Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Erdogan po na teston me provokime neo-otomane; le t’ i përgjigjemi me aksion qytetar shkatërrues

| E hene, 12.08.2019, 07:59 PM |


Erdogan po na teston me provokime neo-otomane; le t’ i përgjigjemi me aksion qytetar shkatërrues

Nga Kastriot Myftaraj

Memoriali i dëshmorëve të 15 korrikut turk, i ngritur në Parkun e Madh të Tiranës është një test dhe një provokim për ne shqiptarët. Çështja nuk është aq e thjeshtë sa thotë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se tekefundit po nderohen disa të vdekur, siç është bërë dhe në pesëdhjetë raste të tjera në Parkun e Madh.

Në të vërtetë, edhe parë kështu, vihet re se nderohen të vdekurit e njërës palë, mbështetësit e Erdoganit, dhe jo kundërshtarët e tij.

Në 15 korrik 2016 në Turqi pati një luftë mes laikëve dhe islamikëve, ku fituan islamikët. U ndeshën dy modele të shtetit dhe shoqërisë, ai laik me fenë e ndarë nga shteti, dhe ai islamik, me shtetin që ka Islamin fe zyrtare dhe e rregullon jetën e vendit sipas normave të Kuranit. Në këtë luftë, Islami politik fitoi me dhunë.

Memoriali i ngritur në Tiranë përkujton këtë fitore, përkujton të vrarët e palës islamike në këtë luftë. Me moriali nuk ka thjesht synim përkujtimin në Shqipëri të kësaj ngjarjeje dhe të rënëve të saj islamikë, por kërkon të krijojë një lidhje për zbatimin e këtij modeli shtetëror islamik në Shqipëri.

Memoriali pra është i llogaritur si armë për të goditur dy shtylla jetike të rendit tonë kushtetues, të sanksionuara në parime kushtetuese: pavarësinë dhe laicizmin (shekullarizmin).

Mund të ketë mendime se pavarësia e Shqipërisë ekziston veç në letër, por kjo ndodh në raport me partnerët tanë të mëdhenj perëndimorë, SHBA dhe Bashkimin Europian, të cilët nuk rrezikojnë qënien tonë kombëtare. Turqia islamike rrezikon drejtpërdrejt qenësinë tonë kombëtare, duke qenë se thyen boshtin e Shqiptarizmit të ngritur që në kohën e Rilindjes, e cila ishte lëvizje për pavarësimin nga shteti otoman. Ky bosht ishte laicizmi, moslidhja e identitetit nacional me fenë.

Memoriali cënon pavarësinë tonë sepse synon që të krijojë përshtypjen se Shqipëria është pjesë e hapësirës Neo-Ootomane që po kërkon të krijojë Presidenti turk Erdogan. Por memoriali është edhe një objekt kulti fetar islamik, pasi dëshmorët e 15 korrikut 2016, u ngritën me thirrjen e imamëve të 85 mijë xhamive të Turqisë për të mbështetur Erdoganin kundër kafirëve (të pafeve), siç u quajtën kundërshtarët e Erdoganit. Në të vërtetë, në 15 korrik 2016 në Turqi u ndeshën dy palë, laikët, të cilët patën si forcë vepruese një pjesë të Ushtrisë dhe islamikët politikë të prirë nga Erdogani. Turqia e pas 15 korrikut 2016 është një shtet islamik, në kuptimin që Islami tashmë është praktikisht religjioni zyrtar atje.

Shumica laike e shoqërisë shqiptare ka bërë të mundur mbajtjen e rendit kushtetues laik. Për ata që nuk e kuptojnë fjalën, “laike” ose “shekullare”, do të thotë që feja dhe shteti janë të ndarë dhe feja i përket pjesës private të jetës së njeriut. Shteti nuk ka fe zyrtare dhe kjo gjë është e sanksionuar në Kushtetutë. Kjo është baza e shtetit laik, e rendit kushtetues laik.

Memoriali i 15 korrikut turk përveç pavarësisë së Shqipërisë, cënon edhe laicizmin, si shtyllë e rendit kushtetues. Në Shqipëri, rendi kushtetues laik, të cilin gabimisht e quajnë bashkëjetesë harmonike fetare është bërë i mundur falë interesit të përbashkët të dy grupimeve: Nga njëra anë pasardhësit e familjeve të konvertuara dhunshëm në fenë islame në kohën e pushtimit osman, të cilët pas pavarësimit të Shqipërisë nuk e praktikuan më fenë islame, duke ruajtur si rudimente historike veç mbiemrat me ngjyresë osmano-islamike. Në anën tjetër, të krishterët e të dy krahëve, katolikë dhe ortodoksë që përbëjnë shumicën e krishterë në vend. Të dy këto grupime nxorrën mësimin e duhur nga rebelimi islamik i vitit 1914 në Shqipëri dhe bënë një aleancë për të bërë të mundur sundimin e rendit kushtetues laik. Kjo aleancë, e ruajtur edhe në kohën e regjimit komunist, ka vazhduar deri pas rënies së komunizmit. Por pas vitit 1990, gjithmonë e më tepër shteti shqiptar po lëshon në dëm të rendit kushtetues laik. Kjo ka ndodhur për shkak të trysnisë ose joshjes së pushtetarëve tanë nga qendrat fetare arabo-turke.

Me veprime të tilla si ngritja e memorialit, kërkohet që të testohet reagimi i shoqërisë shqiptare, i shumicës laike të saj. E gjithë kjo bëhet sipas një agjende të mirëpërgatitur neo-otomane. Pasi shihet reagimi ndërmerret hapi tjetër. Kështu do të ndodhë edhe tani. Dhe hapi i fundit i kësaj agjende është zyrtarizimi i fesë islame në Shqipëri, si feja e shtetit, me të gjithë pasojat që vijnë prej kësaj.

Prandaj ne shqiptarët e përgjegjshëm aktivë duhet të reagojmë vendosmërisht që tani. Nuk mjaftojnë fjalët, duhet të organizohemi dhe të veprojmë së bashku ne shqiptarët e përgjegjshëm aktivë.

Si fillim, le t’ u japim një afat pushtetarëve tanë, të cilët dhanë leje për ngritjen e memorialit neo-otoman, që ta prishin vetë atë, pasi memoriali është një atentat ndaj rendit tonë kushtetues.

Pastaj, nëse ata nuk veprojnë, le të veprojmë ne shqiptarët e përgjegjshëm aktivë duke marshuar për të shembur memorialin antikushtetues neo-otoman në Parkun e Madh të Tiranës.

Le të caktojmë një ditë dhe ta bëjmë këtë gjë. Do të jetë gjëja më e thjeshtë në botë, sepse askush nuk do të guxojë ta mbrojë atë, aq më pak policët e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt.