vendim përgjatë rrugës. Për në Radac të Pejës, te burimi i Drinit të Bardhë. U afrohemi bjeshkëve të mëdha që duken si bjeshkë zanash e përrallash. Ecim para, e para e pas plot vetura që ia kanë mësyer këtej qoftë për së pari, për së dyti, a për të kushedi të satën herë, afrohemi me ngazëllim e padurim, për të parkuar automobilat skaj rrugës së pashtruar pakkilometërshe e hapësirave që restorantet i kanë shndrruar në vendparkingje. Në numër dukshëm më të madh janë veturat me targa të shteteve të tjera, dhe kjo dëshmon se mërgimtarët nuk harrojnë të aterojnë dhe pikave turistike, çlodhëse, mahnitëse e të mrekullueshme të atdheut. Shtegut jo të gjerë e jo të gjatë ca shitës ambulantë kanë ekspozuar ca artikuj si mjaltë, reçel boronice e ndonjë gjë tjetër, si për të na kujtuar pikturën e Ismail Lulanit me titull: Udhëkryq shqiptar. Sidoqoftë, dëgjohet gurgullima e lumit që zhdirgjet teposhtë, ndërsa ne vazhdojmë për t'iu afruar shtratit të tij, duke u ngjitur sa më lart te burimi. Shikimet e ndeshura sikur i thonë njëri-tjetrit: të lum na për këtë lumë, për këtë vend. Ngjitemi dhe deri te shpella në të cilën hyjnë me rend grupe vizitorësh, e nga hyrja e shpellës del freski e madhe sikur kur ta lëshojmë klimën në maksimum. Habi e çudi e këndshme kjo freski që del nga shpella. Dikush pret mjaft gjatë për të hyrë brenda saj e dikush kthehet për të vazhduar rrugëtimin skajeve të shtratit duke zbrit e ngjitur shkallëve të rregulluara për këtë qëllim. Nja dy vetë kërcejnë njëri pas tjetrit nga rrethojat e hekurta në këtë lug me thellësi uji jo aq të thellë, për të lënë pas gjurmët e bardha pas hedhjes që do treten shpejt. Ca të tjerë zbresin për të përvjelur pantollonat, për të zbathur këpucët, për të hequr çorapet, e për t'i vënë këmbët në ujin e akullt të lumit. Dikush largohet menjëherë, dikush reziston aq sa mundet e dikush zhytet e kryshytet i tëri duke shijuar lumin për dy-tre, mbase dhe katër minuta. Vija e pjerrtë qumësht e bardhë e rrëmbyeshme e lumit, derdhet në pellgun e rrumbullaktë, që nxit fjalë fëmijësh se a mund të quhet kjo ujëvarë a jo. Vazhdon qarkullimi nëpër shkallë, urave, shtigjeve duke i lëshuar udhë e dhënë përparësi njëri-tjetrit, sidomos prindërve që shtyjnë karrocat me fëmijë, njëri prej të cilëve është mbërthyer nga një gjumë i ëmbël pasditeje. Rrjedha të bardha uji gurgullojnë duke iu dhënë kuptim kundrimeve medituese për burimin e emrin e lumit. Rrallë kund kemi parë këso fluturash lozonjare, që enden e vërtiten pjerrësive shkëmbore e mbi lumin gjarpërush. Ca enden të vetmuara. Ca ndjekin njëra-tjerën, siç po bëjnë këto dy flutura ngjyrëportokallta që vërtiten në një rreth jo të gjerë e vazhdojnë të hedhin hapat e kësaj valleje ajri. Edhe ne ia marrim valles sa rrijmë këtu por e vazhdojmë atë edhe duke u larguar e duke marrë me vete freskinë e magjishme të të bukurit Radac...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT