Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Masakra e Mirditës

| E hene, 12.08.2019, 08:57 PM |


Shtatëdhjetë vjet më parë

Masakra e Mirditës

Nga Reshat Kripa

O ti udhëtar, që kalon nëpër atë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se shtatëdhjetë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet.

Ju, që keni arritur të jetoni në ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra, burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë.

Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar. Në këto kampe të tmerrshme u dërguan familjarët e martirëve të ekzekutuar

Kampi i Turanit. Një nënë mirditore me dy fëmijtë e saj binjakë. Një ditë në mëngjes kjo nënë çirrej dhe vajtonte për njerin nga binjakët që kishte vdekur pasi nuk kishte me se ta ushqente. Shoqet mundoheshin ta ngushëllonin por zemra e nënës nuk mund të gjente ngushëllim. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante e qante me ngashërim. Kërkonte disa pikë qumësht që nëna nuk kishte mundësi t’ia gjente. Papritmas edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.

Kampi i Bulqizës. Janar 1955. Binte borë, ishte cingërimë. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën mbanim shpirtin gjallë. Toger Ademi, operativi i tmerrshëm  i sigurimit të shtetit. hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, të atin e të cilit e kishin pushkatuar në vitin e zi 1949, i tha me egërsi:

- Përse nuk e realizove normën?

- Isha i sëmurë zoti toger! - u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.

Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.

Kur u err një miku i tij i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.

Qytetarë, mos i harroni këto tmerre! Mos harroni se liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. As u realizua vetëm me një demostratë në fundin e viteve tetëdhjetë. .Për atë u investua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë.

Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.

Një ish kryeministër, që karierën e tij e filloi me këtë post dhe që për fat të keq është ende në pushtet, ka guximin t‘i quaj “plehra” këta martirë të rënë në luftën për liri. Kush ishin plehra zoti ish  kryeministër? Mos vallë fëmijtë që ju, apo prindërit tuaj, i latë të vdisnin nga uria?

Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme?

Unë do t’u thosha: Si nuk keni turp zotërinj?  Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre. Falje kërkoi Papa Gjon Pali i Dytë për krimet e kryera nga krishterimi në mesjetë. Falje kërkoi Kancelaria Merkel për krimet e kryera nga nazizmi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Së fundmi falje kërkoi edhe qytetari gjerman në emër të të atit që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës.

A mund të falen këta persekutorë mizorë? Por si mund të falen ata që nuk kanë kërkuar një gjë të tillë, ata që vazhdojnë të na konsiderojnë ende si armiq? A do të na i lejonin të rënët tanë, të burgosurit tanë dhe të internuarit tanë që nuk patën fatin të shikojnë dritën e demokracisë për të cilën u sakrifikuan?

Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fund të viteve tetëdhjetë shkruante:

Fitimtarët, fitimtarë,

Të mundurit, të mundur në përjetësi

Atëhere, po të jetë kështu,

Mos ardhsh  kurrë demokraci!