E premte, 19.04.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: 'Pirroja - Mbreti i Epirit'

E hene, 12.08.2019, 06:29 PM


"PIROJA-MBRETI  I EPIRIT"

Tregim

Nga Përparim Hysi

Tregimi im nuk ka të bëjë fare, me MBRETIN E EPIRIT-PIRON! Titulli është metaforik dhe këtë metaforë e kam vjedhur nga KATERINA e Madhe e Rusisë. Kjo i ndërronte dashnorët e saj,ashtu si"mbreti gratë" dhe njërin prej tyre që kish bërë"dalje", nuk di  pse e quajti "PIROJA-Mbreti i Epirit". Gjithmonë e vras mendjen të ketë qenë me origjinë ilire ky"favoriti"? Sidoqoftë, unë nuk kam tagër si  historian dhe as vullnet për të shkruar një tregim historik,por, në e titullova kështu tregimin tim, kjo ndodhi se  diku në një provincë ku më çoi puna, unë njoha të gjashmin e "PIROS..." si"favorit". Këtë radhë ky,PIROJA, që njoha unë, ishte burri i ligjshëm i një "KATERINE" (besë e Zotit, i kishte këto hire, pse t'i hyj  në hak?), por qe  sevdallisur me një fytyrë abrash e qimeshëllirë që ta shpallte që së largu. Kur të vinte afër, fytyra prej breshke të jepte një kontonacion që,me të vërtetë, nuk ndiheshe mirë.

*      *     *

Në provincë më çoi puna. Shkolla ku shkova për kontroll qe goxha e madhe dhe vetëm mësuesët që jepnin gjuhë-letërsi  qenë katër. I thirra që të katra që t'i njihja. Erdhëm dhe që të katra ishin në moshë të mesme dhe,secila, atë ditë do kishte ndenjur  më shumë para pasqyrës. Zakonisht, me njerëzit i ndërtoj lehtë urat e komunikimit dhe,tek po u tregoja se cili do ishte objekt i kontrollit, për  t'ua lehtësuar,sado pak atë trysninë që ndjejnë gjithë mësuesët, u thashë:-Kam qenë mësues vet dhe  e njoh mirë tensionin që ndjeni. Duhet të çliroheni nga emocionet dhe duhet të fiksoni një gjë në kokë: aty, në fund të bankave, ai që po vëzhgon,është një specialist që po bën detyrën dhe,sido që do jenë rezultatet në këto ditëkontrolli, kurrë nuk do t'ju "shesë", por duke ju vënë në dukje anët negative dhe pozitive, gjithmonë fjala ime do anojë nga e mira.

E kam patur si platformë pune timen dhe gjithmonë jam ndarë me vartësit e mi, miqësisht.

*    *    *

Të katra qenë ballë meje dhe, tek u hodha një sy "vëzhgimi", e vërejta tensionin e njërës prej tyre që aty, ballë meje, sikur nuk ndihej mirë. Një dridhje e lehtë e  buzës së  poshtme dhe pas saj një si psherëtimë dhe,me sa vura re, sikur nuk e kish "mendjen në mësim". Tërë jetës si mësues, i imponohesha klasës dhe, kur merrja fjalën, "auditori" i vogël, por dhe në ishte i madh, bëhej sy  e veshë. E vura re fustanin gjelbërosh  që kish veshur dhe, pse ta mohoj, fekste mbi  koleget e tjera. Pra, siç mendova,kjo është mësuar që ta"përkëdhelin" dhe këtë "lloj virusi" mundohet ta kalojë dhe nga unë. Në fakt, sikur kish një atmosferë butësie mbi vete: butësia në çiklat e syve,në fytyrën e bardhë qumësht, në flokët si një pyll i zi, lëshuar pak hergjele dhe ajo që më  çuditi tej mase: ca gishta të një dore elegante që kurrë nuk duhet të kishin larë enët. Tek u shkunda nga ky"studim kaq preçiz",mbi  këtë, të"përkëdhelurën, më erdhi ndërmend një tregim i EMIL ZOLA që thotë,ndërmjet tjerash:" Në do që  bukuria të bjerë më shumë në sy, vëreni të pozojë në mes të të shëmtuarave". Ky përkim qe vetëm rastësi që nuk varej as nga unë, por as nga dikush

tjetër: qenë kolege dhe jetonin me familjet e tyre në provincë dhe,ndërsa tri të  tjerat ishin sforcuar për t'i "zbukuruar" sado pak,gishtrinjtë e trashë  nga punët e stinës,edhe në bujqësi, kjo tjetra: e kish tetë në qesetë. Duket i kish shkuar mirë kungulli mbi ujë.

*      *    *

Tek sforcohesha që të ndahesha nga këto hamendësime fare të kota që nuk kishin të bënin fare me punën time, kur dha ballë LIA. Sa më pa, m'u hodh në kokë dhe,ashtu siç ndodh me gratë e atyre anëve që kur takohen me një burrë të njohur,e puthin në të dy faqet, kështu bëri dhe LIA. Mikja ime e tridhjetë vjetëve më parë,LIA nuk qe vendase, por  kish  marrë ato zakone. U përqafuam si dy miq të mirë dhe LIA më bëri paralajmërimin: sa të mbarosh kontrollin dhe do vish  për drekë tek unë. 10 minuta që këtu e kam shtëpinë. U tha, u bë. LIA përpara dhe unë pas saj,se rruga qe si rrugëdhish, dhe, pasi hapi derën, pa u futur mirë brenda, më puthi miqësisht e shumë ngrohtë. Qe liberale e madhe LIA! Nga ato femrat që kish nevojë  për fre. Unë me të qemë kolegë qysh në vitet '60-të dhe tani qenë mesvitet 90-të. Drekën, pothuaj, e kish gati dhe,sa e shtroi, fillloi të më tregonte.

- E pe atë,pilivezën?- më pyeti

-Cilën?- pyeta unë.

- Atë fustan  gjelbrën që ma ha lastarin lart,- tha ajo.

-Po lëre LIE, atë muhabet,- thashë unë.

-Jo, jo, nuk e lë fare. E di pse e kam inat. Jeton si pashalleshë. Punë nuk zë me dorë (vërja re gishtat si të jetë hankozonjë) dhe ka konfortin më të mirë të jetesës,aq sa nuk e gjen as në qytet. Burrin e ka flori:sa ta shohësh,aq i mirë është. Ai ka emigruar jashtë dhe nuk pushon me të dërguar kësaj"hankozonjës" edhe qumësht dallëndyshe. Punët në shtëpi po ia bën vjehrra. Dhe kjo...këtu LIA pushoi sikur do të gjente fjalët e duhura dhe, pasi i gjeti,tha:- Kjo "kuçka" vete e shkarrëzehet me atë surratbreshkën e qimeshëllirin. I tha këto dhe nuk mendoj se unë që vija së pari për kontroll, mund ta njihja këtë njeri me këto dy atribute kaq të shplarë e kaq neveritës.

- Po kush  është, moj LIE, se më vdiqe?

- Po drejtori i shkollës? Kush tjetër?  Se,gjoja,kjo kuçka e  dashuron dhe aq u janë qorruar sytë që të dyve,sa,ndonjëherë, nuk e fshehin dot "mëkatin".

Ti më njeh,- më tha LIA,- unë kam qenë e "hedhur" vet, por kjo"dashuria" e kësaj"kuçkës" me këtë surratbreshkën ma sjellin mu në grykë.

-Epo dardhën e qullur e ha breshka,- mbështeta LIEN  unë.

Ajo:- A ua çjerrë dot maskën?

-Jo.Jo,- i thashë unë.

-Më shkoi dreka dëm,- tha duke qeshur LIA.

*     *    *

Tri ditë që ndenja për kontroll sikur më zuri "gripi" I LIES. Përqasja "qimeshëllirën" me të shoqin e kësaj, të bukurës. Për fat, i shoqi kish ardhur me leje dhe kjo,KATERINA ( jam në ujërat E KATERINËS së MADHE), ma solli në shkollë e më njohu me të. U ulëm ballas dhe,ndërsa vështroja këtë burrë bukurosh.më vajti mendja tek ai"PIROJA-MBRETI I EPIRIT" që KATERINA e MADHE  e kish hedhur si fshesa pas derës. Kjo,KATERINA, që është përballë meje, si fshesë pas derës, ka hedhur të shoqin. QIMESHLIRA a surratbreshka, drejtori, militant i thekur partie, bënte kokrrën e qejfit.

LIA që më ndiqte në të gjitha ditët atje, më tha:

- Aha, të zuri "gripi i kuçkës"!

LIE,- i thashë,- e di që do të mbetet hatri, por më ndodhi si me Leninin. Ajo, kurioze, duke e ditur se unë nuk i lë mendimet gjysëm, më tha:- Po ç'LENIN zë në gojë që të zëntë prdhesi!

LIE,-i thashë,- ia nxorën në shteg LENINIT një dhelpër (kishin dal për gjah) dhe ai nuk e qëlloi.

- Pse nuk e qëllove,Vladimir ILIÇ?

-Ishte shumë e bukur....

Dhe unë,- tha LIA,- gjeta kishë ku të falem.

Tiranë, 24 korrik 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora